24-vjet më parë, në malet e fshatit Berishë të Rrafshnaltës së Drenicës, ka filluar transmetimin, Radio-Kosova e Lirë dhe Agjencia e Lajmeve Kosovapress, dy institucionet informative të kohës së luftës, që i kishte themeluar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me vendimin që kishte marrë, më 13 nëntor të vitit 1998.
Prej 4 janarit të atij viti e deri tani kjo Radio e luftës dhe e paqes në vendin tonë është ballafaquar me të pritura e të papritura, duke qenë e pranuar dhe e papranuar në të njëjtën kohë nga shoqëria dhe institucionet, duke u përballur me mohuesit e saj, por edhe me ata nuk janë pajtuar as pajtohen me programet, emisionet e konceptin e saj transmetues dhe iu duket anakronike qe 24 vjet kjo Radio po transmeton emisione për dëshmorët e kombit, martirët dhe personalitetet kombëtare, pasi pretendojnë se i ka kaluar koha madje edhe vlerave të luftës çlirimtare.
Pavarësisht se asnjëra nga Qeveritë e pas luftës në Kosovë, madje as Qeveria e Përkohshme nuk iu njohu kësaj Radioje statusin special, si vlerë informative e kulturore e luftës së UÇK-së, pavarësisht përpjekjeve të OSBE-së, për njëherë pas luftës për të na degraduar statusin, si radio Lokale, pavarësisht përpjekjeve të klaneve të ndryshme të fuqisë dhe interesit për të na bindur të bëjmë si bëjnë gjithë të tjerët, pavarësisht përplasjeve të brendshme të kohëpaskohshme, të atyre që nuk mund të jenë pajtuar me këtë program, Radio-Kosova e Lirë ka çarë rrugën e vet me forcat e veta, dhe me mbështetje të atyre , që kanë punuar dhe punojnë me përkushtim në këtë medium, atyre që na kanë dëgjuar dhe na dëgjojnë dhe atyre që e shfletojnë faqen zyrtare në internet.
Falë punës këmbëngulëse dhe të përkushtuar të stafit të mbetur, falë jetës në Kosovën e Lirë dhe të pavarur, si dhe horizonteve që ajo ka hapur për ekzistencë dhe shumëllojshmëri mendimesh e idesh, falë edhe ndihmës së mbështetësve të caktuar, por asnjëherë institucioneve, Radio Kosova e Lirë, ende jeton, ende e transmeton fjalën e lirë, pa censurë në Kosovën e lirë, për të cilën ka dhënë mund e gjak dëshmorësh.
Përpjekjet tona për të qëndruar e për të mos dështuar kanë qenë dhe po mbeten alfa e angazhimit dhe e preokupimeve, sepse e kemi të vështirë të heqim dorë nga tërë trashëgimia tani 24-vjeçare, nuk heqim dorë nga mijëra emisione për dëshmorë e martirë nga mijëra të tjerë për personalitetet kombëtare e më gjerë, mijëra këngë dëshmorësh në fonotekë e dhjetëra mijëra të tjera këngë burimore shqiptare, me një faqe në internet që përditësohet me kompetencë e profesionalizëm ditë për ditë, me tema nga tradita e begatshme kulturore kombëtare nga historia, tradita, letërsia, artet, shkenca, me një botë të tërë materialesh ndër më të ndryshmet e më të veçantat.
Rruga e deritanishme ka qenë dhe vazhdon të jetë e rëndë, pa përkrahje institucionale, sepse të gjitha institucionet, për ndonjë ndihmë të caktuar kërkojnë dëgjueshmëri, adaptim, relativizim të konceptit, jo kritikë edhe kur është konstruktive, ndërsa Radi0-Kosova e Lirë kurrë nuk ka lëshuar pe nga e drejta për ta thënë dhe për ta mbrojtur të vërtetën gjithnjë me gjuhën e fakteve e argumenteve, pavarësisht pozitën gjithnjë të pafavorshme.
Sot kujtojmë jo vetëm 4 janarin e vitit 1999 por edhe 23 janarët e tjerë në vazhdim, sepse nga viti në viti kemi përcjellë porositë e dëshmorëve dhe heronjve të kombit, nuk kemi reshtur së përkujtuari për asnjë ditë të vetme, ata që derdhën rrëke gjakun e tyre për çlirimin e vendit nga robëria shekullore serbe.
Prej 8 korrikut të vitit 1999 e deri sot në këtë lokal tashmë pronë e Radios-Kosova e Lirë kanë punuar pandërprerë dhjetëra gazetarë, operatorë, janë larguar të gjithë ata që kanë gjetur vend pune më të mirë, kanë ardhur të tjerë, kanë shkuar edhe ata, por gjithnjë ka mbetur konstantja, pa të cilën nuk funksionon dot një medium i këtij niveli, me këtë trashëgimi dhe diapazon angazhimi e veprimi
Radio-Kosova e Lirë nuk heq dorë nga kërkesa për njohjen institucionale të statusit si vlerë informative kombëtare e luftës së UÇK-së
Edhe pse Radios-Kosova e Lirë iu ka mohuar padrejtësisht statusi i vlerës së luftës së UÇK-së qysh nga Qeveria e Përkohshme dhe nga të gjitha të tjerat e deri te kjo e sotmja, ne nuk kemi hequr dorë nga e drejta jonë, për shkak se kjo Radio e themeluar më 13 nëntor të vitit 1998 nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, ka qenë dhe mbetet zëri i dëshmorëve dhe i martirëve, bashkë me mijëra emisione e programe që trajtojnë jetën dhe veprat e tyre. Kjo Radio ka ruajtur dhe ruan 100% të fondit informativ të luftës, vlerat e përgjithshme kombëtare dhe vazhdon të mbetet zëri i lirisë dhe i fitores, deshën apo nuk deshën kundërshtarët e këtij zëri, apo disa nga ish anëtarët e stafit të kohës së luftës, që u larguan nga Radioja për punë të tjera fitimprurëse.
Radio-Kosova e lirë është përpjekur dhe po përpiqet të marrë statusin që e meriton dhe nga kjo e drejtë kurrë nuk do të heq dorë.
Jemi të vetëdijshëm se me qëndrimin tonë parimor, kombëtar, kemi qenë dhe kemi mbetur të papranuar nga qarqet e caktuara politike, por meqë nuk jemi dorëzuar para bombave e predhave të regjimit të Millosheviqit, nuk do të dorëzohemi as nga yshtjet, injorimi dhe mohimi që na kanë bërë dhe na bëjnë pushtetarët, sepse për ruajtjen e këtij zëri gjatë luftës kanë rënë shumë dëshmorë. Kjo është diga në të cilën jemi mbështetur dhe mbështetemi, pavarësisht se sa të fortë, të pushtetshëm e të fuqishëm janë kundërshtarët, të cilëve iu ka penguar dhe iu pengon ky zë emblematik i lirisë së Kosovës, iu pengon sepse është më i veçanti, më autentiku, më i guximshmi dhe më drejtpërdrejti.
Me vetëfinancim nga reklamat dhe nga ndonjë donator kemi ngritur Shtëpinë-Muze në fshatin Berishë, qysh në vitin 2004 në një parcelë të komunës së Drenasit, dhe disponojmë lejen për shfrytëzim të atij vendi të caktuar.
Në Shtëpinë-Muze është arkivuar tërë materiali i Radios gjatë kohës së luftës, transmetuesi, antenat, miksetat, kamerat dhe tërë audio-materiali i emetuar gjatë gjashtë muajve të funksionimit të saj gjatë luftës, si dhe artefakte të tjera.
Më 3 nëntor të vitit 2009, Ministria e Kulturës ka marrë vendim që kjo Shtëpi-Muze të merret në mbrojtje institucionale nga komuna e Drenasit, por ajo ka refuzuar vendimin gojarisht dhe nuk ka pranuar të lëshojë shkresë me arsyetim ligjor.
Po ashtu Komuna e Drenasit nuk ka pranuar të na japë në shfrytëzim një parcelë në vendin ku ka qenë Bunkeri i Luftës, në vendin e quajtur “Maja e Pallanikut” i cili është rrënuar në mungesë të mbështetjes institucionale.
Kërkesën, me rekomandim të komunës, për të marrë një leje lidhur me rregullimin e Bunkerit ia kemi adresuar Agjencisë së Pyjeve të Kosovës më 31 maj 2022, e cila ende nuk e ka shqyrtuar kërkesën tonë edhe pas shtatë muajve.
Jemi angazhuar në rregullimin e rrugës afër dy kilometra nga fshati Berishë deri te Bunkeri, në një terren tejet të përthyer malor, por kemi arritur të vendosim një bazë për rregullimin e plotë, në pritje të ndonjë donatori, apo të ndonjë përkrahjeje institucionale nga komuna e Drenasit dhe e Malishevës, meqë rruga u përket të dyja komunave, përafërsisht me nga një kilometër gjatësi.
Radio-Kosova e Lirë disponon një lokal të një shtëpi në Krojmir, ku për herë të parë qysh në verë të vitit 1998, ka filluar puna për sigurimin e teknikës dhe të stafit të gazetarëve, reporterëve dhe operatorëve. Kjo pikë e Radios, është pranuar nga drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sport i komunës së Lypjanit, më vendimin e datës, 20. 2. 2019, për t’ u marrë në përkujdesje institucionale, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret në këtë drejtim.
Sot në 24-vjetorin e fillimi të transmetimit, Radio-Kosova e Lirë, përshëndet të gjithë dëgjuesit, familjarët e dëshmorëve e martirëve, invalidët e veteranët e luftës, në radhë të parë përshëndet krerët e UÇK-së: Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Pjetër Shala, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, që padrejtësisht po mbahen në pranga nga Gjykata Speciale, e cila luftën e UÇK-së po pretendon ta paraqesë si, “Ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Ahmet Qeriqi
4 janar 2023
Prishtinë