Qeveria e Serbisë, në Beograd ka kërcënuar Bosnje Hercegovinën me shpërbërje, nëse ajo njeh pavarësinë e Kosovës. Ministria e Mbrojtjes serbe publikoi një deklaratë nga ministri Aleksandar Vulin, i cili paralajmëroi presidentët boshnjakë dhe kroatë të Bosnjës se ai do të mbështeste pavarësinë e Republikës Serbe nëse ata mbështesnin atë të Kosovës. Kërcënimi vjen në të njëjtën ditë pas një votimi të pasuksesshëm të presidencës trepalëshe të Bosnjes mbi njohjen e Kosovës. Prej disa vitesh përfaqësuesit boshnjak dhe kroatë të presidencës kanë lobuar pro pavarësisë së Kosovës por gjithnjë janë bllokuar nga përfaqësuesit serb në Presidencë. Edhe kësaj radhe, Milorad Dodik, kryetari i Republikës serbe në Bosnje, votoi kundër. Vulin kritikoi udhëheqësit boshnjakë dhe kroatë të presidencës, Shefik Xhaferoviç dhe Zhelko Komshiç, për votimin pro pavarësisë së Kosovës.
