Qetësohet situata nga përmbytjet në Malishevë

Situata e përgjithshme nga përmbytjet e së hënës në komunën e Malishevës, është qetësuar dhe po shkon drejt përmirësimit. Momentalisht, vetëm rruga Malishevë-Duhël, është me vështirësi e kalueshme, ndërsa të gjitha rrugët dhe urat tjera janë të kalueshme. Po ashtu edhe mësimi po zhvillohet normalisht në të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës.

Sipas të dhënave nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, gjatë ditës së hënë, ka pasur vështirësi të qarkullimit në disa rrugë, ndërsa uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, kryesisht në bodrume, si dhe ka përmbytje të fushave përgjatë lumit Mirusha.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sejdi Paçarizi, tha se ekipet emergjente vazhdojnë të jenë në gatishmëri të plotë, edhe pse momentalisht ka rënë niveli i ujit. Sipas tij, gjatë natës së mbrëmshme, të gjitha ekipet emergjente, kanë qenë në gatishmëri të plotë, ndërsa ekipet e drejtorive komunale, pastaj zjarrfikësit, Policia e Kosovës, ekipet e njësisë së “Ekoregjionit” dhe KFOR-i, njësia e LMT-së në Malishevë, i kanë ndihmuar qytetarët të lëvizin në pjesët ku kanë qenë rrugët e bllokuara.

Përndryshe edhe drejtoria për shëndetësi, ka bërë thirrje për kujdes gjatë përdorimit të ujit dhe i rekomandon qytetarët që të vlohet uji para përdorimit. Edhe sipas njësisë së Hidroregjionit në Malishevë, uji është i klorizuar, por vërehen turbulenca të vogla, mirëpo vazhdohet me monitorimin e gjendjes së ujit për pije.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …