Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson pozitivisht renditjen e Kosovës në raportin e fundit të Bankës Botërore mbi Lehtësinë e të Bërit Biznes. Sipas vlerësimit të raportin për vitin 2017, Oda Amerikane vëren se progresi lidhet ngushtë me reformat e qëndrueshme të biznesit, të cilat kanë lehtësuar pagesën e tatimeve, kanë zvogëluar kohën dhe koston e plotësimit të kërkesave për eksport në kufi, kanë hequr koston për fillimin e një biznesi dhe si rezultat kanë lehtësuar aktivitetet e biznesit, krahasuar me vitin paraprak.
Duke pasur paraysh progresin e konsiderueshëm që është vërejtur në indikatorët e fillimit të biznesit, pagesës së tatimeve, dhe tregtisë ndërkufitare, Oda Amerikane vlerëson se ky është një sinjal i rëndësishëm dhe pozitiv për investitorët vendorë dhe të huaj, si dhe një hap drejt prosperitetit. Një progres i tillë vë në pah përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes dhe për të zvogëluar pengesat drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Sidoqoftë, ka pasur pak ose aspak përparim në aspektin e furnizimit të besueshëm me energji elektrike dhe transparencës së tarifave, cilësisë së proceseve gjyqësore, si dhe procedurave të falimentimit në gjykata. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë inkurajon dhe u bën thirrje të gjitha instituctioneve të ndërmarrin masat e nevojshme për të vazhduar përpjekjet për ofrimin e një kornize të fuqishme që do të shpiente drejt një progresi të mëtejmë dhe do të përmirësonte faktorët të cilët kufizojnë veprimtarinë afariste në Kosovë.