Radio-Kosova e lirë sot përkujton 21-vjetorin e fillimit të transmetimit. 4 janari shënon një ditë me rëndësi në historinë e informimit, në veçanti të informimit në Kosovë, meqë atë ditë me acar të vitit 1999, filloi të jehojë sintagma më emblematike e kohës, e shprehur dhe e zëruar me fjalët, “Ju flet Kosova e lirë”. Përhapja e atij zëri të lirisë në nën-qiellin e Kosovës tregonte jo vetëm rriten e UÇK-së, por edhe vendosmërinë e të gjithë shqiptarëve liridashës se Kosova në rrugën e vet historike, nuk kishte çka të humbiste, për veç këmishës së shqyer të robërisë, dhe po bënte hapat e fundit, hapat vendimtarë për t’u çliruar nga regjimi më barbar dhe më kriminal në tërë Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, sikur ishte regjimi serb i Milosheviqit.
Tani, kujtimi për përvjetorët e Radios nuk është vetëm kthim i rastit në përkujtim të lavdisë e heroizmit të luftëtarëve të lirisë, por tregon edhe një rritë, një traditë 21-vjeçare, në përpjekje për të mos lejuar që ky zë i dëshmorëve dhe i martirëve, zë i çlirimtarëve të adaptohet e të shpërfytyrohet në kazanin e madh mediatik, i cili zien e përzien vlerat e anti-vlerat, duke nëpërkëmbur traditën, luftën çlirimtare, duke i bërë jehonë Gjykatës Speciale, duke pretenduar të varrosen vlerat më të sublimuara të kombit, në përpjekje që çdo vlerë të qëndrueshme dhe autentike t’ ia nënshtrojë globalizmit kapitalist, në emër të demokracisë e fjalës së lirë.
Lufta e Radios-Kosova e Lirë, prej katër janarit të vitit 1999 e deri tani, në njëzet e një vjetorin e saj, ka qenë tejet e rëndë dhe e vështirë, meqë është ballafaquar me një presion të fuqishëm vendor e të huaj, për ta ngulfatur, për ta ndalur këtë zë me qëllim për ta mbyllur në një muze virtual, një si kujtim të trishtueshëm të luftës.
Më kujtohet biseda që kam pasur me Komisionerin e Medieve të Kosovës, Sajmon Hajslok, në vitin 2000, kur hapur më kishte thënë se programi e përmbajtja e kësaj radioje nuk ka perspektivë, se do të ngelë si peshku në zall, meqë asnjë organizatë ndërkombëtare nuk do ta mbështesë dhe asnjë institucion i vendit nuk do ta ndihmojë. Në përgjigjen time se ky zë do të shuhet vetëm kur të ketë vdekur edhe luftëtari i fundit i UÇK-së, ai i zemëruar dhe i irrituar nuk foli, por ma bëri me dorë që të largohesha nga zyra e tij.
Ish-komisioneri Hajslok nuk e di ku është dhe a është gjallë, por pasuesit e rrugës së tij e kanë mbajtur fjalën, sepse asnjëherë nuk e kanë mbështetur as ndihmuar këtë Radio. Asnjë qeveri e derisotme e Kosovës, duke filluar nga ajo e Përkohshmja e Hashim Thaçit e vitit 1999 e deri te kjo në largim e Ramush Haradinajt, nuk e kanë marrë nën mbrojtje institucionale si vlerë të luftës, (madje as Shtëpinë-Muze në fshatin Berishë) me të cilën ishin krenuar e kishin rrahur gjoks gjatë luftës, por kur filluam t’ i kritikojmë pas luftës, për veprimet e tyre të pa mira, ata na injoruan dhe vazhdojnë të na injorojnë po aq sa Hejsloku dhe Hejskolët e tyre.
Luftëtari i fundit i UÇK-së nuk ka vdekur dhe ma do mendja të besoj se nuk do të vdesë kurrë, derisa të frymojë Kosova e lirë, derisa të gjallojë ky popull dhe aspirata për bashkim të të gjithë shqiptarëve në një shtet të përbashkët.
Radio-Kosova e Lirë vazhdon misionin kombëtar dhe nuk ka forcë vendëse, as ndërkombëtare që ta ndalojë këtë zë lirie, sepse frymon bashkë me lirinë e Kosovës, me porosinë e Legjendarit, Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit, veteranëve e invalidëve të luftës e të gjithë shqiptarëve liridashës. (RKL)