R E A G I M: Ministria e Kulturës la pa asnjë cent, kryengjarjet kulturore të Ferizajt e të Kosovës

Ferizaj është qendër e rëndësishme kulturore me festivalet gjysmëshekullore, ikonike që padyshim paraqesin një aset të çmueshëm të gjithë kulturës kombëtare. Janë Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove dhe Festivali i Këngës Popullore “Kosovarja Këndon” që me jetëgjatësinë, punën e tyre gjysmë shekullore, bëjnë Ferizajn e gjithë Kosovën krenarë. Dje, me publikimin e rezultateve përfundimtare, pas periudhës së ankesave, për projektet kulturore për vitin 2021, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kishte vendosur që të lë me zero buxhet këto dy kryengjarje kulturore jo vetëm në Ferizaj por në gjithë gjeografinë shqiptare. Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove në Ferizaj që sivjet shënon jubileun e 50-të dhe vitin e 51-të të themelimit, për shkak se vitin e kaluar nuk u mbajt sipas vendimeve nga IKSHPK për ndalimin e ngjarjeve të tilla diktuar nga gjendja pandemike, mbeti me zero buxhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pra iu tha jo, u refuzua, u trajtua jo denjësisht, u përbuz, një ngjarje unike, më e vjetra e skenës teatrore mbarëshqiptare, ku pati nderin që në dërrasat e saja të kalojnë emrat më të ndritur të plejadës së aktorëve si Katarina Josipi, Matej Serreçi, Shaban Gashi, Rexhep Mitrovica, Yllka Mujo, Enver Petrovci, Arben Bajraktari, Muharrem Qena, Fadil Hysaj, Istref Begolli, Agim Sopi, Bajrush Mjaku, Fetah Mehmeti, Fahri Hysaj, Ismail Rama e pafund artistë tjerë të teatrit. Iu tha jo, u refuzua, u trajtua padenjësisht, nga Ministria e Kulturës, madje kjo e fundit nuk denjoi as t’i jap përgjigje ankesës së paraqitur për mosfinancim, një vlere kulturore të mbarë popullit shqiptar siç është Festivali i Teatrove në Ferizaj. Iu tha jo, u refuzua, u trajtua padenjësisht Festivali i Teatrove që me kërkesën e Komunës së Ferizajt është në proces të njohjes me statusin e “trashëgimisë shpirtërore” po nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit!!! Pra, një “trashëgimi shpirtërore”, një punë mbi 50 vjeçare e artit skenik, u përbuz padrejtësisht, pa fije arsyetimi zyrtar të paktën. Njëlloj u trajtua, jo siç meriton një “trashëgimi shpirtërore” tjetër në proces të njohjes nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, siç është Festivali “Kosovarja Këndon”. Iu tha jo, u refuzua, u trajtua jo denjësisht, Festivali që mbush gati 50 vite të këngës popullore burimore shqiptare. Festival që në gjysmë shekullin që shkoi pati rol emancipimin e gruas shqiptare e prezantimin e vlerave të saja artistike para publikut të gjerë, Iu tha jo Ansamblit unik të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” që kanë 54 vite pune të pandalshme e që janë palca e organizimit të Festivalit “Kosovarja Këndon”. Po kështu, iu tha jo, u refuzua dhe u trajtua siç nuk e meriton, shoqata nga më të vjetrat të artistëve figurativ “Zef Kolombi” në Ferizaj që po kështu ka 51 vite pune të pandalshme në promovimin e vlerave të mirëfillta të arteve pamore, me aktivitetin e saj tradicional në Ferizaj. Iu tha jo, u refuzua edhe Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës “Hithi” që nga puna e saj, arriti të sjellë me punimet e tyre, artistë eminentë të karikaturës nga mbi 50 shtete të ndryshme. E pra, kjo nuk është vetëm e papranueshme, Ministria aktuale e Kulturës, Rinisë dhe Sportit vendosi një standard mosfinancimi që askush deri më tani, asnjë qeveri e pasluftës nuk e vendosi, të lë me zero buxhet kryengjarjet kulturore jo vetëm të një qyteti siç është Ferizaj, por ngjarje që bartin gjurmën e kohës dhe historinë e rrjedhave kulturore dekadëshe në vendin tonë.

Fotografia e Komuna e Ferizajt

Fotografia e Komuna e Ferizajt

Fotografia e Komuna e Ferizajt

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …