Ramush Haradinaj: Kam zhvilluar dy takime me Krasniqin, komunikim të rregullt me Abdixhikun

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka zhvilluar dy takime me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ndërsa me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komunikim të rregullt, por ende nuk janë takuar. “Kam komunikim të rregullt me kolegët kryetarë të partive opozitare. Me zotin Abdixhiku shkruajmë për shumë çështje, jo vetëm për natyrën e koalicioneve, por edhe për sfidat e procesit zgjedhor. Ndërsa me zotin Memli Krasniqi kam pasur dy takime,” tha Haradinaj, duke shtuar se Abdixhiku është informuar për këto takime. Haradinaj theksoi se pret nga PDK dhe LDK të ndërmarrin nisma për takime, pasi sipas tij, si parti e tretë në opozitë, i takon të presë. “Po të isha mandatar ose parti fituese, do të kisha të drejtë morale të kërkoja më shumë. Por, duke qenë i treti, pres iniciativën e tyre dhe nuk mund t’u prij në këtë proces. Kam qenë i hapur për koalicion edhe para zgjedhjeve. Edhe tani nuk kam kërkesa të caktuara dhe jam i gatshëm për bashkëpunim,” përfundoi Haradinaj.

Kontrolloni gjithashtu

BE-ja dhe Holanda kërkojnë përkushtim të Kosovës në dialog dhe sundim të ligjit

Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar se Kosova duhet të angazhohet …