Ramiz Shala u lind në fshatin Kleçkë të komunës së Lypianit, më 27 janar të vitit 1970. Babai i tij, Isufi dhe nëna Qamilja, lindën e rritën tetë fëmijë, katër djem e katër vajza. Mësimet fillestare mori në fshatin e lindjes dhe Shalë (ish-Sedllar), në kushte shumë të vështira. Ai, në moshë të njomë ishte i detyruar të kalonte 14 kilometra rrugë nëpër pyje pllaja e male. Pas shkollës fillore, u regjistrua në shkollën e mesme në Malishevë.
Në demonstratat e viteve të ’90 të fundshekullit 20, të zhvilluara në Malishevë, Lypjan, Drenas e Prishtinë, kundër regjimit shtypës të Milosheviqit, mori pjesë aktive.
Në fillimet e zgjerimit të luftës së UÇK-së në zonën e Rrafshnaltes së Berishës, luftëtarët e lirisë krijuan një bërthamë luftarake në kullën e Hafir Shala në Kleçkë. Kjo kullë bashkoi trimat e trimëreshat nga shumë vende të Kosovës në këtë fshat me pozitë strategjike të luftës, sidomos të asaj guerile, ku në verë të vitit 1998 u vendos shtabi i Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”. Liridashësit e kësaj treve i pritën me përzemërsi luftëtarët e lirisë që po vinin gjithandej nga trojet shqiptare.
Që në ditët e para të fillimit të luftës, Ramiz Shala ishte inkuadruar në radhët UÇK-së. Kështu, pas një kohe të caktuar u takua me shokët e tij të dikurshëm të shkollës së mesme, e tani luftëtarë lirie.
Në kohën kur Ramizi ishte pranuar në radhët e UÇK-së kishin filluar edhe luftimet në Grykën e Llapushnikut, në Qafë të Duhlës e në Grykë të Carralevës. Ramizi në të gjitha këto beteja ishte pjesëmarrës në vijën e parë të frontit. Me fillimin e luftimeve, kur ndihej nevoja e madhe e armatimit, ai ishte ngarkuar nga komanda e brigadës për të udhëhequr grupin e luftëtarëve që do të bartnin armatim nga zona e Kaçanikut. Në zonën e Kaçanikut e kishte mirëpretur komandanti, Agim Bajrami, i cili së bashku me bashkëluftëtarët kishte siguruar rrugën deri në Grykën e Carralevës dhe nga aty Ramizi me bashkëluftëtarë e tij kishte bartur armatimin deri në Kleçkë.
Duke qenë se ishte korrekt i disiplinuar, i dashur me shokë dhe i mirëkuptueshëm me të gjithë, komandanti i brigadës, Ismet Jashari – “Kumanova”, që në fillim të luftës, Ramiz Shalën e kishte emëruar komandant skuadre në fshatin Luzhnicë, ku tashmë ishte krijuar një pikë e fortë strategjike e luftëtarëve të lirisë. Në betejën e Rahovecit, ai me një grup bashkëluftëtarësh u shkoi në ndihmë luftëtarëve në këtë betejë.
Rënia në altarin e lirisë e Sadik Shalës dhe e komandantit Agim Qelaj në Rahovec, e Ymer Alushanit dhe Agim Zogajt në Grykën e Llapushnikut, si dhe e dëshmorëve të tjerë, ndikoi në shpirtin e tij, i cili e përjetoi rëndë humbjen e shokëve, por edhe u frymëzua nga heroizmi i tyre.
Ramiz Shala u angazhua edhe në evakuimin e të plagosurve nga një zonë e luftimeve për në zonat tjera të luftës, duke siguruar rrugën në bartjen e tyre, nga Breshanci deri në Kleçkë dhe nga Luzhnica deri në Grykën e Carralevës.
Më 24 dhe 25 gusht të vitit 1998, forcat ushtarake e policore serbe të dislokuara në Qafë të Duhlës kishin ndërmarrë një ofensivë të ashpër kundër njësiteve çlirimtare të UÇK-së. Në luftimet e zhvilluara ato ditë, në altarin e lirisë ranë dëshmorë, komandanti Ismet Jashari, Afrim Buçaj, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj. Ramiz Shala gjatë përpjekjeje për të tërhequr shokët e rënë ishte plagosur.
Pas shërimit, Ramizi ishte sistemuar në Batalionin “Ymer Alushani” që operonte në Shalë (ish-Sedllar). Për meritat e treguara në fushëbetejat e luftës, ai u emërua komandant toge në fshatin Resinoc të komunës së Lypianit, i ngarkuar me përgjegjësi në vijën e frontit Fushticë-Mirenë,-Blinajë deri në fshatin Rreze afër Magurës. Me njësitin e tij ishte pozicionuar në hyrje të rrugës në Magurë, ku serbët kishin shkruar: ”Rruga për Drenicë, zonë e ndaluar”.
Ramiz Shala i njohur si Komandant „Rama“, në përvjetorin e parë të rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së Adem Jashari, përgatiti dhe realizoi një sulm të furishëm në hyrje të Blinajës, në bashkëveprim edhe me disa ushtarë të njësitit special „Arbri“. Më 5 mars 1999, rreth orë 11 e 15 minuta, luftëtarët e lirisë brenda kompleksit të Blinajes asgjësuan tre pizgauerë të policisë serbe të postëkomandës së Lypianit dhe Magurës. Në atë rast u vranë dhe u plagosën shumë policë.
Me fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe filloi edhe ofensiva vrastare e trupave serbe, kundër shqiptarëve, me qëllim të masakrimit të tyre dhe dëbimit nga Kosova. Këtë katrahurë e përjetuan edhe familjarët e dëshmorit Ramiz Shala. Ushtarët dhe civilët e plagosur në regjionin e Llapushës dhe të Podrimës u transportuan nga fshati Pagarushë ku ndodhej spitali ushtarak, në ambulancën ushtarake në Shalë, nën përcjelljen e doktor Agim Hazrollit. Gjashtëdhjetetre të plagosurit u vendosën në odat e shtëpive të këtij fshati.
Në mbrëmjen e 1 prillit të vitit 1999, ata u transportuan për në spitalin ushtarak në Likoc. Bartja e tyre u bë gjatë natën, nga qytetarët e angazhuar të Shalës, Krojmirit, Baicës dhe Resinocit. Për sigurimin e rrugës deri përtej Grykës së Llapushnikut u angazhuan pjesëtarët e Batalionit “Ymer Alushani”. Aty të plagosurit i pranoi eprori i UÇK-së, Musa Jashari, për t`i transportuar deri në Likoc.
Me 2 prill 1999, në Komaran u zhvillua një betejë fyt për fyt me armikun, ku Ramiz Shala, komandant “Rama” së bashku me bashkëluftëtarët e Batalionit “Ymer Alushani” iu zuri pritë serbëve dhe pas disa orë luftimesh, serbët zbrapsën me humbje njerëzore e teknikë lufte. Po atë ditë u plagosën ushtarët Haradin Bajrami dhe Driton Grantolli, meqenëse gjatë vëzhgimit në malet e Blinajës, ranë në fushën e minuara nga pushtuesi serb. Në ambulancën ushtarake në Shalë, edhe pse ekipi mjekësor bëri përpjekje vetëmohuese, Haradini nuk arriti t’u përballojë plagëve. Ndërkohë Komanda e UÇK-së kishte dhënë urdhër: “Ushtarëve, buka, uji dhe municione t`u dërgohet në istikame. Ushtarët me asnjë çmim mos ta lëshojnë vijën e frontit, deri në ushtarin e fundit të luftohet”. Ky urdhër për Ramizin dhe bashkëluftëtarët e tij ishte i pathyeshëm.
Me 3 prill 1999 forcat policore e ushtarake serbe ndërmorën ofensivë në drejtim të fshatrave ku mbi 80 mijë banorë ishin zhvendosur në malet e Berishës dhe grykat e malet e fshatrave të Drenicës dhe të Llapushës. Sulmet filluan nga Komarani, Magura dhe Carraleva. Ushtarët e UÇK-së ia ndërprenë rrugën forcave okupuese dhe u vendosën në mbrojtje të popullatës, kurse Ramiizi me bashkëluftëtarët e tij mbronte disa mijëra banorë të Resinocit, Mirenës dhe të Fushticës, të strehuar në malet e Blinajës.
Me 11 prill 1999, Ramizi vizitoi për herë të fundit bashkëshorten, Xhevrinë dhe djalin Laurantin, ne malet e Shalës, në familjen e bijëve të Murat Korpuzit. Këto familje para shumë vitesh ishin vëllazëruar njëra me tjetrën. Në ndarje e kishte përqafuar të birin e vetëm dhe për disa minuta nuk i ishte bërë të ndahej prej Lauranti. Ishte kjo një parandjenjë prindërore e ndarjes së përjetshme.
Më 12 prill të vitit 1999 rreth orës 13:00, Ramizi u doli përballë forcave serbe të cilat kishin depërtuar deri në fshatin Resinoc. Grupin e ushtarëve e kishte pozicionuar në vijën e zjarrit, ndërsa vetë kishte zënë istikamin në ballin e betejës. Kishte sulmuar furishëm hordhitë sebe me murtajë. Tri predha të tij goditën caqet serbe. Luftonte komandanti dhe jepte urdhra, nga cilat drejtime të sulmoheshin armiqtë. Në përfundim të betejës, Ramiz Shala, pasi vërenë se serbët po tërhiqeshin nga fushëbeteja, ngjesh automatikun dhe jep urdhër për ndërprerjen e zjarrit, u godit në kokë nga një plumb i armikut. Bashkëluftëtarët e kishin tërhequr me shpejtësi nga fushëbeteja dhe e kishin dërguar te doktor Izer Sinani, por pa shpresë për shpëtim.
Trupi i dëshmorit u dërgua në selinë e Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” në Kleçkë. Të nesërmen u bë varrimi i dëshmorit në varrezat e Kleçkës, me nderime të larta ushtarake. Trupa ushtarake nderoi dëshmorin me tri të shtëna zjarri. Fjalim mortor mbajtën komandanti i ZO të Pashtrikut, Tahir Sinani dhe Fatmir Limaj. Në varrim morën pjesë luftëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova” dhe të njësitit special “Arbëri”, vëllezërit, bashkëshortja me djalin Laurantin dyvjeçar, dajat, farefisi, dhe mijëra qytetarë nga Kleçka dhe fshatrat e kësaj treve.
Pas përfundimit të luftës ççlirimtare u bë rivarrimi i trupit të dëshmorit, në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Kleçkë, në Kompleksin Memorial të Brigadës 121 ”Ismet Jashari-Kumanova”. Në ceremoninë e rivarrimit morën pjesë edhe nëna, Qamilja, motrat, vëllai Sadiku dhe familjarët e tjerë.
Më 13 korrik 2011, familja e dëshmorit Ramiz Shala, përjetoi një dhembje tjetër të rëndë. Djali i tij, Laurant Shala humbi jetën në Ujëvarat e Mirushës. Kjo vdekje dyfishoi dhembjen e familjes dhe të gjithë atyre që e njohën.
Familja e dëshmorit të kombit Ramiz Shala, pas luftës u nderua me shumë mirënjohje. Lapidari në shenjë nderimi e përjetësimi i është ngritur te shkolla fillore, në fshatin Resinoc, ndërsa pllaka përkujtimore në vendin e rënies (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …