Parathënie
Vendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të themeluar institucionet informative të luftës, Radion Kosova e Lirë dhe Agjencinë e lajmeve Kosovapress, i marrë në nëntor të vitit 1998, atëherë kur lufta e armatosur çlirimtare ishte bërë sentiment i ndërgjegjes së çdo shqiptari liridashës dhe kur pushkët grykëpërflakura të lirisë nuk reshtnin krismat, ishte ngjarje me rëndësi të veçantë. Ngritja e këtyre dy institucioneve i dha impuls të ri luftës çlirimtare, sepse duke qenë krah i fortë i armëve të lirisë, ato u bënë mjete të fuqishme e të pazëvendësueshme të luftës.
Fjala e përhapur prej tyre u bë jehonë besnike e krismave në fushëbeteja kundër pushtuesit shekullor serb. Ajo, po ashtu u bë lajmëtare e fitoreve të njëpasnjëshme nëpër beteja dhe kumtuese e triumfit të madh të luftës çlirimtare mbi robëruesin. Këto dy mjete lufte konfirmonin me fjalë ato që luftëtarët trima thonin me grykën e pushkës.
Është e njohur thënia se nganjëherë më shumë vret fjala se plumbi. Radio Kosova e Lirë, sikurse dhe Agjencia e lajmeve Kosovapress, me fjalët e tyre të përhapura te opinioni i brendshëm dhe ai i jashtëm, së shpejti u bënë shituese vrasëtare për armikun serb. Dhembjen e përjetuar nga heshtat e tyre, Beogradi pushtues e shprehu që në goditjen e parë, prandaj i tërbuar aktivizoi të gjitha mjetet për t’i asgjësuar ato. Megjithatë, koha punoi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për lirinë e Kosovës, e jo për pushtuesin barbar. Radio Kosova e lirë dhe Agjencia Kosovapress mbijetuan dhe kryen misionin e tyre çlirimtar në funksion të kultivimit të fjalës së lirë e të vërtetë. Ato u bënë kronika më besnike e betejave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo kronikë u fiksua në shirita celuloidi e në mjetet elektronike dhe të shkruara përmes mijëra informacioneve të shpërndara në formë lajmesh; qindra komunikatave të SHP dhe të shtabeve operative; qindra reportazheve e intervistave të zhvilluara me luftëtarët e me popullatën civile; qindra komenteve, vështrimeve e shënimeve të ndryshme. Këto materiale të çmueshme përbëjnë arkivin autentik të fjalës së thënë, të shkruar e të emetuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo fjalë e përjetshme do ta pasqyrojë te brezat e ardhshëm të vërtetën dhe heroizmin e UÇK-së. Ajo do t’ua mundësojë periudhave të ardhshme të historiesë të komunikojnë me epokën e lavdishme të luftës për çlirimin përfundimtar të Kosovës. II. Pas përfundimit të luftës çlirimtare, në qershor të vitit 1999, para atyre që luftuan dhe udhëhoqën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por adhe para atyre që ndihmuan këtë luftë dhe atyre që gëzuan frytet e saj, ishte e shtruar detyra atdhetare për të mbrojtuar dhe afirmuar vlerat e saj. Kjo sepse, pa mbrojtjen e këtyre vlerave nuk do të mund të jetësoheshin e të materializoheshin në formë të njëmendtë frytet e kësaj lufte – liria e Kosovës. Një segment shumë të rëndësishëm të këtyre vlerave përbënin edhe materialet arkivore të radios Kosova e Lirë dhe agjencisë Kosovapress. Për fat shumë të lumtur, pothuajse qind për qind e këtij thesari është ruajtur deri në ditët e sotme.
Në këtë drejtim, merita kryesore i përket stafit të radios Kosova e Lirë të periudhës së luftës e të pasluftës, i cili me përkushtimin dhe fanatizëmin më të madh, por edhe me ndërgjegjen më të lartë atdhetare ka bërë çdo sakrificë për të siguruar dhe ruajtur të gjitha materialet e transmetuara përmes valëve të kësaj radioje, duke filluar nga 4 janari e deri më 21 qershor të vitit 1999. Mirëpo, u desh të kalojnë mbi dhjetë vjet pas përfundimit të luftës që këto materiale arkivore të botohen e të bëhen pronë e shkruar e lexuesit shqiptar dhe e cilitdo që dëshiron të komunikojë me epokën e luftës së UÇK-së.
Ç’është e vërteta, ideja dhe synimi për të botuar materialet e arkivit të radios Kosova e Lirë, kanë qenë preokupime të përhershme të stafit drejtues të RKL-së. Me gjithë mundësitë fare të kufizuara, një pjesë e këtyre materialeve u botua disa vite më herët dhe bëhet fjalë kryesisht për materialet e rubrikave “Komente, vështrime e shënime” dhe “Intervista dhe reportazhi”. Komentet, vështrimet dhe shënimet autoriale janë përfshirë në përmbledhjen Jehonë lufte, të autorit Nezir Myrtaj, ndërsa intervistat dhe reportazhet, në përmbledhjen Reportazhe lufte, të autorit Martin Çuni. Megjithatë një pjesë e domosdoshme dhe e veçantë e arkivit të RKL, siç janë informatat e rubrikës së lajmeve, komunikatat e strukturave të UÇK-së, si dhe shkrimet me karakter të ndryshëm, kishte ngelur e pabotuar. Për ta plotësuar sadopak këtë boshllëk, drejtoria e Radios Kosova e Lirë, në vitin 2008 përgatiti dhe lidhi në formë blejsh tri vëllime të këtyre materialeve të pabotuara në nga një ekzemplar. Këta ekzemplarë u ekspozuan para pjesëmarrësve të akademisë kushtuar 10-vjetorit të hapjes së Radios Kosova e Lirë, më 4 janar 2009, në Prishtinë. Ishte ky moment i shënimit të një ngjarjeje të rëndësishme, që zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hajredin Kuçi, gjatë fjalës së tij para të pranishmëve bëri publik premtimin se Kryeministria do ta marrë përsipër botimin e arkivit të Radios Kosova e Lirë. Premtimi i dhënë u realizua dhe sot lexuesi ynë, por edhe ai i huaj, bibliotekat, arkivat dhe institucionet tona kanë në dispozicion lëndën arkivore të Radios Kosova e Lirë të periudhës së luftës, e përmbledhur në tri libra, e titulluar Radio Kosova e Lirë – Arkivi. III. Lënda arkivore e gjashtë muajve të funksionimit të Radios Kosova e Lirë është ndarë proporcionalisht në tri pjesë. Secila pjesë përfshin periudhën kohore dymujore. Libri Arkivi I përmban lëndën e periudhës 4 janar-28 shkurt 1999. Libri Arkivi II përmban lëndën e periudhës 1 mars-30 prill. Ndërsa libri Arkivi III përmban lëndën e periudhës 1 maj – 21 qershor 1999.
Përmbajtja e lëndës është sistemuar në formë të kronikës ditore, ku një date të caktuar i përkasin lajmet, komunikatat dhe shkrimet e tjera të transmetuara brenda asaj dite.
Disa prej informatave të transmetuara, ritransmetohen edhe në ditën ose ditët vijuese, për arsye të rëndësisë që do të kenë pasur për opinionin. Burim kryesor i informatave të transmetuara nga Radio Kosova e Lirë kanë qenë Agjencia Kosovapress dhe zëdhënësit për informim pranë shtabeve operative të zonave të UÇK-së, si dhe korrespondentët e RKL në terren dhe korrespondentët e Agjencisë Kosovapress në diasporë. Ndërsa si burime plotësuese të informatave janë shfrytëzuar edhe shtypi vendor, gjatë periudhës sa ato kanë funksionuar, e veçanërisht Radio Tirana dhe radiostacionet e huaja. Redaksia e emisionit të lajmeve, informatave të pranuara iu ka qasur në mënyrë kritike, duke zbatuar metodën krahasuese për të verifikuar saktësinë e tyre. Në rast të kontestimit të ndonjë informate të transmetuar, Redaksia e RKL e ka evituar pasaktësinë, duke e qartësuar lajmin në emisionet vijuese.
Deri më një prill të vitit 1999, Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress kanë transmetuar dhe shpërndarë të njëjtat informata, të cilat janë përpunuar nga redaksitë e përbashkëta të këtyre dy institucioneve simotra informative. Në këtë periudhë, stafi i RKL dhe AKP kanë funksionuar si një trup i vetëm dhe në të njëjtën seli. Mirëpo, pas përpjekjeve të shtuara dhe bombardimeve të pareshtura në drejtim të kësaj selie, nga forcat pushtuese serbe, stafit të këtyre dy institucioneve i është imponuar ta ndërrojë vendqëndrimin dhe për shkak të specifikës së punës në radiostacion, RKL dhe AKP kanë funksionuar në mënyrë të pavarur dhe në seli të veçanta, por në këmbim të vazhdueshëm të informatave dhe materialeve të tjera informative. Në kushte të tilla të veçanta ato kanë funksionuar pas një prillit deri më 21 qershor të vitit 1999, kur RKL ka ndërprerë transmetimin e programit, me shpalljen si të përfunduar të largimit të forcave pushtuese serbe nga Kosova. Deri në këtë ditë, selia e RKL ishte vendosur në një bunker dhe në tendën pranë tij. IV. Lënda e publikuar arkivore e RKL, paraqet një produkt arkivor me rëndësi të shumanshme. Vlera e saj ka dimensionin historik, politik, ushtarak, njohës, madje edhe atë letrar dhe epik. Ajo nuk është thjeshtë një informatë e transmetuar, apo vetëm një letërsi gazetarie. Si e tillë, ajo, gjithsesi është më shumë se kaq. Duke qenë kronikë e gjallë e luftës dhe pasqyrë e epopeve të heronjve të UÇK-së, ky arkiv konservon realitetin e një epoke dramatike, duke përfshirë mendimin politik, si dhe koniunkturat diplomatike të saj, filozofinë e luftës e të paqes, ndjenjat dhe ndërgjegjet e konfrontuara.
Kjo lëndë arkivore nuk do të zvetënohet me kalimin e kohës, por përkundrazi ajo do të ruajë cilësinë e arit-shkëlqimin e përhershëm. Ky shkëlqim vezullues do të motivojë e frymëzojë historianët, shkrimtarët, poetët, piktorët, skulptorët, filozofët dhe shkencëtarët të shkruajnë e të skalitin vepra madhështore të cilat do të kenë për bazë heroizmin, flijimin dhe ndjenjat e fuqishme liridashëse të shqiptarëve, të cilave u dha kuptim UÇK-ja. Ai, po ashtu do ta pasurojë edhe historinë e diplomacisë dhe të artit ushtarak, duke dhënë mesazh të fuqishëm për epërsinë e pakontestueshme të luftës çlirimtare mbi atë pushtuese dhe të lirisë mbi robërinë. Nezir Myrtaj
Korrik, 2009