Qeveria në Shkup miratoi projektligjin për përdorimin e gjuhëve, një ligj shumë i debatuar dhe i kërkuar me forcë nga partitë shqiptare në Maqedoni. Në projektligj, i cili do t’ i dërgohet Kuvendit për diskutim në muajin shtator, parashikohet se veç gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare është dhe shqipja dhe alfabeti i saj. “Në të gjitha organet e pushtetit qendror në Republikën e Maqedonisë, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, drejtoritë, komisionet, personat juridik , të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, në mënyrë të përcaktuar me ketë ligj”, thuhet në projektligjin e Qeverisë Maqedonase, i cili edhe u miratua. Edhe pse fillimisht u fol se gjuha shqipe do të ishte dhe në kartëmonedha, kjo gjë nuk është parashikuar në këtë projektligj. Ajo që nuk ka ndryshuar është shqipja në uniformat e policisë në vendet ku janë 20% shqiptarë. Por gjuha shqipe nuk do të jetë në uniformat e ushtrisë.
