Në këtë çerek-shekulli jubilar, Radio Kosova e Lirë po përballet me vështirësi, si gjithherë, por ende funksionon, tani duke çaluar më shumë se në vitet paraprake. Ky zë i lirisë së Kosovës ka qenë dhe ka mbetur në shënjestër të forcave të territ, si në kohën e luftës, (Janar-Qershor 1999) kur sulmohej e bombardohej nga ushtria e kryekriminelit serb, Millosheviq, por edhe pas luftës nga mbetjet e ish regjimeve dhe nga injorimi që iu bë, nga ata që do të duhej ta ndihmonin më së shumti. Megjithatë falë qytetarëve liridashës, donatorëve, firmave të ndryshme dhe një segmenti të zyrtarëve me prejardhje nga lufta e UÇK-së, zëri jehonë i krismave të Legjendarit Adem Jashari dhe i çlirimtarëve të Kosovës, vazhdon të transmetojë program ditor informativ, tematik, kulturor me përmbajtje të mirëfillta kombëtare, ashtu sikur në ditën e parë të transmetimit.
Në dy vitet e fundit, Radio-Kosova e Lirë është përballur edhe me probleme të “trashëgimisë” së saj, të cilën nuk e njohin institucionet e sotme të Kosovës. Kërkesa e ligjshme e Drejtorisë së Radios për ta marrë në përkujdesje “Bunkerin” në Majën e Pallanikut, duke i kërkuar fillimisht komunës së Drenasit të na japë në shfrytëzim 15 ari tokë gurinore, e refuzua me arsyetimin se prona i takon Agjencisë së Pyjeve të Kosovës.
Kërkesa jonë drejtuar kësaj Agjencie u refuzua me “arsyetimin” absurd se vendi në Majën e Pallanikut qenka Zonë e veçantë e luftës, pikërisht sepse aty ka transmetuar program Radio-Kosova e lirë. Agjencia e pyjeve e njeh Bunkerin si Zonë të veten, por nuk e njeh Radion-Kosova e lirë si trashëguese legjitime.
Kjo është njësoj sikur ta njohësh UÇK-në por jo TMK-së e FSK-së si trashëgimtare të saj. Të përkujtojmë me këtë rast se Radio-Kosova e Lirë është themeluar me vendim të SHP të UÇK-së, qysh në nëntor të vitit 1998 dhe statusi i saj nuk është vënë në dyshim as është marrë vendim për abrogim.
Komuna e Drenasit, në kohën e Qeverisë së Përkohshme, Radios-Kosova e Lirë ia ndarë 5 ari tokë, në fshatin Berishë, ku tani është Shtëpia-Muze e Radios, Po ashtu, edhe komuna e Lypjani, në parim ka pranuar ta marrë në mbrojtje selinë e parë të Radios, në fshatin Krojmir.
Duke shfrytëzuar këtë refuzim pronësie të Radios Kosova e Lirë nga Drejtoria e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës një segment i stafit të kohës së luftës, ka ndërhyrë pa lejen e Drejtorisë dhe e ka përvetësuar Bunkerin, pastaj në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, e ka ngritur “Bunkerin”, të cilin mbase edhe e merr në mbrojtje.
Kjo ndodhi, jo rastësisht pikërisht në kohën kur u sëmura dhe u diagnostifikova nga mjekët me një sëmundje të pashërueshme.
Tani ky segment i ish-stafit, që në Radion Kosova e lirë kanë punuar vetëm nga gjashtë muaj dhe pas luftës janë larguar, sepse nuk u ka mjaftuar paga 300 marka në muaj, por kanë punuar atje ku i kanë marrë dhe i marrin nga 3000 e më shumë, po pretendojnë ta promovojë vetveten madje edhe si themelues të Radios dhe “kuadro të jashtëzakonshëm”, pa të cilët nuk do të kishte funksionuar Radio Kosova e Lirë.
Kjo paraqitje e tyre në intervista e biseda para opinionit, madje edhe në mediet që luftën e UÇK-së e kanë quajtur fashiste, ndërsa Radion-Kosova e Lirë e kanë halë në sy, nuk është vetëm për krekosje, për rrahje gjoksi, për të treguar se kush ka qenë kryesori në të vërtetë, e kush i emëruari, pretendon të lë për t u nënkuptuar se ata e njohin vetëm Radion Kosova e Lirë janar-qershor 1999, sa paskan qenë jo vetëm kryesorët, por edhe më meritorët. 25 vjet të tjera nuk po ekzistuakan edhe pse kanë vjelë favore e favore për vetet e tyre, në emër të Radios, të cilës nuk i kanë dhënë asgjë prej gjëje, por kanë rrëmbyer në emër të saj pa u kursyer, në asnjë segment përfitimi.
Pse aq shumë rrahin gjoks disa ish anëtarë të stafit të RKL-së, për të treguar vetëm veprat e tyre dhe në përpjekje për të përvetësuar meritat e gjithë të tjerëve?
Do të mundohem të bëj disa sqarime tani për tani, ndërsa prej një Janarit të vitit 2024 do të botohet në vazhdime vepra ime dokumentare, “Kronikë lufte”, pjesa e dytë 1 Janar-21 qershor 1999. Në këtë kronikë dokumentare, të cilën e kam shkruar natë për natë në 400 ditët e luftës së UÇK-së, ku unë kam qenë i pranishëm, faktohen e dokumentohen të gjitha ndodhitë e dëshmitë ditore, puna dhe aktiviteti i gjithsecilit, përpjekjet për sabotim, sikur është rasti i prishjes me qëllim të telefonit satelitor, nga dy anëtarë të Kosovapresit, vetëm të mos e marrë në shërbim Radioja, deri te përpjekja për dezertim e ndodhi të tjera, jo vetëm të lavdishme, sikur tani ia veshin vetes, ata që flasin për meritat e tyre, për gjashtë muaj të kohës së luftës.
Kjo është arsyeja që të botohet pjesa e dytë e Kronikës në faqen zyrtare të RKL-së, prej 1 janarit deri më 21 qershor 1999. Secili nga këta që sot rrahin gjoks dhe përditë përpiqen ta promovojnë vetveten, do të përballen me realitetin e ndodhur dhe të regjistruar, jo vetëm si fotografi, por si përshkrim besnik, real, faktik, ditor, dokumentar, i të gjitha atyre që kanë ndodhur dhe që nuk mund të kundërshtohen me asnjë mënyrë, mund vetëm të injorohen nga mëria, xhelozia dhe egoja e sëmurë për promovim të vetvetes.
Meqë, as pas 25 viteve, nga anëtarë të caktuar të ish stafit, nuk po ndalen përpjekjet për përvetësim, manipulim, keqinterpretim, gënjeshtra e mashtrime të opinionit, lidhur me funksionimin e Radios Kosova e Lirë, gjatë luftës, dhe, duke i injoruar 25 vitet e saj të pas luftës, në Kronikë janë evidentuar të gjitha, ngjarjet e çdo dite ashtu sikur kanë ndodhur. Pres të dëshmohet e kundërta nëse ka fakte të shkruara e të dokumentuara të kohës, e jo vetëm mburrje, iluzione, imagjinatë, eufori e egocentrizëm, përpjekje për protagonizëm,
Ahmet Qeriqi
Dhjetor 2023