Edhe pse Ligjet e Kosovës për Gjykatën Speciale dhe Zyrën e Prokurorit i obligojnë institucionet Republikës që të bashkëpunojnë me gjykatën dhe palët e tjera në procedurë, Qeveria e Kosovës nuk ka caktuar një përfaqësues për të përshpejtuar kërkesat e mbrojtjes së krerëve të UÇK-së. Duke i pasur parasysh të drejtat e të akuzuarit të përcaktuara në nenin 21, të gjitha subjektet dhe personat në Kosovë bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe pa vonesë e respektojnë çdo kërkesë për asistencë ose urdhrat apo vendimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në pikën e parë të nenit 53. Ende nuk dihet nëse Qeveria e Kosovës do të caktojë një përfaqësues i cili do të shërbente si pikë kontakti për të përshpejtuar kërkesat e mbrojtjes së të akuzuarve në rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Ministria e Drejtësisë nuk ka treguar nëse në adresë të saj është drejtuar një kërkesë e tillë nga Zyra Administrative, ndërsa në Dhomat e Specializuara të Kosovës thonë se ende nuk ka ndonjë dokument publik në gjykatë lidhur me këtë çështje. Në konferencën e fundit statutore, mbrojtja e Kadi Veselit ka kërkuar caktimin e një përfaqësuesi brenda Qeverisë së Kosovës i cili do të shërbente si pikë kontakti për të përshpejtuar kërkesat e mbrojtjes për ndihmë dhe informacion. Sipas mbrojtjes, ky përfaqësues do të ishte i dobishëm në veçanti tani kur po afrohet fillimi i gjykimit. Pas kërkesës së mbrojtjes së Veselit, në konferencën e fundit statutore gjykatësi i procedurës paraprake ka kërkuar nga Zyra Administrative që të kontaktojë me autoritetet përkatëse në Kosovë për të gjetur një zgjidhje sipas kërkesës së mbrojtjes. (Kosovapress)
Kontrolloni gjithashtu
Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka uruar të gjithë shqiptarët për …