17-vjet qëndresë, zëri i lirisë dhe i luftës së pandërprerë kundër pushtuesve, padrejtësive dhe kundër mercenarëve të të gjitha ngjyrave e përmbajtjeve
Më 4 janar të vitit 1999, në kohën kur Kosova mbahej nën rrethim të hekurt nga regjimi kriminal i Serbisë, në kohën e intensifikimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në malet e Berishës, në Rrafshnaltën e Drenicës, filloi transmetimi i programit të Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress. Këto dy institucione të informimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filluan punën në kushte dhe rrethana kur UÇK-ja ishte konsoliduar, ndërsa çështja e Kosovës ishte ndërkombëtarizuar dhe kërkohej një zgjidhje e domosdoshme.
Radio-Kosova e Lirë, prej 4 janarit të vitit 1999 e deri sot ka qenë dhe po mbetet zëdhënës i forcave meritore të kombit, zë lirie e përkushtimi kombëtar, zë i së vërtetës dhe i së drejtës së natyrshme të shqiptarëve për bashkim kombëtar, zë kujdestar kundër barbarisë okupatore serbe, kundër shfrytëzuesve dhe manipuluesve të lirisë, zë diskret kundër atdhe-mohuesve dhe jugonostalgjikëve dhe ëndrrave të tyre perverse për kthimin e kohës së bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë e sllavë.
Radio Kosova e lirë në 17 vitet e ekzistencës, ka qenë e përfshirë në një luftë të pabarabartë, ashtu sikur ka qenë e pabarabartë lufta jonë e armatosur kundër makinerisë kriminale serbe, por në këtë luftë ka farkuar identitetin e vet, duke i qëndruar besnike vlerave më sublime të kombit e Atdheut.
Në rrugën 17-vjeçare të zërimit të vlerave tona kombëtare, të kulturës dhe afirmimit të vlerave të lirisë e pavarësisë, në rrugën plot pengesa nga mujsharët me jugo-prejardhje, Radio Kosova e Lirë për asnjë çast nuk e ka ndalur hapin historik, në rrugë për t’ i bërë jehonë aspiratave të drejta, të ligjshme dhe të natyrshme të bashkimit të trojeve të Shqipërisë në një shtet të vetëm, ashtu sikur kanë qenë dhe janë shtetet e pavaruar në Ballkan e më gjerë.
Rrugën e Radios-Kosova e Lirë për mbijetesë e kanë ndihmuar të gjithë ata që përkrahin konceptin dhe qëndrimin tonë të patundur, në radhë të parë familjarët e dëshmorëve, invalidët e veteranët e luftës së UÇK-së dhe të gjitha forcat liridashëse të vendit.
Programi 24 orë i Radios-Kosova e Lirë, është program në shërbim të vlerave më sublime të kombit, në shërbim të atdhetarisë, në shërbim të kulturës kombëtare, të kulturës së tolerancës fetare, në shërbim të vlerave, që ka krijura ndër shekuj ky popull, jo vetëm njëherë i nëpërkëmbur dhe jo vetëm nga mujsharët e huaj, por mjerisht edhe nga shpirtshiturit, që nuk na kanë munguar në asnjë përpjekje tonë për unifikim e bashkim, nga jugo-mercenarët e të gjitha ngjyrave, që edhe sot 17 vjet pas luftës, e fitores historike kundër barbarisë, gjendet një pjellë bastarde që përqesh e përbuzë, gjakun e derdhur për liri,
Sot, Radio-Kosova e lirë përkujton ditët me acar dhe nën breshërinë e armëve vrastare të regjimit kriminal të Milosheviqit, të 4 janarit të vitit 1999, kur në nënqiellin e Kosovës të përfshirë nga zjarri i luftës çlirimtare jehoi fuqishëm sintagma e lirisë: “Ju flet Kosova e Lirë”. Prej 4 janarit e deri më 21 qershor të atij viti, zëri i Kosovës së lirë ka jehuar tok me armët e çlirimtarëve, me bekimin e nënave për bijtë e tyre, që kishin marrë armët dhe po e luftonin barbarinë sunduese serbe. Kosova e lirë, ishte aspirata e brezave që kishin dhënë jetën për çlirimin e saj nga kolonializmi e hegjemonizmi serb, Kosova e lirë ishte thirrja unike e të gjithë shqiptarëve liridashës nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova e Lirë vazhdon të jetë zëdhënës i aspiratave për liri e bashkim kombëtar.
Në këtë rrugë as kemi ndalur as do të ndalojmë, sepse jemi thellë të bindur në të drejtën tonë historike, në të drejtën tonë të natyrshme për bashkim dhe emancipim, për një të ardhme të ndritur jo nën tutelat e mujsharëve të globalizmit, qoftë atij qe vjen nga Lindja apo nga Perëndimi, por duke u mbështetur në radhë të parë në vetvete dhe te të gjitha ata miq që na kanë ndihmuar, duke shprehur gatishmëri për reciprocitet, mirëkuptim, tolerancë dhe humanizëm, miku mik por secili me nderë e respekt në shtëpi të vet.
Radio-Kosova e Lirë është flamurtja e lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar!
Për jetë e mot me zërin e lirisë, me jehonën e pavarësisë dhe bashkimin e Shqipërisë!