Në këtë qasje krahasimtare do të gjeni edhe një vistër argumentesh se pse të gjitha shkollat anembanë vendit, prindërit dhe institucionet qeverisëse duhet të ngrehin zërin që sa më parë që të jetë e mundur të largohet nga përdorimi “Gjuha shqipe 6” i Shtëpisë Botuese Dukagjini. Ky veprim duhet të ndërmerret sa më parë. Ndër vite, në tekstet shkollore janë konstatuar probleme nga më të ndryshmet, që nga mbingarkesa, përkthimet aspak cilësore, pasaktësitë shkencore, konceptet e gabuara, por rasti i “Gjuha shqipe 6”i përzgjedhur nga MAShT-i është më shumë se skandaloz. Këto probleme, tashmë, janë konstatuar nga mësimdhënësit, prindërit e nxënësit.
Nguti për ta përfunduar tekstin shkollor sa më parë, shkelja e procedurave, shkelja e Ligjit mbi tekstet shkollore, shkelja e Standardeve për tekstet shkollore dhe miratimi i menjëhershëm nga Ministria e Arsimit, ka bërë që librat shkollorë me këto probleme të përfundojnë në duart e nxënësve, duke i shtuar jo vetëm vështirësi të mëdha procesit mësimor, por edhe duke ndikuar negativisht n formimin e një brezi të tërë.
Konkretisht, libri “Gjuha shqipe 6”, i Shtëpisë Botuese Dukagjini, me të cilin punojnë të gjitha shkollat anembanë vendit, duhet të dalë sa më parë që të jetë e mundur nga qarkullimi. Përveç pasaktësive të shumta shkencore, gabimeve ortografike, paraqitjes së papërshtatshme grafike për këtë moshë shkollore, përzgjedhja e fragmenteve dhe e teksteve ilustruese që janë përfshirë në të është krejtësisht e papërshtatshme. Për shembull, në faqen 11 të këtij teksti (njësia 2), për t’u mësuar nxënësve dallimet mes dialekteve të shqipes merren në shqyrtim tekstet:
Ose për të trajtuar kuriozitetet si lloj jo letrar janë përzgjedhur:
Në një njësi tjetër mësimore, për t’u mësuar nxënësve dallimin mes biografisë dhe autobiografisë merret në shqyrtim biografia e Servantesit dhe autobiografia e një majmuni të murrmë. Pra, tashmë edhe kafshët kanë filluar të përshkruajnë veten, dhe jo përshkrim dosido por sipas strukturës së autobiografisë!!! Dhe pasi jepen shembujt, vijohet më tej po gabim: Teksti për Don Kishotin është biografi. Të gjithë e dimë se Servantesi identifikohet me personazhin e tij me famë botërore, por në këtë rast autorët e tekstit po japin një përkufizim teorik dhe ngatërresa është thjesht e patolerueshme, sidomos në kushtet kur një faqe më përpara trajtohet një fragment i shkëputur nga romani “Don Kishoti”.
Sa u përket përrallave të përzgjedhura për këtë tekst shkollor konstatohen probleme serioze. Subjekti i përrallës së mirënjohur të Andersenit “Rosaku i shëmtuar”, u jepet fëmijëve me titullin “Pata e shëmtuar” dhe me autor Brajan Morzin, me problemet si të evidentuara në foto:
Ose përralla “Nusja ulkonjë”, e cila ka tipare të një teksti të rëndë psikologjikisht për fëmijë, elemente të papërshtatshme që ngjasojnë me filma me përmbajtje të rëndë dhe tekstit i mungon elementi bazë i këtij lloji letrar, përcjellja e mesazhit dobiprurës dhe të shëndetshëm.
Gjithçka që u shkëput nga ky tekst lidhet vetëm me përzgjedhjen e teksteve dhe të fragmenteve në libër, përzgjedhje që pothuajse në çdo rast është e papërshtatshme për tekst shkollor.
Në shkrime të tjera do të trajtohen gjerësisht mungesa e aparateve pedagogjike për temat letrare dhe njohuritë mbi llojet e teksteve, gabimet shkencore në temat për gramatikën e shqipes dhe mospërputhja e këtij teksti me programin e miratuar nga Ministria e Arsimit.
Autorët e librit: Mimoza Gjokutaj, Ragip Gjoshi. Tereza Babasuli. Anilla Mullahi