Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – muaji qershor

Më 1 qershor të vitit 1939 u lind Abdyl bej Frashëri, ideolog i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ushtarak, deputet shqiptar në Parlamentin Osman. U lind në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës. Ishte i biri i Halit beut dhe i nënë Eminesë, vëlla i dy personaliteteve më të njohura shqiptare të kohës, Naim dhe Sami Frashërit. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo Kriza Lindore rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare. Në fund të vitit 1877, duke qenë deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman, u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll. Abdyl Frashëri u shqua si udhëheqës, organizator, diplomat dhe aktivist i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Ai qe organizatori kryesor i Kuvendit të Prevezës, në janar të viti 1879, i cili arriti ta pengonte lëshimin e Çamërisë në favor të Greqisë.  Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellë prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Prej aty u dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tre vjet, por  që ia rrënoi përfundimisht shëndetin. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Vdiq më 23 tetor të vitit 1892.

Më 1 qershor të vitit 1999, kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, kishte kërkuar të mos u besohej taktikave e lëvizjeve të Milosheviqit pa plotësimin 5 kushteve që i kishte vënë NATO-ja. Po atë ditë edhe zëdhënësi i NATO-s Xhejmi Shia kishte kërkuar që Serbia të pranonte pesë kushtet, ndër to edhe tërheqjen nga Kosova të të gjitha forcave ushtarake e policore.

Më 1 qershor të vitit  1999  kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Avdi Ibrahim Xhaçku, Lavdim Rexhep Likaj, Agim Zenuni, Arton Adem Lekaj, Patriot Dan Berisha, Vesel Nebihu, Murat Zenel Kadriaj, Remzi Bejtë Maksuti, Mustafë Mursel Haxhiu e të tjerë.

Më 2 qershor të vitit 1909, në Betejën e Qafës së Morinës kundër forcave turke ka rënë në altarin e atdheut, Ali Jakupi nga Bujani i Tropojës. Në atë luftë,  Ali Jakupi e vrau bimbashin turk, por mbeti edhe vetë i vrarë. Në luftime ishte vrarë edhe Ndue Zeneli, prej Nikaj-Mërturit.

Më 2 qershor të vitit 1918 u lind, Gjin Marku, komandant partizan, pjesëmarrës  i LANÇ-së dhe kuadër i lartë ushtarak i Shqipërisë së pas luftës. Sapo u emërua në Korçë, Gjin Marku bie në kontakt me intelektualë korçarë dhe bashkë me ta fillon dhe aktivitetin antifashist e komunist në vitin 1936, në kuadër të Grupit Komunist të Korçës, duke qenë një nga drejtuesit kryesorë të këtij grupi. Nëpërmjet Koço Tashkos, vëllezërve Gaqo e Pilo Peristeri, Gjin Marku njihet edhe me Enver Hoxhën, në atë kohë profesor në Liceun e Korçës. Propaganda antifashiste kishte nisur më përpara se Shqipëria të pushtohej nga Italia më 7 prill 1939, pasi fashizmi ishte konsideruar rrezik për njerëzimin shumë vite më parë. Gjatë luftës, Enver Hoxha e kishte spostuar Gjin Markun nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste, duke e akuzuar për bashkëpunim me gjermanët dhe Gjin Markun si përgjegjësin kryesor. Pas luftës për motive politike ishte përjashtuar nga radhët e PPSH-së dhe ishte dënuar me burg të rëndë. Pas 25 viteve të kaluara në burg, vdiq në Burgun e Burrelit në vitin 1986.

Më 2 qershor 1998, në luftë kundër forcave policore e ushtarake serbe   ka rënë, Abdyrrahman Gjylbehar Gerdellaj.

Më 2 qershor të vitit 1999, zëdhënësi ushtarak i NATO-s, Valter Xhet kishte deklaruar se forcat e Millosheviqit kishin llogaritur gabimisht se do ta shkatërronin UÇK-në. Aktualisht njësitet e UÇK-së jo vetëm që nuk janë shkatërruar, por ato po e detyrojnë ushtrinë e barrikaduar e të kamufluar serbe të zbulohet para aeroplanëve të NATO-s.

Më 2 qershor  të vitit 1999 kanë rënë në altarin e lirisë: Besim Bilall  Ukhaxhaj, Din Alush Kokleci, Faik Ukhaxhaj, Ibrahim Selman Mazreku,  Agron Selman Bytyçi, Jetullah Mehmet  Islami,  Mentor Abdullah Krasniqi

Më 3 qershor të vitit 1924, lindi Petraq Pilika. Ka vdekur ne prill te vitit 2009. Ishte profesor, anëtar i Akademisë së Shkencave, Mësues i Popullit, qytetar nderi i Korçes. Ai studioi në Fakultetin e Mekanikës në Institutin e Lartë Pedagogjik. Ai dha një ndihmesë të madhe në krijimin dhe konsolidimin e shkollës shkencore shqiptare të matematikës. Është autor i shumë artikujve shkencorë. Njihet si autor i teksteve, “Teoria e funksioneve të ndryshorit real”, “Teoria konstruktive e funksioneve”, e tekste të tjera.

Natën mes 2 dhe 3 qershorit të vitit 1999, në vendin e quajtur te “Vreshtat e Senikut” kanë rënë në altarin  e Atdheut dëshmorët e UÇK-së, Milaim Beha, Kujtim Krasniqi dhe Ejup Kryeziu. Atë natë, tre luftëtarët emblematikë të Njësive Speciale të SHP të UÇK-së deri sa po bënin përpjekje të depërtonin në Kleqkë, ku ndodhej Shtabi i Brigadës, 121 Ismet Jashari-Kumanova, bien  në pritë të forcave ushtarake serbe dhe pas një shkëmbimi të zjarrit kanë rënë në altarin e lirisë, Milaim Beha, Kujtim Krasniqi dhe Ejup Kryeziu. Edhe pse i plagosur rëndë,  kishte arritur të shpëtonte Hafir Kryeziu.

Më 3 qershor të vitit 1999 gjatë luftimeve kundër forcave serbe, në fshatin Zborc ka rënë luftëtari i lirisë Azem Hamit Kastrati, luftëtar i Batalionit, Ruzhdi Salihu, të Brigadës Kumanova. Po atë ditë, gjatë luftimeve në Blinajë  ka rënë edhe luftëtari i lirisë, Besim Sopa nga fshati Gjyrkoc i Shtimes.

Më 3 qershor të vitit 1999, kryetari amerikan Bill Klinton është takuar me Shtabin e Ushtrisë amerikane për të marrë një qëndrim lidhur me mundësinë e ndërhyrjes tokësore në Kosovë, në rast se regjimi ushtarak e policor i Milosheviqit nuk dorëzohet.

Më 3 qershor të vitit 1954 u lind në Mitrovicë, Bajram Rexhepi. Ai kishte studiuar mjekësinë, profesion të cilin e ushtroi për shumë vite.  Ka qenë pjesëmarrësi i luftës së UÇK-së. Ishte zgjedhur kryeministri i parë i Kosovës në periudhën e pasluftës. Pos kësaj detyre, ai ka qenë edhe kryetar i Mitrovicës, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ka shërbyer një mandat ministër i Punëve të Brendshme. Vdiq më 21 gusht të vitit 2017.

Më 4 qershor të vitit 1901 lindi Mulla Idriz Gjilani, atdhetar i njohur, komandant i njësive të rezistencës në luftë kundër partizanëve e çetnikëve jugosllavë, në mbrojtje të Gjilanit dhe të Kosovës Lindore. Nga prilli i viti 1941 Mulla Idriz Gjilani iu kushtua plotësisht veprimtarisë politike. Si hoxhë, si mësues me forcën e fjalës, si luftëtar me forcën e armës, si komandant me besnikërinë e ushtarit, ai luftoi për unitetin territorial të trevave shqiptare, luftoi kundër gjenocidit serb e bullgar. Në qershor të vitit  1944  drejtoi Betejën e Kitkës, ku shqiptarët e udhëhequr prej tij dolën fitimtarë kundër ushtrisë partizane e çetnike serbe. Veprimtaria e Mulla Idriz Gjilanit është heroike. E tillë është edhe periudha 1944-1949 në ilegalitet të thellë deri djegia  në zjarr më natën e 25-26 nëntorit të vitit 1949.

Më 4 qershor të vitit 1916 lindi Kristina Xhufi KOLJAKA- HOSHI. U lind dhe u rrit në Kavajë. Në vitin 1924  u largua për herë të parë nga familja dhe nga qyteti i lindjes. Së bashku me motrën e saj më të madhe studioi për dy vite rresht në kolegjin normal “Marçelino” në Leçe të Italisë, ku mori njohuri të plota për gjuhën italiane. Në moshën 11- vjeçare, më 1926, Kristina u kthye sërish në Kavajë, ku menjëherë filloi Kolegjin Amerikan që ishte hapur vetëm një vit më parë dhe funksiononte i ndarë për vajzat dhe për djemtë… Kristina ishte skulptorja e parë shqiptare e diplomuar në Akademinë e Romës, ku vite më parë kishin studiuar piktorët Vangjush Mio dhe Zef Kolombi. Kontributi i saj është i rëndësishëm për artin realist shqiptar veçanërisht gjatë viteve 1950-1960, kur artistët e daltës numëroheshim me gishtat e dorës dhe ishin të gjithë të diplomuar në Akademitë perëndimore të kohës. Vdiq më 21 tetor të vitit 2005.

Më 4 qershor të vitit 1999 nga burimet e Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë së lajmeve Kosovapres është raportuar për intensifikimin në një shkallë të lartë të luftimeve në të gjitha frontet në 7 zonat operative të UÇK-së.

Më 4 qershor 1999  kanë rënë dëshmorët  e UÇK-së: Enver Dobraj, Asllan Sefer  Berisha, Naser Krasniqi, Ymer Sylë Ahmeti e të tjerë.

Më 5 qershor të vitit 1920 filloi lufta e shqiptarëve për çlirimin e Vlorës, të cilën e kishte okupuar  Italia me lejen e Fuqive të Mëdha. Në atë luftë ka bërë emër prijësi popullor,  Selam  Musa Salaria, i cili edhe ka rënë trimërisht. Lufta e Vlorës ishte zhvilluar me një seri betejash mes forcave të Italisë dhe patriotëve shqiptarë në zonën e Vlorës për zotërimin e qytetit te Vlorës. Lufta zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës nga copëtimi total qe do i bënin pushtuesit italianë. Në 3 shtator 1920 pas shumë luftimesh të pabarabarta forcat shqiptare hynë fitimtare në qytetin e Vlorës duke i detyruar pushtuesit italianë të largoheshin, jo vetëm nga rrethi i saj por edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. Pas luftimeve  të ashpra u çliruan Kota dhe Drashovica. Një nga problemet më të rëndësishme të luftës ishte furnizimi me ushqime dhe municion. Xhafer Bej Ypi, Prefekti i Beratit, vendosi t’i sjellë deri në lumë pranë Selenicës të gjitha ndihmat e qeverisë. Kryeministri Sulejman Delvina dhe ministri i brendshëm Ahmet Zogu, përkrahën pa rezerva Luftën e Vlorës. Sali Bedini bëri organizimin e Vllehëve të zonës, të cilët me në krye Kolë Kitën, me karvanet e kuajve e shpinin furnizimin në magazinat e Llakatundit, Picarit, Lubonjës dhe prej andej në Kotë ku merrej në dorzim nga Ali Gjiriti dhe Izet Borshi.

Më 5 qershor 1998  në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave policore dhe ushtarake serbe  kanë rënë dëshmorët: Jeton Zeqir Dabiqaj, Gazmend Burim Lokaj, Beqir Haxhi Qufaj, Gazmend Selman Lokaj

Më 5 qershor të vitit 1999 për herë të parë gjatë luftës, avionët e NATO-s, në zonat e luftës së UÇK-së, ku ndodhej popullata e zhvendosur, kanë hedhur nga ajri pako ushqimore. Pako të tilla janë hedhur edhe në Grykat e maleve të Rrafshnaltës së Drenicës, ku ndodheshin rreth 100.000 pjesëtarë të popullatës civile, nën mbrojtjen e Brigadave 121, Ismet Jashari Kumanova, Brigadës 114, Fehmi Lladovci të Zonës së Drenicës dhe njësive Speciale të SHP të UÇK-së. Në këtë zonë brenda një dite ishin hedhur nga ajri 8.000 pako ushqimore.

5 qershor 1999 në Zonën Operative të Dukagjinit ku luftimet janë përshkallëzuar në çdo vend   kanë rënë duke luftuar përballë forcave serbe: Jeton Idriz Dedushaj, Lulzim Hashim Llugiqi, Kadri Qollaku e luftëtarë të tjerë të luftës së UÇK-së.

Më 6 qershor të vitit 1920 ka rënë në mbrojtje të Vlorës, kapedani popullor, Zigur Lelo.  U lind në fshatin Bashaj të Vlorës,  Fillimisht ka marrë pjesë në luftë kundër andartëve shqiptarë-vrasës grekë, me ç rast edhe ishte plagosur. Në luftën e Vlorës së vitit 1920 ka rënë së bashku me Selam Musanë e trima të tjerë.

Më 6 qershor 1944, ka rënë duke luftuar në Gur të Pretë të Oparit, në Labëri, kundër forcave fashiste gjermane, Xheladin Beqiri. Ka lindur në Gjilan. U rrit në Kurvelesh të Labërisë. Në vitin 1942 u rreshtua me partizanët. Ishte komandant i Batalionit të Pestë të Brigadën e Parë Sulmuese.

Më 6 qershor të vitit lindi në Tiranë,  Behxhet Nelku, aktor i njohur shqiptar. Në shtator të vitit 1963, pas diplomimit, pranohet aktor në Teatrin Kombëtar. Provën e parë të suksesshme Bexheti në Teatrin Kombëtar e kishte dhënë që në vitin 1957 me interpretimin e tij në dramën “Orët e Kremlinit, kur ishte ende nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Bexhet Nelku për pak vite artistike arriti të realizojë shumë role. Gjatë viteve 1963 – 1970 interpretoi në 20 pjesë, tre role, disa  në filmin artistik, që ishte në hapat e para të tij. Më 21 nëntor 1970 u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë.

Më 6 qershor të vitit 1998, kanë rënë në altarin e atdheut  Shaban Zeqë Mazrekaj, Hasan Hasani e Xhavit Hasani…

Më 6 qershor të vitit 1999 kanë rënë dëshmorët e UÇK-së:  Burim Sadik Mustafaj, Halim Milazim Qallapeku, Shaban Xhemajli, Shpend Zeqë Malaj.

Më 6 qershor të vitit 2001 në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në Maqedoni kanë rënë dëshmorë: Labinot Gani Krasniqi, Visar  Krasniqi dhe Hilmi Hoti.

Më 7 qershor 1917 u lind Qazim Turdiu, profesor, metodist, Mësues i Popullit. Vdiq në Tiranë në vitin 1989. Ka qenë arsimtar, pedagog dhe autor i shquar shqiptar në fushën e matematikës. Për kontributin e tij në lëmin e arsimit si pjesë e plejadës së arsimtarëve të pas pavarësisë si Eqrem Çabej e Arshi Pipa dhe në hullinë e teksteve akademike është nderuar me tituj të shumtë. Iu dha titulli Docent, që më 1957, grada e Kandidatit të Shkencave, më 1960; u bë Mësues i Merituar, më 1965; iu dha titulli Profesor, më 1972; u dekorua me urdhra dhe medalje të shumta.

Më 7 qershor të vitit 2018, në moshën 88-vjeçare ka vdekur poeti i njohur dhe akademiku, me origjinë shqiptare nga Reka e Maqedonisë, Mateja Matevski. Ai ka lindur në Stamboll në vitin 1929, fëmijërinë e ka kaluar në Gostivar, kurse ka studiuar në Beograd dhe në Shkup, ku dhe ka mbaruar Fakultetin Filozofik. Poeti i njohur është autor i shumë veprave poetikë ku disa prej tyre janë “Rrethi”, “Lipa”, “Lindja e tragjedisë”, “Largësia”, “Kulla e zezë”. Akademiku Matevski gjithashtu ka qenë edhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase, drejtor i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Maqedonisë, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Maqedoni, si dhe i njohur me shumë çmime të fituara në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Më 7  qershor 1999  kanë rënë dëshmori i luftës së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës,  Safet Rexhepi.

Më 7 qershor përkujtohen dëshmorët luftës së UÇK-së nga fshati Bllacë i komunës së Therandës:   Bislim Zekolli, Mehmet Lumi, Shaban Nuhi Iballi, Kadri Çollaku, Sahit Tixhaj,  Sadri Hasan Guraziu  dhe Salih Kermeni

Më 7  qershor 1999, në luftë kundër forcave ushtarake e policore mserbe   ka rënë dëshmori i luftës së Ushtrisë çlirimtare të Kosovës,  Safet Rexhepi.

Më 8 qershor të vitit 1944  u vra Zaho Koka, atdhetar, partizan. Më 25 gusht të vitit 1942 kryesoi aksionin në Vishë ku iu zu pritë oficerëve Luigji Moretti dhe karabinierit Fulvio Capelletti në makinën italiane. Në fillim të luftës bëhet pjesë e çetave partizane dhe në vitin 1942 u fut në Brigadën e Pestë Sulmuese, duke marrë dhe rolin e zëvendës-komisarit  komisarit të Batalionit të III të kësaj Brigade.

Më 8 qershor të vitit 1964, organet e UDB-së kishin arrestuar  ideatorin dhe kreun e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, Adem Damaçin me 13 bashkëveprimtarët e tij: Hazir Shala, Ahmet Haxhiu, Azem Beqiri, Selaudin Daci, Sabit Ratkoceri, Abdyl Lahu, Xhafer Mamuxhiku, Dibran Bajraktari, Sabri Novosella, Njazi Straja, Vezir Ukaj, Enver Mehmeti dhe Selman Berisha.  Arrestimet vazhdojnë edhe më 28 qershor, por edhe në muajin korrik, gusht e më vonë. Pjesa dërrmuese e pjesëtarëve por edhe e simpatizantëve të LRBSH-së ishin arrestuar gjatë asaj vere. Më 3 gusht të atij viti Milicia dhe inspektorët e UDB-së arrestojnë edhe Fazli Graiçevcin. Pas dy javë torturash intensive, në burgun e Prishtinës, regjimi i kohës ia merr jetën mizorisht. 10 ditë më vonë,  më 29 të atij muaji, pasi regjimi kishte mbyllur dosjen e Fazli Graiçevcit, të vulosur me vdekje, fillon gjykimi kundër grupit të parë të LRBSH-së, në krye me Adem Demaçin. Gjykimi zgjat katër ditë ndërkohë që 12 pjesëtarët e grupit dënohen pre 9 deri në 15 vjet burg të rëndë. Dënohet edhe grupi i Hilmi Rakovicës e më vonë ishin dënuar edhe disa grupe të tjera, në shumë qytete të Kosovës, si në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, etj.

Më 8  qershor  të vitit 1998  ka rënë dëshmor, Haxhi Halil Hoti

8  qershor  të vitit 1999 ka rënë  duke luftuar  kundër forcave ushtarake e policore serbe,  Enver ShefkiMiftari

Me 8 qershor të vitit 1999, është sulmuar me raketa të tipit tokë-tokë, vendqëndrimi i stafit të Radios-Kosova e Lirë, në vendin e quajtur, “Rrezja e Baliqit” në grykën e maleve mes Berishës dhe Nekovcit. Në momentin e shpërthimit të predhave të para, të gjithë anëtarët e stafit kishin hyrë me shpejtësi në bunker. Në perimetrin e rrethit në 100 metra katrorë vendi ishte goditur me 16 raketa rreth tendës së stafit të Radios.

8  qershor 2001 në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka rënë dëshmor  Agim Hasip Zenuni.

Më 9 qershor të vitit 1930 lindi  në Tiranë, poeti e publicisti Drago Siliqi. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Moskës. Pas kthimit në atdhe punoi si redaktor dhe drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Për herë të parë shkroi në moshën 15-të vjeçare. Vdiq më 13 korrik 1963 në një fatkeqësi të komunikacionit ajror. Veprat letrare janë: Antologjia e poezisë ruso-sovjetike, Këngë e re për dashurinë e vjetër, Zgjimi i pranverës, vjersha për fëmijët e moshës së rritur shkollore, Kur zemra flet,  poezi të zgjedhura.

Më 9 qershor të vitit 1999, u nënshkrua  Marrëveshja ushtarako-teknike në Kumanovë, i cila dha fund dhunës serbe në mbi popullsinë shqiptare të Kosovës si një parakusht për ndaljen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe. Marrëveshja  e Kumanovës, ndërmjet NATOS dhe RFJ-së, u nënshkrua më 9 dhe hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan Majkel Xhekson komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid. Ndër të tjera në Marrëveshje parashihej: që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale. Po ashtu u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës. Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë nga 24  marsi i vitit 1999 derë më 10 qershor të po atij viti.

Më  9 qershor të vitit 2018 vdiq në Prishtinë, Fadil Vokrri, i cili njihet si Legjenda e futbollit shqiptar në Kosovë.  U lind më 23 korrik të vitit 1960 në Sfeçël. Fadil Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola. Në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.

Më 10 qershor të vitit 1878 u themelua Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Gjatë pranverës së vitit 1878, krahas hovit që mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të Shën-Stefanit, ngadhënjeu edhe ideja për të kundërshtuar me armë vendimet që mund të merreshin në Kongresin e Berlinit në dëm të tërësisë tokësore të shqiptarve. Në këto rrethana, kërkesa për të formuar një lidhje të përgjithshme u bë mjaft popullore. Megjithatë forcat e ndryshme atdhetare të lëvizjes kombëtare nuk e konceptonin njësoj karakterin dhe programin që duhej të kishte kjo lidhje e përgjithshme. Për këtë qëllim ajo thirri në Stamboll, në fund të majit, personalitetet më të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali Pashë Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën, Zija Prishtinën, Mustafa pashë Vlorën, sheh Mustafa Tetovën, Vejsel bej Dinon dhe disa dhjetëra të tjerë, ndaj të cilëve ushtroi për disa ditë me radhë një trysni të fortë për t’i detyruar që t’i jepnin besëlidhjes karakterin e një organizate islamike ballkanike. Prizreni kishte marrë në ato ditë të para të qershorit një pamje festive. Përveç banorëve të përhershëm qarkullonin në qytet mijëra mysafirë të tjerë të veshur me rrobat e krahinave të tyre dhe të armatosur. Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878.

Më 10 qershor të vitit 1999 Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havier Solana, kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit kundër Serbisë dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Më 10 qershor të vitit  1999  kanë rënë dëshmorët e UÇK-së, Aziz Tolaj, Remzi Xhaferi e Fatmir Kerqeli.

10 qershor 2001, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka rënë dëshmor, Skyfter Milaim Arifi.

 

Më 11 qershor 1988 vdiq  Gegë Marubi, fotograf, atdhetar. U lind në Shkodër në vitin 1907 në familjen e fotografit të njohur Kel Marubi. Familja Marubi historisë së fotografisë shqiptare i ka dhënë kontributin më të madh të mundshëm. Ata kanë kaluar nëpër duar mbi 15.000 foto, negativë, që shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të kohës, personalitetet me rëndësi, pamje nga jeta shqiptare, veshjet, kostumet, dasmat dhe tërë jetën etnologjike  dhe etnografike shqiptare.

Më 11 qershor të vitit 1971 vdiq Sejfullah Malëshova. U lind në Fier më 2 mars të vitit 1900. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme i kreu në Itali në kolegjin “San Demetrio di Corona”. Këtu së bashku me mikun e tij Odhise Paskalin botoi revistën Studenti Shqiptar, në të cilën botoi edhe vjershat e tij te para. Më pas ndoqi Fakultetin e Mjekësisë në Romë. Në gjysmën e dytë të vitit 1924 ishte kryesekretar i kabinetit të qeverisë së Fan Nolit. Pas dështimit të Lëvizjes së qershorit emigroi në Bashkimin Sovjetik. Më 1926-1930 ndoqi universitetin Lemonosov të Moskës për filozofi. Në qershor të 1928 seksioni ballkanik i Kominternit miratoi formimin e një partie komuniste në Shqipëri. Bënte pjesë në Grupin Komunist Shqiptar në Bashkimin Sovjetik me nofkën “Guri”. Në vitin  1943 kthehet në Shqipëri dhe zgjidhet anëtar i Shtabit të Ushtrisë NAÇL dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit. Më 1946-48 qe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ra në konflikt me Partinë e Punës dhe u degradua. Më 11 qershor të  vitit 1971 Sejfulla Maleshova u nda nga jeta  dhe u varros në varrezat e vjetra të qytetit.

Më 11 qershor  të vitit 1998  në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke luftuar përballë forcave ushtarake e policore serbe luftën kanë rënë dëshmorë: Behajdin Myrteza Hallaqi, Bejzat Zenel Krasniqi, Hysni Hajriz Jetullahu e të tjerë.

Më 11 qershor të vitit 1999 kishin depërtuar në periferi të Prishtinës forcat ushtarake të Zonës Operative të Llapit. Kjo ditë shënon edhe çlirimin e kryeqytetit të Kosovës nga forcat çlirimtare të vendit. Disa ditë më parë forca të caktuara guerile të UÇK-së kishin depërtuar në kryeqytet dhe kontrollonin e sulmonin forcat serbe që po përgatiteshin të tërhiqeshin nga Kosova dhe kryenin krime kundër banorëve të mbetur në Prishtinë.

11 qershor të vitit  1999,  duke luftuar përballë forcave ushtarake e policore serbe ka rënë dëshmor,  Remzi Agushi.

Më 12 qershor të vitit 1920, ra trimërisht,  Selam Musa Salaria. Ai  lindi në vitin  1860, në fshatin Salari të Tepelenës nga një familje me tradita patriotike. Ishte udhëheqës i kryengritjeve në Vlorë dhe ra heroikisht për çlirimin e saj. Mbasi u rekrutua ushtar, kaloi 5 vjet në Jemen. Më pas shtëpia dhe stani i Selam Salarisë ishin shndërruar në qëndra të rëndësishme për çetat patriotike dhe pjesëtarë i çetës së Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos. Në 1911 mori pjesë aktive në veprimtarinë patriotike të çetave që lëvizën kundër trupave turke e më pas kundër andarteve greke. Më 1912 i përgjigjet thirrjes së Qeverisë së Vlorës dhe në krye të çetave të Labërisë shkoi të mbronte Jugun e Shqipërisë nga forcat greke ku edhe u plagos. Në vitin  1920 bëhet anëtar i Mbrojtjes Kombëtare me kryetar Osman Haxhiun, të ngritur në krahinën e Tepelenës. Më 23 Maj 1920, dhe u vendos t’i dërgohej ultimatum italianëve, për dorëzimin e Vlorës. Ai udhëhoqi fshatarët e Labërisë kundër forcave okupuese italiane me garnizonin e Kotës, Drashovicës, Kaninës e rrethinave të Vlorës.

Më 12 qershor 1962 në Zalldardhë të Dibrës u lind.  Gëzim Aqif Bare. Vendlindja e tij shquhet për traditat e saj të hershme kulturore dhe arsimdashëse, por edhe për trimëri. Mençuria ishte një nga karakteristikat e burrave të kësaj krahine. Me këto cilësi u edukua edhe Gëzimi. Ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën bio-kimi dhe u diplomua në vitin 1987. Pas marrjes së diplomës filloi punë si mësues në shkollën e mesme të Zalldardhës, në vitin 1991 caktohet edhe drejtor i kësaj shkolle. Në këtë shkollë ai shquhet si mësues i aftë dhe i dashur, si drejtues me përvojë dhe si intelektual me horizont të gjerë, një ndër intelektualët më të spikatur të shoqatës “Malsia”, organizatë joqeveritare e krijuar dhe e drejtuar nga djemtë e larguar nga malësitë veriore dhe të vendosur kryesisht në Shqipërinë qendrore, veçanërisht në Durrësin bregdetar dhe në Kryeqytet.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, të cilat kanë hyrë nga Maqedonia, ndërsa një ditë më parë, sipas marrëveshjes së Kumanovës kishte filluat  largimi i të gjitha forcave ushtarake e policore serbe nga Kosova që ishte paraparë të përfundonte më 21 qershor. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i quajtur UNMIK i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Më 12 qershor të vitit 1999 kishte filluar  tërheqja e planifikuar e forcave serbe nga Zona e Llapit. Edhe gjatë tërheqjes, forcat serbe kanë djegur shtëpitë e shqiptarëve në rrugët nga ku kanë filluar të tërhiqen.

Më 12 qershor të vitit 1999 Komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan, Vesli Klark ka bërë të ditur se forcat serbe kanë filluar të tërhiqen në drejtim të Serbisë, ashtu sikur parashihej në marrëveshjen e Kumanovës. Ai kishte bërë të ditur po ashtu se NATO-ja i kishte pezulluar bombardimet, por ato mund të rifillonin në rast se Serbia nuk i përmbahej marrëveshjes për largim nga Kosova.

Më 13 qershor të vitit 1878 filloi punimet Kongresi i Berlinit, ku morën pjesë gjashtë fuqitë e mëdha botërore: Gjermania, Anglia, Franca, Italia, Rusia dhe Austro-hungaria. Edhe pse përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit u lejuan të marrin pjesë për të parashtruar kërkesat e tyre, në Kongres, Delegacioni shqiptar  që dërgoi Lidhja Shqiptare e Prizrenit  nuk u pranua të flasë as të paraqesë kërkesa.  Një muaj më vonë, më 13 korrik 1878, u nënshkrua, Traktati i Berlinit, ku u vendos që shqiptarët të mbeteshin edhe më tej nën sundimin turk, ndërsa tokat e tyre që konsideroheshin si prona të Perandorisë t’ iu jepeshin fqinjëve grabitçarë, Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Traktati i Berlinit legjitimoi copëtimin e tokave shqiptare. Nga 110 mijë Km2 sa kishte Shqipëria e Katër vilajeteve, asaj do t i mbeteshin 28.000, vetëm një e katërta.  Edhe tani  Shqipëria ka ngelur po me atë sipërfaqe, ndërsa  Kosova si shtet i pavarur është krijuar me rreth  11.000  km2. Trojet shqiptare ende kanë mbetur në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi.

Më 13 qershor të vitit 1920, u  vra në një lagje të Parisit, Esat Pashë Toptani një figurë tejet kontroverse e kombit. Atë e vrau atdhetari, deputeti i Kosovës në Kuvendin e Shqipërisë, Avni Rrustemi, për shkak se Esat Pasha kishte bashkëpunuar me fuqitë e mëdha për copëtimin e tokave të Shqipërisë. Esat Pasha është varrosur në varrezat e ushtarëve serbë në Paris, ku edhe vizitohet nga zyrtarë të Beogradi dhe konsiderohet si miku më i madh i serbëve.

Më 13 qershor të vitit 1998 kanë rënë dëshmorët e UÇK-së:  Muhamet Imer Ukshini dhe Shkelzen Syl Syla

13 qershor 1999   kanë rënë në altarin e lirisë: Ekrem Ramë Berisha, Gani Balaj e Xhafer Balaj.

Më 14 qershor të vitit 1914 vdiq Hajdin Draga, atdhetar i njohur shqiptar.  Lindi në Mitrovicë në vitin 1870. Mori pjesë në Lidhjen e Pejës, Ishte pranë Haxhi Zekës, Bajram Currit dhe personaliteteve me rëndësi të kohës. Në kryengritjen e vitit 1912 mori pjesë aktive me forcat e Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e atdhetarëve të tjerë të njohur. Ishte delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, së bashku me Mehmet Pashë Derallën. Hajdin Draga vra nga forcat e Esat Pashë Toptanit.

Më 14 qershor 1998, kanë rënë dëshmorët e UÇK-së, Armend Tafil Kukleci dhe Blerim Selman Lokaj.

Më 14 qershor të vitit 1998, luftëtarët e lirisë të fshatrave Krojmir, Pjetërshticë, Shalë, Carralevë Zborc e të fshatrave të tjera u  kanë zënë Grykën e Carralevës forcave policore serbe të Shtimes. Pas katër orë luftimesh forcat serbe janë kthyer me humbje të konsiderueshme, ndërsa gryka e Caralevës në drejtim të fshatrave të Drenicës jugore ka qenë e zënë deri në ofensivën serbe të 25 dhe 26 korrikut të atij viti. Në luftimet për zënien e grykës kanë marrë pjesë, Jetë Hasani, Mialim Beha, Rrahman Tafa, Ruzhdi Salihu të katër  më vonë kanë rënë dëshmorë. Atë ditë janë dalluar edhe luftëtarët,  Sylë Qeriqi, Ramiz Qeriqi, Halil Olluri, Gafurr Dugolli, Xhelal Hajdini, Mehdi Qeriqi, Ali Dermishi, Ramadan Behluli  e shumë të tjerë.

Më 14 qershor të vitit 1999, reporterët e luftës të Radios-Kosova e Lirë kanë bërë të ditur se forcat kriminale ushtarake dhe policore serbe  gjatë tërheqjes po marrin me vete edhe pjesëtarë të popullatës civile,  të cilët i kanë mbajtur në izolim apo nëpër burgje. Ata fillimisht po i plaçkitin shtëpitë e shqiptarëve pastaj për t i humbur gjurmët po i djegin ato.

Më 15 qershor të vitit 1389 u zhvillua Beteja e  Kosovës mes forcave të krishtera të Ballkanit dhe Evropës dhe në anën tjetër  forcave të Perandorisë Osmane, në krye të së cilave ishte Sulltan Murati i Parë.  Kryetrimi shqiptar i kohës, Milush Nikollë (Danai) nga fshati Kopiliq i Drenicës, depërtoi me dinakëri te çadra e Sulltani Muratit dhe meqë ai nuk ia kishte dhënë dorën, si shenj se kërkonte jo bashkëpunim por nënshtrim, ai kishte nxjerrë  një thikë të fshehtë dhe e kishte therë Sulltan Muratin e Parë, në vendin që më vonë ishte  quajtur Gazimestan tetë kilometra larg Prishtinës. Ku trim me origjinë shqiptare i Mesjetës është përvetësuar nga historiografia serbe, ndërsa shqiptarët kanë ruajtur në memorien e tyre  3500 vargje këngësh  historike ku i këndohet trimërisë së tij dhe Betejës së Kosovës të vitit 1389.

Më 15 qershor të vitit 1966, në Gorazhdec të Pejës  u lind, Bekim Berisha, luftëtari militant i viteve 90-të,  në luftë për shpërbërjen e Jugosllavisë. I njohur me nofkën e luftës „ABE-ja“ ishte njëri ndër luftëtarët më të dashur, jo vetëm në Rrafshin e Dukagjinit, por në mbarë opinionin liridashës të Kosovës. Legjenda e luftës së Junikut, e luftimeve në Kroaci, Bosnjë, Somali e gjetiu, rrjedh nga një familje shumë bujare dhe liridashëse.  Në kohën, kur kishte filluar lufta në Kroaci, Bekim Berisha jetonte në Holandë, por e la jetën perëndimore dhe u radhit përkrah luftëtarëve çlirimtarë kroatë. Si luftëtar dhe strateg në luftën kundër serbëve në Kroaci, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë kroate e dekoroi Bekim Berishën me gradën e Gjeneralit! Nga lufta e Kroacisë Bekim Berisha kalon në luftën e Bosnjës, përsëri kundër forcave serbe. Në fillim të marsit të vitit 1998 me një grup shokësh mërgimtarë hyn në mënyre ilegale në Kosovë, duke u sistemuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bekim Berisha ka rënë ne fushë të nderit, bashkë me luftëtarët trima Bedri Shalën, Elton Zherkën, Përmet Vulen, Bashkim Lekun, më 10 gusht të vitit 1998.

Më 15 qershor të vitit 1999, zëdhënësi i NATO-s Xhejmi Shia ka bërë të ditur se për tri ditë të dislokimit të forcave të NATO-s në Kosovë, në pika të ndryshme të vendit janë vendosur  28.000 ushtarë të KFOR-it të cilët po përcjellin me kujdes tërheqjen e forcave serbe. Pavarësisht se në disa vende janë vendosur edhe forcat ruse në kuadër të këtij  misioni, Kosova do të mbetet territor kompakt dhe nuk do të lejohet ndarja e saj.

Më 15 qershor 2010 u gjet i vdekur në banesën e tij në Beograd, aktori i përmasave botërore, Bekim Fehmiu. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore. Bekimi u lind në Sarajevë më 1 qershor të vitit 1936, nga i ati Ibrahim Fehmiu patriot dhe punëtor i shquar i arsimit shqip, kurse fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Prizren ku e ka mbaruar edhe gjimnazin. Ka luajtur role në filmat e regjisorëve të njohur të botës, sikur ishte edhe roli i Odiseut.  Bekim Fehmiu ka bashkëpunuar me shumë aktorë të njohur botërore si: John Huston, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irenë Papas, Claudia Cardinale e të tjerë

 

Më 16 qershor të vitit 1882 u lind Gajtano Petrota. Ai ishte filolog dhe historian i letërsisë nga Hora e Arbëreshëve, në Sicili. Në veprën e tij kryesore “Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare”, Gaetano Petrota parashtroi një vështrim të përmbledhur të historisë së letërsisë bashkë me një histori mjaft të pasur të studimeve albanologjike për çështje të alfabetit, gramatikës, dialektologjisë, leksikografisë, historisë së gjuhës, etnografisë, folklorit, historisë së kulturës. Themeloi më 1932 katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos dhe e mbajti derisa vdiq, në vitin 1952. Petrota la dorëshkrim një gramatikë shqipe të së folmes së Horës së Arbëreshëve, si edhe një fjalor frazeologjik të arbëreshëve të Sicilisë.

U më 16 qershor të vitit 1893 u  në Përmet, Stavro Vinjau. Mbaroi Fakultetin për Drejtësi në Romë, ku ishte bërë anëtar i Partisë Socialiste Italiane. Në vitet 1921-1925 ka qenë deputet në dy legjislatura, më 1921 anëtar themelues i Partisë Popullore. Ka qenë anëtar i “Krahut Kombëtar”, organizatë e njohur, e cila përfshinte Sejfi Vllamasin, Sulejman Delvinën, Bahri Omarin, Ali Këlcyrën dhe figura të tjera në politikën, administratën dhe xhandarmërinë e kohës. Në vitin 1923 ka qenë pjesë e grupit demokrat të Gjirokastrës, së bashku me Fan Nolin dhe Koço Tasin anoi nga grupi i deputetëve të Shkodrës, kryesuar nga Gurakuqi; duke u bërë kështu ndër opozitarët më të zëshëm të diskutimeve parlamentare. Në vitin 1924 mori pjesë në demonstratën përpara kryeministrisë për të kërkuar drejtësi për vrasjen e Avni Rustemit. Përkrahu Lëvizjen e qershorit, duke u emëruar ministër i Drejtësisë dhe i Arsimit në qeverinë revolucionare. U largua nga Shqipëria me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në dhjetor të 1924. U vendos në Brindisi, ku më 1938 kishte marrëdhënie me organizatën “Bashkimi Kombëtar, që ishte përvijuese e “Krahut Kombëtar”. Më tej, i tërhequr nga jeta politike u mor me tregti. Ndërroi jetë në vitin 1975.

Më 16 qershor të vitit 1924 , u formua qeveria e përkohshme demokratike e Shqipërisë  e kryesuar nga Fan Noli. Në programin e saj parashikohej ç’rrënjosja e feudalizmit dhe vendosja e demokracisë. Qeveria donte marrëdhënie miqësore me të gjitha shtetet. Ajo zëvendësoi pjesërisht nëpunësit e vjetër me të rinj, filloi çarmatimin, konfiskoi pasurinë e ish – funksionarëve të qeverive të mëparshme të larguar nga Shqipëria.  Programi i qeverisë nuk u zbatua , gjë që dobësoi ndikimin e qeverisë në shtresat e gjera shoqërore dhe gjithashtu , qeveria e Fan Nolit , e ardhur në pushtet nëpërmjet kryengritjes , nuk u njoh nga qeveritë e vendeve të tjera dhe u quajt qeveria e majtë , e ardhur në pushtet me metoda bolshevike. Në këshillin e Lidhjes së Kombeve, Fan Noli hodhi poshtë kërkesat e fqinjëve dhe ai protestoi edhe kundër shpërnguljes së çamëve nga qeveria greke me rastin e Traktatit të Lausannes .

Më 16 qershor të vitit  1998 kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Adem Bajram Selmani, Imer Ramë  Krasniqi Mentor Gashi e të tjerë…

16 qershor të vitit 1999  kanë rënë dëshmorë: Tasim Elezaj  e Hajrush Elezaj

Më 17 qershor të vitit 1852 lindi Hoxhë Hasan Moglica. Ishte  atdhetar me përmasa mbarëkombëtare, luftëtar dhe dijetar i shquar. Lindi në Moglicë të Dibrës. Ka ndjekur studimet fillimisht në mejtepin e Peqinit e më pas medresenë e Elbasanit, ku pas tyre do të vazhdonte shkollimin në Universitetin e Stambollit, me qëllimin final për t’u rikthyer e për t’i shërbyer vendit të tij. Shtëpia e tij u bë bazë e rëndësishme dhe strehë për të gjithë atdhetarët e asaj kohe. Rreth viteve 1887-1900, zhvilloi një veprimtari politike e atdhetare kundër synimeve shoviniste të fqinjëve serbo-bullgarë.  Pas vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit për çështjen shqiptare,  u vu në mbrojtjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku së bashku me delegatët e tjerë të Dibrës, mori pjesë dhe Hoxhë Moglica. Më 1909,  mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, ku midis të tjerave u vendos edhe hapja e Shkollës Normale për të përgatitur mësues për gjuhën shqipe. Hoxhë Moglica në vitin 1975 është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor si Patriot e atdhetar i shquar dhe eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve, në Peshkopi.

Më 17 qershor të vitit  1864 lindi  në Tiranë, Xhemal Ali Pazari.  Vdiq në nëntor të vitit  1955.  Rrjedh nga një familje atdhetare e fetare Ai është diplomuar për Teologji e Filozofi në Universitetin e Al-Az’harit në Egjipt. Xhemal Pazari, mbahet mend si njeri i veçantë, orator i shquar, me një kulturë të gjerë. Xhemali ishte një patriot që bekoi ngritjen e flamurit dhe pavarësinë  e Shqipërisë më 26 nëntor 1912. Më 1924 zgjidhet edhe deputet dhe për më shumë se një dekadë është ndër drejtuesit kryesorë të Komunitetit Mysliman Shqiptar, ndërsa më 1924 është dhe nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.

Më 17 qershor të vitit 1999, kryeministri i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi, komandanti i KFOR-it Majkell Xhekson, nënshkruan në Prishtinë Marrëveshjen për kushtet e demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Procesi i demilitarizimit kishte qenë edhe pjesë e marrëveshjes së Rambujesë.

Më 17 qershor të vitit 1999, ishte intensifikuar kthimi masiv i popullatës shqiptare, e cila  gjatë luftës në Kosovë ishte dëbuar dhunshëm në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të zi, nën kërcënimin për shfarosje nga regjimi serb i Milosheviqit.

Në 18 qershor të vitit 1904 vdiq Sami Frashëri, ideologu i Rilindjes  Kombëtare shqiptare, dijetar i përmasave botërore, shkrimtar, dramaturg, linguist, hartues i enciklopedisë së madhe, “Kamus al alam”. Lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Ishte një nga djemtë e Halit bej Dakollarit. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos, në Janinë, ku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”, me ç’ rast  përveç kulturës së përgjithshme, përvetësoi krahas greqishtes së re e të vjetër edhe gjuhën latine, gjuhën frënge dhe atë italiane. Në Tetovë, nga Mahmut Efendiu, mësoi arabisht, persisht dhe turqisht. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj.  Vdiq në moshën 54 vjeçare.

Më 18 qershor të vitit 1953, Revolucioni egjiptian përfundon me përmbysjen e dinastisë 150 vjeçare të Muhamed Aliut, shqiptarit të madh të Kavallës i cili e krijoi shtetin modern në Egjiptit. Dinastia e tij ka qeverisur Egjiptin prej vitit 1930 deri në vitin 1953.

Më 18 qershor të vitit 1948 u lind Fatime Sokoli. Ajo lindi në Dragobi të Tropojës. Ishte këngëtare popullore nga Shqipëria e veriut, Artiste e Merituar. Ajo ishte bija  e parë e malësisë që kapi për herë të parë çiftelinë në dorë dhe hyri me guxim në odën e burrave, e veshur si burrë dhe këndoi si burrë. Për afro 30 vjetësh në skena koncertesh e festivalesh, në lëndinat e bjeshkëve dhe gurët e bardhë të Valbonës, në oda burrash malësie e në skenat e disa vendeve të Europës, qe kthyer në një simbol të Malësisë së Tropojës e të Gjakovës. Ajo u shfaq si krijuese, instrumentiste e interpretuese virtuoze dhe origjinale, me zë të veçantë bjeshkor të shoqëruar me muzikalitet. Vdiq më 12 gusht të vitit 1987.

Më 18 qershor 1999 ka rënë në ndjekje të forcave ushtarake e policore serbe, luftëtari i lirisë, Basri Canolli, me emrin e luftës, Shpendi.

Më 19 qershor lindi në Nju Jork të Amerikës, At Artur Evans Liolini, Kancelar i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Në veprimtarinë e tij fetare numërohen mbi 25 studime, ligjërata e artikuj kryesisht me përmbajte fetare dhe me problemet e Kishës Autonome shqiptare të themeluar nga Fan Noli, të cilën At Liolini e  kishte mbështetur fuqishëm. Shquhen studimet: Kriza në qytetërimin perëndimor, Për një Kongres shqiptaro-amerikan, Për një histori të Kishës Shqiptare  e studime të tjera.

Më 19 qershor të vitit  1988 vdiq artistja e popullit, Marie Logoreci. Ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit. Pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër Fëmijët e saj, dhe me pas në filmin e parë shqiptar Tana dhe Toka jonë etj. Ajo luajti në filmin televiziv, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur. Ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të Nënës shqiptare. Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit.

19 qershor të vitit 1999 kanë rënë dëshmorë në ndjekje të forcave serbe Sabri Krivaqa  Driton Krivaqa e Agush Isufi, luftëtarë të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Karadakut.

Më 19 qershor të vitit  2001 ka rënë dëshmor në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Elmi Bedri  Kamberi, nga fshati Reçak i komunës së Shtimes.

Më 19 qershor të vitit 2014 ka ndërruar jetë, veprimtari, i burgosuri politik, Ruzhdi Hajdini. Ishte njëri ndër flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës. Ai  ka lindur në vitin 1955 në fshatin Miroc të komunës së Besianës, (ish-Podujevë). I takonte një familjeje me tradita atdhetare.  Në fillim të demonstratave të marsit e prillit të vitit 1981, duke parë sesi forcat policore po torturonin madje edhe po i vrisnin mizorisht shqiptarët liridashës që kërkonin “Republikë-Kushtetutë”, atij i lind ideja për të rrëmbyer armët. Më 2 prill të vitit 1981  së bashku me Sami Lecin, Zijadin Hoxhën, Vehbi Lecin, Osman Krasniqin Ibush Kelmendin, Agim Selmanin, Hajrullah Dragushën, Agim Lecin e shumë të tjerë  kishte ngritur një barrikadë në Besi dhe me ndihmën e shumë protestuesve u kishte rrëmbyer armët policëve rezervistë që vinin nga Serbia në Kosovë për ta shtypur kryengritjen e marsit dhe prillit të atij viti. Ruzhdi Hajdini ishte dënuar 14 vjet burg, në vitin 1981 nga ish regjimi i RSFJ-së,  po aq sa ishin  dënuar edhe shumica e krejt këtij grupi.

Më 20 qershor të vitit 1952  u vra Nikë Pjetër Deda,  i shpallur Heroi i Popullit. Ai kishte zbuluar një bandë mercenarësh në kufi me Jugosllavinë. Edhe pse i mitur u vra nga diversantët  që hynin tinëz në Shqipëri për rrëzuar regjimin. Për të mbuluar krimin trupin e tij të njomë, banditet vrastarë e kishin hedhur në një humnerë.

Më 20 qershor të vitit 1969, u lind Ilir Konushevci.  Rrjedh nga një familje me tradita patriotike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore nga kjo familje kishte pjesëtarë që u mobilizuan në radhët e forcave progresive të asaj kohe. Kjo traditë u vazhdua edhe gjatë luftës së fundit kundër pushtuesit serb. Në radhët e para të UÇK-së, përpos Ilirit, ishte edhe vëllai i tij, Saimir Konushefci, i cili dha një kontribut të madh pas legalizimit të UÇK-së në Llap, në shtrirjen, organizimin dhe furnizimin e saj.  Gjeneralmajor, Ilir Konushevci së bashku me mjekun Hazir Malaj kanë rënë në një pritë, më 9 maj të vitit 1998, në Shqipërinë e veriut, derisa ishte duke dërguar armë për luftën e UÇK-së, në Kosovë.

Më 20 qershor të vitit 1999 komandanti i përgjithshëm i NATO-s, Vesli Klark, e ka njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj Aleance Veriatlantike, Havier Solana mbi përfundimin e procesit të largimit të të gjithave forcave policore dhe ushtarake serbe nga Kosova. Sipas këtij njoftimi, të gjithë trupat pushtuese janë larguar nga territori i Kosovës, 11 orë para afatit të ultimatumit. Si rezultat i këtij procesi, sekretari Solana urdhëroi ndalimin e sulmeve të NATO-s mbi Jugosllavinë, të cilat ishin pezulluar 11 ditë më parë. Njëkohësisht kontrollin mbi tërë Kosovën e kanë marrë trupat paqeruajtëse të NATO-s e të vendeve të tjera, anëtare të OKB-së.

Më 20 qershor të vitit 1999 kryetari amerikan Bill Klinton, në fjalimin e tij në përmbyllje të samitit jubilar të NATO-s, ka deklaruar se fitorja kundër Jugosllavisë është imperativ moral i NATO-s. Lufta në Kosovë promovoi strategjinë e re të Aleancës Veriatlantike, nga se të gjithë folësit në Samit, Kosovën e quajtën sprovë për të ardhmen. Edhe ministrat e BE miratuan njëzëri vendimin për embargon e naftës ndaj Jugosllavisë. Përveç kësaj i shpallën sanksione të reja ekonomike, duke i ngrirë të gjitha pasuritë në bankat e vendeve të Unionit. Njëkohësisht u mor edhe masa e ndalimit të udhëtimit në këto vende për Millosheviqin, familjen e tij dhe kastën e tij udhëheqëse.

Më 21 qershor të vitit 1943  u vra Ramiz Aranitasi, luftëtar partizan, Hero i popullit. U lind në Aranitas të Mallakastrës, i biri i Qazim Aranitasit. Pasi mbaroi shkollën fillore të fshatit, Aranitas, i dha formimin fillestar të karakterit të tij, që sa vjen e rritet kur Ramizi vazhdon shkollën e mesme teknike në Tiranë, në Kavajë e në Korçë.  Më 4 nëntor 1942 prefekti i Gjirokastrës kërkonte arrestimin e familjarëve të Ramizit, sepse përflitej si vrasës i kuestorit, Skënder Çami. Më 13 korrik 1943 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendshme se Ramiz Aranitasi nga Ballshi, i cili akuzohej për vrasja e kuestorit të Korçës, Skënder Çami. Më 21 qershor të viti 1943 u vra për gjakmarrje nga xhandari, Ali Kajmaku.

Më 21 qershor të vitit 1999 kanë rënë dëshmorë luftëtarë e lirisë:  Osman Adem Krasniqi dhe Sami Gashi së bashku me dy ushtarë anglez, me rastin e shpërthimit të minave që i kishin vendosur forcat serbe gjatë ikjes në Kosova, te shkolla e fshatit Arllat, në Drenicë. Me këtë rast nga shpërthimi i minave ka humbur jetën edhe, Milazim Gashi.

Më 21 qershor të vitit 1999, Radio-Kosova e lirë ka përmbyllur transmetimin në Malet e Berishës, ku kishte transmetuar program prej 4 janarit të atij viti. Me lajmin kryesor të ditës lidhur me dëbimin e të gjitha forcave policore e ushtarake serbe nga Kosova, ishte përmbyllur me sukses transmetimi i kohës së luftës, ndërsa Radioja kishte paralajmëruar rifillimin e transmetimit në Prishtinë, në kushte dhe rrethana të reja. Misioni i kësaj Radioje ka qenë i lidhur ngushtë me luftën çlirimtare që është zhvilluar në Kosovë që nga nëntori i vitit 1997 e deri në fund të luftës. Ndërprerja e programit  nga zonat e luftës, pikërisht në ditën e largimit zyrtar dhe definitiv të serbëve nga Kosova kishte  simbolikën e vet domethënëse. Paralajmërimi i fitores qysh më 4 janar kishte qenë një hap tejet i guximshëm, por tani i bërë realitet. Radio “Kosova e lirë”, ka filluar transmetimin e emisioneve, më 4 janar të vitit 1999.

Në stafin e Redaksisë së Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës kanë punuar: Ahmet Qeriqi, përgjegjës i radios, redaktor dhe hartues i shkrimeve të ndryshme tematike. Nezir Myrtaj, analist, hartues dhe redaktor i rubrikës ditore informative. Martin Çuni, gazetar, redaktor dhe realizues i programit ditor. Nusret Pllana, spiker, zgjedhës i muzikës dhe pjesëmarrës në realizimin e programit ditor. Habib Zogaj, Gazetar, bashkëpunëtor nga terreni. Valdet Hoti, teknik i zërit dhe realizues i programit ditor. Rizah Berisha, teknik, vozitës dhe furnizues. Fatmir Dugolli, teknik i radios dhe mirëmbajtës i pajisjeve elektronike. Gazmend Elshani, kameraman dhe luftëtar i lirisë, Milaim Berisha dhe Mentor Hoti punëtorë teknikë. Gjatë luftës kanë bashkëpunuar  me këtë Radio shumë reporterë e gazetarë nga të gjitha zonat e luftës. Gjatë gjithë kohës së funksionimit të deritanishëm, ekipi i radios ka qëndruar në fshatin Berishë. Stabilimentet e transmetimit, antenat, transmetuesit, po ashtu kanë qenë të vendosura në pikat strategjike malore të këtij fshati.

Për Radion-Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosovapress gjatë luftës së UÇK-së kanë raportuar:

Zona Operative e Drenicës: Gani Koci, Murat Musliu, Tahir Desku, Destan Bajraktari.

Zona Operative e Pashtrikut: Ismet Sopi, Besim Baraliu, Ilaz Kadolli, Xhavit Bajraktari (dëshmor i kombit), Selatin Qeriqi, Naim Imeri, Fadil Bajraktari, Ajete Zogaj, Arbanë Qeriqi etj.

Zona Operative e Dukagjinit: Fitnete Ramosaj, Hyrie Veliu, Faton Mehmetaj, Salih Lajçi, Ali Geci, Remzie Zeqiraj.

Zona Operative e Shalës: Sabit Gashi.

Zona Operative e Llapit: Ismet Cakiqi, Muharrem Mahmutaj.

Zona Operative e Neredimes: Ruzhdi Jashari, Ali Uka, Hyrë Emini (dëshmore)

Zona Operative e Karadakut: Ahmet Isufi, Shemsi Syla  Ismet Sylejmani

Stafin e gazetarëve dhe reporterëve gjatë luftës  në Zvicër e ka udhëhequr Skënder Krasniqi.

Më 22 qershor 1942  kanë rënë duke luftuar në një rrethim të forcave italiane, heronjtë e Shkodrës:  Perlat Rexhepi, partizan gjatë LANÇ-së, Heroi i Popullit. Po atë ditë kanë rënë edhe Branko Kadia, ndërsa u ekzekutua me varje, Jordan Misja.

Më 22 qershor të vitit 1956 në fshatin Broliq u lind Salih Çekaj . Shkollimin fillor e kreu në Isniq në vitin 1971, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan me 1975. Ai ishte i dhënë pas profesionit të oficerit ushtarak, prandaj u regjistrua Akademinë Ushtarake në Beograd, por për shkak të “pa përshtatshmërisë politike” por me arsyetimin se nuk e njeh gjuhen serbo-kroate u përjashtua nga Akademia.  Në vitet 90-të Policia sekrete dhe organet e ndjekjes tentuan ta arrestojnë por me ndihmën e miqve arriti që të shmangej dhe u strehua, në Pejë. Pas shumë konsultimesh me autoritetet me të larta shtetërore të Shqipërisë, Sali Çekaj, arrin që të marr pëlqimin për hapjen e një kampi stërvitor, për luftëtarët e lirisë së Kosovës, në Malin e Dajtit. Në kuadër të këtyre grupeve bënin pjesë edhe Adem Jashari e Zahir Pajaziti, si dhe shumë djem tjerë të cilët kishin vetëm një qëllim, çlirimin e Kosovës. Sali Çekaj gjatë periudhës 1994-1997, hyri disa here në Kosovë. Salihu së bashku me Agim Ramadanin, Rrustem Berishen, Anton Çunin, Hysen Berishen dhe vajza e djem, oficerë e ushtarë të Brigadës 138 do të mbesin përjetësisht në historinë e thyerjes së kufirit të ndarjes midis shqiptarëve. Ka rënë heroikisht  me 19 prill 1999, tek vendi i quajtur Rrasa e Koshares.

22 qershor të vitit 1999 ka rënë dëshmor, Florim Imeri, luftëtar i UÇK-së.

22 qershor të vitit  2001, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka rënë dëshmorë Beqir Sadik Beqa

Më 23 qershor të vitit 2002 vdiq atdhetari demokrat,  burri i madh i Kosovës Hysen Tërpeza. Ai  lindi më 10 qershor të vitit 1910, në fshatin Tërpezë të Vitisë. Ishte luftëtar popullor, nacionalist në radhët e Lëvizjes Nacional-demokratike shqiptare dhe njëri ndër ideatorët e saj.  Në vjeshtë të vitit  1945, me disa të afërm dhe krerë të LNDSH-së me një grup prej 150 luftëtarësh arrin të arratiset për në Greqi, ku nuk mirëpriten nga regjimi grek, por megjithatë  marrin strehim politik. Grekët në një kamp strehimi në Iraklion i kishin vrarë 15 bashkëluftëtarë të tij, ndërsa Hysen Tërpeza largohet  nga Greqia dhe merr azil politik në Turqi. Pastaj shkon në Gjermani dhe në Amerikë. Qëndroi i pathyeshëm në planin kombëtar dhe nuk lejoi që bashkëluftëtarët e tij të merrnin pjesë në bandat diversive, që dërgonin shtetet e perëndimit për ta rrëzuar Qeverinë në Tiranë. Për këtë qëndrim atdhetar e kishin etiketuar si komunist. Janë antologjike fjalët e tij. “Për 5oo vjet mesi e krijuam një Shqipëri të Vogël dhe tani po kërkoni ta zhbëjmë edhe atë, vetëm sepse në Qeveri janë komunistë. Unë nuk jam komunist por jam shqiptar që e dua atdheun tim”. Familja Tërpeza ka qenë ndër familjet nacionaliste më të përndjekura dhe më të keqtrajtuar në Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore.

Më 23 qershor të vitit 1937 u lind në Korçë, Viktor Gjika. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik në Moskë, për operator filmi. Është regjisor i shumë filmave të njohur shqiptarë, mes të cilëve përmenden “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Yjet e netëve të gjata”, “Rrugë të bardha”, “Rezistencë”, “Gjeneral gramafoni” “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”, “Komisari i dritës”, “Përballimi”, “Në çdo stinë”, “Vjeshtë e nxehtë e ’41-it”, “Njerëz në rrymë”, dokumentarët “Unë jam Ismail Qemali”, “Kur ikin korbat (Kosovë)”, “Gjuhë që nuk vdes”, “Arti shqiptar në shekuj”, “Enver Hoxha tungjatjeta”, “Rron o rron nuk vdes Fan Noli” etj. Gjatë gjithë karrierës realizoi rreth 15 filma artistikë dhe 25 dokumentarë. Në vitin 1977 i jepet titulli “Artist i Merituar” dhe në 1985 “Artist i Popullit”. Vdiq më 3 mars të vitit  2009.

Më 24 qershor të vitit 1911 u lind Ernesto Sabato, shkrimtar i madh  argjentinas me prejardhje arbëreshe. U lind në Rojas, provincë në  Buenos Aires, në Argjentinë. Nëna e tij, Juana Maria Ferrari rridhte nga një familje arbëreshe e Italisë, ndërsa babai i tij, Franciso Sabato, po ashtu ishte nga Italia. Ata kishin njëmbëdhjetë fëmijë, të gjithë djem. Ernesto ishte fëmija i dhjetë i familjes Sábato. Ditën që lindi, vëllau më i madh vdiq dhe e ëma e pagëzoi, Ernesto sipas vëllait të tij. Kreu shkollën e mesme më 1928 dhe u regjistrua në Universidad de La Plata, ku studioi fizikë dhe matematikë. Në vitin 1930 ai iu bashkua partisë komuniste. Në vitin 1935 ai kthehet në Argjentinë ku martohet me Matilden dhe vazhdon studimet në Universidad de La Plata. Në vitin 1938 doktoron në fizikë dhe fiton bursë për të hulumtuar rrezatimin atomik në Laboratorin Kurie në Paris.  Roman i tij i parë Tuneli botohet më 1948. Në vitin  1995 shkon në Shqipëri merr titullin Ismail Kadare, të ndarë nga fondacioni Velija. Vdiq në shtëpinë e tij në Argjentinë, më 30 Prill 2011 në moshën 99 vjeçare. Romanet  e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë të botës dhe radhitet në mesin e shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit 2o.

Më 24 qershor të vitit 1996 vdiq Beqir Musliu.  U lind në Gjilan,  në vitin 1945.  Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan, ndërsa fakultetin filozofik drejtimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Prishtinë. Gjenerata e Beqir Musliut në Gjilan patën për ideolog të shkrimeve dhe të jetës politike,  Rexhep Elmazin, andaj që në shkollë të mesme u mor në biseda informative dhe u burgos. Po në këtë kohë Beqir Musliu filloi të merret edhe me shkrime letrare. Në fillim me poezi e pastaj edhe me tregime, romane, drama e kritika letrare dhe dramaturgjike. Mënyra e të shkruarit dhe metaforat e simbolet e përdorura në shkrimet e tij, atë menjëherë e renditën në rangun e shkrimtarëve me një perspektivë të theksuar. Punimi i parë iu botua në revistën letrare “Jeta e Re” të cilën e udhëhiqte Esat Mekuli. Po kjo revistë, tri vite më vonë, në vitin 1965, ia botoi edhe librin e parë. Rima të shqetësuara, pastaj Lulëkuqet e gjakut, Skënderbeu ose shqiponja e maleve- kurorë sonetesh, Bukuria e zezë, Sezamet e vepra të tjera.

Më 24 qershor të vitit  1998  ka rënë Arben Xhemajl Januzaj, luftëtar i UÇK-së

Më 25 qershor të vitit 1936 lindi Rexhep Qosja, shkrimtar, kritik letrar, studiues dhe njëri ndër personalitetet më të rëndësishme të popullit shqiptar. Konsiderohet Rilindësi i fundit dhe mendja  e pena më e  ndritur shqiptare. Ka shkruar dhe ka botuar rreth 40 libra në mesin e tyre veprat letrare  artistike, kritika letrare dhe publicistikë.

U lind në Vuthaj, ku kreu shkollën fillore kurse gjysmë­maturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albano­logjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/1968 specializoi shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit me punimin “Asdreni, jeta dhe vepra e tij”. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, kur u përjashtua për shkak se përkrahu demonstratat e protestat e marsit dhe prillit të atij viti. Ka shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik.  Është autor i mbi 40  librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike.

Më 25 qershor të vitit  2011, vdiq Alqi Kareco një prej themeluesve të Estradës së Varietesë së Tiranës. Në karrierën e tij mbi 40-vjeçar në fushën e muzikës, Kareco ka orkestruar më shumë se 5000 këngë të muzikës së lehtë. Ai ka marrë pjesë në Festivalet e Këngës në RTSH, që nga krijimi i këtij festivali.

25 qershor të vitit 1998 kanë rënë dëshmorët Mehmet Ramë Dizdari

Më 25 qershor të vitit  2016 polici serbomaqedonas, Boban Iliq ndoqi dhe mbyti qëllimshëm duke shkelur me  veturë Almir Aliun, fëmijë katërvjeçar nga Kumanova, pas një zënke që pati me babanë e  tij. Shkelja barbare me veturë e fëmijës 4-vjeç ngjalli një zemërim te popullata shqiptare, lidhur me këtë krim barbar mbi  baza të urrejtjes kombëtare. Vrasësi i fëmijës 4-vjeçar, Boban Iliq ishte dënuar vetëm me gjashtë vjet burg.

Më  26 qershor të vitit  1917 në fshatin Tupallë, komuna e Medvegjës, u lind Idriz Ajeti, albanolog i njohur, ligjërues, studiues, drejtor i Insitutit Albanologjik, Kryetari i Akademisë së shkencave dhe politikan. Idriz Ajeti ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm albanologjisë, duke ndjekur rrugën dhe metodën e Eqrem Çabejt dhe  albanologëve të tjerë të njohur. Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, shkollimin e mesëm e ndoqi në Medresenë  e Shkupit më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë. Që nga viti 1960, dha mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës, u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike, në vitin 1962. Në vitin 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Vdiq më 13 shkurt të vitit 2019, në moshën 102 vjeçare.

26 qershor  të vitit 1998, duke luftuar përballë forcave ushtarake e policore serbe  kanë rënë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qazim Hazir Dautaj dhe Arif Shpend Dautaj

Më 26 qershor të vitit 2019 vdiq  veprimtari dhe  luftëtari i lirisë, Rilind Bytyçi. Ai u lind në vitin 1939 në fshatin Studençan të Therandës. Në moshën 24 vjeçare ishte  larguar nga vendlindja dhe ishte   vendosur,  në Melburn të Australisë ku edhe filloi aktivitetin e tij kombëtar në Shoqërinë, “Bajram Curri”, Për 27 vjet  me radhë ishte sekretar i kësaj shoqërie dhe u shqua në organizimin e protestave kundër regjimit serb, duke kërkuar të drejtat e shqiptarëve të robëruar në ish Jugosllavinë e asaj kohe.  Në muajin prill të vitit 1999, niset  nga Australia dhe vjen në Shqipëri, me qëllim për të luftuar lundër regjimit gjakatar serbe dhe për çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore. Fillimisht vendoset në Qendrën Stërvitore në Feken të Dajtit,  më pas në Majen e Pashtrikut, në Operacionin “Shigjeta” në Drejtimin taktik nr. 2.  Pas çlirimit të Kosovës, disa muaj më vonë ai u kthye në Australi për ta marrë familjen dhe u kthye në vendlindjen e tij,  në Studenqan, ku edhe ndërtoi një shtëpi për familjen në Kosovën e lirë, për të cilën ishte angazhuar gjatë tërë jetës.

Më 27 qershor të vitit 1944 shënohet Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.  Në këtë ditë, forcat barbare mizore, fashiste të Napoleon Zervës vranë, pushkatuan dhunuan gra e fëmijë e më pas i pushkatuan mijëra shqiptarë të krahinës së Çamërisë, me qëllim për ta spastruar etnikisht një trevë të tërë shqiptare.  Gjatë atij aksioni të shëmtuar dhe barbar grekët vranë 2300 shqiptarë ndërsa 230 konsideroheshin të zhdukur. Kanë dëbuar për në Shqipëri rreth 20.000 çamë, u kishin djegur të gjitha shtëpitë dhe kishin zhdukur fshatra të tëra të shqiptarëve. Fashistët grekë nuk kishin kursyer as fëmijët as foshnjë në bark apo në gji të nënave shqiptare. Pjesa shqiptare e mbetur në Çamëri u dëbua përfundimisht në vitin 1948.  Kompozitori Prenk Jakova, tragjedisë së Çamërisë i ka kushtuar operën e parë shqiptare të titulluar “ Mrika”.

Më 27 qershor të vitit 1917, në Shkodër u lind Prenk Jakova. Ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar Mrika. U lind në një familje qytetare me prejardhje nga Gjakova. Ndoqi shkollën fillore në vitet 1924-1929 në shkollën Skenderbeg. Kur qe 18 vjeç u caktua drejtor artistik i bandës së shkollës, ku luanin asokohe të vegjlit Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni dhe kompozitorë të tjerë të ardhshëm shqiptarë. Fundi i vitit 1944 e gjeti Jakovën mësues po prapë në Shkodër, më tej e morën për të ndihmuar në aktivitetet që bënte kori i Brigadës tç Parët  Sulmuese në Shtëpinë e Rinisë, ku Jakova u caktua përgjegjës.  Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti.  Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës.  Më 16 shtator të vitit 1969, Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës.

27 qershor të vitit  1998 ra dëshmor,  Naser Hajriz Lani nga fshati Llaushë i Drenicës, Ishte ndër dëshmorët e parë të kësaj ane i cili ra në luftime kundër forcave serbe në vendlindjen e tij.

Më 28 qershor të vitit 1919 u mbajt Konferenca e paqes në Paris, e cila legjitimoi aneksimin e trojeve shqiptare nga Serbia, Mali i Zi Bullgaria dhe Greqia, që kishte ndodhur në Konferencën e Versajës, një vit më parë.  Atë ditë në konferencë,  zërin e fuqishëm të protestës e kishte shprehur Homeri i shqiptarëve, At Gjergj Fishta i cili diplomatëve evropianë të kohës ua kishte përplasur në fytyrë të gjitha të ligat,  mizoritë, vrasjet masive të shqiptarë gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore  duke i akuzuar hapur se  ata i kishin lejuar  forcat serbe, bullgare e greke  dhe me bekimin e tyre  kishin varë e masakruar qindra mijëra shqiptarë, ndërsa kishin dëbuar për në Turqi qindra e mijëra të tjerë.

Më 28 qershor të vitit 1949 u vra në pritë, Avdyl Dura, luftëtar popullor i Malësisë së Kaçanikut.  Ai  u lind në vitin  1893 në fshatin Duraj,   Nga viti 1926-1937 ishte Kryetar i Komunës së Sllatinës së Kaçanikut. Që nga viti 1918 e deri në rënien e tij luftoi me pushkë kundër pushtuesve serbë dhe bullgarë. Familja e tij u burgos disa herë, ndërsa shtëpia iu dogj herë nga pushtuesit serbë. Ishte tri here i dënuar me pushkatim bashkë me tre vëllezërit e tij, por tri herë arriti ta thyejë burgun e armikut dhe të dalë ne malet e Sharrit.  Me 28 qershor 1949, u rrethua nga forca te mëdha policore dhe ushtarake ne fshatin Rakaj te Ferizajt dhe bashkë me shokun e luftës Ramë Beka ra në një luftë kret të pabarabartë.

Më 28 qershor të vitit 1969 vdiq Ferit bej Vokopola. U lind më 18 gusht të vitit  1887  në Durrës, Ka qenë sheh i tarikatit Rufaii dhe firmëtari më i ri i Aktit të Pavarësisë, organizator i Kongresit të Lushnjes, ndër themeluesit e Medresesë së Tiranës. Në vitin 1912 mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, ku u  caktua kryesekretar i Ministrisë së Financave në qeverinë e Ismail Qemalit, Në vitin 1914 qe kryesekretar i Ministrisë së Punëve Botore në qeverinë e Turhan pashë Përmetit. Më 1925 u shpreh në parlament për Tiranën kryeqytet. Në fushën e legjislacionit Vokopola u shqua si një nga ligjbërësit kryesorë të Parlamentit të viteve ‘20-‘30. Ai së bashku me deputetë të tjerë përgatitën dhe miratuan në parlament Kodin Civil të viteve ’30. Në bashkëpunim me Sali Vuçiternin e të tjerë, ai bëhet një nga organizatorët kryesorë për themelimin e Komunitetit Mysliman shqiptar. Pas çlirimit të Shqipërisë, duke qenë njohës i gjuhëve orientale, ai iu ofrua Institutit të Historisë si bashkëpunëtor, si përkthyes i dokumenteve historike nga osmanishtja.

 

Më 29 qershor të vitit 1444 – U zhvillu Beteja e Torviollit, sot Fusha e Domosdovës, në veri të Peshkopisë, Ishte ndeshja e parë ushtarake e ushtrisë shqiptare nën udhëheqjen e Skenderbeut me ushtrinë otomane, së cilës  i printe Ali Pasha. Skënderbeu doli fitues në betejë.

Më 29 qershor të vitit 1892 vdiq në Bejrut,  Pashko Vasa. U lind në Shkodër, më 17 shtator të vitit  1825. Ishte nëpunës i konsullatës britanike në Shkodër, oficer kalorësie në Bolonjë, revolucionar i Risorgjimento-s, në Itali nëpunës i Perandorisë Osmane dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri, ku mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane.  Më 1850 u punësua pa pagesë në Zyrën e Përkthimit të Sarajit Perandorak. Një vit më pas u emërua me rrogë nëpunës përkthimi në zyrën e shëndetësisë. Në vitin 1856 kaloi në Shkodër si përkthyes në shërbim të administratës lokale. Gjatë luftës me Malin e Zi më 1860-61 kreu detyrën e sekretarit dhe përkthyesit të Ahmet Xhevdet Pashës. Më 1876 u caktua nëpunës për borxhet tek zyra e valiut të vilajetit të Manastirit dhe në gusht të 1877 këshilltar i Vilajetit të Kosovës. Në shtator të vitit 1879 u emërua këshilltar i Vilajetit të Edernes, ku punonte edhe Ismail Qemali.Më 10 korrik 1883 me titullin vezir, u emërua mytesarif i Malit të Libanit me qendër në Beirut, post që e mbajti derisa ndërroi jetë më 29 qershor 1892. Është autor i romaneve të para nga jeta shqiptare, si Burgu im dhe Bardha e Temalit e të tjera si dhe i  poezisë epope, o moj Shqipni e mjera Shqipni që u bë program shpirtëror  i Rilindjes Kombëtare shqiptare. Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u atdhesuan dhe tani prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës.

Më 29  qershor të vitit 1995 Shqipëria u pranua anëtare e Këshillit të Evropës.

Më 29 qershor 29 të vitit 1998 kanë rënë dëshmorë:  Ismet Salih Uka, Xhemajl Ahmet Mehmeti, Feriz Idriz Bibaj, Mentor Osman Dervishaj

29 qershor 2001 në radhët e Ushtrisë Çlirimtare kombëtare kanë rënë dëshmorë   Skerdilajd Bardhyl Llagami, Lefter Koxha, Pajtim Roci, dhe Ndriçim Koxhaj.

Më 29 qershor të vitit 2011 vdiq në Prishtinë, Teki Dervishi.  Lindi më 16 Janar 1943 në Gjakovë. Ishte shkrimtar dhe publicist shqiptar nga Kosova. Pas shkollimit fillor ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe. Teki Dërvishi është ndër të burgosurit më të rinj shqiptar që vuajti në burgun famëkeq jugsollav të Goli Otokut. Ai gjatë gjithë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama. Është autor i romaneve: Pirgu i Lartë, Padrona, Skedarët, Herezia e Dervish Mallutës, Palimpsest për Dush Kusarin e shumë veprave të tjera.

Më 30 qershor të vitit 1932 në Lushnjë u lind,  Kujtim Spahivogli. Studimet e larta për teatër i kryen shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët e shkëlqyer të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit  ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”,  “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj. Kujtimi qe në të njëjtë kohë edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh. Ai shkroi edhe poezi , artikuj e ese. Vdiq në vitin 1987. Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”.

Më 30 Qershor të vitit 1906 në fshatin malor të Picarit në Gjirokastër u lind, Shefeqet Peçi, atdhetar, revolucionar, komandant partizan. Në vitin  1924 luftoi në Revolucionin Demokratik të drejtuar nga Fan Noli. Në vitin  1937 behet një nga krerët ushtarakë kundër monarkisë fashiste prandaj dhe u burgos. Dy vjet më vonë, Shefqet Peçi mori  pjesë në luftën antifashiste si drejtues i lëvizjes studentore të qytetit Elbasan. Qe në muajt e parë të vitit 1942 vihet në krye të formacioneve luftarake partizane dhe behet anëtar i Partisë Komuniste. Shefqet Peçi ishte i ngarkuar me detyrën e komandantit të shtabit të forcave të Ushtrisë Nacional-çlirimtare për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Ndërkohe pas çlirimit të Gjakovës dhe Prizrenit, ai ngarkohet me detyrën e Komandantit të Korparmatës së Tretë Sulmuese. Me gjithë punën e tji të ngjeshur dhe intensive, Shefqet Peçi ka shkruar disa libra me teme nga Lufta si edhe poezi të panumërta. Në një moshë pothuaj shekullore, në vitin 1996 regjimi i Berishës e akuzoi dhe e burgosi, Pas 12 ditësh burg ai mbylli sytë si  trimat, duke ngelur i pavdekshëm në zemrën e popullit. Varrimi i tij u bë me madhështi, sipas meritave për kombin e atdheun.

Kontrolloni gjithashtu

Kalendari kombëtar i Radios-Kosova e Lirë, muaji prill

Kalendari kombëtar i Radios-Kosova e Lirë, muaji prill

Më 1 prill  të vitit 1890, në Tivar,  u lind, Martin Gjoka, muzikant dhe kompozitor …