Partia Demokratike e Kosovës ka përmbyllur procesin e brendshëm zgjedhor në Degën e Therandës, ku pas një gare fer e demokratike ndërmjet tre kandidatëve, kryetar i degës u zgjodh Prof.dr. Ramë Vataj. Delegatët e Kuvendit Zgjedhor po ashtu votuan për anëtarët e Këshillit Drejtues si dhe propozuan delegatët për Konventën Qendrore të PDK-së. Në emër të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, të pranishmit i përshëndeti zëvendëskryetari Enver Hoxhaj, duke i falënderuar të gjithë aktivistët dhe strukturat e PDK-së për punën e deritashme në realizimin e procesit zgjedhor në secilën lagje të Komunës së Suharekës. Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe deputetja Luljeta Veselaj-Gutaj, folën për platformën Dekada e Re e cila do të thotë evropianizim i Kosovës dhe perspektivë e sigurt për të rinjtë dhe gratë.
