Qindra persona janë mbytur dhe mijëra shtëpi të rrënuara nga vërshimet në Afganistan. Zabihullah Muxhahid, zëdhënësi i qeverisë talibane, shkroi në rrjetin social X të shtunën se “qindra njerëz vdiqën nga këto vërshime katastrofike, dersia një numër i madh njerëzish kanë pësuar lëndime” njofton Radio Evropa e Lirë. Muxhahid është cituar të ketë theksuar më tutje se provincat Badakhshan, Baghlan, Ghor dhe Herat, kanë pësuar më së rëndi nga vërshimet. Programi Botëror i Ushqimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se është duke shpërndarë ushqim për të mbijetuarit në njërën prej shumë pjesëve të goditur nga vërshimet në veri të Afganistanit.
