Interesimi për t’u njohtë me të vërtetën e krimeve serbo-sllave në Kosovë, dita ditës po vjen duke u shtuar. Institucionet e ndryshme amerikane, qofshin të drejtësisë apo arsimore, dëshirojnë që sa më shumë të kenë informacione se çfarë ka ndodhur në ish Jugosllave, e me theks të veçantë në Kosovë. e, për t’u njoftuar më për së afërmi për krimet serbe të kryera në Kosovë, konkretisht në Komunën e Deçanit, më 24 dhjetor 2022, isha i ftuar për të qenë mysafir në Universitetin “TEXAS SOUTHERN UNIVERSITY” (TSU) në Houston-Texas, ftesë e ardhur nga Profesori i Gjuhës dhe Letërsisë, Derick Hughes. Ftesa më ishte bërë si drejtor Shtëpisë botuese “Jalifat Publishing”, e cila është duke botuar numër të shumtë të librave që pasqyrojnë historinë dhe kulturën shqiptare. Profesori Derick Hughes, më kishte ftuar që jemi prezent në universitetin ku ligjëron, me qëllim të njohjes nga afër me Kosovën, për historinë dhe sfidat me të cilat ishte përballuar vazhdimisht populli shqiptar në ish Jugosllavi, e veçanërisht në Kosovë. Në këtë kontest, nuk mu deshtë për të folur shumë, ngase kisha marrë me vete librat me dëshmi të krimeve serbo-sllave, që pasqyrojnë realitetin e vuajtjeve dhe krimit serbo-sllav ndaj shqiptarëve, sidomos gjatë viteve 1998/99. Vepra e autorit Adem Lushaj, “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit”, kishte zgjuar interesimin e profesorit Hughes dhe kolegëve të tij, ngase dëshmitë në këtë libër tregonin për gjenocidin serb ndaj banorëve të Deçanit dhe Junikut, dëshmi të ilustruara me foto të tmerrit. Profesori Derick Hughes, e dëshmon interesimin e tij për Kosovën, për Deçanin, duke e vendosur mbi tavolinën e punës hartën, duke e vënë gishtin mbi territorin e Deçanit, si dëshmi e interesimit të kamotshëm për këtë vend. “Unë kam pas miq dhe të afërt të cilët kanë shërbye në Kosovë në këto 20 vitet e fundit, prandaj edhe interesimi im është i madh për këtë shtet të ri, dhe në formim”, ka thënë Hughes, i cili mundohej që çdo fotografi në librin e dhuruar, donte ta kuptonte dhe studionte në thellësi. “Urrejtja kaq e tmerrshme ndaj një populli liridashës, sikurse janë shqiptarët, nuk mund të kuptohet te shtetet e civilizuara dhe demokratike. Siç shprehët Derick Hughes, në shtetet perëndimore “shteti dhe feja janë të ndara dhe duhet për të qenë te ndara, mirëpo kjo gjë shihet qartë se mungon në shtetin e Serbisë. Po themi mungon, sepse “vetëm një institucion fetar i ngritur në urrejtje, mundet me mbajt gjallë urrejtjen për një kohë kaq të gjatë, qysh po ndodh nga serbët”.
Si botues dhe drejtor i “Jalifat Publising”, profesorit Derick Hughes dhe kolegëve të tij, iu kam premtuar edhe libra të tjerë që dëshmojnë për krimet serbe të kryera ndaj shqiptarëve, sikurse që dëshmojnë për historinë, kulturën dhe artin shqiptar, libra që dëshmojmë se jemi nga popujt më të vjetër në Ballkan dhe më pro amerikan. Me Hughes dhe kolegët e tij, jemi pajtuar se gjatë semestrit të ardhshëm të studimeve t’i bëhet ftesë autorit të librit “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit”, Adem Lushaj, që të jetë i pranishëm në Universitetin “TEXAS SOUTHERN UNIVERSITY” (TSU), dhe nga afër të prezanton të dhënat mbi krimet serbe në Kosovë, e në veçanti ato në Komunën e Deçanit.
Libri “Krimet serbe në Kosovë-Rasti i Deçanit”, sikurse libri me dëshmi të shumta për krimet serbe ndaj pacientëve dhe personelit në Qendrën e Klinikave Universitare të Prishtinës,, të autorit Salih Krasniqi, tashmë janë nëpër shumë institucione të drejtësisë, dhe biblioteka të shumta universitare.