QERIMANE POLISI: “LEXO PARA SE TË SHKRUASH PËR DIÇKA

E prekur nga ndërhyrjet e disa polemikëve në përkrahje të Kadaresë nuk munda e të mos shkruaj edhe unë disa rreshta të ngushta. E prekur thellë, e prekur me disa fjalë pa kripë e pa peshë fare. Ky pluhur që u ngrit mbi kokën e Akademikut tonë të nderuar zotit Rexhep Qosja na pluhurosi edhe ne. A thua këta njerëz lexojnë edhe ndonjë vepër a shkrimtar tjetër të madh. E di që të jesh i madh duhet ti duash të tjerët edhe kur flasin pak për ty, duhet ti dëgjosh pak, se për folje e polemika ka edhe mes familjarësh e shokësh, por jo, përfundimet nuk janë përbuzëse, ofenduese. Mua nuk më pëlqejnë shumë mendime të tjerëve, unë atë ua them atyre, e edhe ata mua, por kurrë, kurrë nuk më neveriten dhe kurrë nuk i shkruaj i pranoj ashtu si shkrimtari jonë i ”madh” dhe miqtë e tij që ia mbajtën flladitësen anash. Le të lexojmë pra më tepër, le të lexojnë p.sh Samiun tonë të madh që u rrit në një rreth të ngritur, u shkollua në një shkollë të njohur e njohu sa e sa gjuhë e kultura. Ai nuk i deshi asnjëherë pushtuesit dhe bashkëkombësit shpirtshitur. Megjithatë ai sa bukur shkroi për Shqipërinë, për personalitetet shqiptare por që disa nga ta ishin në shërbim të perandorisë.
Le ta lexojnë këta zotërinj me veçanti qytetërimi islam të Samiut, poliglotit tonë të madh, nëse nuk e kanë lexuar. Le të shohin se pikërisht nga ai qytetërim lulëzoi dhe shkoi para edhe qytetërimi evropian.. Le ti lexojmë veprat e këtij njeriu të mençur vëllait të patriotëve dhe shkrimtarit Avdylit dhe Naimit tonë. Le ti lexojnë ata vepra që mbetën gjatë kohë pa u përkthyer dhe i munguan letërsisë tonë për arsye të begatisë së tyre. Le ti lexojnë e pastaj le të flasin ndryshe për qytetërimin dhe kahet që ne duhet ti marrim, e që të jemi të mirëpritur. Këta zotërinj nuk e dinë se pikërisht qytetërimi islam qe burim nga i cili mori ujë qytetërimi evropian. Aty lulëzoi mjekësia, shkenca, astronomia, fizika, e shumë e shumë lëmi tjera. Ishte ky qytetërimi islam që pasoi qytetërimet para tij, e nga i cili pastaj voli nektarin qytetërimi evropian.
E sa për Maks Velon që e vizitoi akademik Rexhep Qosen dhe iu deshtë të zbathet, unë do të kisha pyetur. Po a vetëm te Qosja i heqin këpucët o zotëri? Pse nuk shkove edhe në shtëpi tjera? A ke shkuar te një shqiptar i Maqedonisë apo gjetkë? Edhe atje i heqin këpucët kur hyjnë brenda, por jo për t’i ofenduar e poshtëruar miqtë, por për arsye të pastërtisë. Ajo këpucë që ndoshta ka shkelur e është ndyrë diku, athua do të ish e shëndetshme të shkelë një qilim të pastër në cilindo shtëpi qoftë. Aty ndoshta do të vinte pranë këmbëve një fëmijë, duke u zvarritur e do të duhej që me duart e vogla të prekte atë qilim që ti, apo kushdo tjetër do të hynte i mbathur. Jo zotëri kjo nuk është fyerje por një traditë e jonë tipike shqiptare. Shqiptari nuk hyn i mbathur në shtëpi e as nuk zhgërryhet kanapeve bashkë me qentë a macet, se ajo të bën evropian, e as nuk të bën më të dashur në sytë e botës. E sa për votën tënde kundër, për referendumin e bashkimit kombëtar ne nuk mërzitemi, se edhe pa një votë ne mund të bashkohemi në rrethanat e caktuara se atë rrotë të historisë nuk mund ta ndalojmë as ti as unë e as kush që nuk ka forcë. Ajo lëviz ne duhet nga pak ta rrotullojmë, por ti mos e prek se edhe ashtu i bën dëm.
E sa për atë se nëse ne vetëm ankohemi dhe lotojmë dhe jemi gjithnjë kundër e nuk dimë tjetër gjë pos të ankohemi, ti mos u mërzit. Ne dimë se çdo të bëjmë pas pavarësisë, por duart tona na i kanë lidhur gjithmonë pushtues e njerëz të prishur që janë munduar ta kthejnë mbrapsht ujin në mulli. Ne nuk na duhen revolucionet që ti i përmend. E ne nuk do të mërzitemi nëse ti nuk ke ardhur e nuk vjen më në Kosovë. Kosova i pret dhe i ka pritur miqtë, rininë dhe gjithë dashamirët. I ka shkolluar gjeneratat e gjithë trevave shqiptare që ia dinë për nder,dhe mundohen ti shërbejnë për hir të asaj që ajo ka bërë. Kosova ka pritur miq pa qëllime përfituese dhe pa prapavija, por kurrë nuk i ka sharë kështu vëllezërit nga Shqipëria dhe nga gjithë trojet ku flitet shqip. Ajo i ka dhënë bukë çdo miku besnik, nuk i ka bërë ndasitë, se feja dhe kombësia nuk bëjnë pa njëra tjetrën. Nuk je njeri nëse beson e nuk i frikohesh diçkaje. E nëse ke besim atëherë e do edhe veten edhe të tjerët atëherë do të jesh një atdhetar se feja dhe kombësia nuk bëjnë ndasi por bashkim. Ishin patriotët tanë jo të një besimi, por ata kurrë nuk i ndau kjo, por i bashkoi me idealin tyre.
Fjalët duhet të peshohen para se të fliten dhe të shkojmë para por mbi të gjitha e ruajmë me xhelozi identitetin tonë që e zgjodhën vetë e nuk na imponoi asnjë shpatë mbi kokë. Ne nuk na vjen turp që i takojmë fesë islame apo katolike a ortodokse. Ne para botës, Evropës a kujtdo tjetër kemi me çka të tregohemi dhe krenohemi. Kemi besën, trimërinë, sjelljet dhe mikpritjen që rrallë kush e ka.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …