XHAVIT HAZIRI – NJË HERO I MERITUAR
Lindja 03/09/1960, Zhdukja : 17/09/1998)
-Mue n’ iden t’eme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të muej me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë armiqvet ! Ka me më shtrue vetëm vdekja !
-Luftën dhe kundërshtimin ndaj copëtimit do ta ndaloj vetëm kur të çlirohet dhe të bashkohet kombi im !
-Dhe, para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur të jepni mendimin tuaj ! (Hasan Prishtina)
Po e filloj këtë shkrim, edhe kësaj here, me mendimet, këshillat e amanetin e të madhit Hasan Prishtina, sepse heroi i këtij shkrimi e kishte pasur idhull atdhedashurie ideologun e Shqipërisë Etnike – heroin kombëtar Hasan Prishtina, mendimet e të cilit i citonte shpesh, -sidomos kur ishim në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës gjatë viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.
Xhavit Haziri, Ukshin Hoti, Hafir Shala, Hysen Zogiani, e të gjithë veprimtarët tjerë të çështjes sonë kombëtare, të cilët u rrëmbyen e u zhdukën nga SUP-i – ish-UDB-ja famëkeqe, nuk e meritojnë një injorim, një harresë e një neglizhencë që u bëhet nga institucionet e shtetit të Kosovës. E them këtë fakt sepse, po të këmbëngulej me vendosmëri zbardhja e rrëmbimit të tyre para Qendrave të Vendosjes Ndërkombëtare, kur dihet se kush ishin zyrtarët e administratës së dhunshme serbe, në atë kohë, që i kidnapuan këta veprimtarë të dorës së parë të çështjes sonë kombëtare. Ndërsa qarqet kompetente ndërkombëtare, UNMIK e EULEX, bëjnë çmos për personat e pagjetur, kur është fjala për serbët e vrarë, dhe nuk kursehen për të shantazhuar, madje edhe arrestojnë e dënojnë shqiptarë të pafajshëm, gjoja për zhdukjen e serbëve që në realitet, nëse dikush nga ata ishte vrarë nga UÇK -ja, nuk ishin njerëz të thjeshtë por kriminelë me damkë që kishin ardhur në Kosovë për të vrarë e masakruar popullsinë e pafajshme shqiptare; sot një numër i madh i kriminelëve të tillë sillen lirshëm në Kosovë dhe në Serbi. Nga kjo ”drejtësi”, me kute ndërkombëtare, bashkë me institucionet përkatëse kosovare, më kujtohen mendimet gjeniale të shkencëtarit të madh gjerman, Albert Ajnshtajn, i cili kur flet për lirinë e njeriut e thoshte, edhe këtë: « Pohimit se ka fjalë të lirë të njeriut në kuptimin filozofik nuk i besoj aspak. Secili vepron jo vetëm nga një shtrëngesë e jashtme, por gjithashtu edhe sipas një shtrëngimi të brendshëm ». Hashim Thaçi, kryeministër, dhe Xhavit Haliti, kuvendar, të Republikës së Kosovës, e kanë përgjegjësinë kryesore për të kërkuar zbardhjen e fatin të Xhavit Hazirit, heroit tonë kombëtar, sepse ky ishte njëri nga aktivistët dhe shokët më të afërm të tyre dhe më të besueshëm në kuadër të veprimtarisë ilegale të LPK-së dhe të krijimit e strukturimit të UÇK-së.
Më 3 shtator është ditëlindja e 51-it e Xhavit Hazirit, kurse më 17 shtator mbushën 13 vjet nga zhdukja e tij, kur u kidnapua në Prishtinë nga UDB-a famëkeqe në mënyrë tinëzare. Mendimet dhe amanetin e Hasan Prishtinës, Metush Krasniqit, Fazli Greiqevcit, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Fadil Vatës, Adem e Hamëz Jasharit e shumë e shumë dëshmorëve të tjerë, për të cilët kishte një konsideratë të lartë, -ky atdhetar i dorës së parë i çoi me besnikëri deri në fund të jetës së vet. Sepse, e kishte një ideal të tillë kombëtar, si të Hasan Prishtinës, dëshmoi edhe jeta dhe veprimtaria e Xhavitit të cilin nuk e nënshtruan, as ndjekjet e burgosjet e UDB-ës famëkeqe, nuk e nënshtruan as mëria e armiqve e as lakmia për ndonjë pozitë të rrejshme në pushtetet fiktive e çoroditëse, po nuk e nënshtroi as zhdukja tinëzare apo vrasja e
tij nga hienat e përtej Karpateve, sepse, ky burrë i madh i kombit; bashkë me shokët e vet, i bashkoi grupet guerile shqiptare në Kosovë dhe ishte promotori i krijimit të Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ta mundur deri në fund armikun shekullor.
Fehmi Lladrovci, kreshniku i Drenicës, ishte shoku i tij më i besueshëm e i pandarë në luftën për liri e ribashkim kombëtar, qysh nga vitet 80-ta, pastaj në vitet 90-ta do të lidhet me trimat e Adem Jasharit, me komandantin legjendar të UÇK-së, dhe i paluhatshëm do të veprojë në organizatën ilegale – LPK dhe, në kuadër të kësaj organizate, do të formojnë e strukturojë edhe UÇK-në. Rrëmbimi i tij nga kriminelet e UDB-ës serbe në Prishtinë më 17 shtator të vitit 1998 do t’i bëhet pesë ditë para vrasjes së shokut të tij më të devotshëm, Fehmi Lladrovcit dhe shoqes së tij, Xhevës, të clilët i quante « Shotë e Azem Galica », që ranë heroikisht, më 22 shtator të njëjtit vit, në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë.
Të shkruash për shokët që tërë jetën e vet ia kushtuan lirisë dhe ribashkimit të atdheut – Nënës Shqipëri, jo vetëm që është një borxh kombëtar por, njëkohësisht, është edhe një përgjegjësi morale e historike, sidomos për ne bashkëveprimtarët e tyre, që t’i shkruajmë sa më me vërtetësi ngjarjet reale në mënyrë që brezat e ardhshëm t’i kenë të gjallë në kujtesën e tyre historike e të përjetshme.
Dëshmorët nuk vdesin kurrë, sepse me flijimin e tyre për atdhe, me amanetin që na e lanë, duke ndjekur porositë e tyre do t’i kujtojmë si të gjallë në ndërgjegjen kombëtare e njerëzore duke ua përcjellë brezave të ardhshëm. Heronjtë e dëshmorët, nëse harrohen nga populli i vet, atëherë ky popull është i gjykuar që ta përsërisë historinë e tij tragjike, -ky është një mësim historik që është dëshmuar shumëherë, posaçërisht te popujt e robëruar gjatë shekujve të kaluar. Emri, vepra dhe shembulli i dëshmorëve kanë qenë, janë dhe do të jenë gjithmonë yje udhërrëfyese të përhershme për çlirim e ribashkim kombëtar. Kush i nderon dëshmorët e nderon popullin, e nderon veten, e respekton historinë e lavdishme kombëtare, e siguron të tashmen dhe të ardhmen e atdheut.
Xhavit Haziri, është njëri nga veprimtarët më të devotshëm të çështjes sonë kombëtare. Ai, qysh nga mosha e hershme rinore u aktivizua në organizatat ilegale që luftonin për çlirim e ribashkim kombëtar, duke qenë njëri nga udhëheqësit më të merituar të strukturave drejtuese të këtyre organizatave.
Intensiteti kulmor i veprimtarisë së tij patriotike, me shembuj konkret, nga viti 1985 e këndej ishte i pandërprerë derisa e rrëmbyen kriminelet e UDB-ës serbe.
– ”Nga penda në pushkë duhet të veprojmë për ta fituar lirinë, vetëm me llafe nuk ka fryte”, -e përsëriste shpeshherë para shokëve qëndrimin e tij prej një veprimtari të paepur.
Xhavit Haziri, shpallet Hero i Kosovës për kontributin e tij ndaj atdheut më 26 Nëntor të vitit 2010 nga Jakup Krasniqi, ushtrues i detyrës së Kryetarit të Kosovës, bashkë me të dekoruarit tjerë që do ti shënojmë më poshtë.
Me rastin e festave të 28 Nëntorit, ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka ndarë 31 dekorata e medalje për personalitet më të njohura.