Komuna e Prishtinës ka njoftuar të shtunën se të gjitha ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht për pastrimin e rrugëve, por reshjet e vazhdueshme po e vështirësojnë punën.
“Të gjitha ekipet përgjegjëse janë angazhuar intensivisht dhe po punojnë pa ndërprerje për të siguruar që rrugët të jenë të kalueshme! Megjithatë, reshjet e dendura të borës që po vazhdojnë pa ndërprerje po e vështirësojnë situatën në terren”, thuhet në njoftimin në faqen zyrtare të komunës.
Edhe Policia e Kosovës po ashtu ka apeluar pjesëmarrësit në trafik për kujdes.
“Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica”, thuhet në apelin e Policisë.