leoni

Qerim Rexhaj: Fati i Burgut të Gurrakocit si fati i Kullës së Popit!

Qerim Rexhaj: FATI I BURGUT TË GURRAKOCIT SI FATI I KULLËS SË POPIT!

Këto ditë, në opinionin e komunës së Istogut, është aktualizuar me plot të drejt vendimi i Kuvendit Komunal të Istogut për ta rrënuar Burgun e Gurrakocit. Ky vendim, sa arbitrar aq i pajustifikuar, pas shumë vendimeve antihistorike të këtij Kuvendi, vjen pas rrënimit të Kullës famëkeqe të Popit, pas shkatërrimit të ndërtesës së OZN-ës, aty ku janë kryer krimet më barbare nga shovinizmi serbomalazez, pas rrënimit dhe shkatërrimit të mullinjve në Lugun e Shkive, ku mazohizmi shovinist serb, me krimet e tij ndaj shqiptarëve, e ka tejkaluar çdo normë të civilizimit evropian. Indinjata e popullatës së kësaj treve është një kambanë alarmi për të gjithë të përgjumurit, për të gjithë ata që kanë rënë në letargjinë e dehjes dhe rehatisë së mashtrimit koniunktural politik… Me çfarë të drejte, sot, në shekullin XXI, i bëhet atentat të kaluarës sonë historike, vuajtjeve të popullit tonë, vrasjeve dhe mizorive të pashembullta që u bënë kundër gjyshërve, baballarëve, nënave tona, vëllezërve tanë..? Kujt po i intereson që historia e jonë e gjakut të mbulohet me tisin e harresës?! Sot, më shumë se kurrë, duhet të rizgjohet vetëdija qytetare dhe vetëdija kolektive e popullit. Segmente të politikës aktuale në Istog, po prekin në nervin kombëtar, aty ku nuk i lejohet askujt të prek.

 Sot, më shumë se kurrë, duhet të rizgjohet vetëdija qytetare dhe vetëdija kolektive e popullit. Segmente të politikës aktuale në Istog, po prekin në nervin kombëtar, aty ku nuk i lejohet askujt të prek. Para syve tanë, në vazhdimësi, që nga paslufta, po atakohen simbolet e qëndresës, të vuajtjeve, të tmerrit… duke na lënë kështu pa dëshmi historike te të kaluarës sonë të dhimbshme. Në këtë katrahurë politike, që po mbretëron në komunën tonë, zëri i ndërgjegjes duhet të jetë më aktiv se kurrë në mbrojtjen e këtyre pak objekteve monumentale e historike që i kanë mbetur komunës sonë, përndryshe brezat që vijnë do të na mallkojnë. Padituria dhe arroganca politike e pushtetarëve vendin tonë po e dërgon drejt amnistisë së krimeve serbe që janë bërë brenda një shekulli. Kujt, realisht, po i duhet kjo?! Çfarë planesh ogurzeza fshihen pas këtyre qëllimeve djallëzore?

   Duhet të jemi të vetëdijshëm se mallkimi historik do të bie pa mëshirë ndaj të gjithë atyre që shkelin dhe mohojnë gjakun e derdhur, vuajtjet dhe torturat që janë bërë në Kullën e Popit, në Zabelin Sadikrexhëve, në dy puse të mbushura me kufoma shqiptarësh të masakruar, njëri në oborrin e shkollës fillore “Bajram Curri”dhe tjetri në oborrin e Kullës së Popit, që të dy të mbuluar për t’i fshehur gjurmët e krimit. Sot, me të drejtë, akuzon Lluga e Xhamisë, aty ku ende prehen dhjetëra e dhjetëra skelete dhe gjymtyrë shqiptarësh, aty ku ka lëshuar shtat Palestra sportive. Sot akuzojnë rrënojat e godinës të OZNËS, aty ku që nga “çlirimi” e më vonë janë dërmuar deri në vdekje gjyshërit dhe baballarët tanë me pretekste të ndryshme nga OZNA e mandej UDB-ja serbijane.

Sot akuzon Burgu i Gurrakocit, aty ku janë rrahur dhe maltretuar djalëria e kombëtarizmës, e lirisë dhe bashkimit kombëtar, aty ku atdhetarët shqiptarë edhe në qelitë e errëta kanë qenë të lidhur me zinxhirë në këmbë e në duar… Sot akuzojnë Mullinjtë e Lugut të shkive, aty ku barbaria serbo-çetnike ka kryer krimet më monstruoze kundër shqiptarëve të trevës së Podgurit dhe më gjerë nën tingujt e këngëve çetnike dhe harmonikave, nën ndikimin e dalldisjes se alkoolit dhe shovinizmit sllav. Në këtë trevë akuzon çdo gurë, çdo dru dhe çdo hap që bëjmë me sjelljet tona antihistorike në shërbim të krimit dhe gjenocidit të vazhdueshëm të ushtruar nga serbosllavët. Sa me lehtësi i harrojmë plagët tona të pashëruara ndër dekada, sa shpejt e harrojmë dhimbjen për të parët tanë të masakruar që prehen në tokën tonë. Sa shpejt harrojmë emrat e gjyshërve, baballarëve dhe nënave tona të mbetura të veja me jetimët…Sa e sa harresa, shpesh edhe me vetëdije, është bërë mbi këtë histori gjaku e terrori! Argatin e kujt po e bëjnë institucionet e Istogut?!! Ende nuk është ngritur një memorial për rreth 400 shqiptarët e ekzekutuar në Kullën e Popit, në Llugën e Xhamisë, për masakrat te Zabeli i Sadikrexhëve, për krimet në Kullën e OZN-ës, për dhunën në Burgun e Gurrakocit, asnjë pllakë a memorial për 50-60 burrat e pushkatuar të Istogut dhe Istogut të Poshtëm…etj.

   Tokë e varre gjithandej dhe ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë as hapin më të vogël për ruajtjen e kujtesës historike. Deri kur kështu, ecje me paterica, populli im!!!.Edhe memoriali për 52 dëshmorët e ÙÇK- së në qendër të Istogut, pa kujdesin e institucioneve komunale, është lënë në mëshirën e fatit. Po të mos kishin qenë disa donatorë menjëherë pas luftës së fundit, jam i sigurt, as ky memorial sot nuk do të ekzistonte.

Si popull duhet të jemi vigjilent.

Atë që nuk e bëjmë sot, ekziston mundësia që nesër ta mbulojë harresa, armikja më të madhe e kombit!

Duhet ta kuptojmë të gjithë:

HISTORIA NUK KA FILLUAR ME ASNJËRIN NGA NE. HISTORIA ËSHTË MËSUESJA E JETËS DHE SI E TILLË DO TË FLAS PËR BËMAT DHE JOBËMAT E SECILIT NË KOHË DHE HAPSIRË!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …