Ramadan Islam Muleta (10.5.1954 – 25.9.1999)

Ramadan Islam Muleta (10.5.1954 – 25.9.1999)

 Fshati Karraticë i Drenicës, luftës së UÇK-së i ka dhënë dëshmorët: Ramadan Islam Muleta, Bashkim Tahir Muleta, Besim Rexhep Muleta, Qazim Shaban Doberdelani dhe martirët: Tahir Muleta, Hajrullah Pecani, Zenel Hoxha, Mustafë Pecani, Fatime Hoxha dhe Lendita Hoxha. Ndërkohë që gjatë luftës  në këtë fshat janë vrarë nga forcat serbe edhe Sadri Topalli nga Baica e Elshanit, Muhamet Krasniqi nga Negroci dhe Sadri Muçolli nga Pakleku i Vjetër.

Familja Muleta, e këtij fshati, ndër më të vjetrat e kësaj ane, ka pasur traditë, trimërinë e bujarinë por edhe qëndresën e heroizmin, në të gjitha betejat shekullore, në luftë kundër pushtuesve të ndryshëm. Babai i dëshmorit, Islam Muleta ka qenë bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës.  Luftës së UÇK-së kjo familje e i ka dhënë dëshmorët: Ramadanin, Bashkimin e Besimin dhe shumë ushtarë dhe eprorë si Rrahim Muleta, Hashim Muleta, Petrit Muleta e të tjerë.

Babai Islami dhe nënë Fetija, në kushte të rënda nën robëri lindën dhe rritën bijtë: Imerin, Ramadanin, Rexhepin, Rrahimin dhe bijën e tyre Shefkijen.

Ramadani shkollën fillore e kreu në Karraticë të Ulët dhe në Komaran, ndërsa të mesmen në Drenas (ish Gllogoc). Duke qenë se ishte i zgjuar në mësime dhe kishte treguar sukses, regjistrohet në Fakultetin Juridik, në Prishtinë, të cilin po ashtu e kryen me sukses.

Pas kryerjes së studimeve kthehet në vendlindje dhe fillon punën si sekretar i shkollës tetëvjeçare, “Shaban Palluzha” (ish-Boro e Ramizi).

I Edukuar dhe i frymëzuar kombëtarisht nga i ati, bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës dhe nën ndikimin e literaturës me përmbajtje kombëtare, Ramadani qysh herët ishte rreshtuar në rrugën e drejtë dhe të vetme të idesë për realizimin e aspiratave kombëtare. Kishte pasion leximin, aktrimin dhe pjesëmarrjen në aktivitet kulturore.

Ka marrë pjesë aktive në demonstratat e marsit dhe prillit  të vitit 1981. Ka kryer edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Armatën Jugosllave, ku në vazhdimësi ka qenë i shnatazhaur dhe i përcjellur.

Në qershor të vitit 1998, Ramadani, i cili edhe paraprakisht kishte dijeni për ekzistencën e UÇK-ë, inkuadrohet në radhët e kësaj ushtrie në pikën e Karraticës. Më 6 qershor, krijohet Pika e Karraticës, të cilën fillimisht e komandoi eprori, Gani Hoxha.

Në verë të këtij vitit në fshatin Karraticë e Epërme  ishin regjistruar 242 vullnetarë për të rrokur armët. Pika e UÇK-së e këtij fshati  bënte pjesë në kuadër të shtabit lokal të Vasilevës, që ishte emërtuar si “Shkaba 4”.

Fshati Karraticë ndodhet  në kufi me fshatrat e Rrafshit të Kosovës, të cilat nuk ishin përfshirë në luftë. Pos kësaj, fare afër fshatit ndodhej edhe baza ushtarako-policore serbe e stacionuar në objektet e ‘”Fermës së Zogjve”, por sipër saj, rrëzë Goleshit ndodheshin edhe depotë ushtarake ku ishte koncentruar edhe një numër i madh i armatimit, ndërsa në maje të Goleshit dhe në kodrinën e quajtur “Rreze” mbi fshatin Zabel i Epërm, ishin koncentruar forcat të mëdha dhe sistemet raketore të ushtrisë serbe, të cilat  e rrezikonin në vazhdimësi  popullatën e këtij fshati. Pavarësisht nga kjo banorët e këtij fshati përgjithësisht përkrahën luftën, ndihmuan atë me forma të ndryshme, sepse fshati kishte një pozitë strategjike, por edhe të jetë e rëndësishme për UÇK-në.

Edhe pse ishte një numër i madh vullnetarëve të paraqitura, në mungesë të armatimit të gjithë vullnetarët nuk patën mundësi të bëhen ushtarë aktivë. Megjithatë, u formuan tri togje, të cilat morën për sipër shumë detyra që u parashtruan nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Në kuadër të këtyre togjeve ishte edhe Ramadan Muleta,epror i Skuadrës 3 të togut të Parë, Bashkim Muleta e Besim Muleta, ushtarë që të tre dëshmorë,  në mesin e afro 102 pjesëtarëve të UÇK-së që kishte ky fshat, që me seriozitetin dhe përkushtimin e ushtarëve banorëve të kësaj  ane dhanë kontribut të çmuar që rrjedhat e luftës në këtë anë të merrnin kahen e dëshiruar.

Luftëtarët  e këtij fshati ishin mjaftë aktivë në vëzhgim dhe përcjellje të çdo lëvizjeje të armikut, në Magjistralen Prishtinë- Pejë, por edhe në përcjelljen e  bashkëluftëtarëve që vinin nga Shqipëria, me armatim, e që shkonin në zona të ndryshme të Kosovës.

Si udhëheqës i skuadrës, Ramadani bënte stërvitjen e rekrutëve të rinj, të cilët ishin pa përvoja ushtarake. Në mesin e korrikut të vitit 1998, një kolonë e motorizuar e forcave serbe kishte sulmuar pikën e quajtur  “Te Sernishta” Ramadani bashkë me skuadrën e tij iu shkon në ndihmë ushtarëve në atë pikë.

Pas rezistencës që bëjnë forcat serbe kishin vënë re përqendrimin e pjesëtarëve të UÇK-së në këtë fshat, sepse disa herë ishin  zhvilluar edhe përleshje të armatosura. Një ditë nga “Pylli i Rrezës” që ndodhet përballë lagjes së Muletëve në distancë rreth 500 metra, forcat serbe godasin  me snajper nëntë-vjeçarin, Betim Muleta, të cilin e plagosën rëndë. Policia serbe, mbase kishte informacione se në këtë lagje ishin aktivë gjashtë pjesëtarë të UÇK-së, andaj u  hakmorën, meqë edhe pas plagosjes së Betimit, kanë shtënë edhe kundër fëmijëve të tjerë, të cilët u kanë shkuar në ndihmë të plagosurve.

Periudha prej qershorit e deri në shtator të vitit 1998 ishte e rëndë për fshatin Karraticë, sepse gati tërë makineria bashkë me ushtrinë e policinë serbe kalonin nëpër këtë fshat, kurse herë-herë merrnin edhe sulme të armatosura. Granatimet në shtëpitë e  fshatit ishin, pothuaj, të përhershme.

Në këtë fshat, ndodhi  një përleshje e armatosur më 28 gusht të vitit 1998, me ç rast serbët granatuan dhe dogjën gjashtë shtëpi, pranë të cilave ishin istikamet e UÇK-së. Atë ditë forcat serbe paten humbje, kurse nga radhët e UÇK-së, ishte plagosur, Halil Pecani.

Në shenjë hakmarrjeje për humbjet,  që pësuan në këtë fshat, forcat serbe përfshin edhe Korreticën në ofensivën e shtatorit në periudhën prej 22 deri me 25 shtator.

Më 25 shtator fshati Karraticë u gjend në rrethim. Ditën kritike Ramadani bashkë me nipin Besimin dhe kushëririn Bashkimin ndodheshin në  përforcim në pikën e gurëthyesit, sepse luftimet kishin filluar në vijen e frontit Ferronikel, Paklek, në Karraticë dhe në Fermë të Zogjve.

Granatimet ishin shumë të fuqishme në drejtim të pozicioneve të UÇK-së,. Nga djegiet e shtëpive dhe granatimet, popullata e fshatrave për rreth maleve mësynin në drejtim të maleve të Vasilevës dhe Karraticës, me qëllim  për të depërtuar në drejtim të fshatit Sllatinë. Për t’i shpëtuar nga më e keqja, pjesëtarët  e UÇK-së angazhohen për ta ndihmuar dhe mbrojtur  popullatën civile,  e cila ishte nisur në  drejtim të fshatit  Sllatinë. Në këtë mision ishin kyçur edhe Ramadani, Besimi e Bashkimi edhe disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.

Më të arritur, te vendi i quajtur  “Kodra Ndërmjeme” hasin në pusi të forcave serbe dhe pas një beteje bien heroikisht në altarin e lirisë. Bashkë me ta bien edhe tre pjesëtarë nga radhët e popullatës: Sadri Topalli nga Baica e Elshanit, Muhamet Krasniqi nga Negrovci dhe Sadri Muçolli nga Pakleku i Vjetër.

Ramadani, Bashkimi dhe Besimi me gjakun e tyre e mbrojtën popullatën civile e cila hyri në fshatin Sllatinë.

Ramadani ka lënë bijtë: Kujtimin, Betimin si dhe bijën: Pranverën

Po ashtu ka lënë edhe vëllezërit Rexhepin Imerin, Rrahimin dhe motrën, Shefkijen.

Familja Muleta ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së nga Ministria e Mbrojtës e QPK-së nga shoqatat e luftës, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga Kuvendi komunal i Drenasit.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …