Ramazan Sherja

Ramazan Sherja: Kush pranon lëvdatën e pamerituar, dashur pa dashur pajtohet me hipokrizinë dhe lajkën

Kush pranon lëvdatën e pamerituar, dashje padashje pajtohet me hipokrizinë dhe lajkën. Ashtu si shumë gjëra në Shqipëri rrjedhin kuturu edhe lëvdatat e vlerësimet janë bërë e po bëhen pa kriter, e kanë mundur të krijojnë kultin e madhështisë së rreme. Presidenti i Republikës, Meta, ka filluar dekorimet mbarë, pa bërë diferencimin midis atyre me kontribute të vërteta në dobi të kombit dhe popullit dhe atyre që janë brenda të zakonshmes, ose kanë bërë thjesht detyrën për të cilën janë paguar e paguhen.

Njerëzit e një shteti duhet të jenë të barabartë në trajtimet ndaj të drejtave sociale dhe politike që u takojnë, si dhe para ligjit që ka shteti, por ama kurrë ata nuk mund të jenë të barabartë në vlerat që kanë dhe në kontributet që japin. Gjithmonë duhen vlerësuar më cilësorët, se kontributet varen nga dhuntitë, nga përgatitjet profesionale, nga morali dhe ideali. Të vlerësosh pa kriter, do të thotë të barazosh të talentuarit me mediokrit, ata që sakrifikojnë për të tjerët, me ata ua ka çelur rrugën fati apo privilegji i pushtetit. Se kur i thua trim trimit, ai buzëqesh lehtë, por kur i thua trim frikacakut, ai ul kokën, se e kupton që po e tall. Kur Presidenti i Republikës shpërndan dekorata mbarë për çdo artist e sportist, të gjallë apo të vdekur, në fakt bën barazi vlerash dhe kontributesh, e cila është shumë e rrezikshme për demokracinë dhe ekonominë e tregut që bazohet mbi konkurrencën.

Dekorimet e Presidentit bëjnë të kundërtën e tyre që ka qëllim ai, sidomos tani në kohë fushatash zgjedhore, se çdo shqiptar e merr vesh se ato bëhen për përfitime politike. Ka ndodhur që Presidenti i Republikës ka dekoruar edhe personalitete, që realisht e kanë merituar medaljen, por ai nuk ka njohur mirë jo vetëm kontributin e tyre, por edhe familjet dhe të afërmit e tyre, e në disa raste dekorata nuk ka shkuar atje ku duhej. Ia vlen të përmendim këtu një thënie të ish-presidentit amerikan Harri S. Truman, i cili ironikisht është shprehur: “Presidenti harxhon më shumë kohë për të puthur njerëzit në faqe, me qëllim që t’i bëjë ata, të bëjnë atë që duhet të bëjnë, pa i puthur”. Shpërndarja pa kriter e karar e titujve dhe medaljeve, është përulje, jo vetëm për atë që e jep, por edhe për atë që e merr. Gjithsecili në vetvete e di sa peshon.

Edhe ish-presidenti Nishani në fundin e mandatit të tij shpërndau shumë dekorata, sikur me qenë fleta lavdërimi që u jepen nxënësve në fund të vitit shkollor, duke futur në një thes patriotë dhe antipatriotë, njerëz që i kanë dhënë vërtet kombit dhe ata që e kanë denigruar atë, artistë të vërtetë që na kënaqin me humorin e tyre të kulturuar dhe të tjerë mediokër, që meritokraci kanë vetëm partinë, e të cilët më shumë qeshin vetë, se sa bëjnë për të qeshur publikun. Barazimi i vlerave me antivlerat çon në arrogancë dhe mediokritet. Një mesazh të madh përcjell në këtë drejtim qëndrimi i publicistit të njohur Ilir Demaliaj, që i kërkoi para disa kohësh presidentit Meta t’i hiqej dekorata “Medalja e Artë e Shqiponjës” dhënë nga presidenti Topi, me arsyetimin modest e dinjitoz, se “janë dekoruar me të njëjtën dekoratë persekutorë dhe të persekutuar, kriminelë dhe viktima, spiunë dhe të spiunuarit dhe se gjatë ceremonisë shtrëngojnë duart bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, por ndahen në demagogjinë e tribunave”. Qëndrimi i tij dinjitoz na kujton edhe një herë një thënie të Makiavelit se “nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt”. Politikanët tanë që kanë pushtet të pamerituar mundohen ta shtojnë më shumë atë, duke praktikuar metoda lajkatare dhe hipokrite, duke u hequr si shërbëtorë të popullit. Kështu ai që ka në dorë dekoratat i shpërndan ata pa kandar, një tjetër ngrihet e vendos një tufë me lule tek varri i një personazhi që nuk e njeh as lagja mirë, një shtrëngon e puth plakat që i dalin para rrugëve e një tjetër shkon e i lë një bakshish të majmë një familjari se ka patur babain në spital e të tjera sjellje të tilla prej lajkatarësh. Të tjerë hallexhinj votash edhe pse mund të kenë kaluar vite e i kanë harruar fare, madje edhe mund të kenë hedhur baltë mbi to, kujtohen tani t’i vlerësojnë si patriotët. Të kërkosh heronj aty ku nuk janë, është më tepër se sharlatanizëm e hipokrizi. Kjo të kujton atë rapsodin popullor në kohën e monizmit, që merrte çiftelinë dhe i thurte këngë një kooperativisteje që tejkalonte normën ditore në brigadë, apo një traktoristi e shoferi që bënte rrugë të vështira me mjetin e tij.

T’i japësh dekoratë një këngëtari vetëm se është nga krahina jote, do të thotë ta barazosh atë me Mentor Xhemalin, të ngresh në qiell një shkrimtaruc për hir të saj se e ke anëtar partie, atëherë çfarë mund të thuash për Agollin e Kadarenë?! Dekorimet kur nuk bëhen në bazë të kontributeve dhe vlerave që kanë dhënë për shoqërinë e vendin, kalojnë në ofesa ose në për përfitime të pamerituara. Vlerat dhe antivlerat, prirjet dhe sforcimet për t’u dukur i talentuar, kur je mediokër, rrahja e gjoksit për patriotizëm, kur nuk ke vënë një gur në të djeshmen dhe të sotmen e Atdheut, nuk duhen përzier kurrë dhe nuk u duhet vënë poshtë asnjëherë diçitura që nuk u përket.

Nëse dikush që ka pushtet e për qëllime përfitimi mundohet t’i përziejë vlerat e vërteta me mediokritetet e sharlatanizmat, këtë gjë nuk do ta lejojë kurrë populli dhe historia. Në këto raste dekorimet, ashtu si këngët e krijimet përkushtuese, janë ditirambe artificiale të nxitura nga vetë ata që u duhen për të krijuar kredibilitetin që nuk e kanë. Edhe po nuk e kërkoi vetë këngën apo lëvdatën publike, personaliteti me imazh fals nxit ndërmjetës ta bëjnë një gjë të tillë. “Bëje një këngë për mua se do të paguaj”, i thotë njëri rapsodit. “Shkruaj një shkrim në gazetë, se nuk po m’i njohin vlerat”, porosit një tjetër. “Kam nxjerr një libër, po shkruaj dy fjalë të mira për të, se ka mbetur stok në librari”, nxit një tjetër një kritik të rëndomtë dhe ky, pa zbërthyer asnjë vlerë, e ngre në qiell. As posti, as kënga, as glorifikimi, nuk bëhen me urdhëra e kërkesa të vetë personave që i kërkojnë lavdërimet. Glorifikimin ta bën vetë jeta, populli, realiteti, historia. Nëse nuk mban raporte të drejta në jetën e përditshme, nëse nuk bën gjëra që të lënë gjurmë në jetën e popullit tënd, nëse madhështinë nuk ta jep populli, por e kërkon me zor, atëherë kënga dhe dekorata është fallco dhe kthehet në të kundërtën e saj. Në kohën e monizmit u shpërdorua shumë titulli “hero”. Heronj u bënë vullnetarët që merrnin pjesë në aksione, brigadieri që merrte rendimente të larta në grurë e misër, gruaja që luftonte zakonet prapanike, e të tjerë tipa të këtij lloji, që u bënë objekt barsoletash në popull. Tani në demokraci kërkohet tjetër këndvështrim në vlerësimin e çdo pushtetari e qytetari të thjeshtë. (Gazeta sot)

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …