Pas aktit mizor të vrasjes së 35-vjeçares, në muajin e fundit të shtatzënisë ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se për gjithë krimin, fajtor është edhe kryeministri Albin Kurti, duke e akuzuar atë se po e defunksionalizon sistemin e drejtësisë, duke përgjysmuar pagat për gjyqtarët e prokurorë, dhe se po i poshtëron policët duke i lënë me paga të dobëta. Kam qenë i pari që e kam quajtur Kurtin “mashtrues” dhe kam pasur të drejtë, por nuk do të kisha dëshirë të jem i pari që do ta quaja edhe “vrasës. Është dashur të ndodhë një krim makabër mbi një nënë dhe fëmijën e saj të palindur, që një popull i tërë të tmerrohet se deri ku ka shkuar krimi në këtë vend. E ndjera e kishte kërkuar ndihmën e shtetit, i cili fatkeqësisht së bashku me secilin prej nesh po vritet përditë e nga pak, por Shteti nuk e kishte mbrojtur. Një kryeministër, që i detyron mjekët ta braktisin punën e vendin, që e rrezikon funksionalitetin e sistemit shkollor duke i shtyrë mësuesit të hyjnë në grevë për më shumë se një muaj, që vendin e shndërron në gogol të komunitetit ndërkombëtar, ai me ose pa vetëdije është shndërruar në bashkëpjesëmarrës edhe në krimet makabre që po ndodhin përditë, ka shkruar Ramush Haradinaj.
