Pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme ligjore dhe janë kryer formalitetet e duhura, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Operatorit ekonomik “Emona”, sh.p.k, nga Vushtrria, Shaip Mikullovci, kanë nënshkruar kontratën për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës së Mitrovicës në shfrytëzim afatshkurtër, përkatësisht për dhënien me qira të Qendrës së re Tregtare afër Ibrit, Operatorit ekonomik “Emona”, sh.p.k. Kryetari Bahtiri, pasi ia dorëzoi çelësat opretorit kontraktues, tha me këtë rast se po bëhet një zgjidhje e mirë për funksionalizimin e pronës së paluajtshme të komunës-Qendrës Tregtare. “Presim që këtë ndërtesë të bukur dhe shumë funksionale, Operatori ekonomik “Emona”, ta funksionalizoj dhe kjo të bëhet një qendër moderne afariste, atraktive për qytetarët e të dyja komunave të Mitrovicës, asaj veriore dhe kësaj jugore. Qytetarët do të kenë mundësi për të bërë tregti dhe për të plotësuar kërkesat e tyre të ndryshme sa i përket furnizimit dhe shfrytëzimit të shërbimeve që qendra do të ofroj”, tha ai ndër të tjera. Objekti afarist Qendra Tregtare ka një sipërfaqe të tërësishme prej 20.583 metra katrorë dhe pjesën e parkingut të jashtëm në sipërfaqe prej 2.439 metra katrorë. Çmimi total i qirasë mujore do të jetë 41.100 euro, të cilat operatori ekonomik do të paguaj në konton e komunës së Mitrovicës, si dhe tatimin mbi vlerën e shtuar. Kontrata është nënshkruar për periodën 15 vjeçare.