Qeveria e Kosovës, ka zhvilluar mbledhje korresponduese, në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visas (Vizave të Veçanta Imigruese) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre. Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan. Këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Republikën e Kosovës, në rast të nevojës e në qëllim të sigurisë kombëtare, sipas vlerësimit të institucioneve relevante në Republikën e Kosovës.
