Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, Qeveria ka ndërmarr një varg masash dhe ka bërë disa rekomandime për tu përballur në mënyrë efikase me përhapjen e koronavirusit. Qeveria ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t’u shmangen ambienteve të frekuentuara me njerëz dhe t’u përmbahen të gjitha masave të ndërmarra nga Qeveria dhe rekomandimet e dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
10 masat që i mori mbrëmë Qeveria për shkak të Coronavirusit
Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur të premten, ka marrë vendim për marrjen e masave shtesë pas konfirmimit të rasteve pozitive me Coronavirus.
Masat shtesë që janë ndërmarrë në këtë mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës janë si në vijim:
- Ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Klinës;
- Ndalohen hyrje daljet e qytetarëve në Komunën e Vitisë;
- Ndërpritet me efekt të menjëhershëm transporti ndër-urban në Republikën e Kosovës, si dhe transporti i organizuar ndërkombëtar;
- Mbyllen kufijtë tokësor për udhëtarët që hyjnë në Kosovë, kjo nuk vlen për qytetarët kosovarë, të gjithë shtetasit e Kosovës të cilët hyjnë përmes këtyre kufijve do t’iu nënshtrohen kontrolleve të shtuara mjekësore me urdhrin që ata të vet izolohen për 14 ditë;
- Nga data 16 mars 2020 ora 24:00, bëhet pezullimi i përkohshëm i të gjitha linjave të udhëtimit ajror në Aeroportin e Prishtinës, përveç fluturimeve ushtarake, dhe emergjencave medicinale (MEDIVAC). Përjashtim bëjnë linjat e udhëtimit në ardhje me ekuipazh, por pa udhëtarë që shërbejnë vetëm për largim të udhëtarëve nga Kosova;
- Mbyllen kafeteritë, baret, pabet dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore;
- Pezullohen të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive;
- Mbyllen tregjet e kafshëve dhe tregjet e automjeteve;
- Reduktohen në veprimet esenciale dhe staf esencial çdo institucion publik, përveç stafit të sektorit të shëndetësisë dhe të sektorit të sigurisë;
- Urdhërohen kompanitë private që ta organizojnë punën në atë mënyrë që shumicën e aktiviteteve punëtorët t’i kryejnë nga shtëpia.