Fshati Sojevë i komunës së Ferizajt, luftës së Ushtrisë Çlirimtare i ka dhënë dëshmorë e martirë, në mesin e tyre edhe njërin ndër komandantët më shquar në Zonën Operative të Neredimes, Ramadan Rexhep Rexhepin, i njohur gjatë kohës së luftës si “Komandant Adidasi”. Për çlirimin e Kosovës nga fshati Sojevë ka rënë dëshmor në frontin e luftimeve, në Koshare edhe Zejnullah Zejna. Gjatë luftës, forcat ushtarake dhe policore serbe kanë martirizuar: Haxhere Nebihun, Nazmi Nebihun, Haki Kçikun, Hamit Halimin, Mehmet Boshnjakun, Qerim Ajvazin, Shaqir Kçikun, Shukri Kçikun, Vehbi Sojevën dhe Xhevahire Tahirin. serbët kanë djegur 50 shtëpi të fshatit Sojevë, ndërkohë që popullata civile ishte zhvendosur në drejtime të ndryshme, me qëllim për të shpëtuar nga shfarosja.
Ramadan Rexhepi u lind në fshatin Sojevë të Ferizajt, më 21 janar të vitit 1962. Babai i tij Rexhepi dhe nënë Mahmudija lindën e rritën bijtë: Ramadanin, Shabanin, Muhametin, Selamiun, Fadilin, Avniun dhe bijën e vetme, Kadrushen.
Shkollën tetëvjeçare, me sukses shembullor e ka kryer në vendlindjen e tij ndërsa shkollën e mesme Teknike, e ka mbaruar në Ferizaj, po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Shokët e shkollës e përshkruajnë si nxënës të vëmendshëm, të zgjuar dhe shumë të dashur me shokët. Ishte shtathedhur, me tipare të shprehura të fytyrës dhe fizikut që rrezatonte shëndet, forcë dhe mbi të gjitha, vetë përmbajtje e tolerancë.
Ishte maturant në kohën e shpërthimit të demonstratave të marsit e prillit të vitit 1981. Asokohe, së bashku me Njazi Azemin e Mogillës së Vitisë, të cilin e kishte dajë dhe me shumë shokë të tjerë ka marrë pjesë aktive në demonstratat e 3 prillit të vitit 1981, në Feriza,j kur edhe u martirizuan nxënësit: Riza Matoshi dhe Sherif Frangu, ndërsa Afrim Abazi u vra nga inspektorët e UDB-së, 1 vit më vonë, në përgatitje për të organizuar demonstratat e vitit 1982.
Edhe pse me sukses të shkëlqyeshëm e kishte mbaruar shkollën e mesme teknike, Ramadan Rexhepi regjistrohet në Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë, meqë konsideronte se në atë drejtim do të korrte më shumë sukses edhe për faktin se vetë natyra dukej se e kishte përgatitur fizikisht për një profesion të tillë. Ishte student i dalluar, ndërsa studimet i ka mbaruar me mesatare meritore. Më vonë, kishte regjistruar edhe shkallën e Tretë të studimeve në Novi Sad, por në kushte dhe rrethana të zhvillimeve politike, në vitet 90, në Jugosllavi ai punon dhe vepron në Ferizaj.
Fillimisht ka punuar si arsimtar i Kulturës Fizike në fshatin Manastirc, Ndërkohë ka punuar në Shkollën e Mesme teknike dhe në shkollën e Mjekësisë në Ferizaj.
Krahas punës në arsim, Ramadan Rexhepi intensivisht është marrë me aktivitetet sportive e kulturore. Ka qenë lojtar i dalluar i Klubit Futbollistik “Çeliku” në Ferizaj dhe ka qenë i kyçur në kreun e Asiociacionit të Federatës së Sporteve të Kosovës, në Ferizaj
Në vitet 90, kur regjimi serb kishte atakuar shkollën shqipe dhe kishte filluar masat represive kundër të gjithë shqiptarëve, të cilët nuk pajtoheshin me regjimin e Milosheviqit, Ramadan Rexhepi me shumë shokë të tij rreshtohen në Lëvizjen paqësore të kohës, me qëllim për të kontribuar dhe për të mos lejuar degradimin e jetës arsimore, edukative e shoqërore. Asokohe aktivitetin e tij partiak e ka manifestuar në Forumin Rinor të LDK-së, duke organizuar manifestime të ndryshme kulturore, por edhe sportive.
Në dhjetor të vitit 1998, Ramadan Rexhepi ishte kontakt me Shefqet Jasharin, vëllai i Ekrem Jasharit, Agim Bekteshin, Skënder Tahirin e shokë të tjerë dhe priste momentin kur do të depërtonin në radhët e armatosura të luftës.
Duke qenë se Zona Operative e Neredimes ishte zgjeruar dhe ishte konsoliduar qysh në vjeshtë të vitit 1998, në fillim të dhjetorit të po atij viti, Ramadan Rexhepi së bashku me Shefqet Jasharin, Skënder Tahirin dhe Agim Bekteshin, në përcjellje të Vezir Jasharit, (dëshmor), depërtojnë në bazat e luftës, në Jezerc. Atje kontaktojnë me komandantin, Imri Ilazi, i njohur si Komandant “Ferri”. Fillimisht sistemohet në Shtabin e UÇK-së, në Jezerc, në lagjen “Mahalla e Katundit” Pika 6., ku edhe kanë qëndruar disa nga eprorët dhe ushtarët e Zonës së Neredimes, të cilën e komandonte Shukri Buja.
Pas një kohe emërohet Komandant kompanie i Batalionit të Parë të Brigadës 161, Ahmet Kaçiku të Zonës Operative të Neredimes. Në luftën e UÇK-së nga Sojeva kanë marrë pjesë edhe bashkëluftëtarët e tij: Zejnullah Zejna, ka rënë dëshmor në Koshare, më 3 qershor 1999, pastaj, Skënder Tahiri, Agim Bekteshi, Emrush Hasani, Avdullah Metushi, Lutfi Nebihu, Alban Syla dhe Destan Biçevci.
Muhamet Murati,?
Duke qenë se kishte përgatitje profesionale për stërvitje fizike të ushtarëve, ai fillimisht stërvit ushtarët e Zonës, ndërkohë që Komanda e Zonës, në muajin shkurt të vitit 1999, Ramadan Rexhepin dhe bashkëluftëtarët e tij, Nexhat Ramusholli, Azem Guri, Ahmet Vishi e Heset Malsiu i dërgon në Akademinë Ushtarake “Hamzë Jashari” në Likoc ( Negroc) ? me qëllim të aftësimit profesional. Ai gjatë kohës së caktuar, ka kryer me sukses kursin në atë akademi e cila ka vepruar në kushte dhe rrethana lufte.
Në kohën e ofensivave të majit të vitit 1999, forcat serbe kishin vënë në rrethim të hekurt tërë Zonën me qëllim për t’ i shkatërruar bazat e UÇK-së dhe për të zhvendosur popullatën, e cila ishte edhe logjistikë e pazëvendësueshme e luftës sonë çlirimtare. Njësite të shumta të UÇK-së ishin vënë në mbrojtje të popullatës dhe në ndihmë për ndërrimin e vendstrehimeve sipas kushteve e rrethanave. Në Zonën e Neredimes asokohe ndodheshin edhe disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në mesin e tyre edhe Komandanti i Shtabit, Agim Çeku, pastaj, Bislim Zyrapi, Dilaver Goxhai, Hashim Thaçi, Ramë Buja e të tjerë.
Duke folur për angazhimin e Ramadan Rexhepit në vijat e fronteve të luftës së UÇK-së, bashkëluftëtari i tij, Skënder Tahiri thotë se “Adidasi” ishte kurdoherë në vijën e parë të luftimeve. Ai iu thoshte ushtarëve, “ejani pas meje”! dhe kurrë nuk i urdhëronte të shkonin të parët. Ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që janë zhvilluar në zonë. Ishte tejet i përkushtuar, kurdoherë i përgatitur fizikisht dhe gjithmonë në krye të detyrës.
Prej kohës kur ka shkuar në Zonën e Neredimës asnjëherë nuk është kthyer në shtëpi, thotë Shabani, vëllai i Ramadan Rexhepit. Ai brengosej për familjen, për të gjithë ne meqë ishin në rrethim dhe prore të rrezikuar nga forcat okupatore serbe. Më 17 prill, Shabani me babanë Rexhepin dhe tërë familjen largohen nga fshati dhe vendosen në Sllatinë të Vitisë. Sapo ishin vendosur në një shtëpi mirëpritëse, serbët me rastin e kontrollimit arrestojnë dhe i dërgojnë në Stacionin e Policisë në Viti, Shabanin dhe dy kushërinjtë e tij, me pretekst se kanë lëshuar vendbanimin pa njoftuar paraprakisht organet e rendit. Pasi lirohen, Shabani dhe babai i tij Rexhepi strehohen në fshatin Tanushë, ku qëndrojnë deri në mbarimin e luftës.
Me rastin e sulmit të forcave serbe në pikat e luftës në fshatin Jezerc, më 5 maj të vitit 1999, Ramadan Rexhepi ndodhej në Pikën 6., te Lagja Ukësmajli. Në një moment goditet nga arma armike dhe bie në altarin e lirisë. Po atë ditë ka rënë dëshmor edhe Imri Halili, luftëtar i lirisë nga fshati, Gaçkë. Kufomën e komandant “Adidasit” e kanë tërhequr nga vend-rënia bashkëluftëtarët: Agim Ukësmajli, Shyqri Hasani, Xhevat Ukësmajli etj. Fillimisht në kushte dhe rrethana të luftimeve të pandërprera ata e kishin varrosur afër vendit të rënies. Disa ditë më vonë, më 17 maj, bashkëluftëtarët e tij trupin e dëshmorit e kishin varrosur në “Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Legjendas, ish-Mallapolc. Tani trupi i tij pushon në përjetësi në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve të UÇK-së, në Ferizaj.
Ramadan Rexhepi ka lënë bashkëshorten, Mexhiden, bijtë: Blendin, Rinorin dhe bijën, Violeta. Ai po ashtu ka lënë babanë, vëllezërit dhe një motër. Familja Rexhepi ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme, nga shoqata e luftës dhe Kuvendi komunal i Ferizajt. Pllaka përkujtimore është vendosur në vend rënien e tij në Jezerc. Shtatorja e dëshmorit, Ramadan Rexhepi ndodhet edhe në oborrin e shkollës, në Sojevë. (A.Q)