Ahmet Qeriqi

A. Qeriqi: Kryetari,Thaçi ndan dekorata në Tiranë, por anashkalon ata që kanë derdhur gjak për çlirimin e Kosovës

Ndarja e dekoratave nga kryetarët e deritanishëm të Kosovës, gjithnjë është manifestuar me anime politike e ideologjike dhe asnjëherë deri tani, me ndonjë përjashtim, nuk është bazuar në kritere të mirëfillta, të paanshme dhe meritore.

Tani që është zgjedhur kryetar partiak i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur edhe ndarjen e dekoratave, kuptohet sipas përzgjedhjeve, bindjeve dhe animeve të tij  politike. Nuk di sa është momenti për një veprim të tillë, ceremonial,  kur Kosova dhe Shqipëria, por edhe mbarë vendet ku jetojnë shqiptarët ndodhen në një gjendje të rëndë, jo vetëm ekonomike por edhe politike e shoqërore, në një gjendje ku kaosi, anarkia, mungesa e zbatimit të ligjit, korrupsioni, përçarjet, dhuna, krimi  dhe deformimet e ndryshme,  ia kanë zënë frymën kombit, në rrugë drejt përparimit e mirëqenies.  Por duke qenë se kryetarët e shteteve te ne nuk merren me hallet e popullit, por me të zgjedhurit e të përzgjedhurit e partive, klaneve, fiseve e bajraqeve të tyre, ndarja e dekoratave përdoret  krejtësisht për qëllime politike, partiake pse jo edhe krahinore.

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës  në Tiranë, ka paraparë  të dekorojë 13 personalitete shqiptare nga fusha e kulturës dhe shkencës, për sikur thuhet rolin e tyre të veçantë në shërbim të lirisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës. Me “Urdhrin e Pavarësisë” do të dekorohen: Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Shaban Sinani, Ekrem Bardha, Vladimir Prela, pas vdekjes, Sabri Godo, pas vdekjes. Ndërsa me Urdhrin Presidencial për Merita do të dekorohen: Naim Zoto,  Agim Doçi, Gjokë Beci, pas vdekjes. Eduard Mazi, Fatime Sokoli, pas vdekjes, si dhe Edmond Zhulali. Në këtë mes ndodhet vetëm një femër shqiptare, gjithsesi personalitet i këngës, Fatime Sokoli, por asnjë femër tjetër nga Shqipëria, nga mesi i të cilave ka mjaft nga ato që kanë merituar dekorata, në mos të tjerat,  janë pikërisht nënat që kanë rritur bij e bija, për t’ ia falur çlirimit të Kosovës. Asnjë nënë e dëshmorit nga Shqipëria nuk ndodhet në mesin e të dekoruarave. Po të ishte gjallë Fatime Sokoli, me siguri se nuk do ta kishte marrë dekoratën e Hashim Thaçit, para një nëne të dëshmorit.

Askush nuk do të kontestonte kontributin që kanë dhënë dhe po japin këto personalitete për letërsinë, shkencën, kulturën. Megjithatë kjo përzgjedhje është shumë larg nga ajo më meritorja, sepse më të merituarit për çlirimin e Kosovës, kanë qenë dhe do të mbesin përgjithmonë ata,  që kanë dhënë gjakun e tyre dhe ata që kanë lënë gjymtyrët e tyre gjatë luftërave në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në Maqedoni, ata që kanë drejtuar me shumë sukses luftën në zona të caktuara.  Asnjë i gjallë nuk mund të barazohet me ta, ashtu sikur nuk barazohet asnjë i gjallë tjetër me oficerët e lartë të Shqipërisë, të cilët kanë marrë pjesë në tri luftërat tona çlirimtare dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.

Thaçi  nuk ka dekoruar asnjë pjesëtar apo oficer të Shqipërisë, që ka marrë pjesë në luftën e UÇK-së   

Me rastin e përgatitjes së listës së dekoratave që do të ndajë sot në Shqipëri, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi. Në mesin e tyre nuk ndodhet asnjë oficer apo kuadër i lartë i SHP të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe asnjë nga dëshmorët që kanë rënë në luftë për çlirimin e trojeve të pushtuara të Shqipërisë. Në mesin e tyre nuk figuron madje as komandanti i tri luftërave çlirimtare, heroi i kombit,  Tahir Sinani.  Thaçi asnjëherë pas luftës nuk ka takuar oficerët e lartë të Shqipërisë, të cilët kanë luftuar në Kosovë dhe tre prej tyre kanë qenë edhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, madje edhe komandantë të zonave. Injorimi i këtij segmenti kombëtar, nuk iu bën nder as personaliteteve shqiptare, që sot do të marrin dekorata nga Thaçi, sepse asnjëri prej tyre nuk ka dhënë kontributin për çlirimin e Kosovës, në atë nivel,  sikur ata që kanë derdhur gjak: Tahir Sinani, Skerdilajd Llagami, Astrit Suli, Endrit Cara, Halit Coka e dhjetëra të tjerë.

Janë lënë anash bashkëluftëtarët e dëshmorëve nga të gjallët: Kolonel, Dilaver Goxhai, kolonel, Bardhyl Tahiri, Kolonel, Adem Shehu, Komandanti i divizionit të Kukësit, gjeneral, Kudusi Lame, ish kryeministri i Shqipërisë gjatë luftës, Pandeli Majko, ish Ministri i Mbrojtjes gjatë luftës, Sabit Brokaj dhe sa e sa të tjerë.

Nuk e di si ndihen sot të dekoruarit e gjallë, përveç Dritëro Agollit, i cili pa dyshim se është më meritori i të përzgjedhurve. Si ndihen të tjerët nga të gjallët, që sot marrin dekorata madje edhe pa praninë në ceremoni të atyre komandantëve e  luftëtarëve të lirisë së Kosovës nga Shqipëria, që kanë lënë gjymtyrët e tyre, duke luftuar përballë forcave vrastare të policisë dhe ushtrisë së Milosheviqit. Besoj se shumë nga të dekoruarit nuk do të ndihen mirë, kur të kuptojnë se nga mesi i të dekoruarve janë anashkaluar më të merituarit.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …