Ramiz Sadik Batusha (24.8.1974 - 25.5.1998)

Ramiz Sadik Batusha (24.8.1974 – 25.5.1998)

Në luftën e fundit çlirimtare për çlirimin e Kosovës, pak a shumë secili fshat e qytet e ka meritën e vet të veçantë për çlirimtarët e rënë heroikisht në fushëbetejë, madje edhe ata që patën fat ta mbijetojnë, që rrëmbyen armën dhe shpalosën gjoksin para armikut të egër serb, disa dhe flijuan jetën për lirinë e shtrenjtë e të shenjtë për të ardhmen e lirë të Kosovës e popullit të saj. Midis dëshmorëve të kësaj ane të Dukagjinit krenar shquhet edhe dëshmori Ramiz Sadik Batusha, me gjithë vëllain dëshmor, Asllanin, si dhe dy vëllezërit e të tjerë bashkëluftëtarë, Ibrahimin e Isufin, që patën fatin të mbijetojnë luftën.

Ramizi rrjedh nga një familje me traditë patriotike. Djemtë e Sadikut janë nipa të Sulejman Agë Batushës. Ndërkaq, gjyshi i tyre, Cenë Rexhë Batusha ishte bashkëluftëtar i Demë Ali Pozharit.

U lind më 24.8.1974 në Baballoq, komuna e Deçanit. Prindërit e Ramizit, Sadik e Hatë Batusha patën tetë fëmijë, gjashtë djem e dy vajza. Ramizi ishte fëmija i katërt i tyre. Punoi si ndërtimtar. Ishte edhe aktivist i talentuar e i shquar në jetën kulturore jo vetëm të fshatit e komunës, sidomos me prirje valltari, bashkë me Faik Dodën e aktivistë të tjerë.

I ndikuar nga tradita familjare e më gjerë, Ramizi me tre vëllezërit e tij e priti me padurim fillimin e luftës në Prekaz. I takon radhëve të para të 14 bashëluftëtarëve, së pari ilegalë të vendlindjes dhe ndër dëshmorët e parë të fshatit.

Vëllai i tij, Brahimi, i pari e sulmon armikun në frontin e fshatit, prej ku fillon ofensiva shumëjavëshe e Baballoqit që, me ndërprerje pak a shumë të shkurtra, zgjati rreth pesë muaj (në orën 10,30 të 21 prillit, deri në shtator të vitit 1998). Ishte një ofensivë e ashpër, ballëpërballë me forcavt policore-ushtarake e paramilitare serbe, kryesisht të stacionuara në koloninë e refugjatëve serbë, të ikur nga fronti kroat e të stacionuar aty.

Më 21 prill Ramizi ishte duke u kthyer nga Malësia për të sjellë armatim, pikërisht ditën e publikimit të UÇK-së në Baballoq. Atë ditë, babai i Ramizit, Sadiku, i drejtohet komandantit të fshatit, eprorit Faik Doda: “Nuk po pyes deri ku kanë arritur luftëtarët e shkuar në Malësi për armatim, por si qoftë thënë le të bëhet. Djalin tim, Ramizin, ta kam falur ty, Kosovës e lirisë!”. Ndërkaq, Faiku e ka njoftuar babain e tij se “deri n’ Smolicë ka arritur mirë”.

Ramizi plagoset kah mesi i majit në vijën e parë të frontit, bashkë me Fazli Zebicën, epror ushtarak nga Besiana. Që të dytë shërohen në stacionin shëndetësor ushtarak të Rrezarit. Edhe pse i plagosur rëndë, porosit bashkëluftëtarët që t’i thonë nënës të mos qajë edhe nëse vdes, sepse ishte krenari të binte për atdhe e liri. Ende i pashëruar, i ribashkohet frontit mu në vijën e parë.

Pas 5-6 ditësh, pikërisht në mbrëmjen e 24 majit, komandant Faik Doda, Ramizin e plagosur e ndal në shtab, për ta kursyer nga vështirësitë e luftimeve në front, për shkak të plagëve ende të pashërueshme, bashkë me bashkëluftëtarin tjetër Arben Qerimajn.

Atë ditë, Ramizi e lë një shkresë me porosinë: “Nëse vritem, ju lutem të më varrosni me këngën “E kam emrin kosovar” të këngëtares Shkurte Fejza!”.

Të nesërmen, më 25 maj 1998, Ramizi përsëri plagoset në një betejë të ashpër.

Pranë tij plagoset edhe bashkëluftëtari 16 – vjeçar nga Gjakova, Shpëtim Shehu. Që të dy dërgohen në spitalin ushtarak të Rrezarit. Për fat të keq, Ramizi i plagosur rëndë, ndërroi jetë, për të mos vdekur kurrë. Varroset në mbrëmje të asaj dite me nderime ushtarake, nën udhëheqjen e komandantit të ZOD-it, Ramush Haradinaj dhe komandantit të vet, Faik Doda e në praninë e familjes e farefisit e bashkëluftëtarëve. Figura e tij madhërohet në lapidarin e ngritur në vendlindje me bashkëfshatarët e bashkëluftëtarët e lirisë: Nexhat Humaj, Zenun Mataj, Demush e Muhamet Bardheci, Kujtim Qollaku, Agron e Milaim Gjoci, Avni Sinani, Milazim Shalë e Izet Beqiraj, u përjetësuan në altarin e lirisë duke u radhitur në faqet e historisë së shenjtë kombëtare bashkë me qindra të tjerë që dhanë jetën për liri. Rrugën e tij e vazhduan vëllezërit, Asllani derisa edhe ky ra dëshmor më 5 prill 1999 dhe Ramizi e Isufi, që patën fatin ta mbijetojnë luftën. Ndërkaq, Arbeni ra të nesërmen më 26 maj 1998, në ofensivën e fshatit Rastavicë, duke u përjetësuar në altarin e lirisë.

Ditën e rivarrimit në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, e ëma e Ramizit kërkoi ndjesë nga bashkëluftëtari i të birit: “Nëse më vie të përlotem, le të dihet se po e shpërfill porosinë e djalit tim”. Por e mbajti fjalën.

Ramizi pati të gjitha vetitë e një ushtari, tani dëshmori shembullor, i cili mbeti shembull udhërrëfyes për bashkëluftëtarët e tjerë të UÇK-së. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …