Trevat shqiptare brez pas brezi kultivuan dhe ruajtën me xhelozi traditën, kulturën, folklorin, veshjet, artizanatet, dhe gjithë ata që e përbëjnë në përgjithësi karakteristikat e një populli. Brezat shkuan e u ndërruan, erdhën gjeneratat e reja por në thelb, traditat mbetën të kujtohen dhe të përfaqësojnë veçoritë e trevave dhe fiseve në mbarë truallin shqiptar me bukuri dhe veçori të ndryshme, sot e kësaj dite ato interpretohen dhe paraqitën gjatë festivaleve tradicionale dhe gjatë përvjetorëve të ndryshme të traditës. Veshjet, vallëzimet, kënga, ritet apo adetet a zakonet janë të ndryshme, plot laramani por me një bukuri të jashtëzakonshme. Fshat e zanat, katund e adet i thuhet një fjale të popullit, që është përdorur kur është bërë fjalë për ndonjë zakon apo ceremoni si në dasma gjatë festave apo edhe në veshje a përgatitje ushqimesh.
Secila krahinë, secila trevë shqiptare, qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, te Arbëreshët apo kudo ku ka shqiptarë ka veçorit dhe bukurit; e traditës, që mahnitin gjithkënd. Stili i veshjeve, i të gatuarit, i festimeve, i veshjeve etj dallon nga treva në trevë, nga qyteti në qytet por pa u larguar nga ajo e rëndësishmja, nga thelbi. P.sh Shkodra ka të veçantat e saja, Vlora të sajat, etj pastaj edhe në Kosovë kemi të veçantat e këngës, veshjeve, gatimit dhe këndimit. Edhe në trevat tjera secili qytet ruan këngët e çdo zakon që karakterizon ato qytete e treva. Duke përfshirë me disa fjalë me përgjithësime do të ndalemi vetëm në disa karakteristika të këngës, të veshjes, të adeteve dhe shumë gjërave tjera në Maqedoni e veçmas në rrethinën e Strugës, ku gërshetohen toskërishtja me gegërishten në fshatrat e Strugës. Adetet i kemi të njëjta, si gjatë dasmave ashtu edhe gjatë morteve.
Edhe gatimet janë pothuajse të njëjta, me pak ndryshime të imta. Për festa përgatitjet bëhen njëjtë. Shtëpiakët mundohen që të bëjnë përgatitjet sa më mirë. Dasmat bëhen me instrumente të folklorit si me daulle, kavall, dajre, çiftelia. Këngët i këndojnë burrat në oda të burrave dhe gratë duke i rënë dajres dhe duke i radhitur fjalët e rimuara me stil poetik. Tingujt gërshetohen me fjalët dhe thuren nga njerëz, nganjëherë aty për aty. Pastaj gjatë këndimit ato pësojnë ndryshime.
Burrat zakonisht në trevën e Strugës në gëzime më shumë vallëzojnë me valle burrash, si p.sh vallen e rëndë të burrave, Hasan Agën, etj. Toskëria më tepër e ka zakon këndimin. Burrat këndojnë me iso, apo me të mbajtur a me rënkim, një veçori kjo e trevave të Shqipërisë. Përfshihen fshatrat si Ladorishti, Shumi, Zagraçani, Kalishta etj. Në fshatrat toske burrat i veshin edhe fustanellat tradicionale, por shumë rrallë. Gegërishtja ka shtrirje më të madhe në fshatrat e Strugës. Edhe tirqit vishen shumë rrallë sidomos nga pleqtë por edhe ata kadalë kanë filluar ta humbin përdorimin. E te gratë veshja kombëtare është e njëjtë dhe gratë apo nuset dhe plakat akoma e mbajnë gjatë dasmave. Veshja e Strugës është shumë e veçantë dhe gati unikate. Plakat ende e ruajnë me shumë xhelozi dhe i mbajnë sot e kësaj dite. Një veshje e grave strugane përbëhet nga një shami e madhe që paloset trekëndësh dhe vendohet në kokë e lidhet përmbas afër qafës e dy bishtat i lëshohen në gjoks. Këmishët janë prej pëlhure apo prej materialit të hollë, të prera me mëngë të gjëra, me oja të gatshme apo te punuara, me pulla vizelluese anash njësoj sikur i kanë edhe shamitë.
Dimitë janë prej materialeve të ndryshme si nga mëndafshi, kadifeja etj. por me ngjyra dhe me lule të ndryshme. Te këmbët vendosen kafeska, të punuara me lesh dhe të ngjyrosura me ngjyrë të zezë. Mjedisi i dimive ngrihet dhe vendoset i mbledhur në mes të belit në pjesë e përparme. Nuset e reja për mesi vendosin breza të punuara në vek apo razboj. Ato janë të gjata dhe rrotullohen disa herë për rreth belit. Dimitë nuk i ngrenë në mes por i lënë ashtu lëshuar. Gratë pak më të moshuara se nuset përpara vendojnë një brez të hollë që u mbulon krejt pjesën e përparme dhe lidhen për mbas e janë të gjata deri në fund të këmbëve. Në bel apo në mes vendojnë një brez të thurur nga penjtë i paluar trekëndësh përmbas dhe i sjellë përpara. Plakat në vend të brezit të hollë, përpara vendojnë peshterka të punuara nga leshi të ngjyrosura me të zeza dhe të lidhura përmbas. Gjithashtu vendosen edhe peshtemalla të gjata deri në fund të këmbëve dhe të punuara në vek dhe me vija apo me lara. Kjo veshje e grave është e veçantë dhe veç Strugës dhe fshatrave të saj nuk mund të haset në asnjë vend tjetër. Është e veçantë por shumë e bukur.
Gruaja duket si një lule që shndrit. Këngët strugane janë po ashtu të veçanta. Gratë këndojnë dhe kërcejnë ngadalë me tingujt e dairesë. Gratë që marrin vallen radhiten dorë për dore. E para që heq vallen me mindilin dhe dorën e ngritur, fillon këngën duke i radhitur fjalët si një varg poetik. Të tjerat e ndjekin nga pas. I këndohet djalit apo vajzës duke i radhitur fjalët, se si do ti lërë prindërit si do të kalojnë në familjen e burrit e gjithçka tjetër. Fjalët radhiten me një ritëm mjaft të ngadaltë. Këndohet ngadalë dhe vallëzohet ngadalë. Vallen e marrin gjithë gratë radhazi duke thurur secila bukur e më bukur.
Soj zeza oj moj soj larush
Dogje mal e dogje fushë
Ene zogjtë ç’i këndojnë
Vojn ke dera të kërkojnë.
Lule çilma derën o
Do ma ta marri erën o
Pastaj kënga
Dole nuse dole pi asaj kallsolle
Edhe nuse erdhe ne sarajet tona etj.
Ka shumë këngë të thurura me një karakteristikë të veçantë që buron nga gurra popullore. Këngët qytetare janë kënduar që moti me mandolina të ngjashme me çiftelitë. Një këngë e tillë është:
Doli luleja nga pylli burbululeja
Mbushte ujë te burimi burbululeja
Mos i mbush moj enët plotë burbululeja
Leri nja dy gisht më poshtë burbululeja
Ti mbushi me borsilokë burbululeja.
Si dhe kënga:
Baluket e tua premuj qemeri
Qemerli moj xhanja qe moj qemeri
A vet i ke premur a ti preu njeri
Qemerli moj xhanja qe moj qemeri
As vet i kam premur moj a smi preu njeri
Qemorli moj xhanja qe moj qemeri
Ashtu i kam pasur që në vegjëli
Qemerli moj xhanja qe moj qemerli.
Nga këngët tjera popullore dallohet “veleshtarja” një këngë që i këndohet vajzës me emrin hone e dashura e një kaçakut si dhe kënga:
Manushaqe lul mavi
Me vjerrën mos mbaj mëni
Se vjerra stë fol motmot
Aj soj zeza qaj me lot etj.
Këto janë vetëm disa këngë të bukura që këndohen ëmbël n; dasmat strugave por ka një burim mjaft të madh të kulturës dhe traditës që duhet studiuar më gjerë. Nga traditat e martesës veçohet marrja e nuses me lodra ( tupan ) dhe me krushq. Në shtëpinë e burrit nuses i bëhen adetet si p.sh ajo e derdh një xhygym me ujë me këmbën e djathtë para derës së hyrjes. Traditat këngët shqiptare kudo qofshin janë të begata me laramani, me karakteristika që nuk i ka asnjë. Ne shqiptarët në përgjithësi i kemi vallet më të bukura, këngët më të bukura, i kemi veshjet e veçanta, i kemi gatimet e veçanta dhe të pasura, në përgjithësi e kemi traditën me një veçanti të theksuar, prandaj do të thosha se këto janë vetëm disa dromca të traditës këngës dhe veshjes strugane që zënë një kënd në traditën e pasur burimore shqiptare. Është një kënd i vogël para pasqyrës së madhe të gjithë atyre bukurive që i fsheh tradita jonë kombëtare. Sot rinia sikur i largohet traditës këngës, valles dhe kulturës së mirëfilltë shqiptare. Lakmon të huajën, këndon të huajën, vallëzon të huajën, stoliset me veshje dhe imiton çdo gjë të huaj duke menduar se ato gjëra janë më të mira se ata që i ka kultura dhe tradita jonë.
Ne në shumicë na mungon edukimi tradicional, na mungon fjala që do ta kthejë rininë kah burimi. Komercializimi i tregut i ka prishur vlerat e këngës duke çoroditur dhe shkatërruar këngën tonë burimore me lloj-lloj ndikimesh dhe bastardimesh. Ndonjë ditë ndoshta nuk do të kemi më mundësi e fuqi që ti mbrojmë këto vlera nëse ato nuk i mbron dhe stimulon institucioni, populli apo vetë individi, siç thotë një fjalë e urtë popullore: Çdo gjë që nuk përsëritet harrohet.
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …