Ramush Haradinaj: Ashtu sikur sot, 25 maj, çdo ditë e jona sjell kujtimet për heroizmin dhe sakrificën për lirinë e Atdheut

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj sot ka bërë homazhe në përvjetorin për Dëshmorët e Kombit të përjetësuar me 25 maj të viteve 1998 dhe 1999 me ç rast ka shkruar: Ashtu sikur sot, 25 maj, çdo ditë e jona sjell kujtimet për heroizmin dhe sakrificën për lirinë e Atdheut. Me 1998, në Lybeniq janë martirizuar civilët e paarmatosur nga familjet Hamzaj, Alimehaj e Gogaj. Me 1999, në betejën në Gllavica të Pejës, në luftë fyt për fyt me armikun, ranë heroikisht bashkëluftëtarët e mi, Fetah Selca, Ardian Kelmendi, Islam Berisha dhe Muharrem Kelmendi, e në Kotradiq, Arsim Ramaj.  Po në të njëjtën ditë, në Zonën e Nerodimes, Brigada 162 “Agim Bajrami” i dha lirisë dëshmorët Shaqir Kuka, Sakip Hysa, Sadik Guri, Qemal Guri, Nazmi Osmani, Avdullah Baftiu. Në këto luftime armiku ekzekutoi edhe dhjetë motra e vëllezër tanë të paarmatosur.  Në historinë e përpjekjeve për të drejtën e të jetuarit në liri dhe me dinjitet në tokën tonë, vend lavdie zë edhe luftëtari i orëve të para të UÇK-së, Heroi i Kosovës Fadil Nimani. Do e kujtojmë përherë atdhedashurinë e tij dhe qëndresën e palëkundur deri në frymën e fundit. Historia jonë u shkrua nga vet bijtë e bijat e kësaj toke, me shumë mund, përpjekje e sakrificë. Është detyrë e jona, që të ruajmë vlerat tona të shenjta dhe t’i kultivojmë ato, si garanci për të ardhmen më të sigurt për brezat.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …