Ramosaj për lejet e hidrocentraleve: Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje

Kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, ka adresuar një varg kritikash për lëshimin e lejeve për operim me hidrocentrale për kompaninë “Kelkos Energy”. Ai gjatë raportimit në Komisionin hetimor për procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve, ka thënë se Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje dhe se nuk po respektohen normat e ndërtimit të hidrocentraleve.“Komuna e Deçanit është vënë në lajthitje me gjithë këtë dokumentacion sepse Komuna e Deçanit, pos asaj, nuk iu ka përmbush asnjë obligim, asnjë premtim, asnjë e drejtë që buron nga marrëveshja fillestare që është nënshkruar”, tha kryetari Ramosaj. E anëtarja e komisionit nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri e pyeti kryetarin Ramosaj se a është papërgjegjësi e vetë komunës për këtë mashtrim. “A është mashtruar komuna e Deçanit edhe me papërgjegjësitë e vet? Kush ka qenë atë kohë kryetar, apo ka pasur përgjegjësi dhe është bazuar në ligjet e Kosovës dhe ka bërë një marrëveshje, apo kontratë të cilën ne sot e shohim pse s’po zbatohet dhe ku është problemi?”, tha Gaxherri. Por Ramosaj sqaroi pse konsideron se komuna që udhëheq është vënë në lajthitje. “Komuna është institucion që e ka kontinuitetin e vet, pa marrë parasysh kush ka udhëheq më herët e kush sot. E dyta, kur them lajthitje, kërkoj të më kuptoni drejt. Lajthitje është kur t’i fillimisht e merr lejen për të bërë studim të fizibilitetit. Madje premton nënshkruan edhe letra kontraktuale duke qenë i vetëdijshëm sidomos pronari i Kelkos, se duke qenë i vetëdijshëm se momentin kur fillon punën, komuna nuk e ka asnjë të drejtë”, tha ai. Ndërkaq, anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Bajrush Xhemajli kërkoi të di nëse punimet në këto hidrocentrale kanë ndikuar në humbjen e burimeve të ujit të pijshëm. “Sipas banorëve është thënë se është humbur një burim për ujë të pijes në Deçan. A është e saktë, apo jo?”, tha ai. Këtë pohim e konfirmoi edhe vetë kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj. “Unë vlerësoj që nuk është humb vetëm një burim, përgjatë punimeve unë vlerësoj se janë humbur më shumë se dy burime, fatkeqësisht”, tha ai. Lidhur me dhënien e licencave afatgjate 40 vjet për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “Kelkos Energy” për hidrocentralet “Deçani” dhe “Belaja” pritet të thirret edhe në interpelancë ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Kontrolloni gjithashtu

Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, organizoj tryezën me temën “Roli i fesë në shoqërinë bashkëkohore”

Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, organizoj të premtën tryezën me temën “Roli i fesë …