Kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq e ka quajtur aksion kaubojsh vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për lirimin e lokaleve të uzurpuara të ndërmarrjeve shoqërore në veri të Mitrovicës. Ai ka paralajmëruar se nuk do të lejohen aksione të tilla në këtë pjesë të vendit. Rakiq ka kërcënuar se komuna e tij do të pengojë çdo aksion, duke siguruar se strukturat serbe do të jenë syhapur dhe të gatshme për të mos lejuar veprimet e institucioneve të Kosovës. “Askush nuk na ka njoftuar për aksionin. Në Komunë askush nuk ka paraqitur asgjë, andaj nuk do të lejojmë kurrfarë aksioni kaubojsh. Aksioni nuk mund të realizohet pa konsultime me Komunën”, ka deklaruar Rakiq. Përndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit bashkë me Policinë e Kosovës para disa ditësh kanë bërë përpjekje për lirimin e 7 lokaleve të ish-ndërmarrjes ‘Lux’, që ndodhen në rrugën kryesore në veri të qytetit të Mitrovicës. Vlen të përkujtohet se një aksion i njëjtë për lirimin e këtyre pronave ishte ndërmarrë edhe në mars të vitit të kaluar, por që kishte dështuar si pasojë e jo-seriozitetit të organeve të sigurisë. Deri në marsin e vitit 2015, në veri të Mitrovicës janë privatizuar 75 lokale dhe objekte të ish-ndërmarrjes shoqërore “LUX”.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …