Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë takim të ftuar pas zhvillimeve të fundit në vend e sidomos në veri të vendit, u diskutua për situatën aktuale në Republikën e Kosovës. Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, paqes dhe sigurisë, dhe se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim. U theksua aleanca me partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e NATO-n, dhe komunikimi e bashkërendimi në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti i falënderoi liderët e partive opozitare që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për takim dhe diskutim. Në këtë takim me Kurtin ishin kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Bedri Hamza, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga Lutfi Haziri, si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga Ardian Gjini.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …