Fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ndodhet përballë një sfide të madhe në përpjekjet për të formuar qeverinë e re, pasi edhe pse ka siguruar më së shumti vota, nuk i ka numrat e mjaftueshëm në Kuvend pa një koalicion me partitë shqiptare parlamentare. Ky realitet është konfirmuar nga vetë nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, i cili të martën deklaroi se pa përfshirjen e partive shqiptare në një koalicion qeverisës, formimi i qeverisë së re është i pamundur. Në këtë kontekst, analisti i afërt me pushtetin, Sadri Ramabaja, deklaroi të dielën se është drejt finalizimit një marrëveshje për koalicion mes VV-së dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt. “Më së largu deri të hënën do të bëhet publike kjo marrëveshje”, tha ai. Zyrtari i Nismës, Zafir Berisha, reagoi ashpër dhe me ironi ndaj deklaratës së Ramabajës. “Ramabaja nuk i paska përdorën tabletat sot dhe qenka prekë nga halucinacionet!”, shkroi Berisha, duke hedhur poshtë pretendimet për ndonjë marrëveshje të afërt me VV-në.
