Qerim Rexhaj: TRIMI QË DERI NË VDEKJE E LUFTOI PUSHTIMIN SERB

(Në 85-vjetorin e rënies së atdhetarit, Nak Berisha)

Një ndër personalitetet e shquara të Lëvizjes Nacionalçlirimtare kundër pushtuesit serb, idealist i paepur për çlirim dhe bashkim kombëtar, luftëtar që kurrë nuk e hoqi pushkën nga dora përball armikut, guximtar që për afër një dekadë sfidoi pushtetin okupues serb duke goditur me forcë shpesh edhe qendrat më vendimmarrëse të tij, njëri ndër prijësit e suksesshëm të Çetës së vëllezërve Beqir dhe Zeqir Rexha, atdhetari Nak Berisha pati një jetë sa të vështirë e komplekse po aq edhe heroike. Vështirë mund të gjendet një personazh i këtillë origjinal në historinë e luftëtarëve të lirisë, të gueriles shqiptare, të ashtuquajtur lëvizje kaçake, që përball ushtrisë, xhandarmërisë dhe forcave çetnike të pushtuesit qëndroi me një vendosmëri të pathyeshme duke mos pranuar të largohet nga vendlindja e tij deri në vdekje edhe pas aq shumë ndjekjesh, edhe pas aq shumë pritash dhe grackash që i kurdisi pushteti serb.>>>

Familja Berisha nga Turiqevci i Skenderajt radhitet ndër familjet e mëdha shqiptare të kohës të dëgjuara për mikpritje, bujari, trimëri dhe atdhedashuri. Kjo familje zotëronte prona të shumta në Turiqevc dhe në saje të punës së ndershme ajo për vete kishte krijuar një gjendje të mirë ekonomike dhe materiale. Për hir të shtimit të krahut të punës, të sigurisë familjare dhe të shtimit të trashëgimtarëve të familjes, që vinte si shtrëngim i rrethanave të kohës, babai i Nakut, Jashari, ishte martuar me dy gra. Mirëpo, njerëz kokëshkretë dhe shpirtshitur, të yshtur nga armiku si dhe nga inatet e smira meskine, në pabesi, shtinë dhe e vranë  Jasharin në moshën 26-vjeçare. Gruaja e dytë e Jasharit, bijë e familjes së njohur të Loshajve të Padalishtës, në kohën e vrasjes së të shoqit ishte shtatzënë. Pas vrasjes së bashkëshortit ajo kthehet në derën e prindërve me betimin e gruas besnike se nëse i lindë djalë nuk do të martohet kurrë, por, në kujtim te të shoqit, do të bëhet fli dhe do ta rrisë birin e tyre të përbashkët. Në këso kushtesh të rënda familjare si dhe në këso rrethanash konfuze shoqërore politike u lind Nak Berisha. Djalin e  pagëzuan Jashar, me emrin e babës, por për shkak të plagës që nuk u shërua asnjëherë për humbjen e të atit, ai kurrë nuk do të thirrët në  këtë emër. Nak Berisha u lind dhe u rrit në familjen e Hajzer Loshit, familje kjo në zë për kultivimin e traditave dhe zakoneve shqiptare, familje e ndershme dhe bujare, por që edhe armët i mbante gjithmonë plot për armiqtë e atdheut. Nën përkujdesjen e dajë Hajzerit, Nak Berisha  fejohet me vajzën e Smajl Niman Salihaj nga Kerrnina. Në të njëjtën kohë edhe babëgjyshi i Tueriqevcit e fejon Nakun me një vajzë nga një familje e fshatit Brojë. Me të dy gratë Nak Berisha jetoi në harmoni për respekt. Me gruan e parë ai pati tre fëmijë: Brahimin, Imerin dhe Zelfijen, ndërsa me gruan e dytë, sipas Imer Jetish Berishës, plakut shtatëdhjetë e pesë vjeçar, pati Rukën, Elfijen dhe Rexhepin.Vend për të jetuar Nak Berisha e zgjodhi Kërrninën, një fshat me toke pjellore të rrethuar gjithandej me male dhe me  bukuri përrallore. Në Kerrninë, me hisen që kishte marrur nga xhaxhallarët në Turiqevc, Naku kishte blerë 18 hektarë tokë.
Nak Berisha u lind në rrethana të jashtëzakonshme, në një kohë kur populli shqiptar po vuante tagrin pesëqind vjeçar të pushtimit turk. U rritë dhe u edukua te dajat, në frymën e atdhedashurisë, gjithmonë duke  pasur për model trimat e fisit të babës, dajallarët dhe heronjtë e kohës.

Pas luftës së Parë Botërore Serbia, e mbështetur dhe në aleancë me ushtrinë franceze, u rikthye përsëri me një egërsi  edhe më të madhe në Kosovën e rraskapitur, të dërmuar dhe të plagosur pas kryengritjeve dhe luftërave të pa reshtura për liri dhe bashkim kombëtar. Konferenca e Londrës e vitit 1913, për të kënaqur orekset pushtuese të Serbisë, Greqisë dhe  Malit të Zi, padrejtësisht kishte legjitimuar copëtimin e trojeve dhe të popullit shqiptar. Pushteti i Serbisë dhe Malit të Zi në Kosovë dhe në trevat tjera shqiptare ishte sa i papranueshëm po aq edhe kobzi sepse në vete po barte arsenalin më çnjerëzor të një okupimi kolonialist. Duke vrarë në masë, duke djegur fshatra dhe krahina të tëra, duke dhunuar mizorisht një popull të tërë, duke i ngarkuar me punë të rënda „hangari“, duke plaçkitur pamëshirshëm, duke i shpronësuar nga toka, duke ua ndërruar fenë me dhunë dhe, më në fund,  duke i dëbuar me dhunë nga vatrat shekullore, okupatori serb mbi popullin shqiptar instaloi të gjithë mekanizmat e mundshme të gjenocidit dhe të etnocidit.

Përball këtyre tendencave kobzeza të pushtuesve serbë u ngritën bijtë më të mirë të Kosovës martire, të cilët, duke ndërtuar barrikadën e pakalueshme të atdheut, u bënë roje e përhershme e trojeve dhe e popullit të shumëvuajtur shqiptar. Të inspiruar nga vendimet e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës që udhëhiqej nga atdhetarët Hoxhë Kadriu, Hasan Prishtina, Azem Galica etj., ata u grupuan nëpër çeta të armatosura të luftëtarëve të lirisë duke dhënë kështu një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e atdheut dhe të popullit shqiptar . Krijimi i çetave të lirisë, të ashtuquajtura çeta kaçake, për një periudhë të mirë kohore u prishi shumë plane administratës kolonialiste e pushtuese serbe në Kosovë si dhe fuqive të mëdha vendim marrëse evropiane. Prandaj, në përpjekje për të shuar organizimin dhe qëndresën shqiptare, mekanizmat e pushtetit serb, si ushtria, xhandarmëria, forcat e falangës çetnike, etj., përmes koordinimit të veprimeve në terren, nuk lanë metodë pa përdorë me qëllim të eliminimit të elementit atdhetar, të njerëzve me ndikim në popull si dhe të prijësve të çetave të lirisë.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve të ethshme represive të pushtuesit serb është edhe masakra e vitit 1918 në fshatin Turiqevc, ditën e Shën Gjergjit, kur nga ushtria serbe vriten bijtë e axhës së Nak Berishës, Tafil Imeri dhe Halil Imeri si dhe vëllai i Nakut nga babai, Fazli Jashari. Ekzekutimi i anëtarëve të familjes Berisha u bë në shtëpinë e tyre dhe u udhëhoq nga oficerët Pop Guxhumi, Llok Majstori dhe Pipivoda. Kjo masakër ishte organizuar si hakmarrje për shkak së shtëpia e Tafil Imerit ishte shndërruar në bazë për çetën e Azem Bejtës. Po atë ditë u ekzekutuan edhe 18 burra të fisit  Berishë. Në ndërkohë, Azem Bejta, i cili ndodhej në Rezallë, me të kuptuar plojën që kishte ndodhur mbi fisin Berishë të Turiqevcit, vet i gjashtëmbëdhjeti sulmon Kishën e Deviçit  me të cilin rast vrau 61 ushtarë e xhandarë, vrau popin dhe i vuri zjarrin kishës nga e cila po i vinin të gjitha të këqijat popullit të Drenicës dhe më gjerë. Kisha e Deviçit dhe simotrat e saj, ishin shndërruar në shtabe operative prej nga  drejtoheshin format e represionit dhe sulmet ushtarake ndaj shqiptarëve. Meqë ushtria serbe kishte marrë urdhër të vriste të gjithë meshkujt në Drenicë, madje edhe ata që ishin fëmijë në djep, sulmi i Azemit prapësoi këto qëllime të kobshme që ishin ndërthurur si skenar për ta lënë Drenicën në gra. Isuf Vojvoda, një shqipfolës që shërbente si rrogëtar në kishë, u urdhërua ato ditë nga komandanti i ushtrisë serbe t’ia dërgonte një letër Azemit përmes së cilës i kërkohej që të dorëzohej ose ta priste për luftë në Rezallë. Azem Bejta me një gjakftohtësi të pashoqe në anën tjetër të letrës komandantit serb ia kthen këto fjalë: “Hajde kur të duash se ke me pasë luftë me krejt Drenicën”. I ndodhur përballë një përgjigjeje kaq të vendosur e të prerë, komandantit të ushtrisë serbe nuk i mbetej  tjetër përveç konsultës me qarqet politike dhe ushtarake në Beograd, të cilat e këshillojnë që  të mos nguteshin në veprime të pamatura, sepse duheshin studiuar forma më përfide për eliminimin e Azemit dhe shokëve të tij.

Sipas dëshmive të Imer Berishës, në masakrën e Turiqevcit, skuadrën e pushkatimit e përbënin edhe serbo-çetniket Teodosia, Toca, Spasoja dhe Dimitria nga fshati Belicë, afër fshatit Kerrninë, në të cilin, tashti më, në pronën e tij jetonte Nak Berisha. Me të marrë vesh  mandatën kobzezë të vëllezërve të tij dhe të kushërinjve të fisit, Nak Berisha betohet  për hakmarrje deri në shfarosje kundër ekzekutorëve të masakrës. Dhe, pa hezituar shumë, së bashku me Sadri Shalën, shokun më trim dhe më besnik të jetës, Nak Berisha harton planin e pritës te vendi i quajtur Lluga e Shapiqit, nëpër të cilin shteg pritej të kalonin Toca, Teodosia, Dimitria dhe Spasoja për të festuar masakrën e Turiqevcit me bashkëvendësit e tyre në Kishën e Belicës. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, serbo-çetniku Dimitrije, paramilitar me përvojë, u kërkon duel Nakut dhe Sadrisë, si në  kohëra të vjetra. Sadri Shala, një burrë sypatrembur, përkundër kërkesës së Nakut, që të mos bie në grackën e pabesisë së shkive, ngrihet për t’u përballur në duel me Dimitrinë. Në ndërkohë katër pushkë zbrazën njëherazi në drejtim të trupit të Sadrisë duke e plagosur për vdekje. Duke qëndruar në këmbë si një qarr shekullor, Sadri Shala, për herë të fundit, përmbledh forcat dhe zbrazë plumbat e mbetur në mauzerin e tij. Me këtë rast, sipas dëshmive të mëvonshme të Nakut, ai plagos për vdekje Dimitrinë. I vetëm, përballë  katër serboçetnikëve, me një plagë edhe më të madhe në zemër për humbjen e shokut më të mirë të jetës, Naku lufton si luan. Në një betejë të pabarabartë për jetë a vdekje, pas disa orësh lufte, Naku arrin t’i shtrijë për tokë kriminelët e vëllezërve dhe fisit të tij. Pas fshehjes së kufomës së Sadri Shalës në pyllin përbri, Nak Berisha, sipas përbetimit, niset për të marr hakun deri në fund, tashmë edhe me një arsye më shumë, për humbjen e shokut të tij besnik. Naku sulmon kishën në të cilën ishin mbledhur një numër i konsiderueshëm i serbëve për të festuar. Edhe këtu zhvillohet një luftë e ashpër ku pati  disa të vrarë dhe të plagosur. Të frikësuar deri në palcë serbët marrin arratinë ku sytë këmbët. Kjo ishte ndeshja e parë që do t’u paraprinte ndeshjeve të tjera të armatosura përkrah trimave të dëgjuar si Kamer e Murat Loshi, Beqir e Zeqir Rexha, çetat e të cilëve  kishin filluar të konsolidoheshin nëpër malet e Drenicës dhe Istogut duke sulmuar strukturat e armatosura serbe dhe ideatorët e tyre.

Pushtuesi serb, ende i pa konsoliduar në trojet e Arbërisë së Vogël, krahas aparatit represiv përpiqej  të fuste në veprim edhe mjetet diplomatike me qëllim të blerjes së kohës për të përfituar deri sa të konsolidohej si pushtet. Në rrethana të këtilla naçallniku i Rakoshit fton krerët shqiptarë me ndikim për një marrëveshje armëpushimi. Ftesës për t’u paraqitur në komunën e Rakoshit i përgjigjën vëllëzërit Beqir, Zeqir e Tahir Rexha, Nak Berisha, Sokol Rama, Dan Salihu si dhe Cen Llugiqi, të cilët pretendonin t’ia vënë disa kushte pushtetit serb për ta ndalur dhunën dhe represionin ndaj popullatës shqiptare. Ftesa që u ishte bërë krerëve më me ndikim nga  popullata shqiptare e rrethinës së Rakoshit ishte vetëm një manovrim për ta futur në kurthë dhe për ta eliminuar përgjithmonë elementin kryengritës shqiptar i cili kishte arritur të marrë përpjesëtime të rrezikshme për pushtetin okupues serb. Përfaqësuesit shqiptarë posa hynë në Rakosh, në çastin kur ishin duke blerë duhan dhe duke pirë kafe në  hanin e Zor Mumiqit, rrethohen nga forca të shumta ushtarake, të xhandarmërisë dhe paramilitarëve serbë. Komandanti dhe zëvendësi i forcave të armatosura serbe, duke besuar se tashmë i kishte futur në grackën e dëshiruar prijësit e komitës  shqiptare dhe duke besuar se tashmë ata do të dorëzohen, hyjnë në kafene dhe u drejtohen komitëve që t’i dorëzojnë armët ngase ishin të rrethuar nga të gjitha anët. Ata akuzojnë komitën, pra çetat e lirisë, se po kryekan vepra në kundërshtim me ligjin, prandaj edhe duhej të dorëzoheshin. Të pyetur nga komandanti së kush e kishte vrarë ditë më parë Tocën me shokë, Nak Berisha, pa iu dridhur zëri e as qerpiku i syrit, i përgjigjet shkurt: “me këtë pushkë që kam në dorë i kam vrarë 28, ndërsa me ju të dy do t’i bëjë tridhjetë.” Duke e parë së kishin rënë në kurthin e pabesisë serbe, Nak Berisha me shokë, jo vetëm që nuk pranojnë të dorëzohen, por zënë peng oficerët madhorë dhe nën presionin e tytave të pushkës i përdorin ata si mburojë për të çarë rrethimin. Përkundër kërkesës së oficerëve serbë, të cilët nga ushtarët dhe xhandarët serbë kërkojnë që të mos shtinë, lufta fillon nga të gjitha drejtimet. Në të shtënat e para vritet Cen Llugiqi, ndërsa plagoset Dan Salihi. Duke e parë rrezikun e mundshëm të vrasjes së tyre, Nak Berisha me dorën e vet paraprakisht ekzekuton të dy oficerët serbë. Pas një lufte të ashpër dhe të pabarabartë, luftëtarët e lirisë duke e njohur çdo pëllëmbë të truallit të tyre stërgjyshor arrijnë të çajnë rrethimin. Në shenjë hakmarrje pushteti okupues serb, pas dy disfatave që kishte pësuar nga Nak Berisha me shokë, dogji  gjithë Kerrninën me rrethinë. Xhandarmëria serbe kishte shpresuar së mund ta zinte peng familjen e Nakut në mënyrë që atij t’i vinte kushte të dorëzimit. Në shtëpinë e Nakut ata gjejnë baballëkun e tij Smajl Nimanin të cilin e vrasin barbarisht. Nak Berisha i vetëdijshëm për rrugën që kishte marrë, paraprakisht familjen e tij e kishte strehuar te familja Kapiti në fshatin Zallq të komunës së Burimit (ish Istog). Represioni ishte aq brutal sa nuk u kursyen as pleq, as gra, as fëmijë. Hap tjetër që ndërmori pushteti serb ishte edhe shpronësimi dhe konfiskimi i pronave të kaçakëve (luftëtarëve të lirisë) dhe përndjekja e të gjitha familjeve që mbanin kontakte dhe i ndihmonin ata.

Represioni dhe dhuna ushtarako policore, masat drastike administrative që po ndërmerrte pushteti okupues kolonialist serb kishte shtuar radhët e çetave të luftëtarëve të lirisë të cilët kishin dalë maleve për të mbrojtur lirinë dhe të drejtat e tyre të mohuara. Në këtë kohë për Nak Berishën dhe Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës fillon një fazë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet udhëheqësve dhe çetave të tyre. Ndonëse ishin të përndjekur dhe të vëzhguar nga forcat armike edhe Lëvizja kryente detyrat e saj duke vrarë të gjithë ata që përpiqeshin që ta poshtëronin popullin shqiptar. Krismat e pushkëve në këtë periudhë kohore  po jehonin më shumë së kurrë më parë Çetat e Azem Galicës, Mehmet Konjuhit, Beqir Rexhës, Idriz Seferit,  Kamer Loshit, Sadik Ramës, Sali Shabanit, Kerit të Sadri Bardhit, Fazli Beranit, Mehmet Delisë, Ilaz Reçakut, Mulla Agan Kajës, Ramë Bekës dhe shumë çeta të tjera të vogla u bënë tmerri  i armiqve dhe krenaria e dashuria e popullit liridashës shqiptar. Nak Berisha në këtë periudhë kohore gjendej aty ku  vlonte pushka, në betejat më të vështira. Gjatë dimrave kur jeta nëpër male bëhej e pamundshme, Naku së bashku me  familjen e tij strehohej të familja atdhetare e Fazli Junikut nga Juniku, i cili ishte mik i besës dhe bujar, ndërsa kthehej në vendlindje me syrin e pranverës për t’i qëndruar besnik  shtëpisë, njerëzve të tij, për t’i dalë zot lirisë dhe tokës arbërore.

Pas vrasjes së Azem Galicës dhe rënies së Zonës së lirë të Drenicës ose „shtetit në shtet“, siç shprehej shtypi serb, Serbia deri diku filloi të vë pushtet në Kosovë, ndërsa edhe çetave të vogla të lirisë po u ngushtohej veprimi. Në këtë periudhë Nak Berisha mbetet  pothuajse i vetmuar si luftëtar në malet e Stojevcit, Tuçepit, Polanës, Ozdrimit e Rakinicës. Një pjesë e prijësve dhe e luftëtarëve të shquar të çetave tashti më ishin vrarë në përpjekje me forcat serbe, ndërsa një pjesë tjetër e tyre, në pritje të një kohe më të mirë, ishin strehuar nëpër vise më të qeta e sidomos në Zonën Neutrale në Junik dhe në Shqipëri. Nak Berishës nuk i bënte zemra ta lëshonte Drenicën edhe pse e dinte së ishte vënë në shënjestër të okupatorit serb. Për të dhe shokët e tij të mbetur filluan ditë të vështira. Bazat ku ai strehohej ishin vënë në përgjim të vazhdueshëm njëzetë e katër orësh. Ai nuk e kishte për gjë që tokën ta kishte shtrojë dhe qiellin mbulojë. Kjo ishte rruga jetësore që kishte zgjedhur jo më dëshirë, por që i ishte imponuar padrejtësisht. Duke jetuar nëpër male ushqehej me gjithçka të mundshme pa u rënë në qafë dhe pa i bezdisur të tjerët. Një ditë derisa ishte duke pjekur misër shtalb për të mbajtur trupin gjallë në vendin e quajtur Lisat e Osojanit rrethohet nga çetnikë të armatosur, kryesisht meshkuj të familjes Gjuriq. Në këtë përballje, pas një kundërvënie të ashpër që ju bëhet serbëve, Naku arrin t’i lë të vrarë gjashtë çetnikë të armatosur të fshatit Osojan. Pushka e Nakut villte zjarr sa herë që e kërkonte nevoja. Ajo godiste në cak sepse duart e Nak Berishës dhe syri i tij shqiponjë ishin zotuar për të qëndruar në shërbim të atdheut deri në çastin e fundit. Kishte kohë që emri i Nak Berishës ishte shndërruar në tmerr për armikun dhe në shpresë për popullatën shqiptare e cila po përjetonte periudhën më të vështirë të zezonës. Naku bridhte para hundëve të okupatorit, jipte goditje kundër kriminelëve serbë dhe zhdukej si hije. Përveç urdhëresës që ish dhënë për ta vrarë, shteti serb kishte shpallur edhe shpërblim të majm për atë që do ta vriste Nak Berishën. Pusitë i ishin vënë në të gjitha pikë kalimet strategjike, andej ku mendohej së mund të kalonte ai. Për t’i ikur ndjekjes së vazhdueshme, e cila ishte bërë mision sublim i pushtetit okupator serb, Naku vendos që për ndonjë ditë të strehohet te Xhemajl Izbica nga fshati Izbicë, një mik i tij i besës. Gjatë manovrimeve të tij në trekëndëshin Belicë-Kerrninë-Izbicë Naku bie në istikamet e kamufluara të xhandarmërisë serbe. Edhe në këtë rast, si shumë herë të tjera, ai ndodhet i vetëm përballë lukunisë së egërsuar serbomadhe që në vazhdimësi kërkonte gjak. Duke qenë së terreni ishte bukur i përshtatshëm për kundërpërgjigje, me gjakftohtësinë e një luftëtari tashmë të rryer që nuk i bënte përshtypje asgjë, sepse tashmë e kishte kuptuar së jetën nga vdekja jo rrallë e ndante një fije floku, Nak Berisha vendosë që të luftojë deri në qelizën e fundit, vendosë që të vdes me faqe të bardhë, ashtu siç i ka hije vetëm luftëtarit të lirisë së atdheut. Në këtë pritë, sipas dëshmive të Ramë Zekës nga fshati Drejë, i cili i veshur në uniformën e xhandarit gjendej në anën e forcave serbe, pas disa orë luftimesh që u bënë kundër Nak Berishës nga pala serbe në fushëbetejë mbetën 23 xhandarë të  vrarë dhe disa të plagosur. Naku edhe këtë here, mes përmes breshërisë së plumbave, në saje të pushkës e cila nuk e kishte tradhtuar kurrë, arrin që fitimtar ta çajë rrethimin.

Një përpjekje të radhës me forcat çetnike serbe Nak Berisha e pati edhe në Grykën e Drethit kur paramilitarë të armatosur deri në dhëmbë kishin në plan të terrorizojnë, të plaçkisin dhe të masakrojnë banorët Syrigonës dhe të Padalishtës. Edhe në këtë rast Naku së bashku me Hasan Rexhën nga fshati Bollopojë dhe me dy luftëtarë të tjerë, trupat e tyre i kthejnë në mburojë të popullit, në të njëjtën kohë kur disa bashkëluftëtarë të tjerë të tyre nuk pranuan të futën në konflikt të armatosur me arsyetim së kjo ndërmarrje do ta tensionojë edhe më shumë situatën edhe ashtu të rënduar. Sidoqoftë, hordhitë serboçetnike morën një mësim të mirë nga katër trima të cilët ishin besatuar së më parë do të vdisnin së sa t’i lejonin  bandat çetnike të depërtojnë në vatrat shekullore shqiptare. Pas këtij rasti, i tronditur deri në palcë, pushteti serb aktivizon gjithë mekanizmat e mundshëm duke kërkuar ndihmë edhe nga qendra të tjera për t’i dhënë fund  rastit të Nak Berishës, i cili për popullin e shtypur shqiptar po kthehej në legjendë të gjallë dhe në shpresë të madhe. Intensifikimi i ndjekjes në shkallë të gjerë dhe të vazhdueshme nga pushteti bëri që Nak Berisha përkohësisht të largohet nga vendlindja e tij dhe të gjejë strehë në vendin e quajtur Lluga e Mulakut në fshatin Burojë. I lodhur, i rraskapitur dhe i uritur për vdekje Nak Berisha strehohet larg syve të kalimtarëve për ta marrë vetën para së të vendoste të merrte ndonjë vendim të mëtutjeshëm. Por pabesia dhe tradhtia kishte filluar të ngrit kokë. Llumi i kombit po shndërrohej në dorë të zgjatur të pushtetit okupues vetëm për pak para, për ndonjë pozitë hyzmeqari, për një palë rrobe të xhandarit dhe për një armë të fëlliqur duke ngulur kështu pabesisht thikën mbi shpatullat e bijve më të mirë të  popullit të cilët po martirizoheshin për lirinë, për tokën, për gjuhën shqipe, për traditat e kultivuara brez pas brezi. Në këto rrethana zbulohet edhe vendi i strehimit të Nak Berishës. Shpirtshituri Brahim Mulaku-Qosja, heton çunin Beqir Mulaku, bari  delesh, djalë i tezes së Nakut, që  po i çonte ushqime Nakut. Me të hetuar vendndodhjen e Nakut, Brahim Mulaku niset kaluar për në Deviç për të dhënë informata të sakta dhe njëkohësisht për të kërkuar shpërblimin e tradhtisë.

Me përforcime shtesë nga posta tjera të xhandarmërisë, me ushtri të rregullt dhe me banda çetnikesh rrethohet tërë fshati Burojë e në veçanti Lluga e Mulakut. Xhandarmëria me shpejtësi të madhe largon nga shtëpitë banorët e fshatit, posaçërisht ata nga lagjja e Mulakëve, për t’i përdorur shtëpitë e tyre si fortifikata. Lufta fillon herët në mëngjes. Një luftë për jetë a vdekje. Kësaj radhe krejt më ndryshe nga luftërat e mëparshme sepse në radhët e xhandarmërisë ishin regrutuar edhe shqiptarë, të cilët po shtinin me armë mbi gjakun e tyre, mbi lirinë e popullit të vet, mbi atdheun e robëruar nga shkau. Gjatë luftimeve fyt më fyt Naku dëgjon klithma në gjuhën shqipe “kuku nanë” dhe vetëm atëherë e kupton se në radhët e forcave serbe ishin regrutuar edhe shqiptarët e shkretë. Fishekët dhe forcat po i mbaronin. Në luftë e sipër shfrytëzon rastin për të kërkuar me zë të lartë që t’i hidhnin fishekë dhe që shqiptarët të kalonin në anën e tij. Por jo, një gjë e tillë nuk ndodhi. Me ata dy tre fishekë që i kishin mbetur Nak Berisha ngrihet në këmbë për të fundit herë. Në përleshje grykë më grykë Nak Berisha dhe Jakup Jetullahu vrasin njëri-tjetrin. Gjëmë e llahtarshme! Njëri bie në mbrojtje të lirisë së atdheut për të mos vdekur kurrë! Tjetri bie në mbrojtje të robërisë për t’u kujtuar ndër breza si tradhtar gjak qelbur! Në këtë betejë, sipas dëshmitarëve, mbetën të vrarë 18 ushtarë dhe xhandarë serbë si dhe shqipfolësit Ahmet Loshi nga Syrigona dhe Istref Smajli nga Vojniku.

Trupi i pajetë i Nak Berishës u bart në fshatin Turiqevc për t’u ekspozuar para komunës. Banorët e fshatrave për rreth u ftuan me tellall. Pushteti po festonte dhe po kërcënohej…Tregojnë se gjatë ekspozesë një oficer serb Nak Berishën e vdekur, të shtrirë  për tokë, e qëllon me çizme në kokë, ndërsa oficeri tjetër madhor, në të njëjtën kohë, i bie oficerit me kamxhik duke i thënë  “po e qëllon sot për së vdekuri, kurse për së gjali nuk guxoje t’i afroheshe as në distancë të plumbit të pushkës”… Gjatë „ceremonisë“, përmes të një dekreti të komunës,  poppulli urdhërohej që kufoma e Nak Berishës të mos varroset në varreza publike, por ajo të hidhej në një përrua. Më gjithë ketë trupi i këtij  kolosi të tokës arbërore u varros në heshtje pikëlluese dhe fshehurazi në një mezhdë të gjelbëruar që ndanë Turiqevcin dhe Burojen.

Kështu pas një veprimtarie të gjerë patriotike dhe luftarake, më 13 shtator të vitit 1925, mori fund jeta e Nak Berishës, luftëtarit të lirisë, prijësit të çetave të Drenicës, trimit të këngës, burrit që për shtatë vjet me radhë qëndroi kala e pamposhtur me pushkë në dorë në mbrojtje të popullit, në mbrojtje të atdheut.

Rruga e Nak Berishës nuk ishte dhe as mbeti rast i izoluar për fisin Berisha. Nga trungu i kësaj familje rrugën e tij atdhetare do ta vazhdojë me një devotshmëri të pa shoqe i biri i tij Rexhepi, ndërsa më vonë, një kontribut të çmuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhanë një numër i konsiderueshëm i bijve të këtij trungu, nga të cilët dy ranë dëshmorë të kombit dhe disa të tjerë mbetën të plagosur duke dhënë gjak për lirinë e trojeve shekullore shqiptare.

Degët e trungut të familjes së Nak Berishës sot i gjejmë të shtrira në Pejë, Skenderaj, Drejë, Mitrovicë, Turiqevc, etj.

Shënim: Këtë shkrim, në masë të madhe, me shumë të dhëna, e ndihmoi plaku i urtë dhe atdhetar, Imer Jetish Berisha, i cili edhe pse në moshë 75 vjeçare karakterizohet me një kthjelltësi mendimi, me një kujtesë deri në detaje, me urtësi burri dhe me një vizion origjinal lidhur me lirinë dhe bashkimin kombëtar, vlerë kjo e trashëguar nga tradita e paraardhësve të tij, për çka e falënderoj nga zemra.
Burim, më 09.09.2010

KËNGË PËR NAK BERISHËN

Krisi pushka n’Belicë te kisha
Po lufton Nak Berisha
Fort luftoi Naki me Sadrinë
E vranë Spasën e Dimitrinë
E vranë Tocen e Teodesinë…
Sadri Shala azgan ish kanë
Po u del shkive për mejdan
Nak Berisha na u çue në kamë
Te Sadria Naku po shkon
Gjallë Sadrinë po ma gjanë
Sadri Shala djalë i ka thanë
T’parën pritë kur e kemi nxanë
Folë ta kam nji fjalë të ranë
Mos me u dalë shkive n’ mejdan
Se s’gjunë nja po t’gjujnë të tanë
Ditë e kam qikjohja që t’gjanë
Kush po ngjitet Lugut Kërnins
Nak Berisha i pari komits
Nakut shoktë na i kanë thanë
Nak Berisha ku po na çonë
O ku po don Nako me shkue
N’hyqymet shokë me u afrue
Politikë shokë n’mujshim me ‘nue
N’hanë t’Rakoshit Naki po shkon
Me m’dhanë letra me m’dhanë duhan
Janë tre muj n’këtë han s’jam kanë
E në kafe Naku po shkon
Shkon në kafe kafe me pi
Naçallniku me xhanari
Nja treqind more civili
N’rreth Rakoshin e ka shti
Vetë i dyti n’kafe a hi
Vetë i dyti n’kafe po shkon
Shoktë e Nakit u çunë në kamë
Nak Berisha venit s’po lunë
Naçallniki Nakin ma dvetë
Po mu Tocën o kush ma pretë
Nak Berisha at’herë po flet
Naçallnik te t’ka met hilet
Me dorë teme i kam ra manxerrkë
S’kam vra shumë veç tetëmdhetë
Kam ymyd sot po i baj njizet
Naçallniku n’kam a çue
Hajde Nak ni besë me ‘nue
Prej kti veni m’u largue
Ta dhashë besën s’kam me t’luftue
Nak Berisha at’herë po flet
O ruje kryt se po vras apet
Deri t’i baj njizet e tetë
Naçallnikut o i ka ra manxerrkë.

Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.

P ë r m b a j t j a

Kongresi i Manastirit 14 – 22 nëntor 1908
Shkolla e shkrimi shqip pas Kongresit të Manastirit dhe dhuna xhonturke (dhjetor 1908 – gusht 1909)
Kongresi i Dytë i Manastirit (2-3 prill 1910)
Reaksioni xhonturk dhe qëndresa kundër tij (1909-1910)
Kongresi Kombëtar i Elbasanit (2-8 shtator 1909

Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm. Rilindësit me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë ndasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Zgjidhja e saj do të ndihmonte si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar.
Vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe u përgatit gjatë një epoke të tërë të Rilindjes, falë veprimtarisë krijuese në lëmin e gjuhësisë dhe të letërsisë të brezave të tërë të iluministëve shqiptarë, gjuhëtarë, shkrimtarë, poetë, publicistë etj. Një ndihmesë të vyer dhanë organet e shtypit, sidomos ato të viteve të fundit të shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX, ku spikati në mënyrë të veçantë revista “Albania” (Bruksel-Londër, 1897-1909) e Faik Konicës. Miratimi i alfabetit (alfabetares) së Stambollit, në vitin 1879, ndonëse shënoi një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e vendosjes së një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, nuk arriti ta zgjidhte përfundimisht këtë çështje.
Alfabeti i Stambollit u përhap vetëm në Shqipërinë e Jugut e të Mesme, ndërsa në Shqipërinë e Veriut, posaçërisht në Shkodër përdoreshin tri alfabete të tjera për shkrimin e shqipes, ai i shoqërisë “Bashkimi” (1899), i “Agimit” (i jezuitëve) dhe alfabeti i shkrimtarëve të vjetër të Veriut, që përdorej më shumë nga klerikët katolikë. Organet e shtypit shqiptar, ndonëse botoheshin të gjitha me alfabetin latin, kishin ndryshime ndërmjet tyre. Në rrethana të tilla, vendosja e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe do të arrihej jo vetëm në luftë me sunduesit e huaj osmanë, që përpiqeshin ta pengonin atë si një arritje që do të çonte në afirmimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, por edhe duke kapërcyer frymën dhe interesat lokalë të shoqërive e të grupeve kulturore shqiptare, që ushqeheshin edhe nga dasitë krahinore të trashëguara nga e kaluara.
Ndonëse në thelb ishte një çështje kulture, njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe paraqitej njëherazi një nga problemet më të rëndësishme politike të kohës, zgjidhja e të cilit do të varej nga zhvillimi i lëvizjes kombëtare në përgjithësi. Në të vërtetë, thirrja e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe u bë e mundur vetëm në rrethanat e reja, që u krijuan për lëvizjen kulturore-kombëtare pas shpalljes së kushtetutës në vitin 1908.
Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare. Drejtuesit e këtij klubi, menjëherë pas themelimit të tij, e shpallën zgjidhjen e kësaj çështjeje si detyrën më të ngutshme të lëvizjes kombëtare. Gjatë muajve gusht-shtator, pasi kishte marrë edhe pëlqimin e klubeve e të shoqërive të tjera atdhetare, klubi i Manastirit ndërmori masat konkrete për thirrjen e kongresit kombëtar për çështjen e alfabetit. Në “Zëdhënien” që u shpërnda me këtë rast, ftoheshin të merrnin pjesë në kongres “gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, si edhe “çdo filolog” shqiptar. Nisma e tij u prit mirë nga atdhetarët shqiptarë dhe nga klubet e shoqëritë patriotike brenda e jashtë vendit, që u treguan të gatshme të dërgonin përfaqësuesit e tyre në këtë kongres.
Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.
Kongresi i Manastirit për çështjet që diskutoi e zgjidhi dhe si një nga tubimet më të gjera e më përfaqësuese nga përbërja e tij, vlerësohet me të drejtë si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX. Delegatë të tij ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi. Megjithatë, për një varg arsyesh të diktuara nga rrethanat e kohës, pati edhe intelektualë të shquar (si Faik Konica etj.) që nuk arritën të merrnin pjesë në punimet e këtij Kongresi.

Gjatë dy ditëve të para të Kongresit u zhvilluan mbledhje të gjera e të hapura, ku morën pjesë, përveç delegatëve, edhe intelektualë e nxënës të shkollave të Manastirit, si edhe banorë të tjerë të këtij qyteti, rreth 400 veta. Këto mbledhje u shndërruan në manifestime kombëtare, në të cilat u mbajtën fjalime patriotike për nevojën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, si dhe për përparimin e kombit e të kulturës së tij.
Vendin kryesor në punimet e Kongresit, duke përfshirë edhe mbledhjet e hapura, e zuri çështja e caktimit të një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Gjatë diskutimeve që u bënë në ditët e para, të gjithë shfaqën mendimin se alfabeti që do të vendosej duhej të kishte si bazë atë latin. Por pikëpamjet e delegatëve më tej u ndanë, prandaj në ditën e tretë të punimeve Kongresi zgjodhi një komision prej 11 vetash, të kryesuar nga at Gjergj Fishta, ku bënin pjesë njohësit më të mirë të gjuhës shqipe, përkrahës të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit”, të “Agimit”, si dhe intelektualë të tjerë të shquar. Komisionit iu dhanë fuqi të plota për të vendosur për këtë çështje.
Pas shumë diskutimesh Komisioni vendosi që të mos merrej në vështrim asnjëri nga tri alfabetet e përmendura më sipër, por të krijohej një alfabet i ri mbi bazën e atij latin, duke u dhënë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje me nevojat e gjuhës shqipe. Por Komisioni ndeshi në vështirësi për caktimin e shkronjave dyshe, që nevojiteshin për ata tinguj të shqipes, që i mungonin latinishtes (për dh, gj, nj, th etj.). Në këto rrethana, pas tri ditë diskutimesh (17-19 nëntor), anëtarët e Komisionit, sikurse thuhej në vendimin e Kongresit, “të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme”, nuk arritën të caktonin një alfabet të vetëm për gjuhën shqipe, prandaj vendosën “të kthehen prapa”, duke pranuar alfabetin e Stambollit “e me të bashkë edhe një abece thjesht latine, që të përdoreshin e të mësoheshin bashkarisht në mes të shqiptarëve”. Të dy alfabetet do të përdoreshin detyrimisht në shkolla.
Ky vendim, që vetë Kongresi e quajti kthim prapa, u argumentua nga Komisioni me “disa shkaqe të përjashtme” dhe pikërisht me nevojën për të shtypur me alfabetin thjesht latin libra jashtë Shqipërisë dhe për korrespondencat me jashtë. Në të vërtetë, me shkaqe të jashtme nuk kuptoheshin vetëm ato thjesht teknike, por edhe trysnia e ushtruar mbi Komisionin nga qarqet e shoqëritë e ndryshme shqiptare, që ishin për alfabetin e Stambollit (në Shqipërinë e Jugut) dhe atë të “Bashkimit” në Gegëri e sidomos në Shkodër. Vendimi për të përdorur bashkërisht dy alfabete u mor për të mos shkaktuar përçarje në radhët e delegatëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Në të njëjtën kohë ai u quajt si një zgjidhje e përkohshme për të kaluar në të ardhmen në përdorimin e një alfabeti të vetëm.
Ndonëse nuk caktoi një alfabet të vetëm, vendimi i Kongresit të Manastirit ishte një hap i rëndësishëm përpara në rrugën e zgjidhjes përfundimtare të çështjes së alfabetit të shqipes dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në bashkimin politik dhe përparimin e mëtejshëm kulturor të kombit shqiptar. Me këtë vendim iu dha fund kaosit që mbretëronte deri atëherë në çështjen e shkrimit të shqipes. Në vend të alfabeteve të shumta që ishin përhapur në Shqipëri e në kolonitë e mërgimit, tani do të përdoreshin vetëm dy, edhe këta bashkërisht. Përveç kësaj, duke vendosur për dy alfabete, që mbështeteshin në atë latin, Kongresi i Manastirit ripohoi edhe njëherë vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur individualitetin e tyre kombëtar, kundër orvatjeve të xhonturqve për t’u imponuar alfabetin arab dhe për t’i identifikuar ata me turqit.
Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit, e zgjidhi përfundimisht vetë jeta e popullit shqiptar. Alfabeti thjesht latin, duke qenë i papërzier e më homogjen nga karakteri i shkronjave, më i lehtë e më praktik për shtyp, u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe. Megjithëse çështja e njësimit të alfabetit zuri vendin kryesor në punimet e Kongresit të Manastirit, vetë Kongresi nuk ishte një mbledhje thjesht gjuhësore, por edhe një manifestim politik. Krahas tubimeve të hapura, u organizuan edhe mbledhje të fshehta kushtuar çështjeve politike të ditës. Objekti kryesor i diskutimeve në këto mbledhje ishin marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit, lufta për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar, për zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit, si edhe marrëdhëniet me shtetet evropiane. Përfundimet e këtyre diskutimeve dhe vendimet që u morën në këto mbledhje, u përfshinë në programin kombëtar prej 18 pikash që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta paraqitur në parlament në emër të shqiptarëve. Ky program ështe një nga dokumentet më të rëndësishme të Kongresit të Manastirit, në të cilin u pasqyruan aspiratat e shqiptarëve për autonominë territoriale-administrative të Shqipërisë.

Vendin kryesor në program e zinin kërkesat politike për “njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare dhe të gjuhës shqipe”. Në lidhje të ngushtë me këtë kërkohej emërimi i nëpunësve shqiptarë në të katër vilajetet, zgjedhja e të gjitha organeve lokale, zgjerimi i kompetencave të tyre dhe kryerja e shërbimit ushtarak nga dy deri në dy vjet e gjysmë në Shqipëri, nën drejtimin e oficerëve shqiptarë të dalë nga shkollat ushtarake që do të ngriheshin në vend.
Pjesë përbërëse e kërkesës për njohjen e kombësisë shqiptare dhe e të drejtave të saj, ishte edhe themelimi i shkollës së pavarur shqipe, që do të arrihej duke i kthyer të gjitha shkollat shtetërore turke në Shqipëri, ato fillore, qytetëse e të mesme, në shkolla kombëtare dhe duke vendosur gjuhën amtare shqipe “si gjuhë mësimi në të gjitha këto shkolla shtetërore”, ndërsa turqishtja do të mësohej si lëndë e veçantë, duke filluar nga viti katërt i shkollës fillore. Të lidhura ngushtë me këtë ishin edhe masat që parashikohej të merreshin për kthimin e shkollave në gjuhën greke, që funksiononin për shqiptarët e krishterë, në shkolla kombëtare, me gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, duke i hequr ato nga administrimi i klerit dhe duke i shpallur shkolla shtetërore. Këto shkolla do të mbaheshin me të ardhurat nga pasuritë e kishave, të cilat duhej të administroheshin nga shteti dhe me të ardhurat e buxhetit të shtetit osman. Për t’u prerë rrugën ndërhyrjeve të Austrisë, të Italisë e të Greqisë në Shqipëri, kërkohej që klerikët katolikë e ortodoksë të paguheshin nga shteti turk. Me këto masa do të kufizohej ndikimi i propagandave të huaja shkollore e kishtare në Shqipëri, sidomos i asaj greke.
Një nga kërkesat më të rëndësishme në fushën e arsimit ishte ajo për themelimin e një universiteti shqiptar, që kishte qenë aspiratë e hershme e rilindësve. Për përgatitjen e profesorëve për këtë universitet do të dërgoheshin çdo vit, me bursa të shtetit, të rinj që do të mësonin në shkollat e larta të Evropës dhe të ShBA-së. Po kështu kërkohej të themelohej një muze arkeologjik kombëtar në një nga qytetet e Shqipërisë.
Programi përmbante gjithashtu një varg masash, që kishin për qëllim zhvillimin ekonomik të vendit, për të cilin ishte interesuar borgjezia shqiptare. Të tilla ishin masat për hapjen dhe shfrytëzimin e minierave, për ndërtimin e hekurudhave nga sipërmarrës shqiptarë, për ngritjen e ekonomive të mëdha bujqësore në Myzeqe etj. Në pjesën ekonomike përfshihej edhe kërkesa për kufizimin e depërtimit të kapitalit të huaj në ekonominë shqiptare, që kishte për qëllim të ndalonte ekspansionin ekonomik të shteteve të huaja dhe në mënyrë të veçantë t’u jepte mundësi borgjezisë shqiptare e kapitalit vendas të shtinte në dorë tregun dhe ekonominë e Shqipërisë.
Programi politik, i miratuar në Kongresin e Manastirit, megjithëse nuk përmbante kërkesa të domosdoshme për organizimin e një shteti autonom, si veçimi i territoreve shqiptare dhe forma e qeverisjes së tyre, ai pati rëndësi të veçantë, sepse i përmbysi shpresat e tyrqve të rinj dhe të bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë për ta kufizuar Kongresin vetëm me çështjet e alfabetit, për ta mbajtur larg problemeve politike e luftës kundër regjimit xhonturk. Miratimi i tij dëshmonte gjithashtu se Lëvizja Kombëtare Shqiptare edhe pas shpalljes së kushtetutës kishte ruajtur karakterin e saj politik e të pavarur dhe kishte si objektiv themelor realizimin e autonomisë së Shqipërisë.
Kongresi i Manastirit shënoi gjithashtu një hap të rëndësishëm në ngritjen e shkallës së organizimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Vetë thirrja e tij si një forum mbarëkombëtar, vendimet që mori për çështje të tilla që i takonin gjithë kombit dhe, në mënyrë të veçantë, njohja faktike e klubit të Manastirit si klub qendror, me të cilin do të mbanin lidhje gjithë klubet e tjera, dëshmojnë për vendosjen e një bashkërendimi të veprimtarisë organizative e politike-kulturore të klubeve dhe të shoqërive shqiptare, nën drejtimin e klubit “Bashkimi” të Manastirit. Jo rastësisht konsujt e huaj e trajtonin këtë masë si një përpjekje që do të krijonte njëlloj federate të klubeve shqiptare.
Vendimi për t’i dhënë klubit “Bashkimi” të Manastirit, që qëndronte në krye të luftës për të drejtat kombëtare të shqiptarëve, atributet e një klubi qendror, u arrit pas kundërshtimit të përpjekjeve të krahut të moderuar të lëvizjes kombëtare për t’u imponuar klubeve e shoqërive shqiptare udhëheqjen politike dhe organizative të klubit të Stambollit, drejtuesit e të cilit, përgjithësisht, njiheshin si përkrahës të xhonturqve.
Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e re të popullit shqiptar. Për herë të parë pas kuvendeve, që u mbajtën në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe të Lidhjes së Pejës (1899-1900), u mblodhën në këtë Kongres përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.

Shkolla e shkrimi shqip pas Kongresit të Manastirit dhe dhuna xhonturke (dhjetor 1908 – gusht 1909)

Të mbështetur në vendimet e Kongresit të Manastirit, atdhetarët shqiptarë hapën shkolla të reja shqipe dhe i shtuan përpjekjet për të përhapur shkrimin shqip në të katër anët e vendit. Në janar të vitit 1909 klubi i Elbasanit mblodhi të holla të mjaftueshme për të mbajtur me mjetet e tij 4 shkolla shqipe, një në qytet me 100 nxënës dhe tri në fshatra me nga 60 nxënës secila. Klubi kishte caktuar gjithashtu 3 mësues shëtitës në krahinën e Shpatit, të cilët u mësonin gjuhën shqipe fëmijëve e banorëve të rritur të 10 fshatrave. Përveç këtyre, që nga fundi i vitit 1908 në Shpat funksiononin 4 shkolla shqipe, ku mësonin fëmijët e 19 fshatrave.
Në janar-shkurt të vitit 1909 u ngrit një shkollë shqipe në Glinë të Leskovikut, një në Pogradec, dy shkolla shqipe në katundet Kakos e Selenicë të Frashërit (në të cilat mësonin edhe fëmijët e katundeve përreth), një shkollë shqipe në katundin Cakran të Fierit dhe një tjetër në Negovan. Në shkurt të vitit 1909 filloi të funksiononte shkolla shqipe e Kumanovës, që u hap nga klubi shqiptar i këtij qyteti. Në fillim të vitit 1909, pas një lufte të ashpër me oficerët xhonturq, u arrit të çelen shkolla shqipe në qytetin e Ohrit. Në mars të vitit 1909 në Korçë, përveç dy shkollave të hapura menjëherë pas shpalljes së kushtetutës, u çel edhe një shkollë tjetër e pavarur për djem, kurse në verën e atij viti u çel një shkollë shqipe në fshatin Libohovë.
Me përpjekjet e klubeve vijoi të futet mësimi i gjuhës shqipe në shkollat shtetërore turke dhe të huaja. Në dhjetor të vitit 1908 mësimi i gjuhës shqipe ishte futur si lëndë e detyrueshme në të katër shkollat fillore turke të Elbasanit, në atë gjysmë të mesme (qytetëse), si edhe në shkollën e komunitetit ortodoks. Pranë kësaj shkolle ishte ngritur edhe një kurs nate për mësimin e shqipes, që ndiqej nga 60 djem. Pas kësaj qeveria greke i preu kësaj shkolle subvencionimin.
Në fillim të vitit 1909 klubet shqiptare arritën të fusnin mësimin e gjuhës shqipe në shkollat fillore turke të Gjirokastrës, të Frashërit, të Përmetit, të Tepelenës, të Beratit, të Peqinit, të disa fshatrave të Mallakastrës etj., ndërsa klubi i Vlorës e shndërroi shkollën fillore turke të këtij qyteti në shkollë shqipe. Mësimi i shqipes u fut gjithashtu në shkollat turke të fshatrave Qesarakë, Novoselë e Selenicë e Kolonjës dhe në shkollën greke të Fierit.
Në pranverën e vitit 1909, falë përpjekjeve të klubeve e të mësuesve atdhetarë, gjuha shqipe mësohej edhe në shkollat qytetëse (ruzhdie) turke të Vlorës, të Përmetit, të Mitrovicës, të Beratit si dhe në disa gjimnaze (idadie) të vendit, si në atë të Manastirit, të Gjirokastrës, të Beratit, të Korçës, të Janinës, të Durrësit, të Shkupit etj. Në mjaft qytete të Shqipërisë u kërkua që gjuha shqipe të përdorej edhe në gjykata e në predikimet fetare të kishës ortodokse. Në fundin e shkurtit të vitit 1909 klubi i Korçës, së bashku me përfaqësuesit e popullsisë ortodokse të këtij qyteti, vendosi që predikimi në kishat ortodokse të bëhej në gjuhën shqipe. Ky vendim iu njoftua edhe peshkopit të Korçës, Patrikanës së Stambollit dhe valiut të Manastirit. Ndërkaq, atdhetarët korçarë, me nismën e tyre, filluan të futnin gradualisht gjuhën shqipe në kishat e qytetit. Në kishën e Negovanit predikimi filloi të bëhej gjithashtu në shqip.
Edhe përfaqësuesit e popullsisë katolike e myslimane të Kurbinit, në mbledhjen që mbajtën në gusht të vitit 1909, kërkuan nga qeveria turke që të hapte shkolla fillore shqipe në fshatrat e kësaj krahine. Klubi i Elbasanit, për të shmangur pengesat që xhonturqit u nxirrnin shkollave shqipe, u propozoi më 31 dhjetor gjithë klubeve shqiptare që t’i përcillnin parlamentit turk e deputetëve shqiptarë kërkesën për njohjen zyrtare të kombësisë shqiptare, plotësimi i së cilës do t’u siguronte shqiptarëve të drejtat kombëtare në lëmin e kulturës dhe të arsimit. Por kjo kërkesë nuk u miratua nga qeveria turke. Shkolla shqipe qysh në periudhën e parë pas revolucionit u ndesh me përpjekjet e xhonturqve për të penguar përhapjen e saj. Prandaj edhe përkrahja që shqiptarët u dhanë xhonturqve për shtypjen e kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909, ishte akti i fundit i bashkëpunimit me ta. Pasi forcuan pozitat në Stamboll, xhonturqit kaluan në përdorimin e masave shtypëse ndaj lëvizjes kulturore të popujve të shtypur në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti.
Lëvizja për arsimin e kulturën kombëtare shqiptare u gjend shumë shpejt përballë goditjeve të Komitetit “Bashkim e Përparim”, i cili, meqë paraqitej si mbrojtës i kushtetutës, vepronte më shpesh në mënyrë të fshehtë sesa të hapur. Një nga mjetet kryesore që xhonturqit përdorën për të ndaluar këtë lëvizje, për t’i përçarë shqiptarët sipas dasisë fetare dhe për të penguar ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, ishte propaganda e shkrimit të gjuhës shqipe me alfabetin arab, që filloi menjëherë pas Kongresit të Manastirit. Në shërbim të kësaj propagande u vunë disa nga klerikët konservatorë myslimanë dhe elementë të tjerë fanatikë e turkomanë, të cilët, duke shfrytëzuar ndjenjat fetare të popullsisë myslimane shqiptare, u përpoqën të formonin tek ajo bindjen se shkronjat latine janë të të pafeve (të kaurëve), se binin ndesh me fenë islame dhe se shqipja mund të shkruhej vetëm me alfabetin turko-arab, që ishte i shenjtë, sepse me të ishte shkruar Kurani. Në fillim të vitit 1909 u formua në Stamboll “Shoqëria për mësimin dhe për shkrimin e gjuhës shqipe me shkronjat turqishte”, e përbërë kryesisht nga ulematë (klerikët e lartë) myslimanë, që shpërndante thirrje dhe abetare shqipe me alfabetin arab. Një abetare e tillë u përhap në viset e ndryshme të Shqipërisë në muajin janar të atij viti.

Kjo fushatë u shoqërua me orvatjet, që xhonturqit bënë për të provokuar mitingje të elementëve fanatikë e turkomanë kundër përdorimit të alfabetit latin, siç ndodhi në fillim të shkurtit në Manastir, në Dibër, në Follorinë e në Përlepë. Konsulli francez në Manastir, Pisho (Pichon), në informacionin e tij (të 16 shkurtit 1909), shkruante se “në këto tubime, të provokuara në mënyrë të fshehtë nga vetë autoritetet turke, nuk arritën të grumbullohen veçse hoxhallarët dhe turqit fanatikë, ndërsa shqiptarët, thuajse në mënyrë të përgjithshme nuk pranuan të duken atje”. Jo rastësisht këto mitingje u mbajtën në xhami. Po kështu, ulematë dhe disa nga hoxhallarët e Shkodrës, të nxitur nga Komiteti “Bashkim e Përparim” i këtij qyteti, duke përfituar nga fanatizmi i pjesës myslimane të popullsisë, zhvilluan në pranverën e vitit 1909 një agjitacion të fuqishëm për përdorimin e alfabetit arab në shkrimin e shqipes.
Ministria e Arsimit e Turqisë që në fund të vitit 1908 urdhëroi që në shkollat e vilajetit të Kosovës shqipja të mësohej me shkronjat arabe. Një urdhër i tillë iu dha në shkurt të vitit 1909 edhe prefekturës së Elbasanit. Po kështu vepruan autoritetet turke dhe komitetet xhonturke në qytetet e tjera të vendit, në Janinë, në Filat etj. Atdhetarët shqiptarë të këtyre trevave u vunë para një trysnie të dyfishtë, të shovinistëve grekë dhe të xhonturqve, që vepronin të bashkuar në luftën kundër shkollës dhe kundër shkrimit shqip. Në të njëjtën kohë komitetet xhonturke përkrahnin në ato ditë propagandën asimiluese panhelenike që disa profesorë grekë dhe Shoqëria “Etniki Heteria” (“Shoqëria Kombëtare”) zhvillonin në atë kohë në viset shqiptare të vilajetit të Janinës.
Për të fshehur veprimtarinë e tij armiqësore kundër kulturës shqiptare, Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” në mars të vitit 1909 u kumtoi klubeve shqiptare se “do të qëndronte asnjanës dhe nuk do të ndërhynte në çështjen e zgjedhjes së alfabetit të gjuhës shqipe”. Klubet e quajtën këtë deklaratë një përpjekje të re për të mashtruar shqiptarët dhe morën masa për të mbrojtur liritë kushtetuese e për t’i bërë ballë reaksionit xhonturk. Në protestën që klubi “Bashkimi” i Manastirit i dërgoi Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim” në javën e fundit të marsit, i shkruante se, duke luftuar alfabetin shqip ky komitet bie ndesh me kushtetutën turke, e cila ua garanton gjithë popujve të Perandorisë të drejtën e mësimit dhe të shkrimit të gjuhës amtare. Në letërkëmbimin e tij të marsit të vitit 1909 me klubet e Filatit, të Korçës etj., klubi “Bashkimi” i Manastirit i quante këto veprime të xhonturqve dhe të turkomanëve shqiptarë për t’u imponuar shqiptarëve alfabetin arab, si veprime armiqësore kundër kombit shqiptar. Ai udhëzonte në ato ditë klubet e tjera kombëtare që “kundër këtyre tradhtarëve të mos vepronin vetëm me penë, por edhe me armë”.
Komiteti “Bashkim e Përparim” u orvat të zhdukte klubet shqiptare dhe atdhetarët më të njohur, që drejtonin luftën kundër reaksionit xhonturk. Në maj të vitit 1909 xhonturqit, pasi arrestuan disa nga veprimtarët e klubit “Labëria” të Vlorës dhe i detyruan të tjerët të arratiseshin jashtë Shqipërisë, e likuiduan këtë klub, që ishte një nga më të rëndësishmit në Shqipërinë e Jugut. Po në atë kohë mbyllën edhe klubin e Ohrit, kryesia e të cilit u çua e lidhur me pranga në Manastir e pastaj në Stamboll.
Në fundin e majit të vitit 1909 vetëm në Ohër, në Pogradec e në Strugë u arrestuan 17 veta, përkrahës të shkollës dhe të shkrimit shqip, që u akuzuan për propagandë reaksionare kundër regjimit kushtetues. Midis të arrestuarve ishin edhe Hamdi Ohri, një nga udhëheqësit më në zë të lëvizjes kombëtare në këtë trevë, që kishte kaluar vite të tëra në burgjet e sulltan Abdyl Hamitit, Xhemaledin Beu, kryetar i klubit të Ohrit dhe Mehmet Beu, sekretar i klubit, intelektual dhe përkrahës i shkollës shqipe. Klubet shqiptare protestuan kundër këtij veprimi të dhunshëm, derisa i detyruan xhonturqit t’i shpallnin të pafajshëm dhe t’i lironin këta atdhetarë.
Ditë të vështira kaloi në verën e vitit 1909 lëvizja kulturore kombëtare në Tiranë. Më 23 korrik, në përvjetorin e shpalljes së kushtetutës, u zhvillua në Tiranë ceremonia e hapjes së klubit të këtij qyteti. Ishte paraparë gjithashtu që më 24 të këtij muaji të çelej një shkollë shqipe e mbrëmjes për të rriturit dhe të fillonte në mënyrë të organizuar mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat shtetërore turke të Tiranës. Por pikërisht në këtë ditë, me nxitjen e komiteteve xhonturke dhe të klubeve të oficerëve të lidhur me ta, nxënësit sulmuan e goditën në të gjitha shkollat mësuesit atdhetarë, sapo këta u njoftuan se nga ai çast do të fillonin mësimin e gjuhës shqipe. Më 27 korrik, po me shtytjen e klubeve të oficerëve, hynë në Tiranë më shumë se 200 fshatarë të armatosur, që demonstruan në rrugët e qytetit dhe para klubit të oficerëve, duke kërkuar mbylljen e klubit shqiptar dhe arrestimin e 64 anëtarëve të tij.
Veprimtarë të tillë të lëvizjes kombëtare në Tiranë, si Refik Toptani e bashkëpunëtorët e tij, ose klerikët atdhetarë Hafiz Ibrahim Dalliu, Beqir Luga etj., u sulmuan drejtpërdrejt dhe u fyen publikisht. Me këto veprime të xhonturqve e të turmave fanatike të këtij rrethi u mbyll klubi kombëtar i Tiranës dhe dështoi orvatja e atdhetarëve tiranas për të futur gjuhën shqipe në shkollat e këtij qyteti. E njëjta gjendje u krijua edhe në Durrës, në kryeqendrën e prefekturës, ku atdhetarët shqiptarë nuk guxonin të hapnin klube e shkolla shqipe, si edhe në nënprefekturën e Kavajës, ku përpjekjet për hapjen e shkollës shqipe e të mësimit shqip ndeshën në kundërshtimin e reaksionit xhonturk dhe të klerikëve fanatikë myslimanë.
Aktet e dhunshme të xhonturqve, sidomos ngjarjet e Tiranës, e bënë gazetën “Dielli” të shkruante në atë kohë se “sot punërat në Shqipëri janë më keq se në kohërat e Abdyl Hamitit. Sot gjuha shqipe ndiqet më tepër se kurrë ndonjëherë” (“Çështja e Tiranës”, 16 shtator 1909). Ishin këto veprime arbitrare të administratës osmane, që i bënë konsujt e huaj, bashkëkohës të këtyre ngjarjeve, të arrinin në përfundimin se turqit e rinj “po mbajnë qëndrim armiqësor ndaj nacionalizmit shqiptar”, se “duke zbatuar traditat hamitiane dhe në kundërshtim me premtimet e tyre solemne, ata po persekutojnë çdo shfaqje të ndjenjave kombëtare shqiptare”, se në Turqi po shkohej drejt një diktature ushtarake dhe se kishte rrezik që kushtetuta të kthehej në një iluzion. Politika turqizuese kundër shkollave e shkrimit shqip dhe konflikti i armatosur me shqiptarët, i nxitur nga administrata ushtarake osmane, zbuloi para popullit shqiptar thelbin reaksionar të regjimit xhonturk.

Kongresi i Dytë i Manastirit (2-3 prill 1910)

Në këtë gjendje të acaruar të marrëdhënieve shqiptaro-turke, kur konflikti me xhonturqit për çështjet e kulturës shqiptare kishte arritur kulmin e tij, atdhetarët shqiptarë mblodhën një kuvend tjetër kombëtar, Kongresin e Dytë të Manastirit. Ky tubim u thirr me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe i zhvilloi punimet nga 2-3 prill të vitit 1910.
Në Kongres morën pjesë 20 delegatë, që përfaqësonin 34 klube e shoqëri të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, si edhe klubet shqiptare të Stambollit, të Selanikut e të qendrave të tjera. Kongresit i erdhën telegrame përshëndetjeje nga anë të ndryshme të Shqipërisë dhe nga shoqëritë atdhetare të mërgimit.
Ndryshe nga kongreset e mëparshme kombëtare, në këtë kuvend pati një numër mjaft të madh delegatësh nga qytetet e vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit, nga Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Vuçiterna, Shkupi, Tetova, Dibra, Struga, Ohri etj. Midis delegatëve ishin Dervish Hima, Fehim Zavalani, Petro Nini Luarasi, Hysni Curri, Ferit Ypi, Bedri Pejani, Qamil Shkupi, Gjergj Qiriazi, Bejtullah Gjilani, Themistokli Germenji, Tefik Panariti, Hajdar Blloshmi, Abdullah Efendiu (nga Struga), Qazim Iliaz Dibra, Rexhep Mitrovica, Xhafer Kolonja etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Bedri Pejani, ndërsa sekretarë Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi.
Sikurse dëshmon “Zëdhënia” që klubi “Bashkimi” i Manastirit shpërndau me këtë rast, qëllimi i këtij Kongresi ishte të diskutonte çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen e shkollës, të shkrimit e të kulturës kombëtare kundër reaksionit xhonturk dhe kundër politikës asimiluese të xhonturqve. Kongresi do të merrte masa të mëtejshme për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe për zhvillimin e kulturës shqiptare në tërësi.
Kongresi i Dytë i Manastirit ishte një manifestim politik e kombëtar shqiptar. Si në fjalimet e delegatëve, ashtu edhe në vendimet e Kongresit u shpreh protesta kundër përndjekjeve që po u bëheshin shkollës e alfabetit shqip nga Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim” dhe nga qeveria turke.
Dervish Hima, që mbajti edhe fjalën e hapjes në Kongres, foli “për nevojat e zhvillimit të arsimit, të përhapjes së diturisë dhe të përparimit të kombit shqiptar”. Ai dhe delegatët e tjerë, si Ferit Ypi, Tefik Panariti etj., kritikuan Komitetin Qendror “Bashkim e Përparim”, i cili, në kundërshtim me premtimet që u kishte bërë shqiptarëve, po u mohonte të drejtën e arsimit kombëtar dhe të përdorimit të lirë të gjuhës shqipe, ndërhynte egërsisht në çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, që ishte një e drejtë e natyrshme e njerëzore si për çdo popull. Ky qëndrim i xhonturqve u cilësua nga delegatët si një përpjekje për të përçarë shqiptarët sipas dasive fetare, për të osmanizuar myslimanët shqiptarë dhe për të penguar përparimin kulturor dhe emancipimin politik të kombit shqiptar. “Na kanë shpallur luftë në fushën e shkronjave”, theksoi Dervish Hima në Kongres, prandaj “ne që jemi mbledhur këtu, bashkë me gjithë atdhetarët shqiptarë, do t’i mbrojmë me çdo mjet shkronjat tona kombëtare…”.
Kongresi tërhoqi vëmendjen e gjithë atdhetarëve shqiptarë për rrezikun e shkombëtarizimit dhe të aneksimit të territoreve të Shqipërisë nga shtetet fqinje, nga Serbia, Greqia e Bullgaria. Serbia, u tha në Kongres, duke ndjekur një politikë shoviniste, synon të pushtojë Kosovën, të cilën e ka pagëzuar me emrin “Stara Serbia”, ndërsa qarqet politike të Greqisë po përpiqen me të gjitha mjetet, duke përdorur klerikët ortodoksë konservatorë e progrekë, shkollat e mësuesit grekomanë, të asimilojnë shqiptarët e krishterë dhe të aneksojnë territoret e Shqipërisë së Jugut. Petro N. Luarasi theksoi në fjalën e tij se këta klerikë fanatikë e grekomanë, të nxitur nga Greqia, mallkojnë e shkishërojnë banorët e fshatrave Progër, Negovan e Bellkamen sepse çojnë fëmijët në shkollat shqipe, ndërsa bandat e andartëve grekë, të paguar nga Athina, vrasin atdhetarët më të dalluar që përhapin mësimin e shkrimin shqip. Gjatë 5 vjetëve të fundit ishin vrarë në Negovan nga bandat greke 45 shqiptarë. Për të paralizuar këtë veprimtari Petro Nini Luarasi, përveç të tjerave, i propozoi Kongresit që të kërkonte që kisha shqiptare të ndahej nga Patrikana greke.
Aktet kryesore të Kongresit të Dytë të Manastirit ishin Programi prej 10 pikash dhe një Promemorje prej 4 pikash, që iu dërgua qeverisë turke. Në këto dokumente parashikoheshin masa të rëndësishme për zhvillimin e arsimit kombëtar, për mbrojtjen e alfabetit të shqipes, për botimin e librave dhe të teksteve shkollore shqipe. Për këtë qëllim do të ngrihej pranë klubit qendror një komision arsimor-kulturor, që në program quhej Akademi, i cili do të merrej me botimin e teksteve shkollore, të veprave letrare dhe të një fjalori shqip-turqisht e anasjelltas. Parashikohej të hapej në Shkup një shkollë normale me konvikt, e ngjashme me atë të Elbasanit, dhe të themelohej këtu një gazetë e re në shqip dhe në turqisht, me anën e së cilës do të informoheshin shqiptarët dhe opinioni publik evropian për ngjarjet e rëndësishme që po zhvilloheshin në këtë vilajet. Kongresi ngarkonte klubet dhe gjithë atdhetarët shqiptarë që të punonin për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit të shkollave shqipe, për sigurimin e lokaleve shkollore, të mësuesve dhe të mjeteve të nevojshme financiare.
Në Promemorjen prej katër pikash, që iu dërgua Portës së Lartë, parashtroheshin këto kërkesa: të jepej liri e plotë për mësimin e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat kushtetuese; të mënjanoheshin të gjitha pengesat që nxirrnin autoritetet shtetërore për zhvillimin e lirë të kombit shqiptar dhe veçanërisht të mos lejohej asnjë lloj ndërhyrjeje në mënyrën e mësimit të gjuhës kombëtare (shqipe), duke ua lënë të drejtën e zgjedhjes së alfabetit të shqipes, siç qe vendosur në Kongresin e Dibrës, mësuesve (shqiptarë); të caktohej nga qeveria një subvencion për shkollat e të krishterëve shqiptarë, për t’i shkëputur ato nga ndikimi i Greqisë dhe t’i kërkohej Patrikanës nga qeveria që të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe gjatë predikimit në kisha. Promemorja ngarkonte klubin qendror shqiptar që të këshillohej me Shejhylislamin rreth “dëmit” që gjoja i shkaktohej fesë myslimane nga përdorimi i alfabetit latin për mësimin e shqipes.
Kongresi mori masa edhe për forcimin e lidhjeve organizative ndërmjet klubeve shqiptare dhe për bashkërendimin e veprimtarisë së tyre. U vendos që klubet shqiptare të kishin një rregullore të njëjtë dhe të detyrueshme për të gjithë. Kjo rregullore a kanonizëm e përgjithshme do të njihej zyrtarisht edhe prej qeverisë turke. Një vendim i tillë ishte marrë edhe në Kongresin e Elbasanit, por nuk ishte vënë në zbatim. Të gjitha klubet do të drejtoheshin nga klubi qendror shqiptar, atributet e të cilit tani, ndryshe nga vendimet që ishin marrë në kongreset e mëparshme, do t’i kishte klubi i Stambollit. Kongresi mendoi se duke e shpërngulur qendrën udhëheqëse të klubeve nga Manastiri në Stamboll do të krijohej një udhëheqje e vetme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ku të bashkoheshin drejtuesit e klubeve dhe deputetët atdhetarë shqiptarë të parlamentit, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Shahin Kolonja etj. Këta deputetë parashikohej të përfshiheshin edhe në kryesinë qendrore të klubit të Stambollit.
Megjithatë, vendimi i Kongresit të Dytë të Manastirit, për të caktuar si klub qendror atë të Stambollit, nuk u pëlqye nga rrethet e gjera atdhetare të vendit. Edhe ngjarjet e mëvonshme, sidomos qëndrimi i udhëheqjes së këtij klubi ndaj kryengritjes shqiptare të vitit 1910, kur ajo mori hapur në mbrojtje xhonturqit, provuan se ky vendim ishte i gabuar. Po kështu u vendos që të thirrej në korrik të vitit 1910 një kongres më i gjerë në Janinë, i cili, krahas problemeve të tjera, do të zgjidhte përfundimisht problemin e alfabetit, duke zgjedhur njërën prej dy abëcëve latine, të miratuara nga Kongresi i Parë i Manastirit.
Në Kongresin e Dytë të Manastirit, ashtu si në ato të mëparshmet, u mbajtën edhe mbledhje të fshehta, në të cilat u diskutuan çështje të tilla politike, siç ishin forcimi i komiteteve të fshehta dhe masat që duheshin marrë për përgatitjen e një kryengritjeje të përgjithshme. Por, ndërsa për komitetet e fshehta u mor vendim që të zgjeroheshin e forcoheshin më tej, për përgatitjen e kryengritjes së përgjithshme nuk u mor ndonjë masë. Kjo çështje u la të diskutohej e të vendosej në kongresin e ardhshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …