Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektligjin për kategorizimin e veteranëve të luftës së UÇK-së me qëllim të pagesës së pensioneve sipas kontributit të tyre në luftë. Me ligjin e ri kategoria e parë përfshin veteranin luftëtar të UÇK-së të mobilizuar në luftë nga viti 1991, deri më 5 mars 1998 dhe që ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës, kategoria e dytë pas datës 5 mars 1998 dhe ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës dhe kategoria e tretë pas datës 31 mars 1999 dhe ka qenë aktiv deri në ditën e përfundimit të luftës.
Ministri, Arban Abrashi e ka paraqitur ligjin për veteranët e UÇK-së, i cili ka për qëllim kategorizimin e pensioneve të ish luftëtarëve. Abrashi tregoi edhe për shumën e pagesave që i ka paraparë projektligji, deri sa shtoi se shuma e përgjithshme e buxhetit për këtë pagesë nuk mund ta kalojë 0,7 për qind të bruto prodhimit vendor apo GDP-së. Abrashi tha se me këtë ligj gjithashtu formohet edhe komisioni për kategorizimin e veteranit luftëtar të UÇK-së sipas kategorive të caktuara me këtë ligj duke i mbështetur në dokumentet sipas të cilave siç th ai iu është njohur statusi i tyre nga përfaqësues të zyrës së kryeministrit për çështje të veteranit të luftës, MPMS dhe Organizata e Veteranëve të Luftës. Mirëpo, kryeministri kërkoi shpjegime shtesë për shumën e buxhetit që është paraparë me këtë projektligj nga ministri Abrashi.Ai po ashtu kërkoi sqarim sa i përket kategorisë së tretë të pagesës për veteranë e ku e vërejti një gabim i cili doli të jetë teknik, për çka edhe shkuan në një pauzë të shkurtër.
Pas pauzës, ministri Abrashi e sqaroi gabimin që e kishin lëshuar gjatë hartimit duke thënë se është punuar deri vonë në këtë dokument.Ndërkohë, lidhur me këtë ligj u miratua edhe vazhdimi i mandatit të komisionit qeveritar për njohjen, verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëmarrësit apo të internuarit të UÇK-së, të cilit iu dha mandati deri më 20 janar 2017. Minstri Avdullah Hoti e sqaroi këtë vendim.Në mbledhjen e Qeverisë nuk kishte pika tjera të rendit të ditës, as debat sa i përket këtyre çështjeve.(KosovaPress)