Libri, “Çlirimtarët dhe mercenarët” i Ahmet Qeriqit është një dokument i jashtëzakonshëm letrar, që vë në spikamë zhvillimet dramatike të Kosovës, që nga Lufta e fundit çlirimtare e deri te formimi i Shtetit të Kosovës së pavarur. Në roman është trajtuar një periudhë e rëndë historike dhe shoqërore shqiptare ende e pa stabilizuar, me të gjitha ngjyrat e ndritshme dhe të errëta të saj, duke filluar nga thurja e rrjetës së merimangës së nëntokës e deri te rezistenca e heshtur, por edhe aktive e idealistëve të pathyeshëm dhe të panënshtruar, që premtojnë fitore në perspektivë. Problemet shoqërore, politike, morale, etike, filozofike, etj. të kohës sonë, autori, duke qenë edhe pjesëmarrës aktiv i ngjarjeve, i ka trajtuar spontanisht, pa sforcime, pa anime dhe pa tendencë, me çka romani përjetohet natyrshëm dhe bindshëm nga lexuesit e të gjitha kategorive. Kapja dhe trajtimi i temës aktuale, i ngjarjeve që ende janë në zhvillim, është sprovë dhe rrezik për çdo shkrimtar, por me përvojën e shkrimtarit dhe të veprimtarit të gjendur në vorbullën e një realiteti të zymtë, autorit i romanit” Çlirimtarët dhe mercenarët” Ahmet Qeriqi, kësaj pune ia ka dalë me sukses… Kadri Rexha
Romani, “Çlirimtarët dhe mercenarët”, tash për tash do të jetë unikat në duart e lexuesit
Në romanin, “Çlirimtarët dhe mercenarët”, përmes thellësisë së trajtimit të situatave dhe personazheve me të cilët mishërohet realiteti mjaft kontrovers i pas luftës në Kosovë, shpesh duke depërtuar edhe në dimensione të përshkrimit, por me një rrëfim fare spontan dhe shumë tërheqës për lexuesin e secilës kategori, autori ka arritur ta shtjellojë temën dhe idenë, formën e brendinë me një gjuhë të lehtë, por të pasur me shprehje e figura të shumta artistike. Këtu kam para sysh gamën e gjerë të temave të shtruara në kontest të shpjegimit, përshkrimit dhe argumentimit të realitetit, që është objekt i temës qendrore të romanit. Në këtë kuadër, janë sintetizuar ide, koncepte dhe përvojë jetësore nga të gjitha fushat e jetës, duke vënë në funksion të argumentimit shumë nga segmentet historike të dijes, si ato të shkencës, mitologjisë, besimit, traditës kombëtare dhe të përvojës historike…
Mendoj se ky roman, tash për tash do të jetë i veçantë në duart e lexuesit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë trevat shqiptare, në radhë të parë për fabulën dhe këndin e trajtimit të realitetit në vendin tonë. Për më tepër qasja dhe konceptimi i tillë në krijimtarinë artistike, në zhanrin e romanit, paraqet një guxim të admirueshëm për autorin, për faktin se shumë prej personazheve reale të veprës, të krahut të mercenarëve janë lehtë të deshifrueshëm. Në anën tjetër demaskimi, denoncimi dhe damkosja e tyre morale qoftë edhe në këtë mënyrë, përmes letërsisë mund të shkaktojë tronditje, mbase edhe reagimin publik të ndonjërit prej tyre…
(Nezir Myrtaj)
Ahmet Qeriqi është shkrimtar modern i kohës sonë. Librat e tij janë shprehje letrare dhe patriotike në kohën që po jetojmë. Shkrimtarët me zemër ( kuq e zi ) si Ahmet Qeriqi, janë të paktë në numër, në Kosovë e më gjerë. Ahmet Qeriqi, posi heronjtë antikë, mbledh farat e së kaluarës sonë të lavdishme. Mbledh pikat e gjakut të shqiptarëve për liri. Prandaj, ky shkrimtar hero i letërsisë sonë, është për tu nderuar dhe vlerësuar. Unë nuk jam në kontakt me gjithë librat e tij, por, ato që i kam lexuar, më bëjnë ta vlerësoj me shkrimtarët e mirëfilltë të letërsisë sonë. Ahmet Qeriqi, është vëllai i çdo të rëni, dhe miku i çdo të gjalli! Urime Romanin, Ahmet Qeriqi, dhe sukses!
Rrustem Geci – Dortmun, 15. 11. 2014
Në vazhdën e botimit të veprave artistike, Radio-Kosova e Lirë ka nxjerrë në dritë romanin, “Çlirimtarët dhe mercenarët” të autorit, Ahmet Qeriqi. Tema kryesore e kësaj vepre është realiteti dhe përditshmëria në Kosovë, fati dhe jeta e rëndë e veteranëve, invalidëve të UÇK-së, e ish të burgosurve dhe përgjithësisht e klasës së çlirimtarëve dhe liribërsve të Kosovës. Në këtë roman autori ka pasqyruar edhe klasën e mercenarëve të ndryshëm, pasurimin e tyre rapid, përshtatjen ndaj çdo pushteti dhe gatishmërinë e lindur për t’i shërbyer dhe për t’ iu servilizuar çdo pushteti dhe shërbimeve të huaja sekrete në vend. Romani ka 360 faqe, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë. (RKL)
Mr. Sheremet Krasniqi: “Çlrimtarët dhe mercenarët”, një vepër që pasqyron realitetin e shoqërisë sonë
Këto ditë, doli një vepër sa interesante aq edhe e veçantë. Është fjala për veprën “ Çlirimtarët dhe mercenarët “ të autorit Ahmet Qeriqi. Para se të flasim për këtë vepër, ja nja dy-tri fjalë për autorin. Ahmet Qeriqi tashmë është një emër i njohur në letrat shqipe. Përveç se deri më tash ka botuar dhjetëra vepra zhanresh të ndryshme, ai është i njohur edhe si drejtor i Radios Kosova e Lirë, radio kjo që ka përhapur zërin e së vërtetës nga frontet e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përveç të tjerash, ai njihet edhe si i arratisur sepse në vitet ’80 kishte qëndruar në malet e Kosovës, duke mos iu rënë në dorë për një kohë organeve ndjekëse të regjimit serb. Për shkak të aktivitetit patriotik në këto vite, ai ishte dënuar me 8 vjet burg të rëndë, që i ka mbajtur në kazamate të ndryshme të Serbisë. Janë këto vetëm pak të dhëna nga jeta e tij e bujshme si atdhetar e veprimtar i kauzës kombëtare. Është çudi se nga e merr këtë energji e elan për të shkruar vepra dhe për të udhëhequr me sukses edhe sot e kësaj dite Radion Kosova e Lirë. Besoj se lexuesit ( dëgjuesit ) nuk do të ma shohin për të madhe për ato që i thashë më lart, sepse ka edhe të atillë që mund të mos i kenë ditur këto të dhëna për këtë autor. Pra, kemi të bëjmë me një intelektual me profil të gjerë njerëzor e atdhetar.
Tani të ndalemi te vepra e lartpërmendur.
Temë qendrore e këtij romani është pasqyrimi i realitetit të shoqërisë kosovare pas luftës së fundit. Pas robërisë afër njëshekullore serbe, ishte krijuar një shans historik për të kapërcyer pasojat e hidhura të kësaj robërie dhe për të krijuar një shoqëri demokratike, të lirë e të drejtë.
Në vend që këto plagë të shoqërisë pas luftës së fundit të shëroheshin, duke vënë në poste kyçe njerëzit më të merituar e më të mençur, ndodh e kundërta : në institucione kyçe , sipas autorit të kësaj vepre, erdhën njerëz nga “ mbetjet komuniste “, njerëz joprofesionistë, njerëz servilë, filluan të lulëzojnë antivlerat, krimi i organizuar, korrupsioni, vrasjet, dhe një varg të këqijash të tjera. Populli shpresonte se pas mbarimit të luftës, këta djem, që e përzunë armikun njëshekullor, do të dinë ta ndërtojnë edhe paqen dhe mirëqenien e tyre. Por ai u zhgënjye shumë keq. Autori i kësaj vepre, duke qenë edhe vetë në korrent të ngjarjeve, iu ka qasur këtyre dukurive me një realizëm të thellë.
Libri që e kemi në dorë është edhe një dëshmi me vlera të veçanta dokumentare-historike dhe artistike , që ka për qëllim të madhërojë heroizmin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëkohësisht t’ua çjerrë maskën mercenarëve-tradhtarëve dhe të gjithë atyre që ishin vënë në shërbim të armikut. Në këtë vepër hasim episode të dëgjuara e të jetuara, por ato janë pasqyruar me një mjeshtëri të rrallë artistike. Emrat e disa personazheve apo pseudonimet e tyre, tipizimi i tyre, nuk janë të rastësishëm, ata janë dhënë me qëllim për të pasqyruar realitetin tonë, sidomos pas luftës së fundit.
Që në hyrje të këtij romani autori flet për një klasë demonësh, siç i quan ai, të të gjitha prejardhjeve, politike e ideologjike. Këta demonë kishin ikur nga Kosova me të filluar lufta. Kjo klasë demonësh, siç mësojmë nga ky libër, edhe pse nuk kishte marrë pjesë në luftë, por duke qëndruar larg saj, në Tiranë e në hotele të Evropës, po përgatitej ta merrte pushtetin, ndërsa postet i kishin ndarë qysh gjatë qëndrimit në Tiranë. Këta demonë, menjëherë pas luftës, i kishin zënë institucionet dhe kishin improvizuar pushtetin e ri, edhe pse këtë pushtet kreu pacifist nuk e njohu asnjëherë. Ata, edhe pse s’e kishin shkrepur asnjë plumb kundër armikut, tani nguteshin të plaçkitnin secili sa më shumë prona shoqërore dhe banesa të serbëve, duke vendosur në to afishet “ Mos prek- UÇK”.
Krejt këta demonë e bosa autori na i ka paraqitur në këtë libër, disa me pseudonime, që lehtë mund të deshifrohen, e disa edhe me emra të vërtetë.
Autori i këtij libri, tërë mllefin e vet dhe të shtresës së lënë në mëshirën e fatit, sidomos të luftëtarëve, të invalidëve e të veteranëve të luftës, e shfryn ndaj disa shokëve të luftës, të cilët zunë poste të larta menjëherë pas luftës, por që i harruan këta shokë dhe as që iu bie ndërmend për ta.
Edhe këtë herë, thotë autori, demonët ishin përçarë, ashtu sikur kanë qenë të ndarë e të përçarë shqiptarët gjatë tërë historisë së tyre mijëravjeçare. Ashtu siç janë të përçarë liderët e sotëm këtu në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni e në Mal të Zi. Këta demonë të së kaluarës, këta kolaboracionistë, këta ish-pushtetarë, këta mjeranë të politikës pacifiste, kishin kapur majat e pushtetit, duke futur në punë edhe bijtë e tyre, miqtë, kushërinjtë, akrabatë , dhe duke iu dhënë atyre diploma false sa çel e mbyll sytë. Ata i shihje duke shëtitur me vetura luksoze, me xhipa të blinduar, me xhepat plot para, sa në Kosovë, në Shqipëri , në Zvicër e deri në Amerikën e largët.
E, në anën tjetër, njerëzit e ndershëm , idealistët, ata që kërkonin rregull e ligj, ata ishin vënë në shënjestër , duke i përgojuar dhe duke i quajtur enveristë, të dyshimtë e të pamoralshëm, primitivë të kohës së kaluar e lloj-lloj nofkash të tjera. Menjëherë pas luftës, sipas asaj që thuhet në këtë libër, në Kosovë ishte homogjenizuar nëntoka e krimit, e prostitucionit, drogës, trafikimit të femrave e dhunimit të tyre, vrasjeve për para e shumë e shumë babëzi të tjera. Në Kosovën e shkatërruar nga lufta ishin vendosur më shumë se 40 shërbime të huaja dhe asnjë shërbim për shpëtimin e kombit.
Romani fillon me një dialog të regjistruar me përgjues nga gazetari i luftës Miran Gjetani , në një lokal nate në Fortesë. Ai i thotë një shoku të tij që të iknin nga ai lokal , sepse aty tri ditë më herët ishte parë agjenti A. J. i UDB-së duke biseduar me pronarin e lokalit. Ata, sipas asaj që mësojmë nga ky libër, kishin biseduar me bijën e një udbashi, një gazetare, e cila ishte kthyer nga Anglia dhe ajo i rivendoste lidhjet me shumë zyrtarë e kriminelë në Serbi.
Këtyre këlyshëve të Titos prapë po u shkon kungulli mbi ujë , kurse ne të luftës na mori pusi, krejt të papunë jemi. Vetëm ata bosët e mëdhenj po jetojnë si duhet, na të tjerët kemi mbetur me zorrë nëpër këmbë. Besa, më mirë të ishim vrarë sesa të çojmë një jetë qenqe” , thuhet në një dialog që zhvillon gazetari Miran Gjetani me një ish-luftëtar. Ky gazetar, personazh i imagjinuar, një njeri me besueshmëri të lartë kombëtare e morale, kishte arritur të incizonte fshehtas dhe të depërtonte madje edhe deri te kreu i shtetit, te policia ndërkombëtare, te krerët më të lartë të partive, kishte përgjuar trafikantë të ndryshëm, deputetë, ministra e të tjerë. Pas gjithë kësaj pune të mundimshme e të rrezikshme, Miran Gjetani kishte rënë në një hall të madh: si t’i bënte publike këto incizime, kur dihej se po të zbulohej autori i tyre, ai këtë do ta paguante me kokë. Por, pas konsultimeve me vjehrrin e vet, profesorin e letërsisë, ai vendos të shkruajë një roman, në të cilin do të pasqyrojë realitetin e kohës në të cilën po jetojmë e në të cilin do t’i fuste të gjitha personazhet dhe përmes tipizimit të këtyre personazheve do t’ua çirrte maskën të gjithë atyre bosëve – demonëve, që po e zhvatnin këtë popull të mjerë. Në anën tjetër, në këtë roman autori Qeriqi flet gjerë e gjatë edhe për çlirimtarët, të cilët, do të duhej të bashkoheshin me masën e gjerë, në mënyrë që bota shqiptare të ndreqej njëherë e përgjithmonë. Dhe, mendojmë se autori, duke përdorur një mënyrë të tillë rrëfimi, ia ka arritur qëllimit të realizojë me sukses këtë vepër. Kështu, si ky autor ( A. Q.) kanë vepruar edhe shkrimtarët e mëdhenj, si Dostojevski, Tolstoj, Balzaku, Markezi e shumë të tjerë, duke paraqitur në veprat e tyre realitetin e kohës në të cilën kanë jetuar.
Në këtë roman,autori Ahmet Qeriqi ka ballafaquar dy botëra- atë të çlirimtarëve e të heronjve , në njërën anë, dhe të mercenarëve e demonëve, në anën tjetër. Nëpërmjet personazhit Jeton Krasi, autori ka arritur të personifikojë atë kategori luftëtarësh invalidë të UÇK-së, të cilët kishin lënë gjymtyrë të trupit në këtë luftë, por që tash pas luftës nuk i përfillte askush, sidomos ata shokët “ atje lart “ as që ua kishin hapur derën, edhe pse ata kishin nevojë për t’u shëruar diku jashtë. Ja një dialog , që zhvillohet ndërmjet invalidit Jeton Krasi dhe dhëndrit të tij:
-Ti ke luftuar për Thaçin. Po të kishe luftuar për Rugovën t’i kisha dhënë paratë për operacion…
-Po të kisha luftuar për Rugovën , nuk do të isha plagosur hiç , fare. Nuk kam luftuar as për Thaçin, as për Rugovën, por për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, ashtu sikur mijëra të tjerë…
-Ti , miko, kurrë nuk je djersitur, por kungulli gjithmonë të ka shkuar mbi ujë. Mirë në kohën e Titos, mirë me Rugovën e tash edhe më mirë me UNMIK-un.
“Ata shokët e luftës kanë rënë në provim , o Miran, i thotë Jeton Krasi.
-Ata nuk merakosen se kanë rënë në provim . Meritat e luftës i kanë bërë kapital- ia kthen Mirani.
Miran Gjetani, nuk lë derë pa trokitur për ta ndihmuar financiarisht shërimin e Jeton Krasit. Ai takon zyrtarin e lartë të Qeverisë, Uran Lami, por as ai s’ia kishte varur, duke i thënë se ka raste edhe më të rënda se Jeton Krasi, por buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është i kufizuar. Mirani ishte ndarë i zhgënjyer nga shoku i dikurshëm i idealit e i luftës.
Miran Gjetani, duke mos qenë në gjendje t’i ndihmojë Jeton Krasit , invalid i luftës, me 7-8 cifla në trup, i rrëfen atij se gati ishte çmendur kur kishte mësuar se, pos Gim Gagit, në policinë e UNMIK-ut po punonin edhe shumë inspektorë serbë e shqipfolës. Ata kanë zënë punë në të gjitha segmentet e administratës, në Prokurori, në gjykatë , në polici e ku jo, thotë ai.
Të gjithë këta horra, milicë shqipfolës, hafije, prokurorë e gjykatës, këta bijtë e qenve, që deri dje i kanë shërbyer regjimit serbe që tash kanë zënë vende pune në administratë e në poste të larta, , jo që nuk e kanë vendin aty, por do të duhej t’i kërkonin falje këtij populli për babëzitë e tyre në të kaluarën.
Autori në këtë roman nuk i ka kursyer as shokët e burgut e të idealit, duke i kritikuar ata se ishin paksa oportunistë.
Nëpërmjet personazhit Ferid Roga, ish- i burgosur , sekser i një Bosi të Madh, autori ka stigmatizuar të gjithë ata bosa të mëdhenj e të vegjël, të cilët përdornin çdo lloj pune të ndytë që t’i fitonin tenderët e pastaj edhe zgjedhjet. Madje këta bosë dhe shërbëtorët e tyre nuk hezitojnë të bashkëpunojnë edhe me femra serbe, siç është Sllavica, e cila ua mban lidhjet e tyre me tregtarët në Vranjë, në Nish e në Beograd.
Në këtë roman është paraqitur mjaft mirë edhe figura e deputetit demagog, siç është Demë Mali, i cili kishte flakur uniformën e UÇK-së dhe ishte dhënë pas luksit, duke u martuar me një grua të dytë në qytet, si dhe duke krijuar një pasuri përrallore. Ai shtirej se po e përkrahte krahun e luftës, invalidët, por prapa shpine punonte kundër tyre. Ai thotë se ka kaluar koha e idealizmit për bashkim kombëtar e përralla të tjera. Ne, sot, thotë ai, iu kemi kthyer Evropës, NATO-s. Ç’i duhet atij mikut tënd në Radion Kosova e Lirë të kritikojë madje edhe kreun e luftës , ku ka qenë edhe vetë ?
Po ashtu, në këtë vepër janë portretizuar me mjaft mjeshtëri edhe shumë personazhe , siç është ai i Besim Hotit e i Kushtrim Burimit. Ky i fundit ishte një veprimtar i çështjes kombëtare, i cili i kishte mbajtur 9 vjet burg dhe gjatë gjykimit e vuajtjes së dënimit kishte mbajtur një qëndrim të pathyeshëm si militant i lirisë. Një personazh mjaft interesant në këtë vepër është edhe ai i Leme Gjetës, një bijë e një milici, babanë e së cilës thuhej se ia kishte vrarë UÇK-ja. Pas vrasjes së babait, ajo kishte bërë jetën e një prostitute, kështu i kishte rrëfyer shokut të klasës, Besim Hotit. Ajo është një personazh si ajo Lukja e Migjenit, e cila, për të mbijetuar dhe për të mbajtur gjallë nënën dhe vëllanë, detyrohet të shesë edhe trupin e vet. Po aq interesant është edhe biseda e Miran Gjetanit e Jeton Krasit me ish-eprorin e luftës , Shkodran Kolonja. Gjatë bisedës, ata kujtojnë sakrificën e kryekomandantit Adem Jashari dhe të bashkëluftëtarëve të tyre, ardhmëria e të cilëve po iu kërcënohej pas luftës. Këta i brengoste sidomos ndasia që kishte ndodhur pas luftës kur ishin ndarë shoku nga shoku, madje edhe vëllai nga vëllai. Kjo i tmerronte, ndonëse do të duhej të ndodhte e kundërta.
Siç dihet, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin inkuadruar edhe shumë luftëtarë e oficerë nga Shqipëria, por pas luftës ata ndodheshin në një gjendje të mjerueshme ekzistenciale. Atyre nuk iu kishin ofruar kurrfarë pune , as në Prishtinë e as në Tiranë. Kjo është dhënë në mënyrë mjaft realiste nëpërmjet personazhit, kolonelit Shkodran Kolonja, i cili kishte mbetur në rrugë, edhe pse kishte marrë pjesë në tri luftërat tona çlirimtare. Në bisedë e sipër, Jetoni i thotë Shkodranit :
-Me rëndësi është që e fituam luftën, për të tjerat do të presim.
-Luftën e fituam, por po e gëzojnë mercenarët, harbutët, matrapazët, ish-pushtetarët, demonët e sotëm…, bosët, që sikur ushejza iu kanë qepur trupit të Atdheut”, ia kthen Miran Gjetani, i mllefosur sidomos në shokët e luftës , të cilët kishin mundësi t’iu ndihmonin , por që nuk çanin kokën për ta. “ Derisa ne luftonim në Kosovë, disa nga shokët tanë kanë ndarë pozita e poste në Tiranë”-thotë Shkodrani.
Një kapitull mjaft interesant në këtë libër është ai ku flitet për Bosin e Madh dhe zhvatjen që ia kishte bërë Ferid Roga. Bosi i Madh kishte krijuar një pasuri përrallore: kishte blerë, pos të tjerave, edhe tri hotele në qytet me çmime shumë të ulëta dhe asnjërin prej këtyre hoteleve nuk e kishte regjistruar në emër të vet, madje njërin e kishte regjistruar në emër të Sllavicës. Krejt këtë pasuri ai e kishte krijuar në saje të lidhjeve që ia kishte siguruar Sllavica, si minoritete, me ata të UNMIK-ut.
Ferid Roga, një personazh pozitiv në këtë roman, ishte bindur se invalidin Jeton Krasi nuk e ndihmonin shokët e luftës nga fakti se ai ishte i drejtë dhe nuk e kursente askënd. Ai më parë pranonte të vdiste nga ato plagë në trup sesa të merrte para të pista për t’u shëruar diku jashtë shtetit. Por, ç’ndodh më vonë me Ferid Rogën ? Ai arrestohet nga ish-inspektori i UDB-së Gim Gagi, pas luftës inspektor i UNMIK-ut. Ky inspektor thotë se qëllimi ynë është t’i diskreditojmë këta terroristët e UÇK-së , ky është misioni ynë dhe i Sigurimit francez. “Duhet të krijohet bindja në popull se të gjithë kanë qenë hajna, kriminelë, banditë, se kanë vrarë vetëm shqiptarë, se në luftë me Serbinë nuk është vrarë asnjë prej tyre, se ata gjatë luftës kanë vrarë njëri-tjetrin, me qëllim për të kontrolluar fondet, paratë, drogën, prostitucionin…” Në këtë aspekt , thotë ky inspektor, po na ndihmon shumë Vet Sorri, sidomos tri gazetat kryesore të Kosovës dhe BIRN-i, që po i financojmë ne. Njerëzit tanë i kemi kudo në institucione, në polici, në Prokurori, në administratë…Madje edhe “ brenda UÇK-së unë kam pasur dhe kam njeriun më të fortë të UDB-së”. Këtë inspektor të UDB-së , një ditë, ia ngjet për fyti dhe e shtrin për toke Ferid Roga, sepse ky ia kishte rrahur keq motrën dhe një shoqe të saj në demonstratat e vitit 1989.
Në pjesën e dytë të këtij romani flitet për misionin e EULEX-it në Kosovë , i cili edhe ky do të vazhdonte avazin e UNMIK-ut, duke satanizuar vlerat e luftës çlirimtare, për të krijuar bindjen se në Kosovë nuk kishte pasur luftë, por një konflikt mes “ terroristëve “ shqiptarë dhe regjimit të Milosheviqit. Edhe EULEX-i kishte filluar arrestimin e luftëtarëve të lirisë, duke u bazuar në dosjet e regjimit kriminal të Milosheviqit. Në vazhdim të këtij romani flitet për Jeton Krasin, i cili operohet në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për dënimin e Ferid Rogës për shkak të zhvatjes së pronarit të vet, si dhe për një përgjim interesant të një shoku të Miranit.
Një takim i papritur i Jeton Krasit e Miran Gjetanit me gazetaren Mirela nga Shqipëria qet në shesh punën e ndyrë që bënin disa gazetarë nga Shqipëria e nga Kosova gjatë kohës së luftës në Kosovë. Nga dialogu që zhvillojnë këta dy me këtë gazetare mësojmë se ajo ishte një gazetare që shkruante për shërbime të huaja, e këtë ia thotë në sy Miran Gjetani : “ Ja cilët janë gazetarët e Shqipërisë sot. Ata e shpifën gënjeshtrën për para. Këta për para e shesin edhe nënën e vet, o vëlla!”-thotë Jetoni. Të tillë punë të fëlliqur, mjerisht, bënë edhe shumë gazetarë shqipfolës si kjo bushtër e i tillë ishte edhe Vet Sorri, kryemercenari i Kosovës, i cili është portretizuar mjaft mirë në faqet e këtij romani.
Ferid Roga lirohet si i pafajshëm , pas intervenimit të Bosit të Madh. Bosi i Madh dhe deputeti Demë Mali bisedojnë për tenderët dhe privatizimin. Nga dialogu që zhvillojnë Bosi i Madh me deputetin Demë Mali autori ka paraqitur dallaveret që bënin në mes vete deputeti Demë Mali (Lexo: deputetët ) për të fituar tenderët dhe pronat që priteshin të privatizohen.
Një takim i Jeton Krasit me dhëndrin e tij është pasqyruar në mënyrë realiste në faqet e mëpastajme të romanit. Ishte ky një takim i dy kundërshtarëve të përjetshëm: njëri, i cili kishte marrë pjesë në luftë dhe ishte plagosur, dhe tjetri, i cili kishte krijuar një pasuri përrallore dhe as që i hante palla për këta të luftës, që kishin mbetur invalidë të përhershëm dhe që askush s’kujdesej për ta.
Fati i një femre në vorbullën e ngjarjeve historike është pasqyruar në mënyrë artistike nëpërmjet personazhit të romanit Leme Gjeta, të cilën e shpëtojnë nga kthetrat e bosëve të trafikimit dhe shfrytëzimit shoku i shkollës Besim Hoti dhe Mirani, personazhe këto që e përshkojnë si fije e kuqe tërë romanin.
Në kapitullin vijues të këtij romani bëhet fjalë për pleksjen e Ferid Rogës me Sllavicën dhe me trafikantë të Bosit të Madh, si dhe për qëndrimin e tyre në Shqipëri, ku i pret ministri Pano. Në bisedat e tyre , ata prekin edhe ngjarjet që ishin zhvilluar atëbotë në Kosovë e në Shqipëri. Bosi i madh e Sllavica kujtonin kohën e e bashkim –vëllazërimit , kur shqiptarët e serbët , sipas tyre, gëzonin të gjitha të drejtat dhe jetonin të lumtur, por këtë “jetë të lumtur “ ua prishën demonstratat e ’81 –shit dhe ata të UÇK-së , si dhe bombardimet e NATO-s. Pohimeve të tyre iu kundërvihet Ferid Roga, edhe pse rrezikohej të mbetej në rrugë nga Bosi i Madh. Portreti i Sllavicës në këtë vepër është paraqitur në mënyrë shumë të arrirë . Ajo, për t’i kryer detyrat e Bosit të Madh dhe të shërbimeve sekrete serbe , dinte t’i vardisej çdokujt , ashtu siç iu vardis edhe Ferid Rogës, i cili një ditë bie në karremin e saj, siç mësojmë në kapitujt vijues, kur me të i lind një djalë, por këtë djalë autori Qeriqi synon ta paraqesë si fryt të një dashurie në mes njerëzve të racave të ndryshme e jo si fryt i një urrejtjeje. Kjo urrejtje, sipas porosisë që na jep ky personazh, i takon të së kaluarës së trishtuar dhe ajo një ditë do të duhej të mbyllej.
Në kapitullin XI të këtij romani na del në skenë prapë gazetari Miran Gjetani, i cili përmes bashkëluftëtarëve veteranë përgjon dhe incizon bisedat e krerëve të lartë të EULEX-it dhe Vet Sorrin. Në këtë kapitull na është dhënë surrati i vërtetë i Vet Sorrit, përfaqësuesit më besnik të jugosllavizmit dhe i bashkëjetesës së shqiptarëve me serbët. Ai, me gazetën e tij ditore, ishte vënë në shërbim të EULEX-it dhe të Shërbimit sekret serb. Qëllimi i tyre ishte që të diskreditohej krejt kreu i luftës, që Serbia të paraqitej viktimë e kësaj lufte, ndërsa pala shqiptare të paraqitej terroriste. Duhet të kihet kujdes, thotë me një rast Vet Sorri, që në kreun e shtetit të mos zënë vend idealistët, si Demaçi, sepse kjo do të ishte rreziku më i madh për Serbinë.
Në pjesën e tretë të këtij libri autori Ahmet Qeriqi ka paraqitur një bisedë veteranësh të luftës në një hotel të Prishtinës. Gjatë bisedës së këtyre veteranëve ( Zel Dura, gazetarja Mrika Troni, Miran Gjetani, Laz Reza ) ata zënë ngoje gazetaren Mirela, e cila bashkëpunonte me Dik Martin. Kur këta veteranë përmendin emrin e Mirelës, ndërhyn Mirani, i cili i thotë Jetonit : “ Mos harro Jeton, se e ke një të tillë edhe në Prishtinë, madje më të ndyrë se Mirela. Këtu e ke qendrën e gazetarisë së Beogradit , bijën e BIRN-it”.
Pos këtyre gazetarëve të lartpërmendur, autori flet në këtë libër edhe për një duzinë gazetarucësh, siç i quan ai, të cilët gjatë luftës ia mbathën nëpër botë, e prej andej “ na shanin dhe kërkonin llogari , pse e kishim nisur luftën, e cila ua kishte prishur hesapet dhe sehiret me regjimin kriminal”. Në këtë pjesë të librit autori flet edhe për dy figura antipode- Adem Demaçin e Ibrahim Rugovën. Të parin e paraqet si një figurë i cili tërë një jetë e kaloi në shërbim të kombit e atdheut, ndërsa i dyti personifikon shqiptarin e robërisë shekullore, atë shtresë të shqiptarëve , që janë mësuar të jetojnë “ me dinjitetin e nëpërkëmbur , njeriun e mjerë, qyqarin, të cilit Serbia ia kishte futur frikën deri në palcë…”
Në vazhdim të kësaj pjese të librit , autori përmend oficerët nga Shqipëria, të cilët kishin marrë pjesë në tri luftërat që ishin zhvilluar në këto troje, por që pas luftës ata u injoruan nga kreu i shtetit, të sugjeruar edhe nga KFOR-i që si shtetas të huaj duhej të largoheshin nga Kosova , por edhe nga propaganda e disa ulokëve e malokëve, siç i quan autori, të cilët nuk kishin kurrfarë përvoje ushtarake në krahasim me ta. Këta oficerë ushtarakë nga Shqipëria, siç ishin Laver Labi, Demë Shehu, Bardhyl Tahiri, Tahir Sinani e të tjerë, kishin ndihmuar jashtëzakonisht shumë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si strategë ushtarakë që ishin, madje njëri prej tyre ( Tahir Sinani ) ra edhe dëshmor në këtë luftë. Këta oficerë ushtarakë, një fat i keq i priti edhe kur u kthyen në Tiranë. Ata, jo vetëm që nuk i falënderoi kush për veprën e tyre patriotike që kishin kryer ndaj kësaj pjese të robëruar të Shqipërisë, që nuk iu gjet një vend pune, përkundrazi, ata mbetën në rrugë, mezi siguronin kafshatën e gojës për vete dhe familjet e tyre.
Në fund të këtij libri kemi një fjalim në Panairin e Librit të Lirisë të kryeidealistit të Kosovës dhe të mbarë kombit , bacë Adem Demaçi. Ai, duke i përgëzuar organizatorët e këtij panairi, ndër të tjera , tha :
“… Nuk ka ndalje, nuk ka dorëzim, po vetëm ecje përpara me besim të plotë, se, megjithatë, do t’ia dalim që ta bëjmë një Shqipëri si duhet, një Shqipëri që do ta ketë lakmi tërë bota, një Shqipëri që do t’i gëzojë zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo që janë… “
Autori, jo rastësisht ka përmbyllur veprën me fjalët e kryeidealistit, Adem Demaçit, fjalë këto që janë mishërimi i palëkundur në luftën e idealistëve dhe të të gjithë liridashësve për ta bërë njëherë e mirë Shqipërinë.