Qerimane Polisi: KUR QIELLI VRENJET PRITE SHIUN

 


Mitrovica, ky qytet i përfolur që mbeti si jetimi në duar të një njerke zemërkeqe dalë ngadalë po na shkon nga dora. Shumë u përfol për kujdes, por këta udhëheqësit tanë të bindur se nuk do të ketë ndarje po bëjnë ca biseda për decentralizim duke na sugjeruar se nuk ka ndarje, se këto njësi komunale do të udhëhiqen nga shumica e banorëve, po do të mund të financohen, të shërbehen me tekste të shtetit tjetër, të kenë mbrojtje të veten, njësi gjykate e gjithçka që ka atribut të pavarësisë nga thelbi. Tamam zot në vete. Modeli që përflitet, ai perëndimor apo si i Ohrit nuk mundet të jetë aspak. Dihet se para këtij decentralizimi në Maqedoni sa protestuan maqedonasit e Strugës, Kërçovës e disa qyteteve tjera ku shumica shqiptare i merrte disa kompetenca siç ish kryetari i komunës e disa imtësi tjera. Por ama, nga ana tjetër, atje nuk vjen financimi i atyre punëtorëve me paga nga shteti tjetër. Nuk vijohet mësimi me plan programe të Shqipërisë e Kosovës, flitet dygjuhësia edhe pse është komunë me shumicë shqiptare. Policia udhëhiqet gjithashtu nga pala në pushtet, në zyra administrative ka dy punonjës shqiptarë një maqedonas apo e kundërta e kurrsesi nuk ka pushtet të mbyllur, apo enklava nga asnjëra palë. Si mundet atëherë të merret një model apo model nga dikush tjetër kur Mitrovica me urën si mur kinez asnjëherë nuk frymoi lirë, si do të duket ky model kur lejohen pagat e dikujt tjetër, plan programet tjera, ligji dhe drejtësia e dirigjuar dhe vendimet që vijnë nga shteti tjetër. Të kthehemi në kohën kur ne na ndanë fëmijët nga shkollat u mbyllën dyert, na llogarisnin institucione paralele, e le më të punonim me plan programe të Shqipërisë.
Librat e botuara nuk lejoheshin të qarkullojnë në relacionin Kosovë – Shqipëri – Maqedoni e le më të merrnim paga nga dikush tjetër, e të jepnin këshilla apo udhëzime vëllezërit e një gjaku. Dihet se çka ndodhte, nëse vepronin këta rregulla. Kurse këta qytetarë, duan tokën tonë, por duan të udhëhiqen nga dikush tjetër.
A nuk është kjo ndarje kur vepron në kundërshtim nga ky ligj, nga rregullat shtëpiake, kur do shkollën dhe lirinë nga jashtë, izolohet dhe pret direktiva nga ai që e konsideron zot të tij. U err e u vrenjt moti dhe nuk hapej kurrsesi, e ne pritnim diellin, kur retë sillnin shi. Isharetet ishin të dukshme por ne e kemi flladitur vetveten. Hape një radiostacion të tyre që transmetohet këtu, pa pengesa dhe dëgjo çka flitet dëgjo gur e plumba që hidhen në çdo fjalë që flasin dëgjo dhe analizo.
Ata janë stopues të proceseve, ata nuk do të ndërrohen kurrë e këtë nuk duan ta vërejnë atë që duhet.
Midis Graçanice e vendeve tjera në Kosovë u bë nderim për kriminelin kur vdiq dhe asgjë kurrkujt. Ish kjo një pasqyrë se kush janë dhe kë e duan çka mendojnë se për kë jetojnë e ne duhet të jemi ata që duhet të plotësojmë kushtet. Ne duhet të falim dhe vetëm të falim, ti harrojmë varret e pa zbuluara, gjakun e derdhur lotët e nënave e çka jo. Tash duhet të shikojmë edhe si krijojnë vatrat e tyre kinse nga frika e lëvizjes e nga ana tjetër midis Prishtinës dalin e vjedhin vetura, shesin mallra me shumicë, shesin banesa nga 2 apo 3 herë. Këto absurde ndodhin, nuk janë trillime, por ne duhet të mos i shikojmë se i kemi për kusht, se ndryshe jemi ku jemi. Nuk ka dert se një qytet ka dy administrime por krejtësisht të izoluara nuk ka dert se i merret toka dikujt, se ajo është këtu, nuk lëviz nuk ka dert se i shkëputet një pjesë. E po mirë, atëherë nuk ka pas dert as kur ish në duart e të tjerëve as atëherë ajo nuk lëvizte, ishte këtu, po si ishte e si ishim ne atëherë. Si duket ne jemi mësuar të lëshojmë e të lëshojmë e mos të ankohemi se kështu e do rendi e ndryshe nuk bën. Ky është një hap i tyre, e pastaj nuk dihet çka do të bëhet se ata punët i bëjnë me dredhi dhe me plan. Qerimane Polisi

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …