Qerim Kryeziu: Vlerat e një promovimi

Qerim Kryeziu: Vlerat e një promovimi

(Dr. Nusret Pllana, Terrori i Serbisë pushtuese në Kosovë 1844-1999”, Intervenimi i Nato-s në Kosovë, dokumentari Dëshmitë e Heshtura dhe Florie Lule Bajraktari, Drejt lirisë – ekspozitë)

Qendra Kulturore e Kosovës në Suedi në kuadër të Takimeve të Dhjetorit, organizoi më 16 dhjetor 2017, një promovim dhe një hapje ekspozite. Një promovim i organizuar bukur, por peshoi rëndë në zemrat e njerëzve me përmasën e kujtimit e forcën e dhembjes. Kujtimi, jo harresa lehtësonte, paçka se dhembte shumë. Ekspozita thellonte mendjet skutave të  frymëzimit e freskonte shpirtërat me magjinë e pikturimit. Promovimi i librit Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844 – 1999, dokumentarit Dëshmitë e Heshtura, të Dr. Nusret Pllanës, dhe i ekspozitës Drejt lirisë, të Florie Lule Bajraktarit, u cilësua ngjarje e rëndësishme kulturore me të cilën Qendra Kulturore Shqiptare me seli në Malmö, përmbylli me sukses aktivitetin e vet për vitin 2017.

Rrjedha e promovimit

Mbrëmjen promovuese e moderoi Qerim Kryeziu.

Naim Sadiku – Drejtor i Qendrës Kulturore të Republikës së Kosovës i përshëndeti autorët dhe gjithë të pranishmit, duke potencuar njëkohësisht rëndësinë e këtyre promovimeve dhe rëndësinë e kësaj Qendre e cila është vu në shërbim të të gjithëve pa dallim, këtu në Suedi.

Këtë event e nderuan me pjesëmarrjen deputetë nga parlamenti Suedez, nga MPJ-ja e Republikës së Kosovës, përfaqësues të Ambasadës së RKS-së në Suedi, si dhe Konzulli i RKS-së për Danimarkë.

Moderatori në fillim skicoi portretin krijues e veprues të autorit Nusret Pllana, duke e vlerësuar në fund si një At të përvuajtur që për të rrëfyer golgotën shqiptare të fundshekullit XX-të i shërbeu mirë thënia e atit tonë të kulturuar Zef Pëllumbi “Rrno për me tregue”. Kryeziu njoftoi publikun për rëndësinë e këtij përkthimi në suedisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, turqisht, japonisht, serbisht, për rekordin e promovimeve në 60 qendra të botës dhe për bukurinë e librit si botim, e dhembshurinë e veprës si përmbajtje. Qendrën kulturore dhe promovimin e radhës e nderuan me pjesëmarrje edhe deputetët e Partisë Social Demokrate në Parlamentin suedez, zonja Hillevi Larsson dhe Adnan Dibrani. Zonja Larsson përshëndeti publikun dhe autorët e pastaj u ndal shkurtimisht në të vërtetat historike e politike të Kosovës, shikuar nga këndi i suedezës. “Jam e lumtur që Suedia nga më të parat shtete njohu pavarësinë e Kosovës”-tha Larsson.  Adnan Dibrani është deputet në parlamentin Suedez i rajonit të Hallandit por djali është shqiptar që ka nderuar vetën së pari e pastaj ka bërë krenar bashkëkombësit e vet në Suedi. “Do të flas e do ta përhap kudo në institucionet Suedeze veprën e Dr. Nusret Pllanës”, premtoj Adnani. Dhe si padashur u kujtoj parlamentarëve shqiptarë kudo kulturën demokratike të vendimmarrjes në Parlamentin suedez. Fjalë të mira për veprën e N. Pllanës dhe veprimtarinë e Qendrës Kulturore foli edhe z.Besnik Hoti, Zëvendës Ministër i Ministrisë së Punëve të  të Jashtme të Kosovës. z.Hoti premtoi përkrahjen e Ministrisë së Jashtme për aktivitete të tilla të mërgatës sonë kudo në botë. Asambleisti i Bashkisë së Malmös, z. Mubarak Muhamed Abdurrahman falënderoi Dr. Nusret Pllanën dhe inkurajoj Qendrën Kulturore për veprimtari tjera. Zonjës Hillevi Larsson e asambleistit të Malmös, autori u dhuroi nga një ekzemplar të veprës “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999”. Pastaj moderatori ftoi panelistët e caktuar në skenë dhe ia kaloi  udhëheqjen e panelit doktorit të filozofisë, Prof.dr.Hajdin Abazit.

Perceptimet e panelistëve

Panelistët: Dr. Muhamet Shatri, Dr. Hajdin Abazi, Mr. Nils Henrik Hooge, poeti e përkthyesi Shqiptar Oseku, piktorja Florie Lule Bajraktari dhe Naim Sadiku e vlerësuan veprën e Dr Nusret Pllanës, “Terrori i Serbisë pushtuese në Kosovë 1844-1999”, si monumentale. Autori bëri të ditur se vepra është rishikuar dhe ribotuar për të gjashtën herë, dhe se përkthimit e promovimit suedisht i gëzohet shumë. Përkthimin nga shqipja në suedisht e bëri veprimtari i hershëm, publicisti i mprehtë e poeti i ndjeshëm Shqiptar Oseku. Dr. Shatri e vlerësoi shumë veprën duke pohuar nevojën e botimeve të tjera të këtij lloji. Dr. Abazi evokoi kohën e luftës, momentet e përbashkëta në luftë në kohën kur vet Nusret Pllana ishte i pari zë i Radios “Kosova e lirë”. Nils Henrik Hooge ish ushtar i UÇK -së dhe magjistër i filozofisë (shkroi edhe librin “Kosova”), i cili për të pranishmit në promovim foli në anglisht. E drejta historike e juridike e Kosovës nuk mund të nëpërkëmbej. Dëshmorët e lirisë së Kosovës meritojnë shumë vepra të tilla. Përkthyesi Shqiptar Oseku foli në suedisht. Foli qetë e bukur, ashtu siç fliste dikur në mbrojtje të çështjes sonë në mediat suedeze të kohës. Shqiptari tha se ka vuajtur personalisht golgotën e Kosovës dhe se përkthimi i këtij libri (e quajti më të drejtë – i bardhë) i kujtoi edhe njëherë katrahurën e kësaj golgote. Në përvojën time si përkthyes, kjo vepër ishte më e vështira. Përkthimi, si një lumë trishtimi e si një det trazimi më sillte në mendje historinë e dhembshme dhe heroike të Kosovës sime, tha Oseku. E përfundoj diskursin e vet me poezinë Në vend të lutjes – poezi homazh që dridhte arteriet e zemrës e prekte pejzat e shpirtit. Në përceptimin e piktores Florie Lule Bajraktari, vepra ePllanës është një dëshmi e fuqishme për ta hedhur në bankën e të akuzuarit Serbinë fashiste. Me emrin e Florie Lule Bajraktarit lidhej edhe ekspozita që u hap po këtë  ditë. Ekspozita përbëhej prej pikturave më të bukura të autores e cila së bashku me piktorët si Sali Lutolli, Shyqri Gjurkaj, Rrustem Bujupi, Visar Ulaj, Sejdi Zeka e të tjerë, ka pasuruar traditën e pikturës e skulpturës shqiptare në Skandinavi. Përkthimin e veprës në suedisht Nusret Pllana e përplotësoi edhe me një vepër të tij, me një film dokumentar me titull: Dëshmi të heshtura – të regjisorit Luan Kryeziu. Filmi u përcoll me vëmendje sepse dëshmitë e heshtura të filmit për Krushën e Madhe dolën dëshmi të zëshme, dëshmi që i drejtoheshin ndërgjegjes njerëzore, me nënkuptimin për të mos u harruar kurrë. Gjithë programin e transmetoi live televizioni “ZIK” i Danimarkës të udhëhequr nga veprimtari dhe gazetari Ibrahim Xhemajli. Viktimë e parë e luftës në Kosovë ishte liria jonë, e pa liri s´jetonim dot. Prandaj u quam në këmbë, luftuam, ramë e u sakrifikuam në emër të saj. Për liri kishin rënë gjithë ata emra, burra e gra, pleq e fëmijë – të gjithë personazhe të veprës enciklopedike Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999. Për ata njerëz do të shkruhen poezi, do të këndohen këngë, do të bëhen piktura. Ata njerëz janë garanci e lirisë së sotme, janë testament i përjetshëm për ta dashur, ruajtur e zhvilluar Kosovën tonë.

Qendra Kulturore e Kosovës në Suedi u uron gjithë shqiptarëve festat e fund vitit 2017 dhe gëzuar viti 2018, viti i Gjergj Kastriotit Skëndërbeu, vit i shpallur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë zoti Edi Rama.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …