Këtë javë u mbajt “Takimi i Madh i Prishtinës”, nën organizimin e “Gazeta e Alpeve”, në të cilin morën pjesë personalitete të shumta të ardhur nga shtete të ndryshme të botës për të festuar 25-Vjetorin e Kosovës së Lirë. Përderisa ato personalitete sjellnin një perspektivë të gjerë dhe analizë strategjike, grupi që preku zemrën e të gjithëve ishin familjet e heronjëve e dëshmorëve, familjet e atyre që kishin ardhur për të vdekur për Kosovën, për lirinë e popullit të saj. Këta heronjë e dëshmorë të lirisë janë nga trojet shqiptare, nga Lugina e Preshevës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Diasporës. Kur Kosova i thirri, këta nuk hezituan që t’i përgjigjen kushtrimit për liri. Prandaj është detyrë dhe privilegji ynë t’i nderojmë këta heronj e dëshmorë. Në mesin e shumë heronjve e dëshmorëve, ne nderuam 86 prej tyre, të cilët mundëm që t’i kontaktojmë familjet e tyre dhe t’i sjellim në këtë Takim PanShqiptar-Ndërballkanik-EuroAtlantik.
Me fytyrat e tyre të zbehta dhe dhimbjen në shpirt, ata fituan
zemrat e pjesëmarrësve te këtij Takimi. Një nënë më tha: “Kjo
gjendje emocionale nuk është se më ka vdekur djali, ngase të
gjithë ishim të përgatitur për të vdekur. Por, jam e emocionuar se
pas 25 vitesh, për ne dhe gjakun e të birit tonë, të përkujdeset një
shqiptaro-amerikan, e jo qeveria e Kosovës”. Me lot në sy, kjo
nënë e përgëzoi “Gazetën e Alpeve”, Këshillin Kombëtar
Organizativ të Takimit, për organizimin dhe ndarjen e
mirënjohjes, siç shprehej ajo, e veçantë për familjen e saj.
Kur një vajzës së re (pasi që insistonte të dinte për organizatorët
e Takimit dhe nderimin e familjeve të heronjëve e dëshmorëve) i
tregova për veten time, për grupin e përkushtuar të patriotëve si:
Mentor Petrela, Besnik Mustafaj, Islam Lauka, Nazmi Jakurti,
Ramiz Lushaj…e përlotur më tha: “Unë, kurrë nuk e njoha
gjyshin tim, por sot e kuptova se vërtet është hero, ashtu sic më
thonin deri më sot”.
Njëjtë me preku në shpirt edhe i riu nga Maqedonia e Veriut, i
cili ndau momente kujtimi të luftës, kujtime për ata që kishin
ardhur për të luftuar për lirinë e Pavarësinë e Kosovës, duke
thënë: “Edhe unë jam Kosovë”!
Këtij Takimi ishte e pamundur që t’i ikën pa u nderuar emrat e
arkitektëve të Pavarësisë sonë, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Sali
Berisha.
Teksa shikoja sallën e “Takimit të Madh të Prishtinës, 2024” me
më shumë se 500 pjesëmarrës, në mesin e të cilëve ishin shumë
familje të heronjëve e dëshmorëve, nuk munda të mos e pyesja
veten, pse qeveritë tona nuk kanë bërë më shume për këto
familje dëshmorësh, të cilat jetojnë jashtë kufijve politikë të
Kosovës. Përse duhet të bisedohet me Serbinë. Për mendimin
tim, ne nuk duhet të negociojmë fare me Serbinë.
Fjalimi i Dr. Enver Hasanit solli në dritë rrugën tonë përpara dhe
sa e vështirë është të ndërtosh një demokraci dhe të fitosh njohje
nga vendet e tjera botërore.
Në fjalën e Tij, ish Presidenti i fundit i Jugosllavisë, më vonë
President i një Kroacie demokratike, Stipe Mesiç, na tregoi të
gjithëve se, Serbia nuk është ajo që shohim dhe dëgjojmë, por
një shtet i vogël në Ballkan, që nxiti të gjitha luftërat.
Nuk mund të mos e përmendi Drejtoreshën Ekzekutive të
“Shoqata e Familjeve të Ushtarakëve të Shteteve të Bashkuara
të Amerikës”, Besa Tafilaj-Pinchotti, e cila i kishte hapur
punimet e këtij Takimi, ku foli për ndryshimet e mëdha që i ka
vërejtur, që nga ditët e okupimit e deri tash. Besa, jo pse është
vajza ime, por është edhe një ambasadore e devotshme e
Kosovës dhe e Shqipërisë, gjë që pres shumë nga angazhimet e
saj edhe në të ardhmen. Me fotografimet dhe përqafimet që
kishte me pjesëmarrësit e takimit, solli emocione gëzimi dhe
hareja në zemrat e të gjithëve, duke mos përjashtuar as veten
time. “Mezi prisja të marr pjesë në këtë takim madhështor, kur
kujtoja se djemtë dhe vajzat amerikane, kanë marrë pjesë në
lirinë e këtij vendi. Jam e lumtur kur dëgjoj për sakrificën dhe
kontributin e shtetit ku kam lindur, kontributin e Amerikës për
lirinë e Kosovës, kontribut i cili kurrë nuk do harrohet nga
populli shqiptar”, ishte shprehur Besa në fjalën e saj.
Unë, si Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve”, njëherit edhe
si Kryetar i Këshillit Kombëtar Organizativ të Takimit, shpreh
falenderim të veçantë për Kryeredaktorin e “Gazeta e Alpeve”,
Ramiz Lushaj dhe familjen e tij, për punën e palodhshme dhe
përkushtimin e madh në organizim të këtij Takimi që i bashkoi
shqiptarët e të gjitha trevave.
Mirënjohja ime e sinqertë shkon edhe për Naim Berisha, drejtor
i “Berisha Group” në Kosovë; për Milaim Abdullahu, drejtor i
“Santefarma” në Kosovë; për Avni Ponarin e “Sigal Uniqa
Group Austria” në Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut; për
“Furra Qerimi 1” në Republikën e Kosovës; për mbështetjen e
tyre financiare në suksesin e arritur të këtij Takimi PanShqiptar-
NdërBallkanik-EuroAtlantik, të mbajtur në Prishtinë.
Faleminderit edhe për Ibrahim Bucaliu, drejtorin e “Emerald
Hotel”, për mikpritjen dhe mbështetjen financiare.
Në fund, veprimtaria jonë e rradhës tashmë është duke u
planifikuar dhe ne do të vazhdojmë të ngrejmë zërin e
shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit.