Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u radhitën edhe shumë oficerë dhe ushtarë nga Shqipëria administrative, shumë prej të cilëve edhe ranë në frontet e luftës për çlirimin e Kosovës së robëruar. Në mesin e atyre që ranë në altarin e lirisë janë eprorët Tahir Sinani nga Tropoja, Indrit Cara nga Kavaja, Skerdilajd Llagami nga Tirana, mjeku Hazir Malaj nga Tropoja dhe luftëtarët Tahir e Ramiz Ramë Memia nga Tropoja, Astrit Suli nga Berati, Halit Coka nga Arrëni i Kukësit, Arian Brahimi nga Shkodra, Pajtim Roci nga Hasi, Lefter Koxhaj nga Skrapari, Arif Shpend Dautaj nga Kruma, Hysni Hajdarmetaj nga Luma, Ndriçim Koxha nga Librazhdi e shumë të tjerë.
Në familjen e njohur për trimëri, besë dhe mikëpritje të Ahmet Zenelajve nga fshati Myhjan i Tropojës, më 15 gusht të vitit 1968 u lind Ramiz Memia. Babai i tij, Rama dhe nëna, Tushja, rritën katër bij, dy nga të cilët ranë për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.
Ramizi, shkollën fillore e kreu në vendlindje, ku edhe punoi disa kohë. Duke qenë pjesëtar i një familjeje atdhetare, e njohur si familje mikëpritëse dhe e besës, shtëpia e Ramiz Memiajt ishte bërë strehë e luftëtarëve të lirisë nga Kosova, të cilët depërtonin ilegalisht në Shqipërinë shtetërore, me qëllim për të marrë armë e municion. Në shtëpinë e Tahir Memiajt, midis të tjerëve u strehua edhe dëshmori i kombit Bahri Fazliu.
Vëllezërit Tahir dhe Ramiz Memia qysh herët ishin angazhuar të logjistikën e UÇK-së, duke mbledhur armë e municion dhe duke e sjellë në Kosovë në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme, gjithnjë nën breshërinë e armëve të forcave okupatore serbe, të cilat kishin përforcuar dhe bllokuar deri në maksimum kufirin, që asokohe i ndante mes për mes trojet shqiptare.
Edhe pse Ramizi dhe Tahiri ishin ngarkuar me detyrën për bartjen e armatimit, ata ishin pajisur me armë dhe uniforma të UÇK-së, meqë ishin përcaktuar për të dhënë kontributin e tyre kombëtar për çlirimin e Kosovës nga thundra e pushtuesit serb.
Në qershor të vitit 1998, Ramizi së bashku më vëllain Tahirin dhe me kushëririn, Avniun, kishte sjellë një sasi të konsiderueshme të armatimit, në fshatin Gjocaj të Junikut. Pa humbur kohë, më 25 qershor, këta luftëtarë marrin rrugën për kthim në Malësinë e Tropojës me qëllim për të sjellë sërish municion e armë për nevojat e luftës në Kosovë. Gjatë kthimit bien në pritën e ngritur nga forcat ushtarako-policore serbe, afër vendit të quajtur “Ujëz”. Tahiri lufton trimërisht dhe nuk pranon të dorëzohet edhe pse ishte i bindur që kish rënë në rrethim të hekurt. Ai bie heroikisht, ndërkohë që forcat serbe kapën vëllain e tij, Ramizin dhe kushëririn Avniun si dhe disa të qytetarë të tjerë të paarmatosur. Të zënit rob u dërguan në burg. Ramizi u dërgua në Burgun e Dubravës, ku edhe pushkatohet nga serbët më 25 maj të vitit 1999, ndërsa Avniu u dërgua në burgjet e Serbisë, i cili u lirua më 13 mars të vitit 2001, së bashku me kontingjentin e fundit të të burgosurve shqiptarë nga Kosova.
Familja Memia ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga Shoqatat e Luftës së UÇK-së. Shteti shqiptar me një dekret special ka shpallur dëshmor të kombit, vëllezërit luftëtarë: Ramiz dhe Tahir Ramë Memia. (D. G.)