leoni

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është miratuar projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Qeveria Kurti tani ndodhet në dilemën, “të jesh apo të mos jesh”

Qeveria Kurti tani ndodhet në pozitën më të vështirë qysh kur e ka marrë përsipër qeverisjen e vendit. Kokëfortësia, arroganca dhe pamundësia e tij,  për ta bindur opinionin ndërkombëtarë me mendësinë e tij njëdimensionale ka bërë që emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar ta nxjerrë jashtë loje, duke e injoruar deri në nivelin e një individi, duke e margjinalizuar në mënyrën më poshtëruese. Në vazhdën e këtij injorimi  Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,  në Kosovë, më 31 janar mbajti diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Emisari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për refuzimin e Kurtit për të themeluar Asociacionin, tha se “një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar”.

Deri te kjo e papritur erdhi pasi Serbia e pranoi planin e rishkruar franko-gjerman, i cili i jep përparësi  dhe hapësirë shumë të madhe Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke paraparë një autonomi të zgjeruar, madje më shumë se ajo që është përkufizuar me marrëveshjen e vitit 2013, në Bruksel.

Shefi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka mirëpritur qëndrimin e kryetarit  serb, Aleksandar Vuçiq, të datës 23 janar, rreth propozimit evropian, i cili parasheh rrugën përpara në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Borrell iu ka  referuar deklaratave të Vuçiqit para qytetarëve të Serbisë, në të cilin ka thënë se diplomatët e huaj i kanë treguar që nëse ai nuk e pranon planin e BE-së, Serbia do të përballet me bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse, në kuptimin politik dhe ekonomik. Vuçiq, po ashtu, ka pranuar se ky plan i BE-së, që mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, është kornizë e re negociuese për Serbinë. Propozimi i BE-së, i njohur në publik edhe si plani franko-gjerman, u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike deri tani.

Duket se kësaj radhe kryetari i Serbisë, Aleksander Vuqiq nuk përsëriti gabimin që bëri regjimi i Millosheviqit, në mars të vitit 1999, që nuk e nënshkroi marrëveshjen e Rambujesë, fakt që çoi në bombardimin e NATO-s dhe nënshkrimin e  kapitullimit në Marrëveshjen e Kumanovës me 10 qershor të po atij viti. Kurti tani po e bën të njëjtin gabim, i cili nuk mund të jetë pa pasoja për të dhe për të gjithë ata që e përkrahin në këtë rrugë pa krye, por nuk besoj se do të ketë pasoja për Kosovën, pasi vetë emisari amerikan, Gabriel Escobar ka thënë se Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Serbe si ajo e Bosnjës, por një autonomi e zgjeruar me shumë kompetenca, të cilat i parasheh përditësimi i fundit i planit franko-gjerman.

Ndërkohë ndodhi edhe e papritura. Duke e parë veten në pozitë gati jashtë lojës, Albin Kurti pranoi propozimin franko gjerman, por duke i vënë gjashtë kushte, pavarësisht se pranohen ato apo jo nga Shtetet e Bashkuara e nga Bashkimi Evropian. Duke folur këtë këto kushte, emisari i BE-së për bisedimet Kosovës, Serbi, Mirosllav Lajçak nuk i shpërfilli ato po i bëri sërish  të ditur Albin Kurtit se të gjitha marrëveshjet paraprake me Serbinë duhet të realizohen, duke lënë të nënkuptohet se do të realizohet versioni i Asociacionit i i nënshkruar në Vjenë në vitin 2015, pa asnjë mundësi korrigjimi apo kushtëzimi.

 

Duke qenë në pozitën me të keqe të mundshme gjatë këtyre dy viteve, albin Kurti ka filluar të zemërohet, ka filluar ta sulmojë opozitën, qeveritë e kaluara të cilat i bën fajtore për të gjitha, veçmas qeverinë Mustafa të  koalicionit PDK-LDK.

Kryeministri Kurti, deklaroi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është “Zajednicë” e Hashim Thacit dhe Isa Mustafës. Por sipas tij, kjo marrëveshje e nënshkruar nga dy-ish liderët shtetërorë nuk po zbatohet falë qeverisë aktuale të udhëhequr nga ai. “Dallimi është drastik. Asociacioni është ‘Zajednicë’ e Hashim Thacit dhe Isa Muftafës. Por, duke iu falënderuar qeverisë me mua kryeministër, nuk po zbatohet. Sa për ju moti ishte kryer. Unë i kam përmendur gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit, të cilin ju e keni sjell”, u shpreh Kurti.  Zajednica e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës nuk po zbatohet pasi tani ka qeveri demokratike. Është hera e parë që kryeministri Kurti përmendi emrin e Hashim Thaçit lidhur me Asociacionin por jo me çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në kohën kur është nënshkruar Asociacioni i komunave serbe, iu ka premtuar nga ish-përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, se ai nuk do të kompetenca ekzekutive. Mustafa kishte nënshkruar marrëveshjen në vitin 2013, në kohën kur dialogun e ndërmjetësonte Bashkimi Evropian me Mogerinin. Ai thotë se mori garanci që nuk do të ketë pushtet të tretë në Kosovë,  nuk mund të ketë kompetenca të autoritetit qendror. Unë kam marrë zotimet e zonjës Mogherini se sipas opinionit të BE-së, Asociacioni nuk do të ketë kompetenca të tilla. Tash a do të jetë Asociacioni një-etnik, është punë e interpretimit”, ka thënë Isa Mustafa për RTK-në.

Kryeministri Kurti nuk e ka përkrahjen amerikane dhe kjo është më e keqja e të këqijave, andaj nuk po arrin ta marrë veten, andaj po e luan rolin e viktimës  dhe gjithsesi se ndodhet para dilemës, në krye të Qeverisë e me pranim të asociacionit, apo alternativa tjetër, sërish në opozitë, dhe sërish në protesta kundër themelimit të Asociacionit.

Diçka të ngjashme ka paralajmëruar edhe kryekuvendari Konjufca, i cili tha se plani franko-gjerman e ka në qendër njohjen de facto, por shoi se ka argumente që zyrtarët nga Uashingtoni dhe Brukseli “kanë dalë prej binarëve”. Unë kam argumente që edhe zyrtarët nga Washingtoni, edhe zyrtarët nga Brukseli në gjuhën e tyre nuk po e kanë njohjen në qendër. A e di çfarë po kanë në qendër? Asociacionin po e kanë në qendër”, tha Konjufca. Në planin franko-gjerman, kryeparlamentari tha se “Asociacioni është njëfarë forme që ne duhet ta zbulojmë që Serbia ta konceptojë  që ne i bëmë kompromis asaj. Tash zyrtarët nuk janë duke e thënë kështu. Konjufca duket se e ka kuptuar mirë se çfarë do të jetë Asiociacioni, ose e ka kuptuar edhe më herë por tani ka marrë një qëndrim  të caktuar, ndërkohë që ka paralajmëruar se në rast të pranimit të Asociacionit, ai do ta lë postin e kryekuvendarit dhe do të organizojë protesta si në të kaluarën kundër Asociacionit duke e sulmuar Qeverinë e Kuvendin  nga brenda e nga jashtë.

I ndodhur në pozitën stagnuese  kryeministri, Albin Kurti ka kritikuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku  për qëndrimet publike dhe ato në takime me ndërkombëtarët që lidhen me planin franko-gjerman. Ai e ka përmendur emisarin amerikan,  Gabriel Escobar, duke theksuar se të njëjtat fjalë opozita do të duhej t’ia thoshte edhe atij. Unë ju inkurajoj që ashtu qysh jeni të vendosur për Kosovën se nuk pranojmë asgjë që nuk e ka njohjen reciproke në qendër, nuk pranojmë asgjë që s’është marrëveshje finale, këto ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, jo vetëm mua. Në kundër replikën drejtuar kryeministrit, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se qëndrimet e kësaj partie janë të njëjta si në Kosovë si para Escobarit. Kryeministër Kurti  për dallim prej teje që në Twitter bëhesh pulë e në Facebook bëhesh skifter, lypi transkriptet e bisedave në Uashington e shikoji që Escobarit ia kam thënë këto gjëra më rëndë se që po ti them ty. Ti bashkë me ish-kryeministrin Haradinaj keni shkatërruar e dhunuar për këtë Asociacion, Demarkacion e tash po i ndryshoni fjalët, tha Memli Krasniqi

Po kështu edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri Kurti po shpif kur thotë  se partitë opozitare po provojnë ta rrëzojnë qeverinë në takime me ndërkombëtarët. Nuk të ka hije të sillesh kështu. Ne kemi pasur qëndrim të qartë dhe me komunikatë se marrëveshja duhet të jetë finale dhe të ketë njohje në të. Mos shpif dhe mos e sill debatin në çështje personale sepse janë çështje shumë serioze. Ne nuk kemi nevojë që as para Escobarit e as para Cholletit të sillemi ndryshe”, ka thënë me këtë rast, kryetari i LDK-së. Lumir Abdixhiku.

Është e vërtetë dhe nuk e mohon askush se Vetëvendosja ka pasur qëndrim kategorik kundër krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, madje edhe ka zhvilluar protesta e aksione  duke sulmuar Kuvendin e Qeverinë, nga brenda me gaz lotsjellës, nga jashtë me molotovë e zjarre. Por është edhe super e vërteta, se Kurti me partizanët e tij kishin premtuar  kauzën e fuqishme, se po ta marrin qeverisjen e vendit, kurrë nuk do të lejojnë themelimin e Asociacionit. Këtë e dinë të gjithë e më së miri e di Albini dhe të gjithë ata qytetarë të Kosovës që i kanë besuar premtimeve e kauzave të tij.

Sot ai ndodhet në pozitën e Hamletit, – të jesh apo mos të jesh. Të gëlltitësh fjalët e të thuash se kështu e  nënshkruar dhe e kanë vendosur Hashim Thaçi e Isa Mustafa dhe nuk “kemi çka bojmë” është, puna më e lehtë por jo e tëra, sepse nëse është burrë i fjalës sikur paraqitet duhet të pranojë burrërisht se ka gënjyer, vetëm për ta marrë qeverisjen e vendit.

I ndodhur në këtë pozitë me siklet të veçantë, Albini po mundohet të kalkulojë dhe të vë në shërbim të gjitha makinacionit, por të gjitha do të shkojnë huq, sepse  laku po i ngushtohet, sepse  as makinacionet më të zhdërvjellta, nuk bëjnë dobi. Kurti,  që përdorë shumë fjalë të urta dhe të mençura për ta treguar “erudicionin” e tij, e di edhe kuptimin as fjalës së urtë, ja hurin ja tirqtë. Tani është momenti.

Mbetet të shohim dhe të bindemi, cili është Albin Kurti, ai i premtimeve, apo i mashtimeve.  

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

10. 2. 2023

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …