Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – muaji nëntor

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – muaji nëntor

Muaji nëntor në Kalendarin e historisë kombëtare shqiptare shënon ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme të kombit shqiptar.  Ky muaj shënon kthimin e Skënderbeut në Krujë, në vitin 1443, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, Çlirimin e Shqipërisë nga forcat fashiste në vitin 1944, lindjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari në vitin 1955, daljen publike të UÇK-së në vitin 1997 dhe shumë ngjarje të tjera të rëndësishme të së kaluarës shqiptare.

 

Më 1 nëntor të vitit 1878 u mblodh Kuvendi i Dibrës, në kryesinë e Ilaz Pashës, ku mori pjesë edhe Abdyl Frashëri, përfaqësues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Jugun e Shqipërisë. Iljaz pashë Çoku i njohur në histori si Iljaz pashë Dibra ka qenë ushtarak shqiptar i Perandorisë Osmane dhe drejtues i mbledhjes së 18 qershorit të 1878 ku u firmos Kararnameja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si  dhe kryetar i komitetit qendror të saj. U lind në fshatin Klloboçisht. Në vitin 1835 mori pjesë në një kryengritje kundër Tanzimatit. Më 1844 udhëhoqi kryengritësit kundër Hajredin Pashës në betejën e zhvilluar në fshatin Jançe në fushën e Gjoricës. Më 1854 në krye të vullnetarëve dibranë kontribuoi në shtypjen e kryengritjes së bandave mercenare greke që masakronin popullatën shqiptare të besimit islam. Më 1861 po prapë në krye të vullnetarëve dibranë u thirr në frontin e luftës osmano-malazeze. Më 10 qershor 1878 kryesoi mbledhjen e parë të Lidhjes së Prizrenit në xhaminë Bajraklie. Në takimin që u mbajt më 18 qershor ishte firma e parë në Kararnamenë e Lidhjes si përfaqësues i Dibrës. Kryesoi gjithashtu Kuvendin e Dibrës më 1 nëntor 1878 dhe ishte një nga 14 anëtarët e delegacionit që do t’i paraqiste sulltanit kërkesën për autonominë e Shqipërisë.

Më 1 nëntor të vitit 1901 filloi në Sofje të Bullgarisë, botimi i gazetës “Drita“, të cilën e drejtoi atdhetari i madh Shahin Kolonja. Kjo gazetë mbrojti të drejtat kombëtare shqiptare kundër synimeve grabitçare të shteteve fqinje si Greqia, Bullgaria e Serbia që kërkonin të aneksonin trojet shqiptare.

Më 1 nëntor të vitit 1989 ra në ballë të demonstruesve,  në Prishtinë, Bedri Ilaz Sokoli.

Më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, u lind Zahir Pajaziti,  ndërsa ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë. Ishte një ndër themeluesit e UÇK-s dhe Hero – dëshmor i luftës së Kosovës Ai ra duke luftuar  bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën. Zahir Pajaziti ishte një ndër komandantët e parë dhe  më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës. Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish -Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin “Hero i Kosovës”.

 

Më 2 nëntor të vitit 1986  vdiq atdhetari, mësuesi dhe kleriku, Daut Boriqi. Ai lindi në Shkodër, më  20 dhjetor 1825.  Ka qenë dijetar  dhe figurë vepruese e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shumicën e jetës së tij qe i përfshirë në sistemin arsimor osman dhe mbahet mend për abetaren e shqipes me shkrim arab, “elifbe” më 1861, edhe për kontributin e tij si kryetar i Degës së Shkodrës të Lidhjes së Prizrenit. Shkollimin fillor Dauti me të vëllanë, Salihin, e morën në mejtepin e Molla Ferhatit. Që në vitin 1839 kishte filluar të mësonte arabishten dhe të merrte mësime teologjie nga myderrizët shqiptarë Salih efendia i Madh, Molla Ahmet Hadri dhe Molla Sylo Fakja dhe të tjerë të huaj të Medresesë së Qafës. Ndoqi për një periudhë mësime edhe në gjimnazin Zosimea në Janinë. Gjatë kohës së Lidhjes së Prizrenit, Mulla Daut Boriq ishte kryetari i degës vendore të Lidhjes në Shkodër. Mbasi u hap Kongresi i Berlinit më 13 qershor të vitit 1878 dega e Lidhjes me pëlqimin e vilajetit të Shkodrës dhe Sanxhakut të Dibrës, i dërguan telegram Kongresit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t’i mbeteshin vilajetit të Shkodrës. Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve në Shkodër. Pas humbjes së Ulqinit, autoritetet osmane nisën të merrnin masa ndaj krerëve të degës së Shkodrës: Hodo beg Sokoli, Daut efendiu, Preng Bibë Doda dhe Jusuf efendi Kalaja u internuan. Më pas e thirrën me punë në Stamboll, ku më 1882-1883 i propozoi Ministrisë së Arsimit të perandorisë që të shtypeshin dhe përhapeshin libra të arsimit fillor në gjuhën shqipe me alfabet arab. Vdiq më 2 nëntor të 1898 dhe u varros në varrezat e xhamisë së Lugçeshmes.

Më 2 nëntor të vitit 1995 vdiq Anton Çetta, profesor, folklorist, veprimtar. U lind në vitin 1920, në Gjakovë. Po atë vit familja e tij u shpërngul për në Tiranë, ku ai ka kryer edhe  shkollën  fillore. Shkollën e mesme e ka kryer në Liceun e Korçës, ku asokohe studionte elita intelektuale e trojeve shqiptare. Më pas ,ashtu sikur edhe shumë shqiptarë në atë kohë, ai shkoi për të kryer studimet në Itali.  Sapo ishte kthyer Italia, në kohën kur forcat italo shqiptare kishin depërtuar në Kosovë dhe trojet e pushtuara shqiptare nga Monarkia serbe-Kroate e Sllovene, Anton Çetta në fillim  gjen punë në Post-telegrafinë e Tiranës prej nga kalon në detyrën e përgjegjësit të Postës në Prizren. Në vitin shkollor 1945-1946, meqë kishte arsim të lartë për kohën,  punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës Frënge, në  Universitetit të Beogradit, në Serbi. Studimet i kreu në vitin 1950. Libri i parë iu botua më 1953. Vazhdoi të botojë libra e tekste të ndryshme  për nevojat e shkollës shqipe dhe sidomos poezi për fëmijë. Anton Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori dhe tradite gojore në trevat shqiptare të Kosovës, por edhe në  të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Në vitin 1990, profesor Çetta është zgjedhur kryetar i “Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve”. Vdiq në vitin 1995, në Prishtinë.

Më 2 nëntor të vitit 1989, në Kodrën e Diellit, në Prishtinë, pas disa orë luftimesh, tymi e zjarri, duke  luftuar deri në frymën dhe fishekun e fundit, kanë rënë dëshmorë: Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Atë ditë forcat e milicisë së Serbisë, vranë dy luftëtarë të paepur të lirisë, dy bijë besnikë të Kosovës shumë herë të përgjakur, por fituan tmerrin e përjetshëm nga qëndresa shqiptare. Dëshmori, Fahri Fazliu ishte i lindur më 24 shkurt të vitit 1963, në fshatin Llaushë të Besianës.  Afrim Zhitia, u lind në fshatin Llugë të Besianës më 14 shkurt  të  vitit 1965.

 

Më 3 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në Betejën e Nishit, kundër forcave hungareze, austriake e polake, la kampin dhe ushtrinë turke pa komandë dhe me rreth 300 luftëtarë shqiptarë u nis drejt Shqipërisë. Me të arritur në Krujë. Pasi mori kështjellën, me një ferman dhe  pa ndonjë rezistencë nga pashai turk, mblodhi krerët e principatave shqiptare e të popujve të tjerë dhe shpalli Shtetin e pavarur të Arbërisë. Prej vitit 1443 e deri në vdekjen e tij më 17 janar të vitit 1468, ai qëndroi i pathyeshëm në krye të Shqipërisë.

Më 3 nëntor u lind të vitit 1891 u lind, Andre Zadeja, prift katolik, shkrimtar dhe dramaturg. Tri klasat e para të fillores i kreu në një shkollë italiane. Nga klasa e katërt e më tej, studioi në Kolegjin Saverian, drejtuar nga jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916, ku bashkë me Marin Sirdanin e Gjo Gazullin, si shumë meshtarë të tjerë u dhanë gjuhësisë. Po në këtë vit u shugurua prift. U kthye menjëherë në atdhe, në vendlindje, më 26 prill të viti 1916. Falë aftësive e kulturës së tij të gjerë, nisi shërbimin si sekretar i Imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar i Malit të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtar, në Bogë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua nga forcat partizane derisa  sa shërbente në këtë fshat më 4 shkurt të vitit 1945. U pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me disa seminaristë e laikë katolikë, me akuzën se kishte fshehur Dom Lazër Shantojën. Ka shkruar dramat: “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”; “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa” etj, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës.

Me 3 nëntor të vitit 1991, një grup luftëtarësh të ardhshëm të Kosovës në krye me Adem Jasharin, pas marrëveshjeve paraprake me Qeverinë e Shqipërisë shkojnë në Tiranë me qëllim  për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur. Në këtë grup bënin pjesë: Adem Jashari, i cili i printe grupit, Ilaz Kodra, Sahit Jashari, Fadil Kodra dhe Murat Jashari. Pas përfundimit të stërvitjes, ky grup kthehet në Drenicë. më 7 dhjetor 1991, i pajisur me armatim. Grupi kishte për detyrë t’i zgjeronte  radhët e veta në Drenicë e më gjerë.

Më 3 nëntor të vitit 1956 u lind, Faruza Kallaba, në Damask të Sirisë.  Ishte bija e babait shqiptar, Haki Kallaba dhe nënës ukrainase, Ana Senkijeviq. Si fëmijë, Faruza bashkë me familjen e saj ishte shpërngulur nga Siria dhe ishte vendosur në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqiptaro-amerikania, Faruza Kallaba, është femra e parë, e cila gjatë ndërhyrjes 78 ditore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe ekonomike të regjimit kriminal të Millosheviqt,  kishte një rol shumë domethënës. Ajo,  duke  pilote me shumë përvojë me aeroplanin e saj, furnizonte aeroplanët bombardues të NATO-s,  në fluturim. Pilotja, pjesëmarrëse në luftën e NATO-s kundër Serbisë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Më 4 nëntor të vitit 1941 Pas sulmit të parë të çetnikëve mbi Pazarin e Ri, në Sanxhak,  thirrjes së Aqif Blytës iu kishin përgjigjur, Shaban Palluzha me disa mijëra luftëtarë nga Drenica e më gjerë si  dhe Mulla Jakup Kadroviqi me rreth 2600 luftëtarë. Mulla Jakupi  ka qenë njeriu më besnik i Aqif Blytës. Gjatë sulmit çetnik në Novi Pazar, Aqif Blyta ia ka mbrojtur  420 serbët lokalë, të moshuar, gra dhe fëmijët, të cilët i ka strehuar në lokalet e Gjykatës së Qarkut dhe në burgun në Novi Pazar, nga hakmarrja që mund të ndodhte ndaj tyre për krime të kryera nga ana e çetnikëve në këtë periudhë. Rreth Rozhajës pas përfundimit të luftës kishte disa grupe të shqiptarëve që ishin fshehur në malet e fshatrave  Haile, Kullë, Buxhov e gjetkë. Mulla Jakupin, partizanët e akuzuan se në mesin e vitit në 1944, vëllezërit Dreshaj në Tutin kishin ekzekutuar vëllezërit Hamzagaj, të cilët ishin në radhët e komunistëve. Edhe pse Mulla Jakupi i kishte shpëtuar nga hakmarrja 420 serbë, forcat partizane e kishin pushkatuar në vitin 1945. Pjesëtarët e kësaj familje të madhe  atdhetarësh u shpërngulën  në Kosovë e më Turqi.

Më  4 nëntor të vitit 1951 u përurua Pallati i Kulturës, “Ali Kelmendi” në Tiranë. Drejtori  i parë ishte, Llambi Dishnica.

Në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 nëntor të viti 1925, u lind këngëtari i shquar shqiptar, Xhoni Athanas. Ai që i vogël pat kënduar këngë kishtare. Në vitin 1957 Athanas kthehet në Shqipëri për t’u bërë pjesë e jetës kulturore të vendit deri në vitin 1995, kohë kur largohet për në vendlindje në Masaçuset të Amerikës. Për të janë shprehur se epërsitë e tij vokale e interpretuese, siguria dhe vetëbesimi në skenë kanë sjellë përjetime emocionale gjatë gjithë shfaqjeve. Në Operën Skënderbeu dukej si një Skënderbe i vërtetë, si një hero madhështor. Vdiq më 20 maj të viti 2005.

 

Më datën 5 nëntor të vitit 1943,  ishte vrarë,  Idhomeni Kosturi, kryetari i Kuvendit Kombëtar i cili banonte në një rrugë të Durrësit. Ai u vra në derën e shtëpisë  së tij në kohën kur po dilte për të shkuar në Tiranë. Kishte vetëm 24 orë që ishte zgjedhur në detyrën e Kryetarit të Kuvendit Kombëtar dhe shkonte në kryeqytet për të ushtruar funksionet e tij. Ishte goditur  fare nga afër me një plumb në kokë.  Vrasja e Kosturit vuri në lëvizje Gestapon, e cila në muajin shkurt të vitit 1944 arriti ta arrestojë atentatorin, Kolë Laku, që  u dënua me vdekje me varje në litar. Vendimi u ekzekutua në muajin mars të atij viti.

M 5 nëntor festohet Dita Ndërkombëtare e Mësuesit.

Më 5 nëntor  1998,  në fushën e nderit, ka rënë luftëtari  i UÇK-së, Sejdi Fazli Shala nga Fshati Kopiliq i Ulët i Drenicës.

Më 5 nëntor të viti 2016, vdiq në burgun e Prizrenit,  Astrit Avni Dehari. Ai po mbahej në burg për shkak të pjesëmarrjes së një proteste përballë Kuvendit të Kosovës me shumë aktivistë ë të Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’ rast objekti dhe dritaret e Kuvendit ishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta. Astriti, ishte në mesin e të dyshuar dhe në ditën kritike të 5 nëntorit u gjend i vrarë në qelinë e tij në Burgun e Prizrenit. Procedura e hetime pas vrasjes ka zgjatur me vite të tëra për të konstatuar se ishte vrarë apo  vetëvrarë.

 

Më 6 Nëntor të 1897, u mbajt Konferenca greko-turke e Prevezës e cila  kishte caktuar kufirin e ri jugor të Perandorisë Osmane me Mbretërinë Greke, mbi kurriz të tokave shqiptare. Në këtë konferencë disa krahina shqiptare, të cilat Turqia i konsideronte të vetat, iu dhanë Greqisë. Ky akt i mobilizoi çetat kryengritëse shqiptare, të cilat nuk e pranuan që këto krahina t i jepeshin Greqisë.

Më 6 nëntor 1872 u lind në Shkodër kleriku i njohur katolik shqiptar,  Luigj Bumçi. Ishte peshkop i Kishës Katolike dhe diplomat shqiptar. U emërua peshkop i Lezhës më 11 shtator 1911 nga Papa Piu  i dhjeti. Transferohet në Kallmet të Lezhës, ku ndërtoi kishën “Zemra e Krishtit”. Në vitin 1919, ai kryeson delegacionin e qeverisë shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm. Bumçi Mbajti fjalimin e përgatitur nga Gjergj Fishta “Të drejtat e Shqipnisë etnike”. Ishte pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës ku u zgjodh si njëri nga katër anëtarët e Këshillit të Lartë të Shqipërisë. Merr pjesë në Kongresin e Durrësit, përzgjidhet ministër pa portofol, në qeverinë e Turhan pashës dhe përtej qershorit të 1919. Në dhjetor të atij viti  ndërhyri te Papa Benediktit XV, me kërkesë që Korça e Gjirokastra mos t’i shkëputeshin Shqipërisë siç e kishin planifikuar mes vetes Italia me Greqinë në paktin Tittoni-Venizelos. Deklaroi bujshëm para autoriteteve të huaja, se me muslimanët shqiptarë jena vllazën. Përdori tërë ndikimin e tij për të bërë të mundur që Gurakuqi të zgjidhej në zgjedhjet e prillit 1921. Bashkë me Aqif pashën dhe figura tjera të politikës së kohës organizojnë grushtin e shtetit në javën e parë të dhjetorit 1921 me bindjen se u bë për të shpëtuar kombin, lëvizje që shtrëngon kryeministrin, Pandeli Evangjeli, të japë dorëheqjen. Lirohet nga detyra në Këshillin e Naltë më 22 dhjetor. Dëbohet nga qeveria e kohës, Jeton në mërgim nga 1922 gjer më 1924 – kohë kur i digjet edhe shtëpia. Ndërkohë kthehet në atdhe dhe kujdeset për mbarëvajtjen e ipeshkvisë së tij prej të cilës do jepte dorëheqjen më 1 shtator 1943. Vdiq më 1 mars të vitit 1945.

Më 6 nëntor të vitit 1943, kishte filluar ofensiva e parë gjermane kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë.  Në pragun e ofensivës ushtria partizane  dispononte: 4 brigada, nga të cilat 2 në formim e sipër; 9 grupe, 17 batalione dhe një numër çetash e njësitesh, gjithsej 15.000 forca. Ofensiva filloi fillimisht në krahinën e Pezës, më 16 nëntor në qarkun e Dibrës; më 19 nëntor në krahinën e Mallakastrës; në 10 dhjetor në krahinën e Mesaplikut e Kurveleshit të Poshtëm si dhe në krahinat Çermenikë-Shëngjergj- Martanesh; më 7 janar 1944 ofensiva e përgjithshme në Shqipërinë e Jugut si dhe shpërtheu terror në të gjithë qytetet e vendit.

Më 6  nëntor të vitit 1998, në fshatin Apterushë të Rahavecit kanë rënë dëshmorë luftëtarët e lirisë: Xhelal Hajda, Selajdin Mullabazi, Bektesh Haliti, Hamdi Hajrizi dhe Nezir Ymeri. Xhelal Hajda, Selajdin Mullabazi kanë qenë luftëtarë edhe në luftën atdhetare të Kroacisë, në mesin e disa mijëra vullnetarëve shqiptarë.

 

7 nëntor të vitit 1918 u themelua  në Shkodër “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” një Lëvizje atdhetare e popullit shqiptar të Kosovës, e cila me vendimet e Traktatit të Londës dhe Kongresit të Versajës iu kishte dhënë Serbisë. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u themelua në ilegalitet të plotë më 1 maj 1918 dhe më 7 nëntor 1918 u vendos përfundimisht në Shkodër nga figurat të shquara atdhetare si: Bajram Curri, Hoxha Kadri Prishtina, Sali Nivica, Hasan Prishtina, Bedri Pejani, Qamil Bala, Sali Rama, Hafiz Ismet Dibra e shumë të tjerë. Qëllimi parësor i kësaj organizate politike kombëtare ishte mbrojtja e shtetit të pavarur shqiptar, për demokratizimin e tij, për çlirimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të Jugosllavisë, të aneksuara padrejtësisht në vitin 1913 dhe për bashkimin e tyre me Shqipërinë. Pika më e rëndësishme e programit ka të bëjë me aktin që kërkonte bashkimin e të gjitha krahinave të banuara me shqiptarë dhe në këtë mënyrë edhe vërehej qëllimi kryesor i komitetit ku thuhej se “Me u përpjekë para pushteteve të mëdha të Antantës e me kërkue bashkimin e krahinave të Kosovës; Shkup, Kumanovë, Preshevë, Tetovë, Gostivar, Kaçanik, Ferizaj, Gjilan, Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë, Jeni Pazar, Rozhajë, Pejë, Guci, Gjakovë, Prizren) në Shqipin të lirë dhe vetë urdhënuese.

Më 7 nëntor të vitit 1922, në Leus të Përmetit  lindi, Androkli Kostallari, gjuhëtar, leksikolog akademik. Ishte njëri nga studiuesit më të ndritur të gjuhësisë së sotme. Mbaroi shkollën e mesme në Shkodër dhe njëzetvjeçar doli partizan. Në vitin 1946 ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”. Në vitet 1949 – 1954 kreu studimet e larta për gjuhësi në universitetin “Lomonosov” të Moskës. Që kur ishte student nisi punën për hartimin e Fjalorit Rusisht – Shqip, i cili u botua në vitin 1954. Atje paralelisht kreu edhe tri vitet e para të studimeve për gazetari. Që nga viti 1954, u emërua në detyra drejtuese në Institutin e Historisë dhe Filologjisë. Në prill të vitit 1955 emërohet nëndrejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë, më 1957 zëvendës-dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë: më 1958 – 1962 dekan i këtij Fakulteti dhe drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë. Më 1969 e zgjodhën anëtar të Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike(CIOS). Disa herë ka marrë pjesë me referate e kumtesa shkencore në kongrese e simpoziume, duke kryesuar dhe delegacionet shqiptare në veprimtari të tilla, si në: Athinë, Romë, Sofie, Mynih, Kopenhagen, Paris etj.  Kostallari ishte njëri  nga organizatorët kryesorë të Kongresit të Drejtshkrimit si dhe ideator dhe redaktor kryesor i Fjalorit të Gjuhës Shqipe. I është dhënë titulli “Mësues i Popullit”, “Profesor” etj. Ka qenë anëtar i redaksisë së “Atllasit të Gjuhëve të Evropës”.  Androkli Kostallari vdiq në Tiranë, më 23 mars 1992.

Më 7 nëntor të viti 1968 vdiq Abdurrahim Buza, piktor i njohur shqiptar, “Piktor i Popullit”. Në moshën tetë vjeçare mbeti jetim dhe patrioti, Bajram Curri u kujdes për shkollimin e tij. Regjistrohet në shkollë në Shkodër, pastaj  në Tiranë dhe në Normalen e Elbasanit. Fiton bursë dhe në vitin 1928 dëgjon një vjet në Akademinë e Arteve të Bukura, në Torino të Italisë. Studimet e rregullta i kryen në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence. Në vitin 1933 kthehet në Tiranë. Ishte ndër pedagogët e parë të Shkollës së Vizatimit në Tiranë. Më 1947 u punësua në Liceun Artistik Jordan Misja si pedagog i vizatimi dhe më vonë si nëndrejtor. Edhe pse ndikimi i impresionizmit ndjehet në veprat e tij, një kohë mbështeti realizmin socialist.  Buza e gjeti zërin e tij unik në artin shqiptar. Pikturat e para janë të inspiruara nga qëndrimi i tij në Pogradec. Motivet etnike nga Gjakova, Kosova, dhe veriu i Shqipërisë bëhen subjekt i shpeshtë i tij. Ngjyrat e impresionizmit ndikojnë në të gjer në fund. Disa prej veprave më  të njohura të këtij piktori janë: Dasma kosovare: Pogradeci, Nusja kosovare, Azem Galica dhe luftëtarët, Refugjatët e të tjera

 

Më 8 nënt0r të vitit 1462 u shkrua në gjuhën shqipe, me alfabet latin, “Formula e pagëzimit”. Formulën e shkroi Pal Engjëlli. Ai u lind në vitin  1416 dhe vdiq në vitin 1470. Ishte një klerik katolik arbër që shkroi fjalët në gjuhën shqipe Ka qenë mik, bashkëpunëtor dhe këshilltar i ngushtë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të cilit i ka  shërbyer edhe si diplomat. Pal Ëngjëlli, ishte edhe kryepeshkop i Durrësit. Në kryeveprën e tij kushtuar Skënderbeut, Marin Barleti shkruan se Pal Engjëllit ishte burrë i pajisur me mendje shumë të lartë e me zotësi të rrallë në oratori,  me dituri si askush dhe i vaditur në letërsinë e shenjtë dhe në letërsinë humane, si greke ashtu dhe latine, sidomos i shquar për rreptësi në jetë e zakone. Ishte dijetar dhe burrë besnik, të cilin  Skënderbeu e mbajti afër, vetes  për maturinë e tij, kulturën e pastërtinë e jetës, burrë që e respektonin dhe e dëgjonin si ndonjë orakull të gjithë epirotët dhe arbërorët e kohës së Motit të Madh.

Më 8 nëntor të vitit 1941 u themelua në Tiranë, Partia Komuniste e Shqipërisë, me bashkimin e disa grupeve. Komunistët shqiptarë ishin kryesisht njerëz me nivel të lartë arsimor por fillimisht të organizuar në grupe të vogla si: Grupi i Shkodrës, Grupi i Korçës, Grupi i të Rinjve dhe Grupi “Zjarri”. Edhe pse Kominterni kishte dërguar udhëzime për shpërndarjen e grupeve, në vitin 1937 ato nuk u respektuan. Indiferenca e komunistëve shqiptarë ndaj luftës mori fund në qershor 1941, kur Gjermania naziste prishi marrëveshjen me Bashkimin Sovjetik dhe nisi trupat ushtarake drejt Moskës. Detyra e parë e tyre ishte organizimi politik, edhe pse  krijimi i partisë nuk ishte i lehtë. Në formimin e PKSH-së nuk u zgjodh udhëheqësi i saj, por koordinator i degëve të partisë u caktua, Enver Hoxha, i cili ishte sekretar i partisë në Tiranë. Në mars 1943 në Konferencën e Vendit, Enver Hoxha zgjidhet kryetar partie. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimit të Shqipërisë nga Italia dhe Gjermania, PKSH-ja merr pushtetin në dorë dhe Enver Hoxha në këtë periudhë luante rolin e kryeministrit, ministrit të punëve të jashtme, ministrit të mbrojtjes dhe udhëhiqte ushtrinë e vendit.

Më 8 Nëntor të vitit  1941, ditën kur në Tiranë po formohej Partia Komuniste e Shqipërisë u vra Koçi Bako, revolucionar i shquar i kohës. Koci Bako u lind në qytetin e Korçës më 1905, Shquhej si një revolucionar në këtë qytet, ndaj për veprimtari atdhetare u arrestua.  Më 8 Nëntor 1941, Koci Bakua u bashkua me shokët e tjerë, me turmat e popullit të Korçës dhe doli në krye për të filluar demonstratën e madhe. I vendosur ai marshoi me shokët në krye të demonstratës. Buçasin parrullat antifashiste: “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Jashtë okupatorët”, “Rroftë populli shqiptar”, “Poshtë fashizmi” etj. Kur demonstruesit përshkojnë tregun, me ta bashkohen edhe fshatarët. Pastaj turma e madhe derdhet si lumë në rrugë të tjera dhe drejt bulevardit. Fashistët dhe agjentët e tyre alarmohen nga ky shpërthim i fuqishëm i popullit. Ata filluan të ndjekin demonstratën dhe përgatiten për ta sulmuar dhe për ta shpërndarë.

Më 8 nëntor të vitit 1998, në luftë kundër forcave serbe ka rënë dëshmor, luftëtari i UÇK-së, Abedin Krasniqi

 

Më 9 nëntor të vitit 1917 u vra Themistolki Gërmeni, atdhetar komandant i çetave kryengritëse çlirimtare shqiptare. Lindi në Korçë, në një familje me origjinë nga fshati i Gërmenjit, Ishte i biri i Thanasit dhe i Katarinës. I ati ka qenë  themelues i lëvizjes “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, e për shkak të veprimtarisë së tij u vra, në Thraki. Më 1892 mërgon për në Rumani bashkë me vëllanë, Telemakun. U kthyen në atdhe pas nëntë viteve, dhe u vendosën në qendrën e vilajetit, në Manastir. Aty hapën hotelin “Liria”,  në fillim të vitit 1908. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë. Gjatë kohëve të Luftës Ballkanike takohet me Ismail Kemal bej Vlorën dhe emërohet nënprefekt, në Skrapar. Me ardhjen e Princ Vidit u emërua  shef policie në Korçë. I vetëdijshëm  për synimet bullgare dhe duke parë krahinën e Korçës që përjetonte përleshje mes çetave të Sali Butkës dhe trupave paraushtarake venizeliste, i propozon francezëve vendosjen e një administrate shqiptare. Më 8 dhjetor 1916 në krye të treqind luftëtarëve  hyn në Korçën e spastruar prej grekëve dhe shpall formimi i Republikës Shqiptare të Korçës,  më 10 dhjetor. Pas disa intrigave, ftohet apo arrestohet në Selanik ku iu bë një gjyq ushtarak,  në tetorin e 1917. Pushkatohet nga një togë franceze.

Më 9 nëntor të vitit 1879, u lind në Lepogllavë të Kroacisë, albanologu i njohur kroat, Millan Shyflaj. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku kishte qenë  nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij.  Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Në këtë vit, regjistron “Studimet albanologjike” në Kolegjin e Vjenës. Në vitet 1904-1908, ishte asistent në bibliotekën kombëtare të Budapestit. Këtu thellon njohuritë në fushën e ballkanologjisë. Vendos kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzojë më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore. Në vitin 1918, me kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime. Në vitin 1920 shkruan me romanin me temë nga mesjeta shqiptare, “Konstantin Balsha”, me pseudonimin, Alban Limi. Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të “Aktet diplomatike shqiptare vëllimet 3-4. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Për shkak të angazhimit të tij jetësor për çështjen shqiptare vritet nga regjimi serb i Beogradit,   më 18 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria. Për vrasjen e dr. Shuflajt kanë reaguar shumica e intelektualëve të kohës, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari i njohur Albert Ainshtain.

 

Më 10 nëntor  të vitit 1605 ka vdekur në Stamboll, sulltanesha Sofije, me origjinë shqiptare. U lind në vitin  1550 në zonën malore të Dukagjinit. Përkatësia etnike e saj ishte shqiptare, e fesë katolike. Njihej edhe si “Valide Sulltane” dhe “Haseki Sulltane”. Bashkëshort i saj ishte Sulltan Murati i Tretë. Kishte fëmijë Mehmetin e Tretë, Sulltane Aishen dhe Sulltane Fatmën.  Në vitin 1563, në moshën 13 vjeçe, ajo u paraqit si një skllave për të ardhmen e Sulltan Muratit të Tretë  nga Sulltane Mihrimah e bija e Sulejmanit të Madhërishëm.   Qëndronte në fronin e sulltan Muratit të Tretë,  duke e zëvendësuar atë kur nisej në ekspedita luftarake. Gjatë viteve të fundit të jetës së Sulltan Muratit, Safije ishte e vetmja që i qëndroi pranë sepse, ai e donte. Sulltanesha Safije u bë Valide Sulltane e djalit të saj, Sulltan Mehmetit të tretë, kur Murati vdiq në vitin 1595, Safije ndihmoi të birin të ketë sukses si sulltan. Sulltanesha Safije së bashku me sulltaneshën,  Kosem e cila kishte origjinë greke, cilësohen si dy Sulltanet më e fuqishme në historinë e Perandorisë Osmane.

Më 10 nëntor të vitit 1974 ka vdekur në Toronto të Kanadasë, atdhetari dhe intelektuali shqiptar, Xhelal Mitrovica. U lind në shtator të vitit 1916 në një familje me prejardhje nga Pazari i Ri. Ishte i  biri i Dervish Mitrovicës, oficer i ushtrisë osmane dhe më pas veprimtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Pa mbushur ende tre vjeç, familja u shpërngul drejt Shkodrës, ku mësimet e para i mori në Kolegjin Saverian. Ka qenë mësimdhënës në Gjimnazin dhe në Normalen “Sami Frashëri”, në Prishtinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit që u mbajt në shtator 1943. Deputet i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë, prej 18 korrik  deri më  28 gusht 1944,  në qeverinë e Fiqri Dinës. Ishte njëri ndër gazetarët më të sprovuar e më të mirë të kohës, bashkëpunëtor në të përkohshmet “Kosova”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Bashkimi i Kombit”, Koha e Jonë”, drejtues i gazetave “Vatra Shqiptare” dhe “Buletini i Lidhjes së Shqiptarëve” në Australi etj.

Më 10 nëntor të vitit 1998, në luftë kundër forcave serbe kanë rënë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,   Jahir Agushi dhe Abedin Bujupi.

 

Më 11 nëntor të vitit 1906 kriminelët grekë vranë Spiro Kosturin. Ai  ishte një personaliteti i njohur i Rilindjes Kombëtare. Spirua  ishte djali i Jovan Kosturit, një figurë shumë e njohur  e lëvizjes kombëtare shqiptare. Kosturi ishte njëri nga katër të besuarit e Mësonjëtorjes dhe autoritetet osmane më 1903 e arrestuan dhe e mërguan në Selanik. Në vitin 1906, Peshkopi grek Fotis u vra nga një grup shqiptarësh, nga çeta e  Çerçiz Topullin  dhe disa muaj pas ngjarjes, grekët u hakmorën duke vrarë Kosturin në Selanik. Vdekja e Kosturit ndikoi në lëvizjen kombëtare shqiptare që rezultoi me mbajtjen e mbledhjeve, rezolutave të  miratuara dhe shtypja e diasporës si Kombi në Boston dhe Drita në Sofja u përpoqën të ngjallin ndjenjat kombëtare. Spiro Kosturi, Papa Kristo Negovani, u konsideruan martirë të lëvizjen kombëtare në qarqet shqiptare dhe drejt luftës kundër grekëve.

Më 11 Nëntor të vitit 1918 mori fund Lufta e Parë  Botërore. Me një forcë shkatërruese të paparë ndonjëherë ajo shkaktoi miliona viktima. Me fundin e saj, mbaroi vetëm pjesërisht vuajtja njerëzore. Europa nuk shpëtoi nga fatkeqësia. Gjatë Luftërave Ballkanike dhe luftës së Parë Botërore u vranë dhe u masakruar qindra mijëra shqiptarë.

Më 11 nëntor të viti 1975, në Troshan të Lezhës, vdiq Pjetër Mazreku, klerik katolik, muzikant. Lindi në Selanik, më 7 shtator të vitit 1913. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Shkodër, kurse studimet e larta në Fakultetin e Teologjisë në Itali,. Më 7 shtator 1928 veshi petkun e Shën Françeskut. Kushtet e para i kreu më 8 shtator 1929, kurse Kushtet e Përjetshme më 8 shtator 1934. Dy vjet më vonë, më 13 shtator 1936, u shugurua meshtar. Gjatë viteve 1937-1946 është profesor i muzikës në liceun “Illyricum”, drejtues i korit dhe profesor i gjuhës italiane. Pas mbylljes së liceut, dërgohet famullitar në Bushnesh të Pukës, pastaj në Iballë e në fund në Bajzë të Shkodrës, ku dhe u arrestua më 1946. Bën 10 vjet burg në Shkodër e Burrel. Mes viteve 1952-1955, është rektor i kishës së Shën Ndout në Tiranë. Nga 1955-a deri më 1961 shërbeu si famullitar në Laç, ndërsa nga viti 1961 deri më 1967 si famullitar në Troshan të Lezhës. Vdiq më 11 nëntor 1975, në Troshan të Lezhës.

Më 11 nëntor  të vitit 2010 vdiq Din Mehmeti, shkrimtar, poet,  dramaturg  dhe publicist. U lind në vitin  1929 në Gjocaj, të  Junikut. Ka studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Beogradit. Ai ka qenë profesor në Shkollën Pedagogjike të Gjakovës. Edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime. Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare, Jeta e Re.

 

Më 12 nëntor të viti 1028 – Perandoresha e ardhshme bizantine, Zoje, merr fronin si perandoreshë bashkëshorte e Argirusit romak.   Argirus ose argjend, ishte emri i një familjeje aristokrate të shquar të Perandorisë Bizantine nga mesi i shekullit të 9-të deri në shpërbërjen e Perandorisë në shekullin e 15-të. Kulmin e suksesit kjo familje e arriti pas mesit të shekullit të 11-të. Nga Argjiro rrjedh edhe emri i Gjirokastrës, Kështjella e Argjiros. Qyteti Gjirokastër shfaqet në të dhënat historike në vitin 1336, si pjesë e Perandorisë Bizantine. Prejardhja e emrit, sipas njç teorie rrjedh nga Princesha Argjiro, por kjo etimologji është konsideruar si popullore, pasi princesha Argjiro është thënë se ka jetuar më vonë, në shekullin e 15-të, periudhë kur qyteti u pushtua nga osmanët. Kjo lë gjithashtu të kuptohet se emri Gjirokastër ndoshta lidhet me atë të familjes së perandorit Argyros të Bizantit në fillim të mijëvjecarit të parë.

Më 12 nëntor të vitit  1912, gazeta “Kronika ditore” shkruante se forcat serbe e malazeze  kanë vrarë gjatë një dite 2 mijë shqiptarë në krahinën shqiptare të Shkupit dhe 5 mijë në afërsi të Prizrenit janë therur në mënyrë masive. Gazeta pariziene “Ymanite” shkruan se në Drenicë dhe Palikurë u mbytën të gjithë banorët. Në këtë vend është zbuluar një vargan varresh masive, një pjesë e të cilëve si gurë varri kanë kafka njerëzish. Në fund janë varret e atyre që janë djegur të gjallë. Gjatë masakrave 31 fshatra dhe qytete shfarosen krejtësisht.

Më 12 nëntor të vitit 1987, vdiq Lasgush Poradeci, poet i njohur lirik, publicist dhe përkthyes. U lind më 27 dhjetor të vitit  1899. I ati i tij pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhës rumune, në Manastir nga 1909 deri më 1916 e dërgoi në Rumani. Më pas e nis në Athinë pranë liceut Léonin, ku qëndroi deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi. Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura,  në Bukuresht. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Pas çlirimit të vendit ka punuar në Institutin  Shkencave, më vonë  Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri” deri kur doli në pension në vitin1974. Ka marrë çmimin e Repulikës për poemën Çlirimtarët. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, presidenti i Republikës Rexhep Mejdani i jep titullin “Nderi i Kombit” dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin “Qytetar nderi”.

 

Më 13 nëntor të vitit 1913 lindi Injac Ndojaj, gurë-gdhendës, gjeolog, pedagog i njohur. Kreu edhe shkollën e mesme  Industriale dhe Gjimnazin e Shtetit. Që në vitet e shkollës së mesme merr pjesë në jetën kulturore të Shkodrës, kryesisht në atë muzikore dhe teatrale. Në 1935 në gazetën “Illyrija” boton artikujt “Nji studim mbi muzikën shqiptare” dhe “Ahengu Shqiptar”. Më 1941, në revistën “Shkëndija” boton “Muzika shqiptare”, ndërsa më 1949, në gazetën “Bashkimi” boton “Dasma shkodrane”. Në vitin 1936 ndoqi studimet e larta në Universitetin Mbretëror të Torinos, në Itali), ku më 12 korrik 1940 diplomohet në degën e Shkencave të Natyrës, me profilizim Petrografi, me tezën “Vendburimi i kromit në Iballë të Pukës, Shqipëri”, botuar në revistën “Hylli i Dritës”. Në vitet 1941-1947 është mësues në Gjimnazin e Shkodrës. Më 1941 është ndër 20 profesorët e Gjimnazit të Shkodrës nënshkrues të peticionit “Kordiniano në gjyq përpara botës”, në përgjigje të artikullit “Shqipëria në histori e në jetë ose shikim panoramik i një bote të vogël primitive” të publicistit antishqiptar  Fulvio Kordiniano-s. Injac Ndojaj ishte i pari gjeologu shqiptar dhe studimi i tij i vitit 1940 “Vendburimi i kromit në Iballë të Pukës, Shqipëri”, cilësohet si studimi i parë i botuar i këtij gjeologu.

Më 13 nëntor të vitit 1955 vdiq në Aleksandri, Musa Juka. U lind në Shkodër, më 10 mars të vitit 1885. Ka qenë kryetar i bashkisë së Shkodrës për tetë vite, pastaj Ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë  disa periudhave dhe ministër i Punëve Botërore. Musai i mori mësimet e para në mejtepin e Parrucës. Rreth vitit 1905, në moshën 20-vjeçare, punësohet në Drejtorinë e Financës së vilajetit të Shkodrës. Në 1910 bëhet drejtor i saj – detyrë që e ushtron deri në dorëzimin e qytetit,  Malit të Zi nga Esat pashë Toptani. Pas largimit të malazezëve, Administrata Ndërkombëtare që mori në administrim qytetin e ftoi të ishte anëtar i Komisionit të Buxhetit. Më 19 mars të vitit 1916, gjatë pushtimit austro-hungarez, Musa Juka bëhet Kryetar i Përlimtares së Shkodrës. Rizgjidhet në detyrë më 10 mars 1920 kur Shkodra ishte ende nën administrimin e dytë ndërkombëtar Refuzoi bashkëpunimin me lëvizjen kryengritëse të Elez Isufit, Bajram Currit dhe Halit Lleshit të marsit 1922. Mbështeti Ahmet Zogun, Ceno beg Kryeziun dhe krahin poltik reaksionar të kohës.  Prej vitit 1939 iku nga Shqipëria dhe jetoi në mërgim deri kur vdiq në vitin 1955.

Më 13 nëntor të viti 2016 vdiq  profesori, historiani, punëtori  shumëvjeçar i Arkivit të Kosovës dhe një nga njohësit më të mirë të arkivistikës  profesor Ismail Rexhepi. Ismail Rexhepi u lind më 3 nëntor 1947 nga babai, Bushra dhe nëna Meleqe, në fshatin Bresanë të Opojës. Rrjedhë nga familja e myderrizit të shquar të medresesë së Opojës, haxhi Rexhep Ismailit. Ismaili ishte nipi i tij. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm e vazhdoi në Medresenë ‘Alaudin’ në Prishtinë. Në vitin 1972 diplomoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë në grupin ‘Histori-Gjeografi’.

 

Më 14 nëntor të vitit 565 vdiq në Konstandinopojë,  perandori  romak Justinian me origjinë ilire nga Dardania. Perandori, Justiniani i Parë lindi rreth vitit 482 në Tauresium, një fshat në krahinën e Dardanisë ilire. Ishte biri i Sabatiusit. Ai mbretërori nga viti 527 deri në vitin 565 dhe konsiderohet si njëri nga perandorët më të rëndësishëm bizantinë dhe romakë. Në kohën e konsolidimit të pushtetit kishte  filluar një fushatë ushtarake për të rimarrë Afrikën nga vandalët dhe Italinë nga gotët. Ai gjithashtu urdhëroi rindërtimin e kishës së Shën Sofisë si dhe manastire, kala, ura e rezervuare uji të shumta. Ishte martuar me princeshën bizantine, Teodora. Arritja e tij tjetër e madhe ishte përfundimi i  Kodit të Justinianit (“Codex Iustinianus”) mes viteve 529-534, ku kishte  bashkuar të gjitha ligjet romake që ishin lëshuar nga koha e perandorit Hadrian. Justiniani mbahet gjerësisht si një nga perandorët më të mëdhenj romako-bizantinë në histori. Ky perandor me origjinë ilire ka qenë shumë i lidhur me vendlindjen dhe popullin që i përkiste. U mbështet shumë në rrethin e vet familjar dhe bashkëkombasit e vet ilirë, që përbënin një forcë kryesore në ushtri dhe në aparatin shtetëror. Në një nga mbishkrimet e gjetura në Itali bëhet fjalë për numrin e madh të ilirëve, që shërbenin në ushtrinë perandorake. Kujtojmë edhe rolin e madh të tre gjeneralëve ilirë: Belisari, Mundi dhe Germani, kushëri i tij.

Prej 14 deri më 22 nëntor është mbajtur Kongresi i Manastirit lidhur me caktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Kongresi i Manastirit, ishte një konferencë akademike, e cila i ka zhvilluar punimet mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Data 22 nëntor përbën tashmë një ditë përkujtimuese në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Përpara kongresit, gjuha shqipe përfaqësohej prej gjashtë ose më shumë alfabetesh, pa llogaritur nënvariantet. Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzetetre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetedy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi. Delegatë të tjerë nga familja ishin Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës dhe Gjergj Zavalani. I zoti i shtëpisë, Fehim Zavalani, mbajti fjalën hyrëse.

Më 14 nëntor të vitit 1971, vdiq Anton Kozmaqi. U lind në Sarajevë më 14 korrik të vitit 1898 në një familje katolike, në Shkodër.  Arsimin fillor dhe të mesëm e kreu në Sarajevë, më pas ndoqi dhe kreu studimet e larta në  Fakultetin e Drejtësisë “Travnik” në Universitetin e Zagrebit.  Në vitin  1925 ishte caktuar gjyqtar në Elbasan, por shkarkohet nga detyra sepse kishte mbajtur lidhje me konsullatën jugosllave. Më 1927 u caktua gjyqtar në Peshkopi deri më 1928 e më pas vijoi në Gjirokastër. Pas pushtimit italian, në korrik 1939 – janar 1940  ishte prefekt i klasit  të Parë  në Korçë. Në vitet 1940 – 1943 qe sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe më 1943-1944 kryetar i Këshillit të Shtetit. Më 1943 u caktua ministër sekretar shteti i Drejtësisë në dy kabinetetet Libohova e në të dytin u emërua zëvendës, ministër dhe  sekretar shteti i Arsimit. U arrestua më 17 nëntor të vitit 1944, u dënua në Gjyqin Special me 30 vjet burg. U lirua më 1957. Ndërroi jetë në Shijak më 14 nëntor 1971.

 

Më 15 nëntor të vitit 1944, vdiq në moshën 80-vjeçare, britanikja, Mari Edit Durham-artiste, shkrimtare, e cila u bë e famshme për studimet e saj antropologjike të jetës shqiptare në fillim të shekullit të 20-të. Edit Durham ishte më e madhja e tetë fëmijëve në familje. Ajo pati një rini tepër të lodhshme. Kur i ati i vdiq, iu desh të kujdesej për gjithë familjen. Kur ishte 25 vjeç, punimet e saj u bënë pjesë e muzeut të Historisë Natyrore në Kembrixh. Udhëtoi gjerësisht në Ballkan gjatë 20 viteve, duke u përqëndruar veçanërisht në Shqipëri, atëherë një nga zonat më të panjohura dhe më të pazhvilluara të Evropës. Durham punoi për shumë organizata ndihmash, skicoi, pikturoi e shkroi, duke mbledhur artin dhe folklorin shqiptar. Por ishin edhe shkrimet e saj që i dhanë asaj famën e veçantë. Ajo shkroi shtatë libra mbi çështjet e Ballkanit, nga të cilët “Shqipëria e Epërme” (1909 ) është libri më i  njohur për të kuptuar zakonet e malësisë së veriut. Me punën e saj, Mary Edith Durham erdhi duke u njëjtësuar gjithnjë e më shumë me çështjen shqiptare; ajo ishte përkrahëse e idesë së bashkimit të popullit shqiptar. Por Durham pati edhe kritikë të shumtë. Për shembull, ajo sulmohej vazhdimisht nga përkrahësit e shtetit jugosllav, të cilët mbanin nën okupim tokat shqiptare.

Më 15 nëntor të vitit 1893 u lind Ndok Gjeloshi. Ndoqi kolegjin Françeskan në Shkodër, dhe më pas përfundoi Akademinë Ushtarake të Modenas,  në Itali, ku mori gradën e togerit të forcave të Xhandarmërisë. Ndoka më 1914 gjatë revoltës së Shqipërisë së Mesme u mobilizua në mbrojtje të Princ Vidit. Përkrahte Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, mbështeti fushatën për zgjedhjen e Gurakuqit në dhjetor të 1923. Me gradën toger dhe në krye të 180 shaljanëve, përkrahu Revolucionin Demokratik  të Fan Nolit  qershorit të vitit 1924  së bashku me Rexhep Shalën dhe njësitë ushtarake në Shkodër. Në nëntor të viti 1926, së bashku me Dom Loro Cakën,  udhëhoqën  kryengritjen antizogiste të Dukagjinit.  Pas kësaj revolte emigroi në Vjenë të, ku martohet me Margaritën, austriake. Bëhet anëtar i grupit të “Bashkimit Kombëtar” dhe kishte rënë dakord t’i kurdisej një atentat Mbretit  Zog gjatë një vizite, në Vjenë. Mbrëmjen e 20 shkurtit të  vitit 1931, gjatë atentatit, ngatërron majorin, Llesh Topallaj me Zogun dhe e qëllon pas kokë. Po në atë moment kishte goditur shpurën e Ahmet Zogut edhe Aziz Çami me ç’ rast vritet truproja Llesh Topallaj dhe plagoset, Myfit bej Libohova. Atentatorët: Ndok Gjeloshaj dhe Aziz Çami u dënuan në mungesë.  Luftoi në frontin grek dhe në atë jugosllav. Më pas u caktua në komandën e armës së Milicisë fashiste. Nga janari i 1942 mbante detyrën e gjyqtarit pranë gjyqit të posaçëm të shtetit. U vra në një atentat nga komunistët më 11 prill të viti  1943, në Tiranë.

Më 15 nëntor të vitit 1900 lindi në Shkodër, Tahir Dizdari, dijetar, atdhetar dhe orientalist i shquar. Pas arsimit fillor vazhdoi shkollën e mesme, Ruzhdije, por studimet u ndërprenë, sepse shkolla u mbyll më 1912 për shkaqe të luftës. Kaloi në bankat e kolegjit “Xaverianum” të jezuitëve duke përfunduar mësimet më 1918. I prirë për nga gjuhët e huaja, kishte njohuri në gjuhët: gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe gjuhët lindore, arabisht, turqisht persisht. Punon në administratën e vendit. në vitin 1929 botohet “Ligja e katundarive dhe e komunave”, ku Tahor Dizdari luajti një rol kryesor në përpilimin e saj. Më vonë, më 1935 boton broshurën “Udhëhjekës për konferenca”. Më 1930 qe dalluar për organizimin e regjistrimit të popullatës. Për këtë mori një përgëzim të veçantë. Po kështu në revistën “Ekonomia Kombëtare” lexojmë se Ministria e Ekonomisë Kombëtare e përgëzoi T. Dizdarin nënprefekti i Fierit për organizim garash hipizmi me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Në maj të vitit 1945 bëhet bashkëpunëtor i gazetës “Bashkimi” dhe në tetor bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Gjatë viteve 1946-1951 merret me skedimin e fjalorit dhe me folklor. Në vitet 1946-1949 shëtit nëpër gjithë Shqipërinë, merr pjesë dhe në aksionet e rinisë, duke mbledhur nga goja e popullit material folklorik dhe etimologjik. I dorëzon Institutit të Folklorit një material të pasur prej 800 faqesh të daktilografuara. Vdiq më 9 maj të vitit 1972, në Tiranë.

 

Më 16 nëntor të vitit  1910 lindi në Shkodër, Rrok Zojzi, etnograf dhe etnolog shqiptar. U lind në Shkodër, i biri i Shtjefën dhe Pina Zojzit. Pasi mori arsimin e mesëm në qytetin e lindjes, duke bërë detyrën e arsimtarit, u mor edhe me alpinizëm, me kërkime, gjeografi e sidomos në fushën e etnokulturës. Gjatë viteve ‘30-’40 ai bëhet i njohur me shkrimet në revistat “Hylli i Dritës”, “Drini”, “Vatra shqiptare”, etj. Në vitin 1942 Zojzi përgatiti 34 ligjërata gjeografiko-etnologjike, për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, që u shfrytëzuan nga radio “Tirana”, radio “Korça” e radio “Kosova”. Në vitin ‘46 e motra, Maria dhe burri i saj u pushkatuan gjatë rezistencës antikomuniste të Postribës dhe kjo do ndikonte në jetën e Rrokut, i cili gjithnjë është parë si njeri me “cene në biografi”. Më 1947 u emërua në krye të sektorit të etnografisë dhe e drejtoi këtë sektor deri sa doli në pension[3] në vitin 1976.[2] Bashkëpunoi ngushtë me Dom Frano Illinë, i cili ndonëse nuk qe bashkëpunëtor i Sektorit të Etnografisë, depozitoi në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore Kanunin e Skënderbeut. Vdiq në  Tiranë,  në vitin 1995.

Më 16 nëntor të vitit 2018 ka vdekur, në Austri, në moshën 70-vjeçare, Haki Hamit Qeriqi veprimtar,  poet, përkrahës e ndihmëtar i luftës së UÇK-së. Haki Qeriqi ka lindur në Krojmir, të Drenicës në vitin 1948. Shkollën e Mesme të Tregtisë e ka mbaruar në Ferizaj. Në vitin 1984, meqë UDB-ja i bie në gjurmë veprimtarisë së tij ilegale ai largohet nga Kosova dhe me krejt familjen vendoset në Austri, ku ka jetuar prej asaj kohe e deri në vdekje. Në vitet 90-të të shekullit të kaluar, ka ndihmuar arsimin shqip në Kosovë me mjete shkollore të tubuara nga ai vetë dhe nga mërgimtarët. Ka qenë anëtar i Fondit të “Tre-përqindëshit”, për Austri. Qysh herët ka filluar të shkruajë poezi, skica dhe tregime të shkurta. Ka nxjerrë në dritë përmbledhjet poetike: “Malli i mërgimtarit” dhe “Meditime poetike”. Ka lënë në dorëshkrim poezi dhe tregime të temave të ndryshme. Ka vepruar në kundër të Fondit,  “Vendlindja thërret” për Austri dhe ka ndihmuar luftën e UÇK-së. Pas luftës ka ndihmuar  edhe Radion-Kosova e Lirë.

 

Më  17 nëntor të viti  1834  Hodo Pashë Dervishi i njohur si, Hodo Sokoli. U lind Erzinxhan. Ka qenë ushtarak i Perandorisë Osmane dhe komandant i trupave të Lidhjes së Prizrenit në degën e Shkodrës. Ndoqi shkollimin e tij në vendlindje, ku kreu ruzhdijen. Pasi u shqua ndër betejat e shpeshta në gjysmën e parë të shek. XIX kundër Malit të Zi, u gradua kapiten i rojës së ishujve të Liqenit të Shkodrës, gradë që dihet ta ketë patur që kur ishte vali Abdi pashë Çekrezi më 1860. Më vonë u gradua major i xhandarmërisë ushtarake të formuar rishtas.Kur u emërua Dervish Pasha,  vali në Shkodër, u transferua në Stamboll.  Në vitin 1876 u gradua kolonel i xhandarmërisë së Shkodrës. Në Lidhjen e  Prizrenit, kur filloi  lëshimi i  territoreve nga Plava e Gucia në Hot, Grudë e Kelmend,  Hodo begu u zgjodh kryetar i Komitetit të degës vendore të Lidhjes, me zëvendës Preng Bibë Dodën. Komiteti nxori kushtrimin dhe Hodo Begu priu 8000 burrave për në Tuz. Hodo Begut iu kishin bashkuar gati tërë oficerët e xhandarmërisë osmane. Pas veprimeve në mbrojtjen e bajrakëve të Malësisë së Madhe, Hodo Begu u gradua pashë miralla gjeneral brigade.  Më 12 dhjetor të vitit 1880 Dervish Pasha i arrestoi dhe i nisi për në Stamboll. Sulltani donte t’i internonte në Erzurum, por ndërhyrja e ambasadorëve të shumtë bënë që mos të merrej ky vendim dhe të qëndronin në Stamboll. Hodo Pasha refuzoi për arsye shëndetësore emërtimin mytesarif i Damaskut. Vdiq nga një sëmundje, apo nga helmimi në vitin 1883.

Më 17 nëntor të vitit 1918, Fan Noli bërë përbetimin eremitar dhe fitoi shkallën e arkimandritit nga Peshkopi rus, Aleksander Nemullovski. Ky akt i parapriu fillimit të ndarjes së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Kisha greke, e cila nuk e njihte shqiptarët ortodoks si entitet i veçantë fetar, por të gjithë ortodoksët i konsideronte grekë.

Në mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944, pas 19 ditë e net luftë të ashpër e të pandërprerë të forcave partizane, u çlirua Tirana kryeqyteti i Shqipërisë. Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës u përgatit dhe u zhvillua në kuadrin e mësymjes së përgjithshme të Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Shqipërisë për çlirimin e plotë të vendit. Ai ishte vijimi dhe kulmi i mësymjes së përgjithshme. Çlirimi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike e ushtarake. Ai kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare; i shkaktoi humbje të mëdha e vonoi tërheqjen e forcave gjermane. Lufta për çlirimin e Tiranës ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga UNÇSH-ja për çlirimin e qyteteve.

Më 17 nëntor të vitit 1930, u lind në Fier, Marika Kallamata, aktore e njohur shqiptare. Aktivitetin artistik e filloi në Teatrin Popullor, në vitin 1950. Ka interpretuar rreth 60 role, ku ndër më të suksesshmit janë: Ortensia, Aspasia, Mara, Fallxhesha, Nina, Ana, Nekija, dhe në mjaft role episodike ka qenë një aktore shumë e mirë. Edhe pse ishte e rrethuar nga dhjetëra aktore të suksesshme, Marika ruajti individualitetin e vet. Doli në pension, në tetor 1985, por Marika nuk u shkëput nga skena. Në vitin 2004 ajo u ngjit me kolegët e saj në skenë pas shumë vitesh, në dramën “Streha e të harruarve”, ku korri sukses me rolin e saj. Ka interpretuar pak role në filma artistikë. Është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”.

 

Më 18 nëntor të vitit 1914 lindi poeti i madh arbëresh, Dushko Vetmo, i njohur si Françesco Solana. Ishte arbëresh me origjinë nga familje çame, por lindi në Frasnitë të Kalabrisë. Pas njëzet vjetësh qëndrimi në Argjentinë, Uruguaj dhe Kili, kthehet në Itali. Ishte studiues, themelues dhe titullar i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe dhe i Dialektologjisë arbëreshe në Universitetin e Kalabrisë, në Kozencë, që prej vitit 1975 deri në vitin 1990. Njihet si nismëtari i botimit të revistës “Vija”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve Arbëreshë. Në fushën e gjuhësisë njihet si autori i gramatikës “Manuale di lingua albanese”. Në fushën e dialektologjisë arbëreshe botoi një sërë botimesh për dialektet arbëreshe dhe disa të folmet si ajo e Pellatënit, edhe ajo e Fermës. Nëfushën e filologjisë botoi veprën e  Anton Santorit,  “Emira” dhe Katekizmin arbërisht të Shën Vasilit. Ka shkruar  veprat: “Burbuqe të egra”, “Akullnajat”, “Shkretëtira prej guri” e”Te praku” , Bijtë e Dodonës, Shkretëtira prej guri, Dhaskal Mitri e të tjera. Vdiq më 20 mars të vitit 1999.

Më 18 nëntor  të vitit 1940, në Lejçan të Gollobordës, në një familje arsimdashëse, i lind Bajram Mato. Pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare fiton konkursin për pikturë dhe ndjek Liceun Artistik në Tiranë.  Si talent fiton të drejtën e studimeve të larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Peterburg (Leningrad) në ish Bashkimin Sovjetik. Prishja e marrëdhënieve midis dy vendeve i ndërpreu studimet, të cilat i mbaroi në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë me klasifikimin “Shkëlqyer”, në vitin 1965, kur mbrojti diplomën me tablonë “Betimi partizan”.  Është piktori më i madh dibran dhe një ndër më të mëdhenjtë e kohës së tij. Në vitin 1971, hapi ekspozitën e parë të pikturave të tij, në qytetin e Peshkopisë. Ka qenë gjithmonë i suksesshëm në ekspozitat kombëtare. Ishte vërtetë i talentuar në fushën e pikturës, ku la pas një trashëgimi të pasur, më siglën “Mata”. Vdiq më 5 mars 1983, dhe la pas veprën e një artisti të madh.  Që më themelimin e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Dibrës ishte anëtar i kësaj lidhje. Me rastin e 7 Marsit , në mars 1993, shpallet  “Piktor i Merituar”.

Më 18 nëntor  të vitit 1945 vdiq në burg, Qazim Agolli. Lindi më 10 nëntor të vitit 1905, në fshatin Bulgarec të Korçës. Më 2 nëntor 1945, Gjykata Ushtarake e Pogradecit e deklaroi “armik i popullit” dhe “kriminel lufte” dhe e dënoi me vdekje me pushkatim dhe konfiskimin e pasurisë. Pesë ditë më vonë, më 7 nëntor të po atij viti, Gjykata Ushtarake ia uli dënimin në burgim të përjetshëm. Vdiq në burgun e Pogradecit, më 18 nëntor 1945.

 

Më 19 nëntor të vitit 1814 lindi, Jeronim De Rada, rilindës, shkrimtar, publicist e atdhetar. U lind në vitin 1814 në Maki të Kalabrisë mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare, “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit më 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes deri në fillim të viteve 60 të shekullit 19-të. Duke nisur nga viti 1861, në jetën e De Rada nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. botoi veprat “Lashtësia e Kombit Shqiptar, në vitin 1864 dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe, në vitin 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar të çështjes kombëtare i dha me revistën “Flamuri Arbrit”, që botoi në vitet 1883-1885. Në “Testamentin politik” (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve. Vdiq në vitin 1903. Ka shkruan veprat: Milosao, Një pasqyrë e jetës njerëzore, Serafina Topia, Skënderbeu i pafat Fjamuri i Arbërit (revistë), Rapsodi të një poeme shqiptare e shumë vepra e shkrime të tjera.

Më 19 nëntor të vitit 2017, vdiq Aleksandër Lalo,  kompozitor shqiptar i cili ka kompozuar muzikën për filma të njohur të kinematografisë shqiptare. Ai lindi më 27 prill të vitit 1949, në Tiranë. Rrjedh nga një familje me origjinë nga Leskoviku. Gjatë konkurrimit me kompozimet e tija në festivale kryesisht ka arritur vende të dyta megjithëse meloditë e tij janë të mrekullueshme. Ka kompozuar  muzikën për filmat; Vajzat me kordele të kuqe, Tomka dhe shokët e tij, Dimri i fundit dhe shumë filma të tjerë.

 

Më 20 nëntor të vitit 1885 vdiq shkrimtari i madh shqiptar arbëresh, Gavril Dara i Riu. U lind në Palac Adriano të Italisë, më 6 janar 1827. Mësimet e para i mori në seminarin arbëresh të Palermos. Po në këtë qytet ai kreu studimet e larta për drejtësi.  Udhën e krijimtarisë e nisi herët, në moshën 13-15 vjeçare. Në fillim shkroi vjersha në italisht. Në vitin më të zjarrtë të revolucionit më 1848, paraqitet me një ditar  të lëvizjes revolucionare të asaj kohe. Në të spikat një brendi ideore e pasur dhe disa tipare të individualitetit krijues të Darës. Në shkurt 1858 Dara u bë themelues dhe drejtues i një gazete që ishte si një manifest kryengritës, Përtëritja e jetës. Në artikujt që botoi aty ai tregoi aftësi prej prozatori, kritiku, esteti dhe historiani. Në çastet më të rëndësishme të luftës për çlirimin e Italisë ai, si edhe arbëreshët e tjerë, mori pjesë aktive në lëvizjen revolucionare italiane kundër zgjedhës austriake dhe sundimit të Burbonëve. Madje ishte një nga udhëheqësit krahinor të asaj lëvizjeje, si anëtar i komunitetit revolucionar të Xhirxhentit dhe sekretar i përgjithshëm i qeverisë revolucionare të Garibaldit, në vitin 1860. Dara kishte ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, duke marrë anën e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra e vetme në shqip, “Kënga e sprasme e Balës” është një ndër kryeveprat e letërsisë sonë. Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, Dara e mbështeti atë fuqimisht. Gavril  Dara është mjeshtër i madh i artit të fjalës. Vepra e tij shquhet për pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të gjallë e të bukur e mbi, të gjitha, për mbështetjen e gjerë e të gjithanshme në folklorin arbëresh.

Më 20 nëntor të vitit 1866 lindi, në Shkodës poeti i madh kombëtar, Ndre Mjeda. I ati ishte me origjinë nga Mirdita ndërsa e ëma nga Malsitë e Pukës.  Në edukimin e tij patën ndikim shkrimtari jezuit Anton Xanoni dhe poeti françeskan Leonardo de Martino. Ai vazhdoi më pas studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Më 1883 në Kroaci, studioi retorikë, latinisht dhe italisht në një institut jezuit në Kraljevica. Nga 1884 deri në fillim të vitit 1887 u stërvit në një kolegj që drejtohej atje nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj Gregorian tjetër në Kieri. Në këto vite Ndre Mjeda filloi të shkruajë poezi shqip, ndër to edhe vjershën melankolike mjaft të lexuar Vaji i bylbylit, botuar më 1887. Nga 1887 deri më 1891 Mjeda dha muzikë në kolegjin Marko Xhirolamo Vida, në Kremona buzë lumit Po. Më 1899, me ndihmën e të vëllait Llazër Mjeda, peshkop i Sapës që më 1896 e më pas kryepeshkop i Prizrenit e kryepeshkop i Shkodrës, e sidomos me ndihmën e Prenk Doçit Ndre Mjeda u emërua mësues në Vig, në krahinën malore të Mirditës. Gjithashtu mori pjesë në fillim në veprimtarinë e shoqërisë letrare Bashkimi, që ishte themeluar atë vit në Shkodër me mbështetjen austro-hungareze nga Preng Doçi, Ndoc Nikaj dhe Gjergj Fishta. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht tç vitit 1937. Shkroi veprat: Vaji i Bylbylit, Juvenilia, Poemat Liria. Lissus Skodra, Anddrra a e jetës e të tjera.

Më 20 nëntor të vitit 1972 u hap në Tiranë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, nga data 20 nëntor deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë zhvilloi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në Kongres u përfaqësuan gjerësisht forcat e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Aty ishin të pranishëm 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi si dhe arbëreshë nga Italia. Synimi i mbledhjes së Kongresit ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar kombëtare. Ky Kongres, si forumi më i lartë shkencor, analizoi e diskutoi gjerësisht parimet themelore, çështjet e përgjithshme dhe shumë zgjidhje të veçanta të drejtshkrimit të shqipes, si edhe probleme të tjera teorike e praktike, që kanë të bëjnë me normën letrare në përgjithësi. Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe kurorëzon një etapë të gjatë përpjekjesh për formimin e një gjuhe letrare të vetme e të përbashkët për gjithë popullin shqiptar dhe çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës sonë kombëtare.

 

Më 21 nëntor  të vitit 1999 vdiq, Marie Kraja, këngëtare e mirënjohur shqiptare. Ka lindur më 24 shtator  të vitit 1911 ne Zarë të Dalmacisë. Në moshën 6 vjeçare, familja e saj vendoset në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Pas  përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri, në vitin 1936 u emërua pedagoge në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Punoi pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946. Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithcka që ndodhi në muzikën shqiptare. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.  Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Është “Artiste e Popullit”, mban Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.

Më 21 nëntor të vitit 1943, në Zall-Herr të Tiranës u mbajt Kongresi i Zogistëve, i cili shpalli themelimin e Legalitetit. Kryetar  u zgjodh Abaz Kupi i cili asokohe njihej si antifashist dhe kishte marrë pjesë në luftë kundër okupimit të Shqipërisë, Më vonë nuk u pajtua me Lëvizjen komuniste dhe Luftën Nacional Çlirimtare dhe iu bashkua forcave organizatës së quajtur “legaliteti.

Më  21 nëntor të vitit 1949 u vra Nuri Luçi, në një luftë të armatosur kundër një bande diversantësh që kishin hyrë nga Jugosllavia. Ai ra trimërisht në Zhej të Krujës,

 

Më  22 nëntor të vitit  1908 kishte kryer punimet Kongresi i Manastirit, i cili kishte filluar  më 14 nëntor. Kryetar i Kongresit me vota të fshehta ishte zgjedhur  Mit`hat Frashëri,  nënkryetar Luigj Gurakuqi dhe Gjerasim Qiriazi. Ditën e tretë të punimeve u krijua komisioni i Alfabetit të gjuhës shqipe dhe kryetar i këtij komisioni u zgjodh poeti Gjergj Fishta me anëtarë të tjerë Ndre Mjedën, Luigj Gurakuqin, Sotir Pecin, Bajo Topullin etj. Kongresi i Manastirit u nda në katër grupe dhe tre ditë rresht punuan veçmas. Grupet patën diskutime të gjata dhe të ashpra për të zgjedhur variantin e secilit grup, madje debati zgjati saqë u rrezikua edhe kompromisi. Por ka qenë këmbëngulja e Ndre Mjedës që u arrit kompromisi i madh historik. Në proçesverbalin origjinal të Kongresit thuhet: Të nesërmen, para se të fillonte punimet kongresi, Dom Ndre Mjeda shkoi tek Mih`tat Frashëri dhe i paraqiti dy alfabete. Zoti Frashëri, pas një diskutimi të shkurtër ngeli i kënaqur dhe i tha Mjedës që këto dy variante t`i paraqiteshin komisionit. Pas pranimit të projektit të alfabetit të e kishte paraqitur Gjergj Fishta i gjithë komisioni nënshkruoi  vendimin me një penë të vendosur mbi flamurin kombëtar, të gjithë zotërinjtë delegatë dhanë besën e tyre, ka shkruar asokohe Gjergj Fishta.

Më 22 nëntor të vitit 1961 vdiq Aleksandër Xhuvani. U lind më 14 mars të vitit 1880, në Tiranë.  Ishte mësues i Popullit, profesor dhe shkencëtar i shquar, gjuhëtar, pedagog dhe psikolog. Mësimet para i mori në vendlindje ndërsa shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin – Konvikt të Çotilit, asokohe në Vilajetin e Manastirit. Studimet e larta i kreu në fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës, 1903-’06. Në gusht të 1906 shkoi në Napoli ku u njoh me Luigj Gurakuqin  të japë gjuhë shqipe në Shën Mitër Koronë. Khehet në atdhe, në vitin 1908. Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit të vitit  1909.  Me hapjen e Normales së Elbasanit qe mësues dhe më vonë drejtor i kësaj shkolle. Në këtë kohë ai iu fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe. Më 25 mars 1910 qe bashkëpunëtor i Lef Nosit në hapjen e revistës “Tomorri”. Shkolla Normale u mbyll pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në verën e vitit 1910. Në këtë kohë, Xhuvani largohet për në Kairo ku formohet shoqëria bashkimi me dr. Mihal Turtullin, Filip  Shirokën dhe  Çajupin. Emërohet redaktor i gazetës “Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A.Xhuvani shkon në Aleksandri, ku emërohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”. Në verën e vitit 1920 ishte kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës, që mori një sërë masash për organizimin e arsimit kombëtar dhe vendime për përcaktimin e terminologjisë shkollore. Me marrjen e pushtetit nga partizanët u thirr në Ministrinë e Arsimit, ku nis nga puna për hartimin e teksteve dhe metodologjive të reja. Ishte  edhe anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Nga janari i vitit 1947 deri në shtator 1953 punon si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe e të Letërsisë të Institutit të Shkencave. Në vitin 1953 zhvillohet Konferenca e Ortografisë, e cila kodifikoi drejtshkrimin e shqipes. Në vitin 1954 nën kujdesin e profesor Xhuvanit u realizua hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”. Më 1945 ai zgjidhet përfaqësues i popullit në Asamblenë Kushtetuese dhe më pas deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit Popullor. Vdiq më 22 nëntor  të vitit 1961.

 

Më 23 nëntor të vitit 1843 në Kozencë të Italisë,  lindi  Bernard Bilota, gjuhëtar, poet, folklorist e studiues arbëresh. Qe nismëtar i dy kongreseve gjuhësore arbëreshe. Bilota ka lënë një  krijimtari të pasur letrare e studimore. Veprat e tij më të rëndësishme  janë Mërkuri i dorësit”, “E bukura e jetës”, “Shpata e Skënderbeut në Dibër të Poshtme”; “Fjalor fjalësh dhe e folmja e vendlindjes”, etj. Vdiq në vitin 1918.

Më 23 nëntor të vitit 1941 u themelua në Tiranë, Organizata e Rinisë Komuniste Shqiptare, në krye të së cilës ishte emëruar Qemal Stafa, më vonë Hero i Popullit. Qemal Stafa ishte Kandidat për sekretar të përgjithshëm i Partisë Komuniste Shqiptare, Ai qëndronte në shtëpinë e Bije Vokshit, nënës së Asim Vokshit  në Tiranë. Më 4 maj 1942 u largua nga kjo shtëpi sepse atje shkoi Enver Hoxha, i cili e njoftoi se duhej të shkonte në një bazë më të sigurt. Të nesërmen e kësaj dite më 5 maj 1942 karabinieria shkoi në shtëpinë të marrë me qira nga Beqir Minxhozi, në atë kohë punonjës i Bankës Kombëtare të Punës. Kontrata e qirasë së shtëpisë ishte bërë vetëm tri ditë më parë. Në rrethana të pasqaruara mirë, Minxhozi u arrestua. I lidhur ai u detyrua të tregonte shtëpinë ku strehohej Stafa, e fejuara, Drita Kosturi, Kristo Themelko, Gjustina Sata, që ishte Flora Dishnica dhe kushërira e saj, Marie Lezhja. Në raportin e saj për këtë ngjarje, karabinieria nuk e përmend Themelkon.

Më  23 nëntor të viti  2000 vdiq Xhemail Mustafa. Ishte gazetar, politikan, publicist, shkrimtar shqiptar dhe këshilltar politik i kryetarit tp LDK-së, Ibrahim Rugova dhe antar i LDK-së. U vra  në Prishtinë në hyrje të apartamentit të tij ku u qëllua për vdekje nga dy sulmues.  Xhemail Mustafa lindi në fshatin Gllamnik të Komunës së Besianës. Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në vendlindje, ndërsa diplomoi për gazetari në Universitetin e Prishtinës. Nga fundi i viteve 70-ta punoi në gazetën Rilindja si redaktor i kulturës  dhe më pas në vitin 1992, punoi në Qendrën e Informimit të Kosovës (QIK) deri në fund të jetës se tij ku dha kontribut të jashtëzakonshëm.

 

Më 24 nëntor të vitit 1921 u lind në Tiranë, Prokop Murra, kuadër i lartë i Partisë komuniste shqiptare, më vonë i Partisë së Punës. Kreu studimet e larta për ekonomi dhe luftoi në Luftën e Dytë Botërore si partizan i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Në 1943 iu bashkua Partisë Komuniste Shqiptare si funksionar i sektorit ekonomik dhe industrisë së Naftës. Në vitin 1956 u bë anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. 6 vite më vonë, u zgjodh për herë të parë si përfaqësues në Kuvendin Popullor, pjesë e të cilit mbeti deri në fund të legjislaturës së pestë në 1966. Në vitet ’70 kreu përkohësisht funksionin e Sekretarit të parë të Partisë së Punës në Shkodër. Gjithashtu, u emërua Zëvendës Kryetar i Komisionit të Planifikimit Shtetëror, pozicion të cilin e mbajti përkohësisht nga 1980 deri në 1981. Vdiq më 9 shtator të vitit 2005, pasi ishte ndjekur e persekutuar nga regjimi i Salih Berishës.

Më 24 nëntor të vitit 1962, në fshatin Kodrali të Deçanit u lind Bylbyl Ferizaj, Familja e Salizekëve të Kodralisë, në të cilën u lind dhe u rrit Bylbyli, ka një histori të lavdishme në luftërat që i zhvilloi populli shqiptar për liri e pavarësi dhe për mbrojtjen e trojeve etnike. Edhe në luftën e fundit ka dhënë një kontribut të pashoq për lirinë e Kosovës, si me pjesëmarrjen në luftën frontale, si në aspektin e logjistikës. Mbi të gjitha, kjo familje ka dhënë katër dëshmorë të kombit: Bylbylin, Ismetin, Përparimin e Salihun. Më 13 prill 1999, në Kodrali, Bylbyli bashkë me kushërinjtë Ismetin, Bashkimin e Skënderin, u kap në befasi nga trupat policore dhe paramilitarët serbë, ish-kolonë të Lumbardhit, Ratishit e Dashinocit. Po atë ditë ishin arrestuar edhe Shaqë, Nijazi, Ramadan e Halit Ferizaj dhe Isë Hasaj, nga i njëjti fshat. Ishin dërguar në Stacionin Policor në Deçan, ku ishin torturuar barbarisht dhe pastaj ishin vrarë e më në fund kufomat e tyre u hodhën në ujë nga Ura e Demës (në magjistralen Deçan-Pejë) në Lumin e Bardhë të Deçanit, e disa prej tyre edhe në bunarët e fshatit Strellc i Poshtëm. Më vonë trupi i Bylbylit ishte gjetur në Llukë të Poshtme të cilin e kishte bartur uji i lumit dhe ishte varrosur si trupi i personit të paidentifikuar. Në vitin 2001 u bë zhvarrimi i eshtrave të tij, për t’u analizuar me metodën e ADN-së. Pas identifikimit, trupi i dëshmorit u rivarros me nderime ushtarake më 18 tetor 2002 në varrezat e dëshmorëve, në fshatin Kodrali.

 

Më 25 nëntor të vitit 1913 lindi Petro Marko, shkrimtar i njohur shqiptar, revolucionar e atdhetar

Petro Marko lindi në fshatin, Dhërmi të Bregut,  nga prindërit Marko e Zoica. Pasi kreu filloren në fshatin e Lemjes më 1924, shkoi nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë të cilën e mbaroi më 1932. Në atë shkollë pati, ndër të tjerë, si drejtor arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues Ernest Koliqin; shkollë në të cilen jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve i prezantoi me “Manifestin komunist” të Karl  Marksit. Pasi kreu shkollën i takon të sillet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe në kërkim të ndonjë pune, derisa takon Hilë Mosin e  Asim Vokshin. Takohet me Migjenin para se të niset për në Itali. Nga bashkëveprimtarët internacionalistë caktohet kryetari i grupit prej 113 vetash që u nis për në Albacete të Spanjës ku ishte qendra e Brigadave Internacionale. Bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë.  Ishte në mesin e luftëtarëve shqiptarë si Mehmet Shehu, Asim Vokshi,  Xhemal Kada, Zef Hoti, Justina Shkupi e shumë të tjerë.  Pasi largohet nga Spanja ktheht në Itali e më vonë në Shqipëri. Pas afër tri vitesh kthehet në atdhe sepse Kominterni kishte porositë t’i çonte legalisht ose jo, të gjithë komunistët në vendet e tyre. Gjatë pushtimi fashist harton trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit. E burgosin në Vlorë, në Tiranë dhe në vitin 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë. Pas çlirimit te jugut të Italisë nga forcat aleate anglo-amerikane çan burgun së bashku me të burgosur të tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane. Ka qenë ndër shkrimtarët më të lexuar në kohën e regjimit komunist jo vetëm në Shqipëri por kudo në trohet shqiptare. Ka shkruar veprat: Hasta la vista, Qyteti i fundit,  Një emër në katër rrugë,  Ara në mal, Nata e Ustikës, Shpella e piratëve e shumë vepra të tjera artistike letrare dhe publicistike.

Më 25 nëntor të vitit 1919 lindi në Shkodër,  Vehbi Ismaili. Babai i tij Haxhi Ismail Hakiu, ishte njëri prej dijetarëve të njohur të Shkodrës dhe i respektuar në tërë qytetin. Biblioteka e tij kishte mijëra libra në gjuhën arabe, turke dhe persiane. Katër klasa të para të fillores i kreu në Shkodër.  Në Krujë kryen shkollën fillore, meqë nuk kishte shkollë të mesme dhe njëherësh nuk gëzonte shëndet të mirë, për dy vjet shkoi si praktikant në zyrën e tatimeve të financës në këtë qytet. Ndërsa në vitin 1933 regjistrohet në Medresenë e Naltë në Tiranë, e cila zgjaste tetë vjet. Gjatë kohës si nxënës në Medrese, filloi të shkruante në revistën Zani i Naltë, që ishte organ mujor, kulturor e fetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Kjo u ndihmonte shumë, meqë drejtori I saj, Haki Sharofi, ishte edhe mësues i gjuhës shqipe. Po ashtu bashkëpunonte edhe me Vatrën e Rinisë, që ishte një e përjavshme për të rinjtë. Këtu botonte tregime të shkurtra. Nga fundi i vitit 1948 merr një letër nga Shoqëria Shqiptaro-Amerikane Myslimane në Detroit, Miçigan, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilën ftohej të bëhej udhëheqës i tyre fetar. Ka shkruar veprën “Jeta Myslimane Shqiptare në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Kjo vazhdoi të dalë për tetë vjet dhe u botuan gjithsej 32 numra. Shumica e artikujve ishin fetarë, por shkruheshin edhe artikuj letrarë e kombëtar, sikurse dhe lajmet e bashkësisë islame shqiptare. Vdiq më 19 maj të vitit 2008, në Amerikë.

Më 25 nëntor 1998 kanë rënë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Isuf Olluri dhe  Shkelzen Hasanaj

Më 25 nëntor të vitit 1997 forcat e UÇK-së në krye me Adem Jasharin, sulmuan forcat e policisë serbe në Vajanik të Skenderajt. Atë ditë  forcat policore serbe kishin rrethuar lagjen Binakaj të fshatit Vajnik të Skënderajt, me qëllim për ta arrestuar luftëtarin e Adem Jasharit,  Abedin Rexha, i njohur me nofkën e luftës, “Sandokani”.  Abedin Rexha bashkë me vëllezërit: Afrimin, Brahimin dhe bashkëluftëtarë të tjerë  u kishte dalë përballë forcave serbe duke iu kundërpërgjigjur me breshëri zjarri të automatikut. Gjatë luftimeve, serbët kishin plagosur 11-vjeçarin, Baki Krasniqi.  Atë ditë policët serbë  pasi kishin humbur dy pjesëtarë u tërhoqën me shpejtësi nga frika se do të pësonin edhe më keq.

 

Më 26 nëntor të  vitit 1912, kadiu dhe kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit, hafiz Ali  Podgorica  e ngriti flamurin kombëtar për shpalljen e mëvetësisë kombëtare. Patrioti i lindur në Podgoricë, në vitin 1855, i mbetur jetim në moshën 6 vjeçare, i rritur në Shkodër, e i shkolluar në Stamboll, ishte pajisur  me dije fetare, juridike e politike, mbi të gjitha ishte i pajisur me ndjenja të mirëfillta kombëtare,  të cilat e nxitën të punojë të për forcimin e kombit shqiptar. Në vitin 1909, bëhet kryetari i parë i Bashkisë së Durrësit. Roli i tij si kryetar bashkie ishte shumë i madh në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Kur dështoi ngritja e flamurit në Durrës, me 24 nëntor të viti 1912, hoxha, Hafiz Ali Podgorica, organizoi patriotët shqiptarë dhe me datën 26 nëntor 1912, hoxha ngriti flamurin në Durrës.

Më  26 nëntor  të vitit 1960 vdiq në Bruksel, Fiqri Dine.  Ishte  prijës i fisit të Dinejve të Dibrës, ushtarak shqiptar dhe kryeministër Shqipërisë, prej 18 korrik  deri  29 gusht të vitit 1944. U lind në Maqellarë  të Dibrës,  më 28 mars të vitit 1898 ishte djali i parë i Dine Maqellarës. Shkollën e mesme e kreu  në  Dibër. Më 1914 dhe nis akademinë ushtarake në Wels të Austrisë. Me të mbaruar akademinë ushtarake më 1919, kthehet në atdhe. Në fillim  punon për disa muaj në funksionin e nëntogerit, në Shkodër. Me formimin e qeverisë të dalë prej Kuvendit të Lushnjës, Fiqiriu inkuadrohet në radhët e xhandarmërisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, me gradën e togerit. Me vazhdimin e detyrës në Shkodër përballet me Luftën e Koplikut, ku vepron bindshëm. Pas dhjetorit të 1924 me fitoren e Legalitetit, Ahmet Zogu  e emëron si njërin prej katër komandantëve që do të mbikëqyrnin Shqipërinë e Veriut.

Më 26 nëntor të vitit 1997 , forca të shumta të policisë serbe me autoblinda pizgauerë mitralozë të rëndë dhe me një helikopter që përcillte zhvillimet nga lartë, ishin nisur në relacionin Skenderaj-Llaushë-Rezallë e Re. Në vendin e quajtur “Klisyra”, në drejtim të Turiçecit, kishte zënë pritë komandanti, Adem Jashari me njëzet luftëtarët e tij. Atë ditë, forcat serbe, në këtë pritë, u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem Jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u linte shteg për ti akorduar veprimet luftarake. Piloti i helikopterit, disa herë i goditur nga armët e luftëtarëve të lirisë  nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem Jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skenderajt, forcat serbe, në shenj hakmarrjeje derdhin breshëri plumbash në shkollën e fshatit Llaushë, me ç’rast merr plagë vdekjeje mësuesi, Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha.

 

Më 27 Nëntor 1878, autoritete të larta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit miratuan një memorandum, të cilin ua dërguar fuqive të mëdha dhe trajtonte çështjen e autonomisë së trojeve të katër Vilajeteve shqiptare në një shtet autonom  shqiptar në Ballkan.

Më 27 nëntor të viti 1972 vdiq  Viktor Eftimiu, dramaturg i madh rumun me origjinë shqiptare. U  lind në vitin 1889 në Boboshticë të Korçës. Ishte shkrimtar arumun i përmasave të mëdha, si poet me 60 mijë vargje të botuara, prozator me disa romane e vëllime me tregime, dramaturg me shumë pjesë të vëna në skenë, eseist, etj. Viktor Eftimiu shkroi në gjuhën rumune, botoi dhe i vuri në skenë veprat e tij në teatrin e Bukureshtit dhe më pas disa syresh u përkthyen në gjuhën shqipe, u botuan dhe u vunë në skenë edhe në Tiranë. Veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera, dramat dhe komeditë e tij janë vënë në skenë edhe në kryeqytete të tjera të Evropës e më gjerë. Viktor Eftimiu nga Boboshtica e Korçës, që u bë figurë e rëndësishme e kulturës rumune, është edhe më tepër se përfaqësues i kulturës rumune dhe shqiptare. Fama e tij është mbarë evropiane, prandaj shqiptarë e rumunë kanë të drejtë të krenohen me emrin e tij.

27 nëntor të 1968  me rastin e demonstratave në Prishtinë  u vra nga milicia serbe protestuesi, Murat Mehmeti, nxënës i shkollës së mesme. Në demonstratat e vitit 1968 rinia dhe inteligjecia shqiptare e asaj kohe kërkoi avansimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, themelimin e Universitetit të Prishtinës, por edhe barazinë e Kosovës me republikat e tjera. Demonstrata e shtypën me dhunë ndërsa qindra demonstrues u arrestuan dhe u dënuan me burg.

Më 27 nëntor të vitit 1932 në Veleshtë të Strugës lindi,  Zijadin Qira, atdhetar e veprimtar i njohur. Në vitin 1944, si pionier, iu bashkua brigadave shqiptare, të cilat, pas çlirimit të Shqipërisë, kishin kaluar në viset shqiptare këndej kufirit për të vazhduar luftën kundër fashizmit. Pas mbarimit të luftës regjistrohet në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Pas Rezolutës së Informbyrosë në vitin 1948 dërgohet me “detyrë speciale” në Jugosllavi. Vazhdon mësimet në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë në Kragujevc dhe merr gradën nëntoger. Edhe pse i ri, duke i parë padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar nga ana e regjimit komunist jugosllav, vendos që të luftojë për lirinë e tij, por edhe kundër komunizmit si sistem represiv në përgjithësi. Në nëntor të vitit 1949, arrestohet me akuzën se është vënë në shërbim të CIA-s amerikane dhe pas më se 13 muajsh qëndrimi në burg hetues. Më 31 maj 1956 arrestohet përsëri dhe pas hetimeve sfilitëse e torturave çnjerëzore, të cilat i përballon stoikisht, nxirret në gjyq. Prokurori i Gjyqit të Qarkut në Ohër kërkon dënim me vdekje për të akuzuarin Zijadin Qira. Dënohet me 15 vjet burgim, dhjetë prej të cilave i mban në burgun famëkeq të Idrizovës (pesë ia zbret Gjyqi Suprem i Maqedonisë në Shkup), kurse plot shtatë vjet e katër muaj i kalon në qeli – në qelinë më të keqe të burgut të Idrizovës, të cilën shokët e tij të burgut do ta quajnë “qelia e Zijadinit”. Vdiq më 5 tetor të vitit  2002, në Nju-Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Më 28 nëntor të vitit 1443 Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, pasi ne krye të 300 ushtarëve besnikë ishte kthyer në atdhe, ai ngriti Flamurin shqiptar në Krujë. në fillim të nëntorit të vitit 1443, braktisi ushtrinë e Perandorisë Osmane gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modrisës.  Në vitin 1444, ai u emërua prijës i Lidhjes së Lezhës, që konsolidoi fisnikërinë e trevave shqiptare të kohës. Përkundër vlerës së tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë se sa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, luftoi me sukses duke mbrojtur trojet stërgjyshore.

Më 28 nëntor të vitit 1912, Shqipëria u shpall shtet i pavarur nga Ismail Qemali. Shpallja e Pavarësisë ose Deklarata e Pavarësisë është shpallja e pavarësisë së Vilajetit shqiptar nga Perandoria Osmane. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali si dhe Pleqësinë. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë, për shkak se kombi shqiptar ishte i rrezikuar nga vendet fqinje sepse kishte një vlerë të madhe gjeografike dhe strategjike. Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët kundër osmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë. Prandaj, shqiptarët nuk hynë në një aleancë, krerët e së cilës synonin t’i përdornin ata si mish për qentë në luftën kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje.

Më 28 nëntor të vitit 1955 u lind, Adem Shaban Jashari. Adem Jashari ishte i biri i Shaban Jasharit dhe i Zahidesë. Ai lindi në ditën më të shënuar të historisë sonë kombëtare, më 28 nëntor, në datën e kthimit të Gjergj Kastriotit në Krujë dhe në datën tjetër të historisë, kur plaku Ismail Qemali shpalosi në Vlorë flamurin e pavarësisë të Shqipërisë. Ademi lindi në Prekaz, më 28 nëntor të vitit 1955, në dimrin që mbahet mend për acar dhe dhunë mizore që ndërmori regjimi jugosllav kundër shqiptarëve, më pretekst të kërkimit të armëve në mbarë Kosovën. Ishte koha e fillimit të  aksionit famëkeq për çarmatosjen e shqiptarëve. Më 28 nëntor të vitit 1998 Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin e shpall Komandant Legjendar të UÇK-së. Garda e Kosovës mban emrin e Adem Jasharit. Me rastin e një vizite në Prekaz, kryeadministratori i parë i Kosovës Bernard Kushner, ishte shprehur: Po të kishte çmim Nobel për liri, ai çmim do t’i takonte familjes Jasharaj të Prekazit. Për Adem Jasharin janë shkruar libra, drama, broshura dhe jetëshkrime të panumërta, nga shumë intelektualë shqiptarë dhe të huaj. Janë shkruar dhjetëra e qindra shkrime të autorëve të ndryshëm, në shtypin ditor dhe në atë periodik. Janë emërtuar shumë sheshe dhe rrugë qytetesh në Prishtinë, në Ti-ranë, në Gjirokastër dhe kudo në trojet e Shqipërisë Etnike. Është kryer Kompleksit memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. Emri i Adem Jasharit, pa dyshim, është emri më i frekuentuar shqiptar në mediat shqiptare dhe botërore, qysh nga 5 marsi i vitit 1998. Pothuajse nuk ka familje shqiptare që nuk e ka portretin e Adem Jasharit.

Më Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetme për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternative të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe në Dukagjin.

 

Më 29 nëntor të vitit 1944 Shqipëria, pa ndihmën e askujt por me forcat e veta luftarake u çlirua  nga pushtimi fashist. Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.  Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Pa Shkodrën e çliruar nuk mund të kishte Shqipëri të çliruar. Shkodra nuk ishte vetëm një  territor , ajo kishte qenë dhe ishte shpirti i Shqipërisë, kryqendra historike e Veriut te saj, kryeqyteti i lashtësisë së saj ilire .Shkodra  ishte qendra e fundit në Shqipëri ku qenë grumbulluar  rreth 3000-4000 gjermanë dhe 2500  bashkëpunëtorë të tyre. Informacionet e kohës japin të dhëna për  bashkëpunëtorë të tjerë. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.

Më 29 nëntor të vitit 1992,  vdiq Andrea Skanjeti. Ishte regjisor dhe dramaturg  i njohur shqiptar. U lind më 21 gusht të vitit 1906, në Shkodër. Në moshën 12-vjeçare shkroi dramën e tij të parë “Kusarët”, e cila tërhoqi vëmendjen e specialistëve. Në vitin 1946 u emërua regjisor në Shtëpinë e Kulturës, Shkodër. Ka vënë në skenë shfaqjen me tri akte “Dasma shkodrane”, e para në llojin e vet në Shqipëri, gjithashtu operën e parë shqiptare “Mrika” të Prenk Jakovës me Libret të Llazar Siliqit, e cila pati sukses të jashtëzakonshëm. Skanjeti njihet si themeluesi i Teatrit të Kukullave dhe ndër nismëtarët kryesorë të krijimit të Estradës së Shkodrës. Shkroi dramën “Andrra e 500 vjetëve” e cila është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë. Rolin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut e ka luajtur Kolë Mirashi. Nxitjen për këtë dramë Autori e ka marrë nga Dom Ndre Mjeda. Po ashtu shkroi edhe dramën e ndarë në tri akte “Nora”.

Më 29 nëntor të vitit 1924 lindi në Gjakovë, Liza Vorfi, aktore  dhe artiste e njohur shqiptare. Në 1932 familja e saj shpërngulet nga Gjakova  në Tiranë. Aktivitetin artistik e ka filluar qysh në vitin 1939 si këngëtare në Radio “Tirana”. Gjatë viteve 1939-1943 vazhdoi studimet në Itali në konservatorin e Romës dhe më pas në Pizaro. Në vitin 1945 pas çlirimit të Shqipërisë nga fashizmi kthehet në atdhe dhe i kushtohet jetës kulturër yë vendit të shkatërruar gjatë luftë. Rolin e parë e interpreton në pjesën “Gjido”. Gjatë karrierës së sajë ka zhvilluar mbi mbi 60 role si: Elmira “Tartufi”, Dezdemona “Otello”, Dorina te “Borgjezi fisnik”, Beatriçja te drama “Shërbëtori i dy zotnive”, Dona Luçia në “Karnavalet e Korçës”, Marta në dramën “Cuca e maleve”, Mara në  “Përmbytja e madhe” dhe shumë pjesë teatrale dhe filma. Ka interpretuar me sukses edhe në filmin artistik. vdiq në Tiranë më 30 janar 2011.

 

Më 30 nëntor të vitit 1943 u vra Tomorr Sinani. U lind në Elbasan në vitin 1921. Normalen e kreu në vendlindje, Iu bashkua radhëve të partizanëve që në fillim të luftës së armatosur antifashiste.  Ishte sekretar i rrethit të Elbasanit. Më 30 nëntor të vitit 1943  u kap nga gjermanët dhe u pushkatua.

Më 30 nëntor 1998 vdiq në në Tiranë, Nikë Qafzezi. U lind në Korçë më 26 tetor të vitit 1914.  Pas përfundimit të Liceut francez të Korçës , shkoi për të studiuar në Fakultetin e Bujqësisë në Perugjia të  Italisë. Pasi u kthye në Shqipëri punoi si agronomi në Kosovë deri në vitin 1943. Nga viti 1943 deri më 1952 punoi në Ministrinë e Bujqësisë si Kryetar i Prodhimit Agrar. Menjëherë pas hapjes së Institutit të Lartë të Bujqësisë së Kamzës, sot ” Universiteti Bujqësor i Tiranës “, u emëruar si pedagog dhe punoi atje për rreth 20 vjet në Institut. Përveç mësimdhënies, Qafzezi do të shërbente si Shef i Departamentit dhe do të kryente eksperimente në Institut si dhe rrethe të vendit me fara të grurit të elitës në bashkëpunim me Profesorin Italian Çirilo Maliani . Shumë shpejt këto eksperimente çuan në rritjen e rendimentit të grurit në Shqipëri. Ai vdiq në 1998 në moshën 84 vjeç në Tiranë.

Më 30 nëntor të viti 1962, lindi Elvira Diamanti, aktore e njohur e teatrit dhe kinemasë. Roli i saj më i spikatur mbetet ai i Marigosë në filmin “Përrallë nga e kaluara”. Pas mbarimit te studimeve ne Institutin e Larte te Arteve, me 1986 filloi pune si aktore ne Teatrin Popullor. Interpretoi kryesisht role me kahe pozitive, vajza romantike e të dashuruara, jo rrallehere edhe me fund dramatik a tragjik; Luajti me sukses në pjesën tetrale, Kush e solli Doruntinen të Ismail Kadaresë. Ka luajtur me sukses edhe në 12 filma. Ne vitet 2000-2007 ishte drejtore e Teatrit Kombëtar të Kukullave në Tiranë. Pas nje periudhe te shkurter pune ne Presidencë, drejton prej vitesh Arkivin Qendror Shteteror te Filmit ku dhe fale punes se saj jane restauruar nje sere filmash e dokumentaresh me fonde kryesisht te huaja por edhe shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Kalendari kombëtar i Radios-Kosova e Lirë, muaji prill

Kalendari kombëtar i Radios-Kosova e Lirë, muaji prill

Më 1 prill  të vitit 1890, në Tivar,  u lind, Martin Gjoka, muzikant dhe kompozitor …