Poetët si Gjokë Beci (1939-2014), radhitën në panteonin e poezisë sonë kombëtare, duke mbetur atje përgjithmonë, në radhë të parë për origjinalitetin krijues, kultivimin dhe lëvrimin e pasurisë mendore e shpirtërore, të deklamuar përmes fjalës poetike e mbi të gjitha për angazhimin e tyre jetësor në shërbim të kombit e Atdheut, duke u bërë pjesë e korpusit krijues kombëtar.
I lindur dhe i rritur në trojet epike të Shqipërisë, në Mirditën e njohur për ruajtjen dhe restaurimin e traditës kulturore e shpirtërore shqiptare, Gjokë Beci doli nga kullat ku i këndohej trimërisë, besës, nderit, bujarisë, qëndresës shekullore kundër zaptuesve nga Lindja e Perëndimi. Ai, në letrat shqipe erdhi nga një trevë ku me shekuj të tërë kishin mbretëruar edhe zakonet e egra të kanunit të maleve, të cilat, jo pak herë e ndrydhën dhe e shtrydhën shpirtin shqiptar gjatë shekujve.
Në këtë truall të Shqipërisë epike, ku jehonte zëri thirravaje i lahutës, tingujt e pastër të çiftelisë, fyelli i bariut e instrumente të tjera popullore, poeti ishte frymëzuar dhe në mendjen e tij kishte filluar të sintetizohej tërësia epike lirike e jetës së mirditorit, jetës së shqiptarit të kohës, një jetë e cila sado e ngujuar në traditën e lashtësisë, ajo ruante të paprekura virtytet dhe dashurinë për jetën, njeriun, vendlindjen, Atdheun, mbi të gjitha ruante të njerëzishmen, e cila u ka përballuar dhe i përballon kafshimit të kohëve të liga.
Fati e deshi që Gjokë Beci u rrit, u arsimua dhe e u edukua në kohën e transformimeve të mëdha shoqërore të jetës shqiptare përgjithësisht, ashtu sikur, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, dhe tërë një plejadë krijuesish, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në krijimtarinë artistike. Pavarësisht si mund të gjykohet e mendohet sot, jeta e shqiptarit në Shqipërinë Socialiste të kohës i referohej njeriut të ri, krijuesit të angazhuar, shqiptarit që jetonte nën izolim nga fqinjët grabitqarë, që i kishin zaptuar dy të tretat të trevave të Atdheut dhe si për ironi, pjesa e përgjysmuar dhe e rrezikuar për copëtimin definitiv, akuzohej se ishte vetizoluar.
Në një epokë të tillë shumë karakteristike ishte krijuar edhe miti për shqiptarin e pamposhtur, që në një masë realiste akordonte me realitetin historik të së kaluarës, akordonte me legjendat e Gjergj Elez Alisë, me luftën kundër bajlozëve a katallanëve, që nga viti në vit, nga shekulli në shekull kishin mësyrë trojet e Arbrit, duke lënë prapa kulla të rrënuara e fshatra të bëra shkrumb e hi.
Në kohën së cilës po i referohemi, e cila kishte nxjerrë në dritë emrat antologjikë të kulturës, artit, letërsisë, shkencës, Gjokë Beci ishte bërë një me këngën e popullit, me këngën e mirditorit dhe shqiptarit përgjithësisht, ishte bërë një me shpirtin e tij, që hiqte rrënjë nga legjenda e vinte deri te fshatari i kooperativës, gjithnjë duke qëndruar vertikalisht, meqë shqiptari liridashës, gjatë shekujve vetëm me ushtë, heshtë, shpatë e pushkë kishte arritur të mbijetonte dhe kurrë nuk e kishte pranuar statusin e rajasë dhe të nënshtruarit.
I edukuar në frymë kombëtare, revolucionare, poeti me kohë kishte kuptuar se çka donte, se çfarë porosish do t’i jepte gjeneratës dhe brezave që do të vinin. I ndërgjegjshëm për misionin e poetit, që ashtu sikur ishte i gatshëm të mbillte një lule, por për hir të Atdheut, afër lules të vendoste edhe një minë, po ta kërkonte nevoja, (Kadare), poeti shkruante jo për të bërë emër me muza e naze, por për të lidhur fjalë kushtrimi, fjalë metaforë që dridh malet, fjalë me palcë baroti, fjalë të goditura me mjeshtri artisti, duke radhitur secilën në vendin e vet, si: Kërcet topi dhe gjëmon trolli/Xhamadanin hapë Mic Sokoli/Për mes fushës kalldrëm me gëzhoja/ bash si fletët kur hapë shqiponja!.. ( Xhamadani i trimërisë)
Kënga e Gjokë Becit ka qenë dhe mbetet e denjë për ta kënduar këngëtarët më të shquar, më të njohur, me të cilët edhe ka bashkëpunuar. Këngët e tij i kanë kënduar dhe i këndojnë: Mrikë Trumshi, Vaçe Zela, Arif Vladi, Shkurte Fejza, Gëzim Nika, Ilir Shaqiri, Nikollë Nikëprela, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Artiola Toska e të tjerë.
Kënga me të cilën, poeti Gjokë Beci u njoh kudo në trojet shqiptare ishte, “Xhamadani i trimërisë”, e cila u këndua me patos luftarake nga këngëtarja mirditore, Mrikë Trumshi, dhe Grupi i Mirditës, në Festivalin e Gjirokastrës, në vitin 1978, pikërisht në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe mori çmimin e parë.
Rikthimi në programin kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkundi nga letargjia ndërgjegjen kombëtare dhe “xhamadani i Mic Sokolit” po i vishej truallit me porosi të qarta, të cilat dolën sheshit në mars prill të vitit 1981 kur shqiptarët liridashës të Kosovës e më gjerë kërkuan me këmbëngulje realizimin e të drejtave të mohuara historike, për çlirim dhe bashkim kombëtar, të drejta këto të cilat i realizuan pjesërisht me luftën e UÇK-së, çlirimin nga Serbia okupatore në vitin 1999 dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Poeti Gjokë Beci ka lënë 7 libra me poezi:
Kur zgjohen Bjeshkët,
Zambaku im,
Qiell e dhe,
Antologjia e shpirtit 1,
Antologjia e shpirtit 2.
Thuj vetes ec,
Plis në Luvër.
Xhamadani i trimërisë
Kërcet topi dhe gjëmon trolli
Xhamadanin hapë Mic Sokoli
Për mes fushës kalldrëm me gëzhoja
bash si fletët kur hapë shqiponja!..
Si dy krahë që i ka vatani
Tash po vjen topi Sulltanit
Zemra jonë ka gjak sa gurra,
mbi armikun bini burra…
Kaluan vitet kaloi një shekull,
Koha gërrye ka gur e hekur
Erdh ndër kohna e iu vesh trollit
Xhamadani i Mic Sokolit.
E pat veshë dhe Selam labi
kur për gryke topin e kapi
Për liri kur jetën fali,
E pat veshë, Adem Jashari. 1)
Prapë në botë sot ka sulltana
Që na mbajnë ne ndër nishana
Por se gjumë jo s’ ka shqiptaria
Sytë me dritë na i mbushë Partia
Shkëlqen djersa e s’dridhet loti
në kët´truall me palcë baroti,
Shkrin çeliku e lulëzoi molla,
Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola.
1) këto dy vargje këngës iu shtuan më vonë, për t’i dhënë asaj dimensionin historik dhe për ta futur në këngën e Mic Sokolit, legjendarin e kohës sonë, Adem Jashari.