Pavarësia e Kosovës e ka marr rrugën e përjetshme pavarësisht barrierave që do t’i hasë. Rritja e moshës së saj e obligon shoqërinë tonë të udhëtoj në rrugën e vlerave, emancipimit, kulturës, shkencës dhe arsimimit të mirëfilltë. Edhe pse ambienti i shtetit tonë nuk mundëson kushte të favorshme, ne duhet të përpiqemi meqë i takojmë periudhës e cila ende kërkon sakrifica nga ne.
Dhe sa më parë të vetëdijesohemi që jemi në një etapë të jetës që kërkon vullnetin tonë të hekurt në këto kushte jo solide, aq më mirë do të jetë për ne dhe gjeneratat e ardhshme. Sepse, kohën nuk do të na merrnin ankesat, vuajtjet dhe zhgënjimet, por do t’ia përkushtonim leximit, punës vullnetare, zgjimit, ndërgjegjësimit, çlirimit nga paragjykimet dhe të metat që po na ngulfatin zhvillimin normal të familjes dhe shoqërisë.
Fatkeqësisht shoqëria jonë është e politizuar deri në marrëzi dhe në këtë mënyrë ne ju bëjmë nder politikanëve të cilët nuk ishin të denjët në asnjë periudhë për të na përfaqësuar. Tashmë jemi të ndërgjegjshëm që klasa politike ka të meta në të gjitha aspektet, dhe pavarësisht kritikave tona ata nuk përmisohen, kështu që më mirë është të merremi me përmirësimin e shoqërisë sonë, sepse nga gjiri i saj dalin edhe politikanët.
Në shoqërinë franceze në çdo fillimvit vendosin seriozisht të heqin dorë nga zbatimi i një vesi që i ka dëmtuar përgjatë vitit, dhe në listën e të mirave shtojnë ndonjë gjë për ta zbatuar. Unë do të kisha dashur që këtë praktikë ta bartja dhe ta zbatojmë në çdo përvjetor të pavarësisë :
– Në Francë, kur për herë të parë m’u drejtua një i dehur që si streh kishte rrugën me këtë mirësjellje, “Zotëri, a keni një cigare ju lutem”, në mendje më erdhën politikanët dhe nivelet e ndryshme të shoqërisë sonë që janë esëll dhe nuk e praktikojnë fjalën “ju lutem”. Një herë pata ngelur i befasuar kur në portën e një kafiterie të një fshati pata lexuar këto rregulla të afishuara : “një kafe kushton 3 euro. Nëse e kërkoni me ju lutem, çmimi bëhet 2 euro, ndërsa nëse thuani edhe faleminderit ai bëhet 1.50 €.” Shërbyesit e kafiterive nuk i marrin porosit me fytyra të buzëqeshura nëse nuk e shqipton fjalën ju lutem ose të pyesin disa herë deri sa ta vësh në zbatim këtë mirësjellje.
T’ia kërkosh kafen kamerierit me një “ju lutem”, do të thotë t’ia çmosh mundin, punën dhe dinjitetin e tij, dhe në të njëjtën kohë e shfaq edukatën duke e dëshmuar butësinë njerëzore ku në këtë mënyrë zhveshësh nga arroganca e cila e cenon rënd civilizimin e shoqërisë. Meqenëse efekti i kësaj mirësjellje na vesh me petkun e qytetarisë, e këshillojmë të jetë pjesë e fjalorit tonë në çdo raport duke filluar nga familja, shkolla, miqësia, kolegët e punës, me stafin e kafiterive, me personelin e institucioneve etj. Nëse e promovojmë këtë mirësjellje duke e vënë nëpër afishe në komuna, institucione, kafiteri, shkolla dhe nëpër rrugë do ta arrijmë ta festojmë festën tjetër të pavarësisë me kryerjen e një misioni qytetërues. Atëherë ta shtojmë në listën e zbatimit fjalën: Ju lutem.
– Pavarësisht se nënat shqiptare i shquajmë si heroina nëpër këngë, vjersha, poezi etj, ato i përdhunojmë çdo ditë përmes sharjeve “miqësore”!
Disa herë jam larguar nga tryezat e miqëve kur fillonin të bënin gara se cili thurte sharjen më pornografike nënave të njëri-tjetrit.
Nënat fisnike i shndërrojmë si prostitutka të bisedave tona perverse!
Fatkeqësisht kjo sjellje çoroditëse gjen prehje edhe tek nivelet e ngritura të shoqërisë sonë. Kur thonë që “ne po bëjmë hajgare”, këtu më acarojnë së tepërmi, meqë fyerjes, talljes, degjenerimit dhe dhunimit të bisedave tentojnë t’i japin pikëpamje komike, ky është kulmi i të shëmtuarës.
Këtë të metë thuhet se e kemi përvetësuar nga serbet, dhe e kemi avancuar edhe më shumë madje. Në kuadër të kësaj, mund të qortojmë përshkrimet e meshkujve ndaj femrave që po ashtu janë perverse. Kur takohesh me meshkujt shqiptar është e pamundur të mos i dëgjosh duke folur me një pasion të shfrenuar për seksin. Këtë patologji shoqërore ngjitëse që na është imponuar në fjalorin tonë të përditshëm duhet ta shërojmë për t’u avancuar moralisht.
Është koha që nga bisedat tona të përditshme t’i çrrënjosim personazhet politike duke i zëvendësuar me ata të kulturës, të artit dhe shkencës. Në këtë mënyrë tregohemi më të dobishëm duke u frymëzuar nga veprat pozitive të personaliteteve që kanë lënë gjurmë në përparimin dhe emancipimin e shoqërive.
Kështu ngritët niveli i bisedave dhe inspirohemi për të ndjekur rrugën e tyre me kontribut. Nga thellimi i këtyre bisedave mund ta konsiderojmë librin si dekorim të mendjes dhe ambientit, ku në këtë mënyrë inkurajohemi për t’i zbrazur vitrinat nga gotat dekorues dhe për t’i stivuar librat.
Të zhvishemi nga paragjykimet, përçmimet e nënçmimet.
Fatkeqësisht njerëzit i shquajmë nga të metat e tyre fizike dhe ia mveshim si nofkë përgjatë tërë jetës: hundështrembri, gojëmadhi etj. Përball këtyre emërtimeve njerëzit ndjehen të lënduar dhe të fyer, ku vendosin të izolohen dhe të mos ju përkushtohen dhuntive të tyre. Kjo është një e metë e madhe e shoqërisë sonë që nuk e has në shoqëritë evropiane, përkundrazi ato ju përkushtohen me respekt të shtuar.
Pastaj tallja dhe ngacmimi i njerëzve me të meta psikike, ky është një tjetër mëkat i rënd i njerëzve tanë. Kjo kategori e njerëzve e gëzon autoritetin më të madh moral në shoqëritë evropiane.
Paragjykimet janë një tjetër e metë ngulfatëse. T’i paragjykojmë njerëzit duke ja shtuar hallet dhe brengat kjo është e pajustifikueshme. Të marrim kurajë që t’ua themi njerëzve në sy dhe mos të diskutojmë për ta pa prezencën e tyre duke ju mveshur gjëra të paqena. Edhe kjo nuk ka vend në bisedat e shoqërisë së shendosh.
Gjëja tjetër e preferueshme për mos ta zbatuar më është makijazhi i femrave.
Një nënë shqiptare që kishte ardhur në Lion për ta vizituar çunin m’u përgjigj, pasi e pyeta se çfarë të ka lënë përshtypje më shumë, me : mos lyerja e femrave.
Po t’ja bësh një vizitë Lionit, mund të shikosh me mijëra femra meqë është qytet me numër të madh të banorëve, dhe me makijazh mund t’i shohësh vetëm femrat e moshuar që tanimë kanë pozitën e gjyshes.
Natyrshmëria dhe thjeshtësia i japin më shumë vlera femrës, kurse zbukurimet përmes ngjyrimeve e shëmtojnë bukurin e tyre dhe ja vënë në pah kompleksët për të rënë në sy me gjëra sipërfaqësore. Femrat lindin të bukura dhe ato kanë nevojë të identifikohen me vlera shpirtërore dhe intelektuale.
Edhe kjo është një e metë tjetër që duhet të shmanget.
Një artikull me ton të këtillë nuk mund ta shkruash nëse nuk ndjen një dashuri të madhe për përparimin e shoqërisë sonë.
Përvjetorin e ardhshëm urojmë ta festojmë të shëruar nga këto vese!
Duke u shkundur nga të metat i përfitojmë cilësitë !