leoni

Raif Qela: VERIU I KOSOVËS DHE LUGINA E PRESHEVËS – PASOJA TË KOLONIALIZMIT SERB

 


Në kohën e fundit opinioni publik është vërshuar prej qëndrimeve, deklaratave e mendimeve nga më të ndryshmet të dhëna nga politikanë e analistë se si do të duhej të zgjidhej çështja e serbëve të Kosovës. Theksi vihet mbi veriun, ku është përqendruar një pjesë e madhe e popullatës serbe të Kosovës.
Dhe këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, sikur më të zëshmit në shtruarjen për zgjidhje të kësaj çështjeje të mos harronin me qëllim se ekziston edhe çështja e pazgjidhur e shqiptarëve të mbetur brenda kufijve aktualë të Serbisë. Harrohet me qëllim të thuhet se ka një situatë plotësisht të bashkëmatshme, shumë të ngjashme, – dhe në shumë aspekte identike, – me çështjen e serbëve të veriut të Kosovës: Lugina e Preshevës. Madje, ka edhe tendencë të theksuar që ta pengojnë me çdo kusht daljen në skenë të çfarëdo analogjie ndërmjet tyre.
Harrohet me qëllim të thuhet se ka një parim, – i vetmi i drejtë, – për zgjidhjen e këtyre dy çështjeve: e drejta e kombeve për vetëvendosje.

Gjeneza e këtyre dy problemeve

Për të ardhur deri te një zgjidhje e drejtë lidhur me këtë kontest shqiptaro-serb, ka qenë shumë më lehtë sikur të nisej nga premisa e pamohueshme se çështja e Kosovës është çështje koloniale, se çështja e Luginës së Preshevës është çështje koloniale. Kjo do t’i thjeshtësonte shumë gjërat.
Me pavarësinë e Kosovës u mbyll kapitulli kryesor i pushtimit serb mbi Kosovën, u këput delli kryesor që e ka ushqyer kolonializmin serb. Por, përveç tjerash, mbeti problemi aq shumë i përfolur i veriut të Kosovës dhe problemi shumë pak i përmendur i Luginës së Preshevës.
Si u krijuan këto dy probleme në shikim të parë të ndryshme, por në thelb shumë të ngjashme?
Edhe problemi i veriut të Kosovës, edhe problemi i Luginës së Preshevës janë rrjedhojë e kolonializmit serb mbi Kosovën.
Kufijtë e tashëm të Kosovës, – duke e përjashtuar Luginën e Preshevës prej saj, – i ka krijuar pas LDB-së regjimi i atëhershëm serbo-jugosllav, për t’i ruajtur interesat strategjike të serbomëdhenjve për dalje më të shkurtër në Mesdhe përmes viseve shqiptare (lugina e Preshevës), të cilat vise nuk do të ishin nën autonominë kosovare.
Në dukje si kompensim për futjen e Luginës së Preshevës brenda territorit të Serbisë së ngushtë (pa krahina), por me prapavijë tjetër, një pjesë të territorit të sotëm të veriut të Kosovës ia bashkëngjitën ish-krahinës së Kosovës me qëllim që ta zvogëlojnë përqindjen tepër të madhe të strukturës kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.

E drejta e shkëputjes

Si do të duhej të materializohej parimi i së drejtës së kombeve për vetëvendosje si e vetmja zgjidhje e drejtë për këto dy çështje?
Që të dyja këto territore janë vazhdimësi e pashkëputur territoriale e kombit përkatës: një pjesë e veriut të Kosovës përbëhet prej shumicës serbe dhe është i ngjitur me Serbinë, kurse Lugina e Preshevës është me shumicë shqiptare dhe është e ngjitur me Kosovën.
Serbët e veriut të Kosovës e kanë të drejtën e plotë të vetëvendosjes, pra edhe të shkëputjes: kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë, kompaktësi në krejt komunën e Leposaviqit (përjashtuar tri fshatra), në pjesën më të madhe të komunës së Zveçanit, si dhe në pjesën më të madhe të komunës së Zubin Potokut.
Por atë të drejtë e kanë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
E me çfarë të drejte të kërkohet për serbët e Kosovës së Veriut që të shkëputen prej Kosovës, ndërsa për shqiptarët e Luginës së Preshevës të mos pranohet një gjë e tillë? Me të drejtën e Metropolit ndaj kolonisë.
Me po atë të drejtë me anën e së cilës është shtypur për një shekull të tërë populli shqiptar i Kosovës, e bashkë me të edhe ai i Luginës së Preshevës.

E drejta historike…?!

Regjimi serbomadh dhe aleatët e tij ndërkombëtarë pretendojnë t’i mbajnë gjallë rrënjët e kolonializmit edhe më tutje në Kosovë dhe pretendojnë ta mbajnë të pacenuar sovranitetin serb mbi Luginën e Preshevës, duke thënë se në mesjetë shteti serb ishte e shtrirë nëpër krejt Kosovën dhe se pjesa më e madhe e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të popullit serb është e përqendruar në Kosovë. Dhe me çfarë të drejte serbomëdhenjtë po pretendojnë se duhet të mos heqin dorë as nga sovraniteti mbi Kosovën edhe pas shpalljes së pavarësisë, e lëre më nga Lugina e Preshevës?
Me të drejtën historike? Sipas kësaj të drejte historike, paraardhësit tanë, Ilirët, kanë qenë të shtrirë deri mbi lumin Sava, pra, në pjesën më të madhe të Serbisë së sotme, në një pjesë të Vojvodinës, në pjesën më të madhe të Bosnjës e të Kroacisë, madje edhe në gjysmën e Sllovenisë. A do të duhej që shqiptarët të pretendonin t’i kenë krejt këto territore nën sovranitetin e vet?
Kjo logjikë çon në absurd.
E drejta historike, përballë faktit të strukturës demografike të krijuar me gjenerata, nuk ka kurrfarë peshe reale.
Madje, megjithëse territoret shqiptare janë tkurrur deri më shumë se në përgjysmim vetëm gjatë një shekulli e gjysmë të fundit, edhe pretendimet e disa qarqeve shqiptare për shtrirjen e kufijve etnikë “deri tek Molla e Kuqe” janë shumë joreale… Çështjen e atij territori Serbia e ka zgjidhur qysh para një shekulli me zjarr e barot. Dhe nuk ke sesi t’i kërkosh ato territore, përderisa për gati një shekull atje nuk ka asnjë frymë shqiptari.

Dallimet

Çka i dallon këto dy raste ndërmjet vete?
Nga aspekti i veprimit të strukturave të brendshme politike karshi këtij problemi, dallimi qenësor qëndron në faktin se politika e përulur e udhëheqjes së Luginës së Preshevës, me sugjerimet e udhëheqjeve politike të përulura të Prishtinës e Tiranës zyrtare, prodhojnë vetëm qëndrim pasiv e nënshtrues; ndërsa në saje të politikës agresive të Serbisë zyrtare dhe sejmenëve të saj lokalë të Kosovës, pushteti qendror i Kosovës, përfshirë këtu edhe atë ndërkombëtar, poshtërohet sa herë t’i teket shovinizmit serbomadh. Nga aspekti i statusit, dallimi qëndron në faktin se Lugina e Preshevës vazhdon të jetë koloni e Serbisë, ndërsa pjesa veriore e Kosovës (e krijuar vetëm tani si problem), edhe pse formalisht pjesë e Kosovës së pavarur, megjithatë pa sovranitet të qartë.

Vetëvendosja – zgjidhja e vetme e drejtë

Luftërat e pareshtura për liri të popullit shqiptar të Kosovës e tundën nga rrënjët kolonializmin serb…; interesat e të mëdhenjve i këputën ato. Por vetëm në Kosovën administrative… Lugina e Preshevës mbeti…Siç mbetën edhe viset shqiptare nën Maqedoni e nën Mal të zi…
Pavarësimi i Kosovës, edhe i tillë çfarë është: me kufizime, me kushtëzime dhe me mbikëqyrje, – i nxori në pah edhe problemin e veriut të Kosovës, edhe problemin e Luginës së Preshevës.
Marrëveshje dhe zbatim konsekuent prej të dyja palëve i së drejtës së kombeve për vetëvendosje deri në shkëputje, – ky do të ishte parimi i vetëm i drejtë për zgjidhjen e këtyre dy çështjeve: veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. E pse jo edhe shkëputje?
Por serbëve në brendi të Kosovës, – përderisa nuk janë në vazhdimësi territoriale kompakte të kombit serb, – nuk ka se si t’iu takojë e drejta për vetëvendosje deri në shkëputje: ata duhet të pajtohen me realitetin se janë minoritet.

Pakoja e Ahtisaarit – gjenerator i krizave

Sikur të mos iu krijoheshin kushtet për ta ushqyer shpresën se do të ktheheshin kah institucionet e Beogradit, serbët e Kosovës do t’iu bindeshin institucioneve të Kosovës.
Atyre iu krijuan kushtet që të ndërtonin institucione paralele dhe faktori ndërkombëtar qëndronte symbyllazi para një fakti të tillë. Madje, një pjesë e mirë e faktorëve relevantë ndërkombëtarë vetë e favorizonte një veprim të tillë. Këtë shpresë vetëm sa ua ushqeu Pakoja e Ahtisaarit, e cila u bë edhe mbështetje juridike faktorëve çintegrues të shoqërisë kosovare.
Shumë më mirë, shumë më drejt do të mbroheshin interesat e minoritetit serb në Kosovë apo në Shqipërinë e bashkuar po qe se do të zbatohej një demokraci konsekuente ku do të garantohej liria e plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, sesa me marrëveshjen e Ahtisaarit.
Marrëveshja e Ahtisaarit, duke iu krijuar privilegje të skajshme serbëve në llogari të krejt popujve të Kosovës (shqiptarëve dhe të krejt minoriteteve joserbe), ua krijon serbomëdhenjve superstrukturën kushtetuese me anën e së cilës do të vihet në lojë pushteti qendror i Kosovës kur t’i teket shovinizmit serb.
Pakoja e Ahtisaarit do t’i mbërthejë që të dy këta popuj në prapambetje, do t’i katandisë si është më keq… Ajo do të jetë burim i pashtershëm i armiqësive të reja dhe ngacmues i plagëve të armiqësive të vjetra…
Privilegjet nuk e mbrojnë përjetësisht një popull të privilegjuar; ato krijojnë urrejtje, thellojnë urrejtjen te populli i cili nuk është i barabartë me të privilegjuarin, te populli i cili privilegjet e të tjerëve i përjeton si burim të pashtershëm të pakënaqësive… Shqiptari i Kosovës, duke e pasur si Kushtetutë të vendit Pakon e Ahtisaarit, për çdo fatkeqësi të veten do ta shohë serbin si fajtor kujdestar.

Marrëveshja historike – parakusht për përparim

Vetëm me një demokraci konsekuente mund të krijohet harmoni ndërmjet dy popujve të armiqësuar, mund të krijohen parakushte që këta dy popuj të cilët jetojnë pranë njëri-tjetrit, të jetojnë edhe me njëri-tjetrin. Në emër të së ardhmes së popullit shqiptar dhe në emër të së ardhmes së popullit serb, do të duhej që të bëhej marrëveshje historike ndërmjet këtyre dy popujve. Do të ishte në interesin e të dy popujve që populli shqiptar dhe ai serb të mund të merreshin vesh ndër vete dhe t’ua njihnin njëri-tjetrit të drejtën e kombeve për vetëvendosje.
Kjo do t’i krijonte parakushtet për përparim të përgjithshëm shoqëror edhe të shqiptarëve, edhe të serbëve.
Në të kundërtën, në vend se për zhvillim e përparim, energjitë e të dy popujve do të orientohen kundër njëri-tjetrit, në qërimin e ndërsjellë të hesapeve: serbët do të vazhdojnë të pretendojnë ta mbajnë ndonjë pjesë të pushtuar të popullit shqiptar, ndërsa shqiptarët do të synojnë të çlirohen nga kthetrat e shovinizmit serbomadh. Vetëm kur të jetë e zgjidhur drejt edhe çështja shqiptare, edhe çështja serbe, këta dy popuj do të mund të jetojnë të lirë e sovranë secili në vendin e vet, si fqinj të mirë, pa pasur nevojë për mbikëqyrje, pa pasur nevojë për kufizime e kushtëzime në të cilat janë të katandisur të dy këta popuj.

Reciprociteti – tani për tani zgjidhja e vetme e mundshme

Por nuk është e pritshme që në këto kushte dhe rrethana, të krijuara në radhë të parë nga qëndrimi i fuqive me ndikim në botë, të ndryshojë qëndrimi i pushtetit të Beogradit karshi problemit të Kosovës. Nuk është e pritshme sepse, në njërën anë, për një kohë të gjatë regjimet e Beogradit kanë qenë regjime me ngarkesa shoviniste, deri në orientime të hapura fashiste dhe në anën tjetër, politika ndërkombëtare ka krijuar kushte për ruajtjen gjallë të politikës koloniale serbe. Pra, në këto rrethana, për shkak të shovinizmit serbomadh, por edhe për shkak të nënshtrimit dhe paaftësisë të strukturës aktuale politike të Kosovës, aktualisht nuk ka parakushte për marrëveshje reciproke mbi bazën e së drejtës së kombeve për vetëvendosje.
Në këto rrethana, përderisa nuk ka mundësi të zbatohet deri në fund parimi i vetëvendosjes së popujve, çelës i suksesit për përparim në zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb do të mund të ishte parimi i reciprocitetit: të mos ketë ngurrim në zgjerimin e gamës së të drejtave të pakicës serbe (por jo të privilegjeve alla-Ahtisaari), por gjithmonë të ngulmohet që po ato të drejta t’i gëzojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Para së gjithash, të krijohet klimë e volitshme politike për jetesë normale të pakicave kudo që janë.
Të mos pranohet ndryshimi i strukturës kombëtare si rezultat i dhunës së luftërave të fundit.
(T’ua kujtojmë atyre që harrojnë: përveç të ikurve serbë pas luftërave të fundit, ka edhe dhjetëra mijëra shqiptarë të shpërngulur me dhunë: edhe nga Lugina e Preshevës, edhe nga veriu i Kosovës. Vetëm në komunën e Gjilanit jetojnë tani mbi 12000 sish të shpërngulur me dhunë nga Lugina; mbi 10000 sish të shpërngulur me dhunë nga Mitrovica e Veriut…Është alarmante sidomos boshatisja e dhjetëra fshatrave shqiptare nga komuna e Medvegjës…)
Të gjithë ata që janë shpërngulur qoftë me dhunë, qoftë nga pasiguria për jetën e vet, të kthehen në vatrat e veta, në pronat e veta.

Veriu i Mitrovicës

Duke iu krijuar kushte të denja njerëzore serbëve në brendi të Kosovës, një pjesë e të cilëve sot jetojnë mbase pa dëshirën e vet në veriun e Kosovës, pa dyshim se do të shtendoset edhe veriu: shqiptarët e atjeshëm do të mund të ktheheshin në vatrat e veta. Kjo do ta zgjidhte edhe problemin e Mitrovicës veriore, në të cilën para lufte jetonin katërfish më shumë shqiptarë sesa serbë. Atje janë përqendruar me mijëra serbë të ikur nga brendia e Kosovës, megjithëse pjesa dërrmuese e shqiptarëve të ikur i kanë akoma pronat e veta.

Përfundim

Krijim i kushteve të denja njerëzore për të gjitha pakicat kombëtare, kthim në trojet e veta, në pronat e veta i të gjithë të shpërngulurve me dhunë, – ja zgjidhja e vetme e mundshme në këto rrethana. Jo këmbim territoresh dhe zhvendosje e popullsisë, por kthim në vendet e veta, në pronat e veta.
Vendosmëri për të mos hequr dorë për asnjë grimë, me asnjë kusht nga e drejta jonë e ligjshme për vetëvendosje, pra edhe nga e drejta për bashkim kombëtar të të gjithë shqiptarëve, – ja politika e duhur që çon drejt zgjidhjes së vetme të drejtë dhe afatgjatë, zgjidhje që sjell paqe të qëndrueshme e përparim të përgjithshëm shoqëror edhe të shqiptarëve, edhe të serbëve. Jo këmbim territoresh, jo pazarllëqe me territore, por zbatim konsekuent i së drejtës së kombeve për vetëvendosje.
(Autori është anëtar i Këshillit të Përkohshëm Drejtues të LËVIZJES PËR BASHKIM)

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …