leoni

Ramadan Pllana: Gjeneral-major Shaban Shala, një luftëtar i paepur i lirisë

Ramadan Pllana: Shaban Shala, një jetë e tërë në shërbim të kombit e atdheut

“Sot po ndahemi nga trupi i Shaban Shalës, por shpirti dhe vepra e Shaban Shalës po mbetet për ne si një udhërrëfyes dhe si një garant se si duhet të luftohet, se si duhet të qëndrohet, se si duhet edhe të vdiset. Ai, pati probleme derisa ishte duke punuar në këshillin tonë, ishte i vetmi ai me Behxhet Shalën që dinin se çfarë punonim ne në këshill. Ne, në njërën anë mblidhnim fakte e të dhëna për krimet dhe mizoritë që bënin çetnikët një populli shqiptar, kurse në anën tjetër, përgatisnim politikisht edhe organizativisht grupet që do të fillonin të krijonin ushtrinë tonë çlirimtare” (Adem Demaçi, fjalë e mbajtur në homazhin pranë trupit të Gjeneral-major Shaban Shalës, më 6 janar 2012.)

Gjeneral-Major Shaban Veli Shala u lind në fshatin Negrovc, të Drenasit, më 13 maj 1958. Në fshatin e lindjes kreu shkollën fillore, kurse shkollimin e mesëm e kreu në Klinë e Kijevë. Shabani, ka kryer fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës. Rrjedh nga një familje me tradita të atdhetarisë, bujarisë, trimërisë e besës shqiptare. Drenica, kjo vatër e kreshnikëve shqiptarë, ka dhënë trima për atdhe e për bashkim kombëtar me shekuj. Hasan Prishtina, Ahmet Delija, Azem e Shote Galica, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Fazli Greiqevci, Tahir Meha e shumë e shumë trima të tjerë do të jenë emra që përkujtohen e  nderohen si shembull heroizmi dhe do të ndiqet rruga e tyre për çlirim kundër pushtuesve dhe regjimeve serbe. Kështu, kjo rrugë çlirimtare, do do të ndiqet edhe nga bijtë e bijat më të mira të Kosovës me vise tjera shqiptare të okupuara nga Serbia, e ish –Jugosllavia.

Babai i Shabanit, Veli Xheladin Shala ka qenë një njeri punëtor i ndershëm i cili kishte punuar disa vite në Gjermani për te rritur pesë djemtë e dy vajzat e tij. Nëna, Taibe Shala, një nënë bujare e cila mbahet e fortë, e lindur në fshatin Korreticë të Drenasit.  Babai i tij vdiq nga një sëmundje në vitin 1990, një vit para se Shabani të lirohej nga burgu. Kjo familje dha gjithçka nga vetja për atdheun. Nëna Taibe Shala, me bujari e përkushtim u dha djemve e vajzave të saj dashurinë për liri e atdhe, e kjo i kushtoi familjes Shala dhe Deshmorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vellain e katërt të Shabanit, Bedri Shalen, i cili ra heroikisht në betejat e bëra ndaj armikut serb në Junik të Deçanit. Bashkëshortja, Zyrafete Zekaj- Shala, rrjedh nga  familje me tradita të hershme patriotike. Bija e veteranit të arsimit Kosovar, njëkohësisht dhe veteranit të luftës çlirimtare Qazim Zekes. Motra e aktivistëve të hershëm e të mirënjohur të çeshtjes kombëtare Xhevat e Azem Zekes nga fshati Mojstir i komunës së Burimit, ish-Istog. Shabani ishte babai i tre djemve e një vajze, tre prej të cileve i la ende në moshe të hershme.

Shaban V. Shala, ishte njëri nga veprimtarët më të devotshëm të çështjes sonë kombëtare. Ai, qysh nga mosha e hershme rinore u aktivizua në organizatat ilegale që luftonin për çlirim e ribashkim kombëtar, duke qenë njëri nga udhëheqësit më të merituar të strukturave drejtuese të këtyre organizatave. Pjekurinë organizative e arriti në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare. I ndikuar nga literatura e Shqipërisë Socialiste e nga programet e Televizionit Shtetëror të Shqiperise, ai kishte fituar njohuri të madhe të historisë kombëtare.

Një ndikim të fuqishëm për ngritjen e vetëdijes kombëtare te ky atdhetar kishin lënë edhe profesorët e gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Kijevë. Ndikim në edukatën patriotike kishte pasur edhe nga arsimtarët e shkollës fillore e të mesme ,  si nga Prend Buzhala, Azem Syla, Halil Kuliqi etj, aty ku dhe filloi aktivitetin propagandistik duke shpërndarë literaturë të ndaluar të Shqiperisë.

Një nga bashkëveprimtarët e oreve të para të Shaban Shales, njohur që në bankat e gjimnazit, bashkë me Elmi Zeken e shokë e shoqe të tjera, ishte dhe atdhetari e dëshmori sypatrembur Abedin Balaj, i dënuar me 9 vite burg të rëndë per veprimtarinë e tij në çeshtjen kombëtare,i cili ra heroikisht në përleshje me gardianet e njësisë speciale të armatës jugosllave në Slloveni.

Gjyqi Ushtarak në Lubjanë, bashkë me Abedin Balajn,  ua shqiptoi dënimin edhe patriotëve të tjerë me sa vijon:  Hasan Kurti, Selman Fetaj, Abedin Balaj, Feriz Veliqi, Fekri Sejfullahu, Tafil Beqiri, Halit Ibrahimi, Adem Agaj, Shaban Aliu, Imri Adili, Miftar Ahmeti, Isuf Dragaqina, Murat Babaliu, Ram Sopaj e Shtjefën Mirëdita, me thuajse 200 vjet burgim!

Shaban Shala, do të ishte njëri nga bartësit kryesor të bashkimit të organizatave ilegale, bashkim pa dallim ideje, feje a krahine, ashtu siç e kishin filluar Metush Krasniqi, Adem Demaçi, Zeqir Gërvalla, Hyrije Hana, Mulla Ramë Govori, Ahmet Haxhiu etj, në shtator të vitit 1974 në Dajkovc të Dardanës, duke projektuar Lëvizjen Nacional-Çlirimtare të Kosovës. Gjithashtu do ta mbartte vazhdimësinë e unitetit të Lëvizjes gjithëkombëtare të nisur nga Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla.

Në vlugun më të madh të veprimtarisë së vet patriotike u njoh dhe bashkëpunoi me Fehmi e Ramiz Lladrovcin, Xhavit Hazirin, Ali Ahmetin, Adem  Krasniqin, Azem Sylen, Xhevat Zekën, Mejreme Krasniqin, Mihrije Krasniqin, Ali Elshanin, Idriz Hisenin, Tahir Hanin, Milaim Zekën, Ramiz Krasniqin, Kasim Haxhimuratin e shumë të tjerë. Në korrik të vitit 1983 do të njihej me dy nga  figurat e lavdishme të historisë së Qëndresës Shqiptare, me heronjtë e popullit Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, me të cilët do të vazhdojë luftën e përbashkët, për liri e bashkim kombëtar, deri në vrasjen e tyre nga policia speciale jugosllave, në natën e 11 janarit 1984 në nje lagje në Prishtinë. Me Rexhep Malen e Nuhi Berishën në nëntor të vitit 1983 forcuan projektin e Shtabeve Rajonale dhe lokale të  Partisë së Luftës të Kosovës, ku formuan SHOL për Drenicë së bashku me  Elmi Zekën dhe Idriz Hisenin. Këtë parti e kishin formuar Kadri Osmani, Rexhep Mala, Nuhi Berisha etj. Rexhep Mala kishte lidhje të fshehta edhe me veprimtarin e  orëve të para të ilegales sonë kombëtare, me Metush Krasniqin.Takimet i mbanin në Rrugën “Hasan Prishtina” në një shtëpi në Prishtinë, ku Shaban Shala dhe Elmi Zeka kishin dy banesa që i ndante një mur për shkaqe sigurie. Në atë banesë Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Shaban Shala priten Vitin e Ri 1984, kurse Elmiu shkoi në fshat për ta lajmëruar familjen e Shabanit, që kishin tre javë pa dëgjuar gjë prej tij, se ai nuk do vinte për festë. Rënia heroike e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, në përleshje të pabarabartë me njësitë speciale të policisë jugosllave, e dëmtoi shumë Lëvizjen ilegale…

Shaban Shala, në vitin 1985, do jetë njëri ndër protagonistët kyç në bashkimin e të gjitha grupeve ilegale që vepronin në Kosovë dhe viset e tjera Shqiptare në ish-Jugosllavi duke i mbledhur nën një qendër organizative. Mu për këtë, ai me shokë, në fillim të vitit 1985 mbajten mbledhjen e bashkimit të organizatave ilegale, si hap të parë drejt një Lëvizje gjithëkombëtare duke bërë Këshillin Organizativ, formuan organizatën Marksiste-Leninistët e Kosovës, ku edhe zgjodhën udhëheqësinë e vet me veprimtarët: Xhabir Morina, sekretar politik,  Xhavit Haziri, sekretar për propagandë, Fehmi Lladovci, sekretar për çështje ushtarake , Bashkim Mazreku, sekretar organizativ, Bajram Limani, sekretar për sigurimin e bazave etj. Në këtë grup të bashkuar, veprimtarë të dalluar do të ishin edhe Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Nuhi Ahmeti, Abdullah Dërguti, Hilmi Reçica, Hajdin Abazi, Sadik Halitjaha, Elmi Zeka etj.  Këshilli Organizativ në përbërje të Xhavit Hazirit, Xhabir Morinës, Bashkim Mazrekut, Ali Ahmetit e Shaban Shalës në prill të vitit 1985 formuan Komitetin Organizativ të Marksistë -Leninistët e Kosovës  MLK. Komiteti i MLK-së ishte pararojë e LPRK-së. Shaban Shala e Fehmi Lladrovci formuan Komitetin e Rrethit të MLK-së në Drenas, ish-Gllogoc. Gjatë vitit 1985, u formua Komiteti i OMLK-së, në Prizren, Suharekë, në Prishtinë, Ferizaj, në Kaçanik, Vushtrri, Tetovë, Kërçovë, Strugë, Bujanovc, Klinë, Pejë etj.

Në fillim të nëntorit të vitit 1985 u arrestuan disa aktivistë të LPRK-së dhe të grupeve tjera. Ky vit do të ishte poashtu një kohë e vështirë e organizimit të këtyre grupeve atdhetare. Shaban Shala, u arrestua  nga policia jugosllave shqipfolëse së bashku me 56 bashkëveprimtarë të tjerë, nga te gjitha trojet etnike të ish Jugosllavisë.

Shabani, u denua burgim të rendë, megjithatë ai do të tregonte shembullin e heroit të vërtetë me qëndrimin e tij, si gjatë hetimeve ashtu dhe gjatë gjykimit e vuajtjes së dënimit.

 Në vitin 1986 grupi i MLK-së do të dënohet në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, Shaban Shala, u dënua me 7 vite burg,  Xhabir Morina, me 13 vite burg, Elmi Reçica, me 11 vite burg, Xhavit Haziri, me 9 vite burg, Fehmi Lladrovci, me 9 vite burg,  Agron Morina, me 11 vite burg, Idriz Hyseni, me 6 vite burg, Ali Elshani, me 6 vite burg, Nuhi Ahmeti, me 6 vite burg, Sabit Tahiri, me 6 vite burg, Nysret Pllana, me 6 vite burg, Xhevat Ukshini, me 8 vite burg, Skënder Luzha, me 3 vite burg, Fatmir Sulejmani, me 5 vite burg, Fatmir Thaçi, me 5 vite burg, Abdullah Dërguti, me 9 vite burg, Rexhep Dugolli, me 6 vite burg, Elez Zogu, me 2 vite burg. Kurse, Gjykata e Qarkut të Mitrovicës do ta dënoj Elmi Zekën, me 7 vite burg, Abdullah Zhegrovën me 7 vite burg, Xhavit Zhegrovën me 5 vite burg, Abdurrahim Maxhunin, me 5 vite burg, Ramadan Behramin, me 5 vite burg, Sylë Sylën, me 3 vite burg, Osman Krasniqin, me 3 vite burg, Murat Dautin, me 3 vite burg, Vezire Malokun, me 1 vit burg, dhe Izet Zekën, me 1 vit burg.

Shaban Shala, ka qëndruar në burgjet serbo-jugosllave gjashtë vite, në Prishtinë, Zrenjanin e Novi Sad, u lirua nga Burgu i Novi Sadit, me 21 korrik të vitit 1991, së bashku me Jakup Krasniqin dhe shumë veprimtarë të tjerë që kishin ndarë një qeli burgu. Ai, e vazhdoi veprimtarinë e tij për çlirim e bashkim kombëtar, aty ku e kishin lënë shokët që kishin rënë heroikisht në janar të vitit 1984, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, dhe në nëntor të vitit 1989, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, dhe pas arratisjes të disa shokëve jashtë vendit.

Roli i Shaban Shalës në mobilizim dhe në armatim të UÇK-së

– Dita e sotme, për zonën tonë, Drenicën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, padyshim është ditë historike, ngase Ushtrisë sonë, përkrah armës, organizimit,, rreshtimit, strukturimit e guximit, po i shtohet edhe një armë e fortë- oficeri i ri shqiptar, i cilido të bëhet krah i fuqishëm i luftëtarëve të Ushtrisë sonë në realizimin e qëllimit gjithëpopullor – çlirimin definitiv të Kosovës. ( Gjeneral-major Shaban V. Shala, me rastin e dorëzimit të diplomave oficerëve të parë të Shkollës Ushtarake “Hamëz Jashari”, më 11 shkurt 1999, në lokalet e Shtabit të ZO të Drenicës, në Likofc.)

Me kërkesën time për t’më ndihmuar në plotësimin e biografisë së Gjeneral-major Shaban Shalës më kanë ndihmuar, me një përkushtim të madh e respekt për heroin e këtij artikulli, Elmi Zeka, njëri nga bashkëveprimtarët më të ngushtë të Shabanit, Azem Zeka, mik familjar dhe bashkëveprimtar i gjeneralit, si dhe Xhemajl Pllana, vëllau im, njëri nga shokët dhe bashkëveprimtarët e Shabanit. Unë i falenderoj të gjithë publikisht duke qenë shumë mirënjohës për informatat që m’i kanë dhënë. Poashtu e falenderoj edhe ish nxënsin tim, Bekim Shytin, një luftëtar sypatrembur, për bashkëpunim në këtë artikull, pastaj shokun e mikun tim, Rexhep Ahmetin, i cili ma ka dërguar një shkrim për Ajet Ukën, nga Zhabari i Mitrovicës, një hero i gjallë, i cili ishte i lidhur me dy heronjt e pavdekshëm UÇK-së, me  Bekim Berishën- « Abejën » dhe me Bedri Shalën, vëllaun e protogonistit të këtij shkrimi.

Në vazhdim, po e jap vetëm një pjesë për biografinë e heroit tonë që ma ka dërguar Azem Zeka :

SHABAN SHALA

…I kyçur qysh i ri në celulat organizimet atdhetare të kohës, Shaban Shala do të jetë pjesë e shumë zhvillimeve që shënuan vazhdimesinë e luftës sonë për liri dhe nismat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shaban Shala, do të jetë pjesë e grupit të atdhetarëve, Nuhi Berisha, Rexhep Mala, Fehmi Lladrovci, Ali Ahmeti e shumë të tjerve te cilët në fillim të vitit 1983 formuan platformën mbi Partinë e Luftës së Kosovës.

  Ai, dhe bashkveprimtaret e tij, pas rënjes së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishes u goditen rëndë, por nuk u zbrapsën kurrë.

Në vitin 1985, Shabani do jetë njëri ndër protagonistët kyç në bashkimin e të gjitha grupeve ilegale që vepronin në Kosovë dhe viset e tjera Shqiptare në ish Jugollavi.

 Nëntori i vitit 1985, ishte poashtu viti tjetër i vështirë i organizimit të këtyre grupeve atdhetare. Shaban Shala do të arrestohet së bashku me 56 bahkveprimtarë të tjerë, nga të gjitha trojet etnike në ish -Jugosllavi.

Shabani dënohet me shumë vite burg im të rendë, megjithate ai do të tregojë shembullin e heroit të vërtetë me qëndrimin e tij, si gjatë hetimeve ashtu dhe gjatë gjykimit e vuajtjës së denimit.

  Ndërkaq, 5 muaj pas daljes nga burgu, Shaban Shala do të njihet në rrethana te jashtëzakonshme me Komandantin Legjendar të UCK-së, Adem Jashari dhe bashkëluftetarët e tij.

Jo rastësisht, njëzet vite më parë, pikërisht më 31 Dhjetor 1990, tek Shaban Shala do të gjenin strehë, mikëpritje, Besë dhe gadishmëri për flijim, Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe luftëtarët e tjerë, të cilët pasi kishin çarë rrethimin, kështu kishin nisur Luftën për Kosovën.

Nga ajo kohë Shaban Shala do të jetë i pandarë me angazhimet dhe veprimtarit e Komandant Adem Jashari. Komunikimi i tij me Komandantin Legjendar do të jetë i rregullt në secilin hap të aktivitetit, deri në rënje të tij, në mars të vitit 1998.

Njoftimi i parë origjinal për betejën e Rezallës së Re, me 26 Nëntor 1997, u bë pikërisht nga Shaban Shala.

Letra për ngjarjen e asaj dite, e shkruar nga Hamëz Jashari, e diktuar nga Komandanti Legjendar Adem Jahari dhe nëshkruar nga të gjithë bashëkluftëtarët, njoftonte mbi rrjedhën e betejës dhe humbjet e shkatuara armikut.

Origjinali i saj ruhet dhe sot në arkivat e Shtetit Shqiptar.

Shaban Shala, ishte ai që kishte marrë guximin që ta përcjellë atë jashtë vendit, në adresë të Kryesisë së LPK-së.

Roli i Shaban Shalës do të jetë rol i një kordinatori të vërtetë të luftës për liri, kurse shtëpia dhe familia e tij, do të jenë bazë dhe shtëpi e UÇK-së, deri në Çlirim të vendit.

Shaban Shala, punoi dhe veproi edhe me gjeneratën e re e cila, u formua dhe kalit nga veprimet dhe idetë e Shaban Shales, siç ishin Hashim Thaçi, Sylejman Selimi, Ilaz Derguti, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Rasim Kiçina dhe shumë e shumë të rinj që e drejtuan dhe udhëhoqën luftën e UCK-së drejt lirisë së vendit.

 Nuk është vetëm një betejë e UÇK-së që mban emrin e Shaban Shalës,  Ato janë të shumta, por veçohen beteja e grykës se Llapushnikut, e Bardhit të Madh, e Likocit, e Rezallës dhe shumë e shumë beteja të tjera ku u shqua guximi dhe sakrifica e tij.

 ISHTE TEPËR MODEST DHE I PALODHUR!

  Askush se ka ndëgjuar Shaban Shalën të thoshte  se u lodha, se bëra mjaft, askush nuk e ka parë të ndalet në rrugën e tij, edhe kur e kishte dhimbjen e madhe se armiku i vrau vëllain e tij, të paharruar Komandant Brigade, Bedri Shalën i cili ra heroikisht bashkë me Bekim Berishën, Elton Zherkën e Përmet Vulën, në njerën nga betejat ballë për perballë me armikun në Junik.

 Ai, ishte prej të parëve që publikoi i pamaskuar uniformën e UÇK-së, duke pasur përvojën paraprake, si nënkrytar i KMDLNJ-së; Shaban Shala dha kontributin e tij të jashtëzakonshem në radhët e UÇK-së, për komunikimin me Mediat e huaja dhe mekanizmave Ndërkombëtare, janë të njohura kontakten e tij në emër të UÇK-së me ekipet e gazetarëve të BBC-së, CNN-it, ZDF-it etj.

Pas çlirimit të vendit Shabani luajti një rol të veçantë për strukturimin e TMK-së dhe më pas të FSK-së, mbajti përgjegjësi të larta komanduese në keto struktura në kuadër të hierarkisë së TMK-së.

Shabani, krahas kësaj, për asnjë moment si harroi ata që dhanë më të shtrenjtën për Kosovën, ishte pjesë e shumë përkujtimeve te dëshmorve të kombit, e kishte në rend dite t´i vizitonte vendet e rënies së tyre dhe Familjet e tyre, bashëkndjeu dhimbje për ´ta dhe kujtimet për ´ta dhe familiet e tyre.

Azem Zekaj: “Shaban Shala, do mbetet shembull se si jetohet dhe se si duhet të punohet për Atdheun. »

Gjeneral-major Shaban Shala, pos aktivitetit të vet ilegal në LPK e në UÇK, do të  angazhohet edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut në Drenas dhe në Prishtinë, kur kryetar ishte simboli i Rezistencës sonë kombëtare- Adem Demaqi, ku bëri një punë të  palodhshme duke marrë shënime rreth ngjarjeve, sidomos për dhunën serbe që ushtrohej ndaj shqiptarëve, përcjelljen e informatave, brenda dhe jashtë Kosovës. Ai, si nënkryetar i KMDLNJ-së, ka dhënë informata shumë të rëndësishme në radhët e UÇK-së. Janë të njohura informatat për ngjarjet  që i ka përhapur në mediat kombëtare e ndërkombëtare, në emër të UÇK-së,  sidomos atyre që ua ka dhënë BBC-së, CNN-it, ZDF-it etj. Shaban Shala, qysh nga orët e para, ka qenë në lidhje me  komandantin legjendar Adem Jashari. Siç më ka rrëfyer miku e bashkëveprimtari im, Elmi Zeka, për ngjarjet në Prekaz e në Drenicë, Shaban Shala, me shokë, do t’i bashkohet me armë komandantit legjendar Adem Jasharit nga 30 dhjetori i vitit 1991, kur Ademi e Hamza e kishin çarë rrethimin e hekurt, rreth orë 14, që u ishte bërë në Kullën e tyre në Prekaz nga Forcat ushtarako-policore të Jugosllavisë në mëngjesin e asaj dite. Elmi Zeka i lamëron në KMDLNJ  e Drenasit, Shaban Shalën, Ramiz Lladrovcin, Jakup Krasniqin, Azem Sylën, gazetarin e “Bujkut” Zeqë Bekollin. Pas çarjes së rrethimit Ademi, Rifati e Hamza, me grupin e vet – me Sahit Jasharin, Fadil Kodrën, Ilaz Kodrën, Zenun Kodra, shkojnë në odën e Gani Kocit, ku ishin edhe afër 50 luftëtarët tjerë të UÇK-së, të vendosur për të luftuar. Atë natë ndejen e bëjnë konakun në shtëpinë e Elmi Zekës, në Abri, të nesërmën shkojnë te Jakup Krasniqi në Negroc, ku ishin të pranishëm edhe Xheladin Gashi, Idriz Hiseni, Ramiz Lladrovci, Gani Syla etj… Azem Syla ka pas shkuar në ”Prishtinë për të lajmëruar shokët.  Pastaj shkojnë në familjen e Shaban Shalës, ku qëndrojnë disa ditë. Disa ditë qëndrojnë në odën e Kamer Racit, në Siçevë. Për një kohë qëndrojnë edhe në kullën e Nënë Kadës, në Negrovc, ku kjo Nënë bujare i priti si djemt e vet duke u thënë:- “Djemt e mij, Edhe gurë mbi gurë mos të mbeteshin mbi këtë kullë, hallall ua bënë nëna, vetëm që keni marrë pushkët për Atdhe”!…

-Pra, siç dihet edhe historikisht, Adem Jashari, komandanti legjendar i UÇK-së, bashkë me luftëtarët trima, nga 30 dhjetori i këtij viti, do të bëjë një luftë nacional-çlirimtare duke i dhënë armikut goditje të befasueshme. Shaban Shala, do të jetë përherë një bashkëluftëtar i paepur i Adem Jasharit, herën e fundit që kanë pasur kontakt ka qenë 3 marsi i vitit 1998, tre ditë para se të bien heroikisht Ademi, Hamëza, Shabani, bashkë me dajën Osman Geci, me tërë familjen e tyre 22 anëtarëshe, në luftë të pabarabartë e unikate në Botë, në Kullën e tyre Legjendare. Por, Serbia vrastare u mashtrua keç duke menduar se me vrasjen e Adem Jasharit do shuhej edhe rezistenca shqiptare e Kosovës, sepse pas rënies së kësaj familje në altarin e Lirisë, luftës ia mësuan me mijëra vullnetarë nga të gjitha trojet shqiptare e nga mërgata. Kështu, komandanti legjendar UÇK-së e fitoi përjetësinë duke u bërë simbol i luftës për çlirimin e Kosovës.

Shaban Shala ishte ndihmës-komandant për moral në Shtabin e ZOD, ku komandant ishte Sylejman Selimi, pastaj, me formimin e SHP të UÇK-së, kur komandant i kësj Zone emërohet Sami Lushtaku, Shabani do të emërohet përgjegjës i Drejtorisë së Informimit të SHP të UÇK-së. Sylejman Selimi shkon në detyrën e re për Komandant të Përgjithshëm të ShP të UÇK-së. Në komandën e kësaj zone me detyra të larta ushtarake kanë qenë komandantë të dalluar të UÇK-së si: Fehmi Lladrofci, Mujë Krasniqi, Iliaz Kodra, Abedin Rexha, Rasim Kiçina etj.

Gjeneral-major Shaban Shala ka kontaktuar, në emër te UÇK-së, me ekipet e gazetarve të BBC-së, CNN-it, ZDF-it etj. Ai, gjithashtu takohet edhe me përfaqësuesit e Bashkësisë ndërkombëtare. Shabani, bashkë me Jakup Krasniqin, Sokol Bashotën, Ramë Bujën dhe me Albin Kurtin, që ishte përkthyes, në fshatin Likovc të Gllogocit, takohen në  janar të vitit 1999  me Christopher Hill, Wolfgang Petritsch dhe William Walker.

-Ka qenë edhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

Në fillim të tetorit të vitit 1998 Shaban Shala, si përfaqësues i Drejtorisë Informative të SHP të UÇK-së bisedon me Ahmet Qeriqin edhe për mundësinë e hapjes së një shtypshkronje, në zonat e lira të lufteës që i mbante nën kontroll UÇK-ja,  meqë ishin krijuar kushtet për një informator ditor. Pajisjet teknike të shtypshkronjës asokohe ndodheshin në Krasmiroc të Drenicës.

Roli i tij në UÇK , me pushkë e penë, ka qenë i shumëfishtë…

Pas luftës ka qenë epror i TMK-së, me gradën gjeneral-major dhe vazhdimisht bëri përpjekje për një  ristrukturim dhe sistemim modern të ushtarëve të UÇK-së dhe të TMK-së.

Gjeneral Shaban V. Shala, ishte një veprimtar  me qëndrim burrëror, ishte i guximshëm, i urtë, i matur dhe shumë i respektueshëm. Me një fjalë popullore, mund të karakterizohet  portreti i tij: ” Ishte një trim i mirë, me shokë shumë”. I madh është numri i shokëve të tij që flasin me një respekt të jashtëzakonshëm për të. Meqë, në vazhdim të këtij përkujtimi, fjala është për veprimtarinë e tij ushtarake, po i veçoj kujtimet e pak bashkëluftëtarëve e vëllezërve të tij që dhanë një ndihmesë të madhe në mobilizimin, armatimin dhe në luftën e UÇK-së.

Bekim V. Shyti, ish nxënës imi, një luftëtar i paepur, një legjendë e gjallë, i cili ishte bashkëluftëtar i Bekim Berishës- “Abejës” dhe i Bedri Shalës, përveç tjerash thotë: ” …Personalisht, Shaban dhe Bedri Shalen i kam takuar për herë të parë në oborrin e shkollës së Likocit ku përshtypja e parë ka qenë ashtu si i kam paramenduar dhe pata krijuar një figurë për ta, të aftë, të qetë dhe plot vullnet për jetë, gjithmonë të gatshëm për liri.

-Po të njëjten ditë kur u takuam në Likoc bashkë me Bedriun kemi vazhduar rrugën për në Shqipëri ku shkonim për ta furnizuar UÇK-në me armë dhe municione.

Kam qenë në kontakt me Bedriun dhe vëllezërit Shala si dhe kam pasur fatin që të luftoj në të njëjtën betejë me Bedriun dhe Bekimin,  pra, në betejen e Junikut, betejë e ashpër, e cila është zhvilluar në afërsi të madhe me pushtuesit serbë, në këtë betejë ranë për të mos vdekur kurrë dëshmorët e kombit Bekim Berisha dhe Bedri Shala.

 Edhe pas rënies së dëshmorëve Bekimit e Bedriut kam qenë në kontatkt me vëllezërit Shala.”

Ajet M. Uka, gjithashtu një luftëtar i paepur dhe një legjendë e gjallë, edhepse në moshtë të thyer, ishte njëri ndër luftëtarët më të besueshëm të Bekim Berishës – “Abejës” dhe i Bedri Shalës. Edhe ky, përveç tjerash, thotë: “ …Bekim Berisha bashkë me dëshmorin Bedri Shala shkuan në Gllogjan të Deçanit, duke u bërë kështu, krah i fortë i Komandantit, Ramush Haradinajt dhe luftetarëve të Dukagjinit. Këtu,  Bekim Berisha tregoi shkathtësi në pergatitjen ushtarake të ushtarëve të rinj, e sidomos edhe në bartjen, sigurimin dhe grumbullimin e armatimit.

Luftëtari i UÇK-se Bekim Berisha, në Betejen e Junikut, më 29 maj 1998, u angazhua në mbrojtje të kësaj zone, e cila kishte një rëndësi të veçantë strategjike,  ishte kjo dita e 10 gushtit 1998 kur nga një predhë topi bie Bekim Berisha, duke hyrë në përjetësinë e luftës për çlirim të Kosovës nga forcat serbe.”

– Nga Azem Zekaj kam marrë edhe kujtimet që përmendin vëllezerit Shala që nga fillimet e luftës së armatosur. Perveç faktit se ata ishin të lidhur që nga rinia e hershme prej idealit të bashkimit kombetar, apo faktit se ishin lidhur familjarisht, u bashkuan edhe një herë duke luftuar krah per krah në Drenicë e Dukagjin.

“…Ganiu, Elmiu e Nuhiu, vëllezërit e Shaban Shalës.

Gani e Nuhi Shala jetojnë në Danimarkë ende bashkë me familjet e tyre.

Elmi Shala ka jetuar në Danimarkë nga viti 1996 deri me 5 mars 1998 dhe ditën që është sulmuar Adem Jashari, Elmiu është nisur me avion nga Kopenhaga për Tiranë ku e ka pritur Ali Ahmeti, dhe pak dite me vonë bashkë me 36 shokë të tjerë, të armatosur e me uniforma, kemi hyrë në Kosovë duke ndaluar në familjen e Adrian Krasniqit në Tropojë.

Komandant i Grupit ka qenë i caktuar Xhelal Hajda Komandant “Toni” dhe si grup mund ti përmendi ca veta sa më kujtohen.

  1. Xhelal Hajda Komandant “Toni” dëshmor nga Rahoveci
  1. Bedri Shala dëshmor nga Negroci
  1. Mehedin Morina deshmor nga Gllareva, Brigada 113 M. Krasniqi
  1. Elmi Shala nga Negroci, vellai i Bedriut dhe Shabanit Brigada 113 M. Krasniqi
  1. Xhemail Fetahaj dëshmor, ka qen në shoqerim me neve deri në Smolicë të Gjakoves apo Rekes së Keqe dhe më pas ka shkuar për në Pejë
  1. Azem Zekaj nga Mojstiri i Istogut, bashkluftëtar i Fehmi Lladrovcit, Shaban Shales dhe Elmi Shales e Rasim Kiqines në Drenicë Brigada 113 Mujë Krasniqi
  1. Mus Dervishi nga Kllodornica e Drenicës
  1. Hajzer Çitaku nga fshati Çitak i Drenicës
  1. Ajet Pojata nga ZOLL qe vinte nga organizimi i LPK-së D.J.V Gjermani.
  1. Maliq Ndreca Komandant Mala
  1. Ilir Foniqi Drenicë
  1. Pjetër Uka nga rrethina e Prizrenit

Të tjeret si kam njohur, kane  qene nga Llapi, Gjilani, Malisheva e Shala e Bajgores e gjithë regjionet e Kosovës. Pas gjith peripecive që kemi bërë nëpër regjionet e Gjakovës dhe Deçanit, më ne fund kemi arritur në Jabllanice të Gjakovës. Aty kemi takuar Hashim Thaqin, me t cilin njihesha prej qershorit teë 1994 kur e kisha ndihmuar të hynte në Zvicr dhe me Kadri Veselin qeë e njihja dhe e kisha  shok nga aktiviteti i LPK dhe më pas jemi ndarë. Une , Elmi Shala, Hajzer Çitaku, Musë Dervishi  Mehdin Morina, kemi shkuar me Hashimin, Kadriun e Rexhep Selimin për Likovc, kurse Bedriu ka mbetur me shokët me te cilet erdhem nga Shqipëria aty në Jabllanicë dhe më pas në Gllogjan. Pas suksesit dhe vendosmerisë që kishte treguar Bedri Shala në beteja, Ramush Haradinaj kishte fituar një besim të madh dhe e kishte ngritur në hierarkinë e lartë te Komandës të ZOD.

 Pas Vrasjes së Mehedin Morines nga Gllareva, nipi i Shabanit, Bedriu vjen nga Dukagjini në Drenicë për varrim të tij.

Pas ca ditëve në bisede me Shaban Shalen dhe Fehmi Lladrovcin, Bedri Shala mori përsiper të udhëheqë grupin prej 2000 vetave deri në Glogjan të Deçanit dhe më pas për në Shqiperi për të sjellë armatim për Zonën e Drenicës.

Tani në Likovc kishin arritur grupet e gjithë fshatrave të Drenicës, nga fshatrat e largeta të Shalës së Bajgorës dhe një grup nga Zona e Karadakut që u printe Avdullah Tahiri. Ashtu të mbushur me automjete të mëdha deri afër Jabllanicës së Gjakovës dhe më pas në këmb deri në Glogjan.

Mbas disa ditëve pritje në Glogjan, rreth 48 orë rrugë ne drejtim të Junikut dhe bjeshkëve të Shkelzenit,  nga Valbona kemi arritur në Tropojë të lodhur dhe rraskapitur.

Bedriu s’e ndinte lodhjen kurr, ai pa pushuar, brenda 24 orëve, mori armatim, ngarkoi kuajt, pergatiti e organizoi  mëse 2000 veta të armatosur dhe u nis për në Kosove. Shumë shpejt arriti të kthehej  në Drenicë  me « ushtrine » e tij dhe mëse 100 kuaj të ngarkuar me armatim të rendë dhe të lehte duke kaluar përmes Junikut e Glogjanit.

Pas këtij aksioni, dhe nga aftësia për udhëheqjen e një nisme aq të vështirë, Bedriu u ngarkua të dërgoj në Tropojë dhe nj grup të madh poashtu rreth 1500 vetave.

Keëtë herë Bedriut iu desh t’i ndante grupet sepse luftimet në Dukagjin e kishin vështiresuar lëvizjen me trupa e armatim të shumtë. Për të menjanuar humbjet dhe rreziqet për ushtaret e tij, Bedriu vendosi që grupet me nga 500 ushtarë ishin në gjendje të udhetonin e të mbroheshin në rast pritash nga ushtria serbe.

Mbaj mend që ka qenë fundi i korrikut 1998, jemi nisur nga Shkolla e Tropojës me mbi 300 veta të armatosur dhe mëse 20 kuaj të ngarkuar. Kemi arritur nga Padeshi në kufirin me Kosovën afër pasditës, papritmas kemi renë në pritë të ushtrisë serbe. Kaosit që ndoqi pritën, ku u vranë gati 20 veta, arritëm ti rezistojmë e të shpetojmë duke luftuar në tërheqje duke marrë me vete të gjithë të plagosurit e të vrarët për të mos i lënë në duart serbe. Në Tropojë morem vesh se një grup kishte arritur të ndahej  duke i shpetuar pritës, e te shkonte drejt Junikut e më pas deri në Gllogjan.

 Bedri Shalen e kam takuar në Tropojë ku kishte ardhur me 500 veta për të marrë armatim dhe po kontrollonte rrugët që ndiqnim për të gjetur më të sigurtën që të menjanonte humbjet në ushtarë. Bashkë me Bekim Berishen arriten te kalonin kufirin e ti çonin armatimet në Junik. Në atë kohë Shaban Shala arrin të depërtoj në Zonën e Dukagjnit dhe siç më ka thënë më vonë, është marrë vesh me Komandant Ramush Haradinajn që Junikun ta mbajnë me çdo kusht sepse e dinin që me rënjën e Junikut ushtria do mbetej pa armatim, duke qenë se ajo ishte zona me e përshtashme për ta bartur armatimin për Luftën e Kosovës që po bëhej gjithnjë e më madhe.

Bedri Shala kishte me vete reth 400 luftëtarë trima nga Drenica që luftonin krah për krah me te në Junik e që nuk e lanë kurrë vetëm deri sa vdiç nga plagët e rënda që mori. Bashkë me Bekim Berishen kishin vendosur të mos e lëshonin gjallë Junikun sepse ai ishte pika lidhëse për furnizimin me armatim të Dukagjinit e Drenicës. Bedriu dhe Bekimi u vranë njëri pas tjetrit, Bedriu kur sulmoi një tank e Bekimi nga predhat e topave serbe.

Në atë betejë u vrane dhe Elton Zherka dhe Permet Vula, të dy nga qyteti i Gjakovës. Pas këtyre humbjeve ushtria e UÇK-se u tërhoq nga Juniku në drejtim të Shqipërisë.

Pas rënies së Junikut ajo zonë u bë e pakalueshme për Ushtaret e Zonës së Drenicës dhe Zonave përtej Dukagjinit që u detyruan të kalojnë për në Kukës dhe më pas nga Hasi për në Kosovë.

Pas ofensivave të njëpasnjëshme që ndërmori ushtria serbe, Drenica u detyrua në Dhjetor 1998 ti drejtoheshin prapë Shqipërisë për armatim dhe municion, por kësaj radhe me ne krye Mujë Krasniqin, Komandant “Kapuçin” bashkë me një ndër shokët e bashkëluftëtarët me të afërt të tij Elmi Shalen, vëllain e Bedriut. Ai grup ra në pritë ku u vranë shumë ushtarë të UÇK-se, e në mesin e tyre edhe Mujë Krasniqi. Ata që munden ti bëjnë ballë pritës e arritën të kalojnë kufirin për në Shqipëri, u riorganizuan dhe me në krye Elmi Shalen mundën të hyjnë në Kosovë për të vazhduar luftën deri në Çlirimin e plotë të Kosovës në qershor 1999. »

Unë, autori i këtij shkrimi, pata fatin që të njihem me Gjeneral Shaban V. Shalën nga fundi i vitit 1991, herën e fundit u  ndamë me një përqafim të përmallshëm e vëllazëror në Prekaz, në fund të gushtit të vitit 1999, kur u ktheva për Zvicër, me përshëndetjen e fundit :

Mirupafshim në Shqipërinë e Bashkuar!

Gjeneral  Shaban Shalen – heroin tonë të pavdekshëm do ta kujtojmë e nderojmë gjithmonë për veprën patriotike e heroike të tij!

Emri dhe vepra atdhetare e tij, për liri e ribashkim kombëtar, do të mbetet gjithmonë në kujtesën dhe shpirtin e mbarë popullit shqiptar!

LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË GJENERAL-MAJOR SHABAN SHALËS!

( Zvicër, më 3 mars 2012)

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …